INTERVISTA E BERISHËS Largimi i Metës, akt i papërgjegjshëm. Mbështes protestat për shpëtimin e ekonomisë

0
118

 

Kryetar i PD-së nuk kthehem më. Unë kam dhënë dorëheqjen time. S’kam dhënë dorëheqje nga asgjë tjetër, full-stop. Unë jam 24 orë në 24 orë i angazhuar dhe i përkushtuar në politikë

 

Sali Berisha Clirim peka cim (1)Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një interviste të dhënë për emisionin “Fakt” të gazetarit Çim Peka, e ka quajtur një akt të papërgjegjshëm largimin e kreut të LSI-së nga koalicioni me PD-në, Ilir Meta. Sipas z. Berisha, largimi nga koalicioni pak kohë para zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit përbënte një akt të rrezikshëm për vendin dhe zhvillimin e zgjedhjeve. Gjatë intervistës, z. Berisha shpjegon garën e zhvilluar në Partinë Demokratike për zgjedhjet e kryetarit të ri Lulzim Basha, si dhe ka pranuar se nuk do të garojë më për kreun e PD-së. Ish- kryeministri ka folur për marrëdhëniet e tij me SHBA-në, për paketën fiskale dhe buxhetin e shtetit që ka dorëzuar mazhoranca në Kuvendin e Shqipërisë si dhe rrezikun që e pret, sipas tij, ekonominë e vendit me nismat e qeverisë. Për këtë të fundit Berisha ka thënë se mbështet çdo formë proteste në vend për të ndaluar shndërrimin e financave publike të Shqipërisë në një piramidë.

 

Z. Peka: Po e filloj aty ku në fakt, duket se filloi rënia e së djathtës nga pushteti. A e prisnit largimin e Ilir Metës nga koalicioni edhe ju?

Ish-kryeministri Berisha: Të them se më erdhi e papritur, duke njohur të gjithë kompleksitetin, nuk më erdhi kaq i papritur. Natyrisht ishte një akt i papërgjegjshëm, sepse ai faktikisht veproi në një mënyrë të atillë të rrëzojë qeverinë tre muaj para zgjedhjeve dhe mendoj se rrëzimi i qeverisë tre muaj para zgjedhjeve, përbënte një moment shumë të vështirë për zgjedhjet dhe për vendin, sidoqoftë ai moment u kapërcye. Z. Meta bëri zgjedhjen e tij dhe kaq.

Z. Peka: Megjithatë sot disa muaj pas zgjedhjeve të 23 qershorit, a keni menduar se po të ishit bashkë në zgjedhje mund ta mundnit Edi Ramën, i cili nuk mori as më shumë e as më pak, por një mandat më pak se në 2009 si PS?

Ish-kryeministri Berisha: Nuk kam qenë dhe nuk jam për fitore me çdo çmim, me çdo kush. Jo. Mendoj se, fakti që z. Meta u largua, konstatoj se, nuk mund të pajtohej me disa parime të qendrës së djathtë në tërësinë e tyre dhe vlerësoj se një folezë për të është e majta dhe Edi Rama, sepse merr momentin, në skenën e politikës shqiptare nuk ka pasur dy njerëz më të ndërsharë, nuk ekzistojnë dhe nuk do të ekzistojnë sesa Edi Rama dhe Ilir Meta, por disa arsye të tjera shumë më madhore, i detyruar të kapërcejë ndërsharjet dhe të bashkohen.

Z. Peka: Si e keni ndjekur garën e PD-së . A mendoni se do të kishte këtë pjesëmarrje dhe a krijuat një preceptim mbi një parti që kishte kaluar në opozitë vetëm pak javë. Ka pasur akuza nga mediat e majta se keni ndikuar në garë në favor të z. Basha. A ishte paracaktuar kryetari i partisë?

Ish-kryeministri Berisha: Së pari, a ishte i paracaktuar kryetari i partisë? Në mënyrën më absolute, kur kam dhënë dorëheqjen nuk kam ditë kurrë, se cili do të garonte, por unë dhe mund ta bëjë edhe këtë, por mendova në radhë të parë të bëja detyrën time dhe detyra ime ishte të jepja dorëheqjen dhe të hap rrugën. Së dyti, të dy kandidatëve, qoftë z. Lulzim Basha, qoftë të ndjerit Sokol Olldashi, të cilët më kanë pyetur; A na thua të garojmë, kanë marrë një përgjigje të njëjtë, nuk ju them PO as JO, sepse nuk doja të investoja, vendimin merreni vetë krejtësisht pa mua. Kjo ka qenë përgjigja ime për të dy.

Z.Peka: Po zonja Topalli dhe z. Bode janë konsultuar me ju për të kandiduar ose jo?

Ish-kryeministri Berisha: Ata jo nuk kanë shfaqur asnjë dëshirë, në dijeninë time jo. Asnjë njeri tjetër nuk ka ardhur, vetëm z. Basha dhe z. Oldashi. Këta të dy kanë ardhur, këta të dy kanë ndjekur garën. Nuk ka garë pa tension, por një gjë ka, ka patur një mirënjohje të thellë të brendshme timen, për të dy që hynë në garë, sepse do të ishte e turpshme nëse PD do të mbeste pa garë, katasrofale po të mos dilte askush dhe e dyta do të ishte gjysmake shumë po të dilte vetëm një njëri. Unë mendoj se me vendimin e tyre çdo demokrat duhet t’u jete mirënjohës atyre, për atë kohë, atë periudhë. Së fundi pa diskutim që në një garë të shprehemi kështu, 100 për 100 normale, secili drejtues i PD do të kishte të drejtë dhe duhet të kishte të drejtë të shprehte preferencën e tij publikisht. Vendosa një standard dhe nuk e bëra unë këtë standard për asnjë arsye tjetër, meqenëse unë dhashë dorëheqjen, tani duhet të mbyllej ai problem, duhej ti merrja unë ato përgjegjësira dhe të tjerët duhet të vazhdonin…

Z.Peka: Megjithëse keni ikur nga drejtimi i opozitës ju jeni mjaft aktiv. A ka hequr dorë Sali Berisha ndaj idesë për tu rikthyer sërish i pari i PD?

Ish-kryeministri Berisha: Së pari ti marrim gjërat siç janë. Sali Berisha ka dhënë dorëheqje nga kryetari i PD, kjo është dorëheqje e parevokueshme e imja, ky ka qene vendim.

Z.Peka: E parevokueshme që do të thotë në asnjë rrethanë ju nuk ktheheni më?

Ishkryeministri Berisha: Jo nuk kthehem më. Kryetar i PD nuk kthehem më. Unë kam dhënë dorëheqjen time. S’kam dhënë dorëheqje nga asgjë tjetër, full-stop. Unë jam 24 orë në 24 orë i angazhuar dhe i përkushtuar në politikë dhe këtë e kam thënë ditën e parë kur kam dhënë dorëheqjen, këtë e them sot dhe do ta them deri në orën e fundit kur do të merrem me politikë. Ky jam unë. Tani po të më pyesësh, merrem me politikë? Ndoshta nga kohërat që jam marrë më shumë. Natyrisht nuk drejtyoj PD, por politikë nga mëngjesi deri në darkë.

 

Z. Peka: Në atë kohë keni folur për transparencë. Sot jeni më i informuar jeni më i qartë. Keni pritur në këtë zyrë z. Moor për një kohë jo të shkurtër krahasuar me vizitën që ka bërë tek z. Rama vetëm 6 minuta. Z. Berisha sot me këtë informacion që keni me këtë transparencë aq sa është e mundur, a do të mbanit të njëjtin qëndrim për refuzimin e armëve kimike?

Ish-kryeministri Berisha: Tani, nuk duhet të pyetet tjetri po të ishe sikur të ishe, sepse ai e ka shumë të vështirë të thotë, por një gjë të siguroj, që miqësia dhe luajaliteti im ndaj atij vendi, nuk mund të cenohej, kjo është ajo që mund të them unë, cili do të ishte vendimi në atë kohë? Gjykuar nga ai moment do të ishte Jo, por nuk mund ta them në mënyrën më përfundimtarë këtë, sepse duhet të jesh në funksion dhe të bësh të gjithë vlerësimet dhe të përcaktosh taktikën, të përcaktosh qëndrimin. Të jap dy shembujt. Njëherë u tha 10 vjet. Tani del që ajo bëhet me 60 apo 90 ditë. Unë një gjë them të sigurt, që PO-ja do të ishte PO dhe Jo-ja do të ishte Jo, që në fillim.

Z. Peka: Pra në rast se ju do të jepnit fjalën ju do të shkonit deri në fund?

Ish-kryeministri Berisha: Absolutisht nuk mund të tradhtoja kurrë.

Z. Peka: Edhe kundër atij vullkani protestash?

Ish-kryeministri Berisha: Do të bëja zgjedhjet e mia unë pastaj. Ka shumë mënyra. Edi Rama duhet të jepte dorëheqjen. Në qoftë se gaboi. Politikani është politikan. Në qoftë se qytetarët e mi do të ngriheshin me forcë dhe do të thoshin se ne nuk ta pranojmë këtë, unë do tu thosha për nderin tuaj dhe nderin tim do të jap dorëheqjen. Ka zgjidhje politike. Merr ti rastet. Po ky zotëria i përqendroj të gjithë fokusin e brendshëm të tij dhe bëri atë që bëri. Nuk mund të behej.

Z. Peka: Në 23 vite karrierë aktive politike, si kryetar opozitë, më vonë si president, si kryeministër, a keni ndonjë peng se keni prishur ndonjë marrëveshje me SHBA?

Ish-kryeministri Berisha: Nuk di absolutisht as edhe një të vetme. Kemi rifilluar marrëdhëniet më të ngushta në aerodromin e Gjadrit,që i botonin gazetat. Po në negociata, por jo në publik, mund të ketë pasur ndonjë kërkesë që e kam konsideruar të pamundur dhe ju kam thënë jo, por në mënyrë absolute nuk ka pasur asnjë keqkuptim se ju kam shpjeguar pse-në.

Z. Peka: Po nuk i keni ikur fjalës?

Ish-kryeministri Berisha: Fjalës së dhënë! Asnjëherë, kurrë.

Z. Peka: Pra z. Berisha po të ishit kryeministër ju 300 apo 400 milion dollarë nuk do të merreshin borxh kurrë?

Ish-kryeministri Berisha: Kurrë. Kam qenë kryeministër. Viti më i vështirë në ekonominë e Shqipërisë dhe në gjithë botën dhe çdo ekonomist ta pohon këtë ishte 2012. Çfarë bëmë ne në shtator, në vitin më të vështirë. Ne shkuam dhe shkurtuam 190 milion dollarë investime. Gërshërët në të gjitha qoshet e buxhetit dhe morëm borxh 60 milion dollarë. Morën borxh 400 milion shkurtoi 130 milion, mori borxh 400 milion. Mund të mendoje kush se është një sabotim i qëllimshëm. Nuk e them këtë, them këtë tjetrën, që ky zotëri ka krijuar një realitet në mendjen e tij që nuk ekziston. Dhe operon mbi atë realitet dhe mbi atë realitet ju tha shqiptarëve se në dhjetor mbaron kriza, s’ka më krizës. Ai se ka idenë ç’është kriza, as ka idenë ç’është ekonomia. Ky nuk ka asnjë këshilltarë ekonomist në kryeministri, sepse çdo ditë bërtet Shqipëria s’ka ekonomist.

Z. Peka: Ka ministrin e Financave?

Ish-kryeministri Berisha: Cilin ministër financash?

Z. Peka: Shkëlqim Cani.

Ish-kryeministri Berisha: Shkëlqim Cani është një njeri me problematik shumë të madh. Së pari çdo njëri që e dëgjon ai ka parafabrikatet e kohës së Ramiz Alisë dhe së dyti, ai ka një problem shumë të madh me të vërtetën. Shkoni dhe eksploroni në media. Kur humbi floriri në Kërrabë. Flori me një vlerë të pallogaritshme. Shkëlqim Cani dy muaj më prapa deklaroi publikisht se nuk ka ekzistuar në inventarin e Bankës së Shteti floriri. Në një kohë kur e kishte raporti i tij i bërë më parë. Nuk ka njeri më të pabesueshëm dhe ky u zgjodh pikërisht mbi bazën e pabesueshmërisë. Ka Rama inplikime në flori vete, nuk mund ta them se po ta dija do ta thosha. Por të zgjedhësh Shkëlqim Canin dhe ti besosh atij ministrinë e financave në një kohë kur merr këto ditë Petrit Vasilin dhe i thotë hajde më bëj buxhetin se ky s’ka ide, vetë Rama.

Z. Peka: Kjo është paketë që votohet në parlament?

Ish-kryeministri Berisha: Votohet në parlament, por lëvizja qytetare mbarë popullore, është pastaj një parlament në vete-vete ajo.

Z. Peka: Po paralajmëroni protesta?

Ish-kryeministri Berisha: Absolutisht mbështes çdo protestë, demonstratë, grevë për tu ndaluar shndërrimin e financave publike të Shqipërisë në një piramidë që do ti kushtojë çdo qytetari shqiptarë dhe unë kam besim të madh, që Shqiptarët kanë tashmë vetëdijen e nevojshme për tregun për të ndaluar këtë rrokulliste të madhe që ju ofron ky ekip.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency