Zbardhen qëndrimet Kryeministri britanik: Kushti që Shqipëria të integrohet, ndalja e emigracionit masiv

0
120

Gëzim Saliu

 

Greqia dhe Suedia: Ju mbështetëm në Bruksel. Venizelos: Në qershor merrni statusin

 Ministri i Jashtëm grek: Këmbëngulëm që statusi për Shqipërinë të shqyrtohej në qershor

 

 

Prime Minister David Cameron Delivers His Keynote Speech At The Conservative Party ConferenceZbardhen detajet e mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, ku u vendos shtyrja në qershor e vendimit për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Kryeministri britanik, David Cameron, deklaroi dje se vendi i tij do të mbështesë zgjerimin mbi baza të rrepta mbi emigracionin, që kufizojnë lëvizjen e lirë për punë. Kreu i qeverisë britanike bëri të ditur se do të paralajmërojë homologët e tij evropianë se duhet të ndërmerren hapa për të parandaluar emigracionin masiv nga Shqipëria dhe Serbia, në qoftë se këto dy vende do t’i bashkohen BE-së. Në këtë kontekst, një ide e hedhur nga Cameron është që këto shtete të arrijnë më parë një nivel të caktuar të ardhurash, para se të lejohet lëvizja e lirë për punë e tyre ose shtetet anëtare të vendosin vetë, në mënyrë individuale për një numër të caktuar të emigrantëve që hyjnë në vendet e BE-së çdo vit. “Do të duhen shumë vite, ndoshta një dekadë, para se një vend tjetër t’i bashkohet BE-së. Kjo nuk mund të bëhet në të njëjtën mënyrë siç është bërë në të kaluarën. Ne duhet të vendosim në vend masa të reja që do të ngadalësonin qasje të plotë në tregjet e punës së njëri-tjetrit, derisa të jetë e sigurtë se nuk do të ketë emigracion masiv”, – u shpreh Kryeministri Cameron pak ditë më parë në një intervistë për “Financial Times”.

Qëndrimet

Greqia dhe Suedia deklaruan dje hapur se kanë mbështetur Shqipërinë për marrjen e statusit, ku madje zv.kryeministri, njëkohësisht ministri i Jashtëm grek, Evangelos Venizelos, theksoi se ai ka këmbëngulur personalisht që kjo çështje të shqyrtohet në qershor, ende pa përfunduar afati gjashtëmujor i presidencës greke në BE. Po ashtu, zv.kryeministri mësohet se ka urdhëruar ambasadorin greke në Tiranë, Leonidha Rokanas, të njoftojë zyrtarisht qeverinë shqiptare për qëndrimin e mbajtur. “Greqia është e gatshme të japë të gjithë ndihmën e mundshme për Shqipërinë, që ajo të përmbushë kushtet e vendosura nga BE-ja”, – deklaroi Venizelos, duke theksuar se në pajtim me qëndrimin e 28 shteteve anëtare të Këshillit është vendosur të diskutohet miratimi i këtij vendimi para fundit të presidencës greke, përkatësisht në qershor 2014. Në të njëjtën linjë, ambasadori suedez, Patrik Svenson, bëri të ditur se Suedia e ka mbështetur dhe vijon ta mbështesë fuqishëm Shqipërinë në marrjen e statusit të vendit kandidat. Ajo çka duhet bërë është të vijojnë reformat nga qeveria”, – tha Svenson nga qyteti i Gjirokastrës ku zhvilloi një vizitë. Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian vendosi tre ditë më parë që Shqipëria të mos marrë statusin e vendit kandidat, duke e shtyrë vendimin në qershorin e vitit 2014. Ndërkohë, ditën e sotme dhe nesër do të mblidhet në Bruksel Këshilli i krerëve të shteteve dhe qeverive të Unionit, i cili pritet të konfirmojë qëndrimin e shprehur nga Këshilli i ministrave të Jashtëm të BE-së lidhur me çështjet e zgjerimit.

 

 

Telefonata me Ramën

 Füle: KE mbështet Shqipërinë

 

Komisioneri për zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Füle, bën të ditur angazhimin e Komisionit Evropian për integrimin e Shqipërisë. Në një postim në “Twitter”, Füle u shpreh dje se ka siguruar Kryeministrin Rama për mbështetjen e Komisionit Evropian për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. “I kam telefonuar Kryeministrit Edi Rama për ta siguruar atë dhe Shqipërinë për mbështetjen e fortë të Komisionit Evropian. Komisioni Evropian është i angazhuar për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”, – ka shkruar Füle.

 

 

Presidenti i PE-së

 Schultz: Duhet përcaktuar një datë për të hapur negociatat me Shqipërinë

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schultz, deklaron se duhet përcaktuar një datë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. “Ju e dini që Komisioni Evropian e bën progres-raportin në bazë të analizës së situatës politike dhe ekonomike të vendit. Pozicioni im është që duhet të miratojmë një datë për të hapur negociatat me Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur”, – tha ai. Ndërkohë, lidhur me vendimin kundërshtues të pesë shteteve anëtare të BE-së për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë, Schultz theksoi: “Duhen pyetur krerët e qeverisë së pesë vendeve që kundërshtuan statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, sepse është më mirë që ato të japin arsyen e bllokimit. Edhe unë e pranoj që shpesh herë kam dashur të përgjigjem pse vendet anëtare janë kundër zgjerimit të Bashkimit Evropian, por gjithsesi për këtë duhen pyetur vendet anëtare”.

 

 

Refuzimi i statusit

 Zyrtarët e BE-së: Nuk ishte arsye ndikimi i forcave ekstremiste

 

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian mohuan dje ndikimin e forcave ekstremiste evropiane në refuzimin që iu bë Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat. Ish-kryeministri i Luksemburgut dhe sekretari i shtetit spanjoll për çështjet evropiane deklaruan për “ABC News” se vendimi për shtyrjen e statusit në qershor u mor pasi kërkohen rezultate konkrete. Nuk besoj se kjo ka të bëjë me politikat e brendshme të Bashkimit Evropian. Kjo ka të bëjë me faktin se që të bëhesh anëtar kërkohet realizimi i një sërë reformash. Kjo do të thotë që ju duhet të adoptoni të gjithë legjislacionin evropian në legjislacionin shqiptar dhe ta zbatoni atë, por edhe që të përshtateni me sistemin tonë administrativ dhe politik”, – tha Inigo Mendez de Vigo, sekretar i shtetit spanjoll. Në të njëjtën linjë, ish-kryeministri i Luksemburgut Jean Claude Juncker pohoi: “Nuk besoj se në Evropë vendet anëtare të Bashkimit Evropian e bazojnë analizën e tyre mbi fenomene si ekstremet edhe pse nuk duhet neglizhuar kërcënime si ai i ekstremit të djathtë. S’e dua ekstremin e djathtë. E urrej”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency