Vendimi i Gjykatës së Lartë Dosja e Shpëtim Gjikës transferohet për gjykim në Tiranë

0
151

Sonja Caka

 

shpetim gjikaKërkesa u bë nga Prokuroria e Vlorës, për të shmangur presionet ndaj gjyqtarëve. I pandehuri Gjika refuzoi kërkesën për transferim

  Nuk do të jenë togat e zeza të Gjykatës së Vlorës ato që do të gjykojnë dosjen ku i pandehur është kryebashkiaku i këtij qyteti dhe disa zyrtarë të tjerë të Bashkisë. Gjika do të gjykohet në vijimësi nga dhoma penale e Gjykatës së Tiranës, ndërsa dosja pritet që të transferohet për në kryeqytet ku edhe do t’i nënshtrohet procedurës së shortit elektronik për të caktuar trupën gjyqësore. Vendimi është marrë dje nga Gjykata e Lartë, Kolegji Penal i së cilës shqyrtoi kërkesën e Prokurorisë së Vlorës për transferim të dosjes dhe gjykimin në një tjetër gjykatë. Kolegji me relator gjyqtarin Tom Ndreca vendosi ta pranonte kërkesën e transferimit dhe do të jetë Gjykata e Tiranës ajo që do të drejtojë këtë proces gjyqësor. Paraditen e sotme, në Gjykatën e Vlorës ishte parashikuar zhvillimi i seancës gjyqësore dhe tashmë pritet që gjyqtarja të njoftojë palët se dosja është transferuar në Tiranë. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, akuzohet për “Falsifikim të dokumenteve”, ndërsa të pandehurit e tjerë për akuzën e “Ndërtimit të paligjshëm” në lidhje me miratimin e dy lejeve të ndërtimit, ne zona ku ndalohet ndërtimi.

 

Vendimi

 

Gjykata e Tiranës do të gjykojë dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika dhe shtatë të bashkëpandehurve të tij, të akuzuar për “Falsifikim” dhe “Shpërdorim të detyrës”. Prokuroria e Vlorës depozitoi pak ditë më parë në Gjykatën e Lartë një kërkesë për transferimin e dosjes penale në ngarkim të kryebashkiakut Gjika, duke kërkuar që procesi gjyqësor ndaj tij të zhvillohet në Gjykatën e Tiranës. Gjykata e Lartë pranoi dje kërkesën e Prokurorisë, duke e transferuar dosjen në Gjykatën e Tiranës. Kërkesa për transferimin e dosjes gjyqësore në ngarkim të Gjikës erdhi fill pas seancës së parë gjyqësore të këtij procesi të zhvilluar në Gjykatën e Vlorës. Në seancën e 15 nëntorit është vënë re një prani e lartë e mbështetësve të Gjikës jashtë Gjykatës, të cilët kanë dashur të futen edhe në seancë. Për këtë shkak, duke pasur parasysh ndjeshmërinë publike të çështjes, si dhe për arsye sigurie, Prokuroria e Vlorës i kërkoi Gjykatës së këtij qyteti transferimin e çështjes. Sipas Prokurorisë së Vlorës, Shpëtim Gjika ka falsifikuar në bashkëpunim procesverbalet e dy mbledhjeve të KRRT-së së Vlorës, duke shtuar në to dhënien e lejeve të ndërtimit për dy pallate shumëkatëshe.

 

 

Tiranë

 Masat e arrestit për faturistët, 9 në burg dhe 6 në “Arrest shtëpie”

 Gjykata e Tiranës nuk pranoi dje ndryshimin e masave të sigurisë ndaj 16 faturistëve të CEZ shpërndarjes, të arrestuar pak ditë më parë, për mbifaturim të energjisë së konsumuar. Me kërkesë të prokurorit Julian Xhengo, gjyqtarja e gatshme vendosi të lërë në qeli me masën e sigurisë “Arrest me burg” 9 faturistë, ndërsa për 6 të tjerë, vendosi masën e “Arrestit shtëpie”. Të dyshuarit për falsifikim të dokumenteve nuk pranuan akuzën para gjyqtares, duke kërkuar të lirohen. Ata thanë se lidhur me mbifaturimin ishin urdhëruar nga eprorët, por nuk dhanë emra konkrete për urdhëruesit. Por, pavarësisht nga pretendimet para Gjykatës, pasi ka dëgjuar prokurorin, avokatët dhe vetë të akuzuarit, Gjykata la në burg 9 prej tyre dhe 6 në arrest shtëpie, deri në përfundim të hetimeve. Avokatët deklaruan se do të ankimojnë vendimet e djeshme në Gjykatën e Apelit.

 

 

Gjyqi

 Prokuroria kërkon dëshminë e të miturit jashtë Gjykatës së Tiranës

 Gjyqi ndaj pedofilit Ardian Prrenjasi ka vijuar dje me dëshmi të kolegëve të të pandehurit, ndërsa organi i akuzës kërkoi nga Gjykata e Tiranës që minoreni i dhunuar nga pedofili të japë dëshminë e tij jashtë gjykatës. Arsyeja e paraqitur nga dy prokurorët ishte për të mos pasur kështu një përballje të të miturit me dhunuesin. Seanca është zhvilluar në dhomën penale të Gjykatës së Tiranës, ku gjykatësja Ardiana Bera ka vendosur të shtyjë seancën më 23 janar, duke rezervuar të drejtën e Gjykatës për t’u shprehur në lidhje me kërkesën e Prokurorisë. Në seancën e radhës pritet që para Gjykatës të paraqitet dhe raporti mjekoligjor i ekspertit të caktuar nga Gjykata një seancë më parë, për të vërtetuar aftësinë mendore të Prrenjasit në këto momente, por edhe për kohën kur ka kryer veprën penale. Ardian Prrenjasi u arrestua në flagrancë pak kohë më parë në lagjen e Laprakës në kryeqytet, ku mbante peng një të mitur. Ai dyshohet edhe për zhdukjen e 11-vjeçarit Julian Çela, por që kjo akuzë ndaj Prrenjasit nuk është provuar ende dhe për këtë vijojnë hetimet.

 

 

 

Masa

 Rimbursimi i TVSH-së përmes kompanive fiktive, Gjykata lë në burg administratorët

 Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi dje masat e arrestit me burg të marra në mungesë për administratorët e arrestuar dy ditë më parë, të akuzuar për ngritje të kompanive fiktive për përfitim të rimbursimeve të TVSH-së. Sipas akuzës, shumica e subjekteve, të konsideruara të nivelit III, janë të regjistruar si në QKR ashtu edhe në tatime në mënyrë fiktive, vetëm për të tërhequr blloqet me fatura TVSH-je në Drejtoritë Rajonale të Tatimeve dhe përdorimin e këtyre blloqeve për lëshim faturash shitjeje me TVSH fiktive. Pra, është bërë vetëm lëshim i faturës tatimore të shitjes për efekt të kreditimit të TVSH-së, nga subjektet e nivelit të dytë, pa dërguar në fakt mallin. Këto subjekte të nivelit të III kanë lëshuar fatura tatimore shitje për subjektet e nivelit të II në sasinë që iu nevojiteshin këtyre subjekteve të nivelit II. Në shumicën e rasteve nuk i kanë deklaruar këto fatura në shitje, në disa raste i kanë bërë deklarimet në shitje, por nuk kanë blerje. Nga verifikimi në SIT rezulton se subjektet e nivelit II i kanë deklaruar të gjitha këto fatura në blerje, duke bërë të mundur kreditimin e TVSH-së për çdo faturë në blerje. Si pasojë, nga mosdeklarimi në shitje nga subjektet e nivelit III i faturave tatimore të shitjes nuk bëhet derdhja e TVSH-së së dalë nga këto fatura në organet shtetërore, pasi janë fatura të padeklaruara. Ndërkohë që nga deklarimi i tyre nga subjektet blerëse (siç i përshkruam subjekte të nivelit II) u jep të drejtën atyre që të kërkojnë kreditimin e shumave të TVSH-së të dala nga këto fatura, kreditim që është bërë faktikisht. Nga funksionimi i kësaj skeme për një periudhë të gjatë kohe rezulton se ajo i ka sjellë dëme të konsiderueshme shtetit, një dëm që nga vlerësimet e administratës tatimore arrin rreth 26 milionë dollarë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency