Tenderimi i dijeve

0
143

Brikena Bogdo

 

Lufta antikorrupsion është argumentimi kryesor i qeverisë aktuale për të bindur shqiptarët, se kjo qeveri është serioze, për të realizuar premtimin e madh të rilindjes dhe ndryshimeve rrënjësore. Në fakt, Shqipëria ngel sërish në Bruksel. “Luftoni korrupsionin”, shprehet Brukseli, duke kërkuar prova bindëse. Faktori ndërkombëtar, por edhe ai i brendshëm, ka si prioritet të dijë se si konkretisht do të luftohet korrupsioni, hap pas hapi, çështje pas çështjeje. Në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, politika realizoi takimet protokollare të radhës, ku më tepër llomotitet sesa jepen saktë dhe në mënyrë të detajuar, se si do të zgjidhen problemet konkrete të prekshme, shqetësuese, varfëruese, denigruese apo demoralizuese për një shtet që nuk bëhet kurrë.

Në Ditën Ndërkombëtare të Antikorrupsionit, përsëri në mënyrën më të shkoqur dhe më konkrete, foli zëvendësambasadori i përfaqësisë së OSBE-së, Robert Uilton, i cili theksoi se ka ardhur koha, që t’i jepet fund korrupsionit në fushat e arsimit dhe shëndetësisë.

Unë do të fokusohem në këtë shkrim, tek sistemi arsimor, me probleme shumë serioze korrupsioni. Para disa ditësh është prononcuar për median një studim i UNICEF-it, për dhunën fizike dhe psikologjike, tek fëmijët nëpër shkolla. Në këtë studim 57% e fëmijëve dhunohen fizikisht dhe psikologjikisht dhe 38% e fëmijëve refuzojnë të shkojnë në shkollë. Fëmijët shumë shpesh po denoncojnë raste të dhunës psikologjike nga mësuesit, duke e bërë fëmijën të ndihet i pasigurt (një e treta e nxënësve).

Ky lajm duhet të kishte ngritur në alarm të gjithë shoqërinë shqiptare. Në fakt, ky problem serioz u kalua shumë vakët ose pothuaj fare nga pushteti i katërt, media. Institucionet ndërkombëtare, por edhe faktori i brendshëm kërkon sot me forcë shkaqet e kësaj situate alarmante. Disa nga shkaqet janë kurrikulat e pastudiuara mirë shkencërisht, tekstet alternativë të prodhuar nga tenderat, dëshira për të nxjerrë përfitim material i stafi pedagogjik kundrejt fëmijëve.

Një sistem shkollor i bazuar në tendera çfarë mund të prodhojë? Një sistem shkollor në thelb korruptiv, i paaftë të ndërtojë njohuri të sakta, shkencore të përthithshme për nivele dhe mosha të ndryshme. Të lejosh çdo individ të konkurrojë, për të vërtetat pedagogjike dhe shkencore, në bazë konkurrencash jo shkencore, do të thotë ta kesh minuar sistemin. Për ta konkretizuar problemin dhe për ta bërë të kapshëm për publikun, do të përmend rastin e librit të muzikës në shkollat 9-vjeçare, e teksti i së cilës nuk është hartuar nga ekspertë të fushës së muzikës por mban emrin e një aktori.

Nuk më duhet ta investigoj shumë, se si fitojnë tekstet shkollore, për t’u bindur nëse tenderi është i korruptuar, por më mjafton të shikoj efektet që ka prodhuar. “Na është bërë shkolla jetë a vdekje”, “Kam frikë të shkoj në shkollë nga dhuna e mësuesve” dëgjon të shprehen fëmijë nëpër shkolla.

Konkurrimi i vlerave është demokratike, por krejtësisht i kundërt me konkurrimin e teksteve. Ky konkurrim shndërrohet i rrezikshëm, kur hyn koncepti tender, i cili ndërkohë ka prodhuar një tekst të paqartë, të pasaktë, të shtrembëruar. Këtu zhvillohet në zinxhir antisistemi shkollor korruptiv. Me tekste paçavure, të sjella në gjuhën shqipe keq, nuk mund të implementosh dije, ndërkohë i hap rrugë korrupsionit. Dëshira për fitim të shpejtë edhe në tempullin e dijes, po deformon dije-dhënien dhe dije-marrjen.

Ministria e Arsimit ka nxjerrë urdhër që mësuesit të mos japin mësime private nxënësve të klasës së saj. Kjo është një nisëm antikorrupsion, që prek vetëm majën e dukshme të ajsbergut, duke mos e zgjidhur problemin në themel. Ky sistem shkollor, i pjellë nga tenderat fitimprurës po prodhon nxënësin e paaftë të jetë i pavarur të punojnë me librin individualisht. Në këtë sistem shkollor janë të përjashtuar edhe prindërit, të cilët përpara teksteve shkollor ndihen të pafuqishëm të ndihmojnë fëmijën e tyre.

Nëse tekstet janë të paqarta, me njohuri të pasistemuara saktë dhe të papërshtatshme për moshën fizike, mendore dhe psikologjike për fëmijën, këtu fillon modeli një teksti jo profesional dhe i një sistemi të paralizuar. Vetvetiu zgjidhja është mësuesi privat. “Marr mësues privat për çdo lëndë” shprehet një nënë, e cila e ka djalin në klasë të shtatë të 9-vjeçares. Shqipëria në tranzicion detyrimisht do të reflektojë tek tekstet në tranzicion. Rishikimi i tenderave dhe rishikimi i vlerave jo gjithmonë ecën progresivisht.

Shkolla sot implementon forma të “reja evropiane” të patestuara dhe të pacertifikuara në kohë, duke shkaktuar presione artificiale tek fëmija, por njëkohësisht duke e dëmtuar psikën e fëmijës dhe duke deformuar mësim-marrjen e tyre. Fakti që përqindja refuzuese e fëmijës ndaj shkollës po rritet në një përqindje të rrezikshme për gjithë sistemin shkollor, tregon që metodat e reja apo të implementuara keq dhe pa baza shkencore po rezultojnë frustruese dhe stresuese që në thelb ka eksperimentin. Për këtë arsye duhet një metodologji e përcaktuar e certifikuar, nga një organ i specializuar dhe jo të përdoruara në mënyrë diletante, duke rrezikuar të sjellë pasoja të pariparueshme (38% i fëmijëve refuzues të shkollës rrezikon themelet e të gjithë sistemit shkollor). Në vende të Evropës eksperimentet realizohen në shkolla pilot, pa e frustruar fëmijën.

Ai xhaxhi “korrupsioni” që na ul çdo vit e më poshtë në tabelën e vendeve më të korruptuara, po gërryen sistemin shkollor, duke e shndërruar në sistemin më të refuzuar ndonjëherë nga nxënësit, duke prekur vijën e kuqe. Fatkeqësisht media raportoi deklaratat e ministres duke anashkaluar ndjeshëm raportin e UNICEF-it, i cili jep të dhëna tronditëse. Ajo çka po prodhon korrupsioni është shumë më i rrezikshëm se vetë korrupsioni. “Pjetër Bogdanët” të cilët fluturojnë nëpër shkolla, (1-mijëlekëshat e rinj), është zgjidhja ime individuale, si një reagim mbrojtës, ndaj një sistemi që nuk po mundem ta menaxhoj, për të mbrojtur fëmijën”, shprehet një prind tjetër.

Dija është barazuar me tenderin. Tenderizimi në shoqërinë shqiptare ka rezultuar procesi më i korruptuar, i cili në progresion ka prodhuar korrupsion. Efektet e tenderizimit të dijes, ne po i prekim sot, duke krijuar një sistem shkollor frustrues, por edhe demoralizues.

Sistemi shkollor në Shqipëri është i pastudiuar shkencërisht për sa kohë që një fëmije 10 – 11 vjeç i kërkohet, apo i ngarkohen në shpatulla një studim 4-6 orë pas mësimi. Paradite në shkollë ai ka po aq orë për të studiuar, duke arritur në kohën e 12 orëve në ditë. Një i rritur ndjek orarin zyrtar 8 orë. A mundet fiziku, mendja dhe psikologjia e fëmijës të përballojë këtë mbingarkesë? Me sa duket jo për sa kohë përqindja e fëmijëve refuzues nëpër shkolla po rritet frikshëm. Kjo është e lidhur drejtpërsëdrejti me kurrikulat shkollore.

Ndërkohë edhe ekspertë të huaj të kurrikulave si dhe studime të kryera nga organizma evropianë referojnë se kurrikulat dhe programet mësimore janë tepër të ngarkuara. “Të rishihen lëndët shkollore me qëllim që të pakësohet stresi tek mësuesit dhe nxënësit”, është ky alarmi që po ngrenë edhe shoqëria civile në Shqipëri, e cila është jashtë interesit të tenderizimit të dijes. Kurrikulat shkollore, si dhe tekstet sipas studimeve të fundit janë një nga burimet e stresit si tek mësuesit ashtu edhe tek fëmijët. Ato kanë favorizuar dhunën psikologjike që ndjen fëmija nga paaftësia të menaxhojë sistemin, nervozizmin e mësuesit, që po ashtu ndihet i frustruar si dhe korrupsionin. Mësuesve, me këtë nivel kurrikulash dhe tekstesh, i hap shtigjet si për korrupsion (të paguhet ndën dorë), ashtu edhe për mësime private.

Ministrja e Arsimit në një tryezë të rrumbullakët deklaron se programet mësimore, tekstet shkollore dhe i gjithë sistemi shkollor 9-vjeçar pritet të ndryshojë me vitin e ri shkollor, për t’u favorizuar nxënësit. Ideja është shumë sfiduese me pikësynimin që të ndryshojë e gjithë mënyra e të menduarit të fëmijës. Ky është në dukje lajm i mirë, pasi nuk e zgjidh problemin në themel, për sa kohë nuk tregon mjetin se si do të arrihet tek ky qëllim, shumë i rëndësishëm dhe shumë revolucionar. Nëse do mbetemi tek forma “tender”, atëherë përmbajtja dhe pasoja do të jetë e njëjtë, dritë jeshile pro korrupsionit.

Tenderimi është thelbi i korrupsionit të sistemit arsimor, që në përzgjedhjen e tekstit shkollor. Përzgjidhja më pas e teksteve shkollore (hidhen në treg më shumë se një tekst për të njëjtën lëndë) nga drejtoritë e shkollave, në mënyrë vullnetare, përsëri hedh hije të forta dyshimi për abuzim. Premtimet e ministres së Arsimit tingëllojnë shumë të bukura, por rrezikojnë të mbeten idealistike nëse do të dominojë koncepti tender. Një gjë është e sigurt, ky sistem shkollor i prodhuar nga tender-dijet, kanë prodhuar një reaksion të fortë tek fëmijët në një përqindje të rrezikshme, duke refuzuar të gjithë sistemin shkollor. Në Tiranë këto ditë u zhvillua tryeza e parë për njësimin e teksteve me Kosovën, një nismë shumë e bukur, por së pari ta fillojmë me njësimin e teksteve brenda sistemit tonë shkollor.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency