Projektbuxheti 2014, si do të kryhen pagesat e borxhit të shtetit

0
252

Ervin Kaduku

 

 Vendimmarrja si dhe raportimi mujor mbi kontratat që do të paguhen do të jetë kompetencë e një komiteti ndërministror, i cili do të mbikëqyrë të gjithë procesin

 

taksa-640x340Qeveria e ka pranuar tashmë se borxhet që shteti ka ndaj bizneseve për punët e papaguara apo për detyrimet tatimore, është i lartë. Financat, në bashkëpunim me “Deloitte”, kanë bërë publike shifrën prej 24.6 miliardë lekësh për detyrime të prapambetura, ndërkohë që një shifër e përafërt është edhe në detyrimet tatimore (kryesisht rimbursimi i TVSH-së). Ndërkohë, në buxhetin e shtetit është parashikuar një shumë prej 39 miliardë lekë për shlyerjen e detyrimeve ndaj biznesit, që do të mbulohet përmes mbështetjes buxhetore.

Në relacionin e projektbuxhetit 2014 financat shpjegojnë si do të kryhen pagesat.

Nga raporti i kompanisë “Deloitte” për detyrimet e prapambetura të buxhetit të shtetit ndaj biznesit privat vendas dhe të huaj për punime e shërbime publike, del se ka një pagesë të prapambetur, e cila në total kap vlerën 24.6 miliard lekë. Sipas këtij raporti rreth 65% të këtij detyrimi apo në vlerën rreth 16 miliard lekë buxheti i shtetit i detyrohet projekteve të infrastrukturës, 17% të tij e ka ndaj kompanive të farmaceutikës dhe pajisjeve mjekësore, 8.42% ndaj ndërtimit të shkollave.

Ndërkohë që, nga administrata tatimore deri tani është evidentuar dhe kontrolluar një detyrim në masën 22.8 miliardë lekë për zërat që kërkojnë rimbursim të TVSH-së si dhe tatimfitimit. Deri në këto nivele, këto detyrime janë bërë pjesë e këtij buxheti, duke u përcaktuar edhe burimi i financimit të tyre.

Ndërkohë, Ministria e Financave është duke përfunduar strategjinë e pagesës së këtyre detyrimeve, proces i cili jo vetëm do të auditohet, certifikohet nga ministritë e linjës, por do të auditohet mbi bazë risku edhe nga një kompani audituese me përvojë ndërkombëtare, e cila do të rekrutohet me një proces të hapur tenderimi.

Vendimmarrja si dhe raportimi mujor mbi kontratat që do të paguhen do të jetë kompetencë e një komiteti ndërministror, i cili do të mbikëqyrë të gjithë procesin.

Kontrolli i Lartë i Shtetit është më se i mirëpritur në këtë proces kaq të rëndësishëm për buxhetin dhe ekonominë shqiptare, theksojnë financat.

 

 

Sistemi i taksave

Çfarë ndryshon tek akcizat

 

Të gjitha ndryshimet që do të rishikohen në nivelet e akcizës për një grup produktesh, si: cigaret, birra, pijet alkoolike dhe karburantet

 

 

 

Rishikohen nivelet e akcizës për një grup të gjerë produktesh, konkretisht: cigaret, duhani i dredhur, birra, pijet alkoolike, si dhe ndryshime të tjera ligjore që ndihmojnë administrimin më efektiv të akcizës.

 

Nuk do të ketë më përjashtim nga akciza për importimin e nënprodukteve të naftës, për nevojat e veta, nga subjektet e kërkimit të naftës dhe të vënies në shfrytëzim të zonave naftëmbajtëse, në rast të plotësimit të kushteve specifike, sipas legjislacionit dhe marrëveshjeve për këtë qëllim. Kjo lehtësi fiskale është përdorur me abuzivizëm nga shoqëritë hidrokarbure, duke importuar lëndë djegëse pa taksa dhe duke i shitur në treg. Për vitin 2012, kompanitë hidrokarbure kanë marrë përjashtimin nga akciza në shumën 4.7 miliardë lekë, ndërsa për 10-mujorin 2013 përjashtimi nga akciza i lëndëve djegëse, që shoqëritë hidrokarbure përdorin për nevojat e veta, ka qenë 5.3 miliardë lekë. Efekti i vlerësuar në buxhetin e vitit 2014 është 3.5 miliardë lekë.

 

Rritje e akcizës së cigareve nga 3500 lekë/1000 copë (70 lekë/paketë), që është aktualisht, në 4500 lekë/1000 copë (90 lekë/paketë) në 1 janar 2014; 5000 lekë/1000 copë (100 lekë/paketë) në 1 janar 2015; 5500 lekë/1000 copë (110 lekë/paketë) në 1 janar 2016 dhe 6000 lekë/1000 copë në 1 janar 2017.

Rritja e akcizës në vendin tonë ka qenë graduale ndër vite. Kështu, nga 40 lekë/paketa u kalua në 50 lekë/paketa (viti 2006) dhe nga 50 lekë/paketa u kalua në 70 lekë paketa (viti 2010). Rritja e akcizës së të tilla produkteve shoqërohet me rritjen e kontrabandës, fenomen ky që shoqëron gjithnjë të tilla produkte. Për këtë arsye propozohet që rritja e akcizës së cigares të bëhet në mënyrë progresive me rritje 20 lekë/paketa në vitin 2014 dhe me rritje 10 lekë/paketa në vitet në vijim, derisa të arrihet në standardin e BE-së, sipas progresivitetit të mëposhtëm:

 

4500 lekë/1000 copë, në 1 janar 2014;

5000 lekë/1000 copë, në 1 janar 2015;

5500 lekë/1000 copë, në 1 janar 2016;

6000 lekë/1000 copë, në 1 janar 2017.

 

Paraqitja e një kalendari të rritjes së akcizës në periudhë katërvjeçare zbatohet për herë të parë në këtë ligj, në adresim të kërkesave të vazhdueshme të importuesve të cigareve. Sipas direktivës së BE-së, niveli minimal i akcizës së cigareve duhet të jetë 57% e çmimit të shitjes me pakicë. Nivelin aktual të akcizës Shqipëria e ka 34% të çmimit të shitjes me pakicë. Më poshtë paraqitet masa e akcizës si përqindje ndaj çmimit për katër vitet e ardhshme.

 

Viti Akciza si% ndaj çmimit të cigares
2014

36.1%

2015

38.3%

2016

40.6%

2017

42.1%

 

Nga krahasimi me vendet e rajonit, rezulton se Shqipëria ka nivelin e akcizës të krahasueshëm me vendet e rajonit. Kështu, Kosova e takson cigaren me 70 lekë/paketa, Mali i Zi e takson duhanin me 49 lekë/paketa; Maqedonia me 76 lekë/paketa, ndërsa Serbia me 92 lekë/paketa.

 

Rritje e akcizës së duhanit të dredhur nga 1500 lekë/kg në 3000 lekë/kg, pra dyfishim i akcizës.

Propozohet rritje vjetore nga 700 lekë, për 3 vitet në vijim.

 

 

Rritje e akcizës për pijet alkoolike

 

Propozohet një rritje prej 30% (sipas intervaleve që përcakton ligji për akcizat) për produktet “Pije të tjera alkoolike (NK S200)”, nga 50 000 lekë për HL alkool Anhidër dhe 65 000 lekë për HL alkool anhidër që është aktualisht.

 

Propozohet të ndryshohet niveli i akcizës për kategorinë Ë 300 dhe I 000 nga 2000 lekë/HL në 5200 lekë/HL, pasi këto kategori verërash duhet të taksohen me akcizë më shumë sesa verërat e qeta të prodhuara apo të importuara nga prodhues vendas apo të huaj, niveli vjetor i të cilëve nuk i kalon 10 000 hektolitra. Propozimi në këtë projektligj është niveli 5200 lekë/Hl nga 5000 lekë/HL që është akciza e verërave të qeta.

 

Ndryshim akcizash për birrën

 

Aktualisht, taksimi i birrës në Shqipëri është bërë bazuar në 4 pragje (nivele prodhimi) dhe 4 norma të ndryshme taksimi. Kërkohet një prag i vetëm, nën 200,000 HL dhe mbi 200,000 HL në vit (për vendas dhe import), sipas direktivës së KE-së:

 

–           nga prodhues vendas e të huaj me sasi më të vogël se 200,000 HL në vit,             310 lekë/HL/gradë alkool;

–           nga prodhues vendas e të huaj me sasi më të madhe se 200 000 HL në vit,           710 lekë/HL/gradë alkool.

 

Sipas strukturës së propozuar, rezulton një rritje e nivelit të taksimit prej rreth 29% për birrën vendase dhe rreth 19% për birrën e importit.

 

 

Vendoset akcizë për grason

 

Për produktin “graso” nuk është parashikuar akcizë. Problematika lidhet me prodhimin vendas, ku mbi 65% e vajit të bazës të importuar në Shqipëri nga prodhuesit vendas të vajit lubrifikant (produkt ky me akcizë 40 lekë/kg) deklarohet e përdorur për prodhimin e grasos, e cila është pa akcizë, çka përbën mundësi të madhe për shmangie nga pagimi i akcizës (deklarim se nga përpunimi i vajit bazë prodhohet graso dhe jo vaj bazë). Kjo ndodh pasi grasoja prodhohet nga të njëjtat lëndë të para dhe nga i njëjti proces teknologjik si edhe vaji bazë. Propozohet vendosje e akcizës për produktin “graso” në masën 40 lekë/për kg, duke e barazuar kështu me vajin bazë. Efekti shtesë në të ardhura është 130 milionë lekë.

 

 

 

Çfarë ndryshon në taksat vendore

 

Heqje e taksës së biznesit të vogël dhe në ligjin për tatimin mbi të ardhurat dhe heqje e tatimit mbi të ardhurat personale të biznesit të vogël. Këto dy tatime, të cilat biznesi i vogël i paguan një te njësitë e qeverisjes vendore dhe një tek administrata tatimore qendrore; zëvendësohen me një tatim të vetëm, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël dhe norma tatimore është 7.5%, ndërsa për subjektet, me qarkullim nga 0 deri në 2 milionë lekë në vit, taksë fikse prej 25 000 lekë në vit.

Aktualisht, në Shqipëri zhvillojnë aktivitet si subjekte të biznesit të vogël rreth 60 mijë tatimpagues.

 

Rishikim në rritje i taksës së ndërtesës. Niveli i taksës së pasurisë në Shqipëri është shumë i ulët në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Hiqet ndarja e vitit të ndërtimit të një ndërtese, me vitin 1993, duke i trajtuar ndërtesat për qëllime banimi, të ndërtuara para vitit 1993, me të njëjtin nivel takse si ndërtesat e ndërtuara pas vitit 1993.

Gjithashtu, propozohet rritje dyfish e taksës së ndërtesës që përdoret për qëllime biznesi dhe qëllime të tjera.

 

Hiqet tavani i masës së taksave dhe tarifave të përkohshme që vendos këshilli bashkiak apo komunal. Aktualisht, masa e taksës dhe tarifës së përkohshme nuk duhet të kalojnë kufirin plus 10 për qind të nivelit tregues të taksës së biznesit të vogël. Me shfuqizimin e taksës së biznesit të vogël, është propozuar edhe heqja e këtij kufizimi ligjor për bashkitë dhe komunat.

 

 

Çfarë ndryshon në procedurat tatimore

 

Krijimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i sistemit qendror të të dhënave për secilin tatimpagues.

 

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të shërbejë si agjent për mbledhjen e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël. Ky ndryshim vjen si pasojë e ndryshimit të taksimit të biznesit të vogël dhe ky tatim do të mblidhet nga administrata qendrore për llogari të pushtetit vendor.

 

Ndryshon vlera maksimum e pagesës me para në dorë, ishte në masën 300 000 lekë, ulet në 150 000 lekë.

 

Zgjatet afati i periudhës në të cilën tatimpaguesi mund të kundërshtojë rezultatet e kontrollit tatimor, nga 5 në 15 ditë.

 

Në rast ankimi kundër detyrimit tatimor, lihet opsionale pagesa e plotë e detyrimit ose me garanci bankare. Synohet lehtësimi i biznesit në rast ankimi dhe bëhet i mundur përdorimi i këtij mjeti ankimi më me lehtësi, duke qenë se ulet shuma për të parapaguar.

 

Drejtoria e Apelimit detyrohet të publikojë vendimet e saj.

 

Hiqen gjobat që duhet të paguajnë tatimpaguesit në rastet e ndryshimit të deklaratës fillestare.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency