Mazhoranca me 78 vota 7 ministra dorëzojnë mandatin e deputetit, procedura e plotë nga KQZ deri në Parlament

0
133

Gëzim Saliu

 

Mungesa e shumicës në KQZ zgjat procesin, hyn në “lojë” Kolegji Zgjedhor

 Dorëheqja e ministrave të tjerë të kabinetit në janar, emrat e rinj në Kuvend

 

qeveria ne parlamentPas thuajse katër muajsh nga dekretimi i qeverisë së re, në bazë të marrëveshjes paraelektorale mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, 7 ministra të qeverisë depozitojnë kërkesën për të dorëzuar mandatin e deputetit. Përkatësisht, katër ministra të PS-së dhe tre të LSI-së dorëzuan dje pranë Kuvendit kërkesën për lënien vullnetare të mandatit të deputetit. Ministri për Marrëdhënien me Parlamentin Ilirjan Celibashi, ministrja e Turizmit dhe Rregullimit të Territorit Eglantina Gjermeni, ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, ai i Drejtësisë Nasip Naço, ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj dhe ministrja për Administratën Publike dhe Teknologjinë Milena Harito firmosën dje deklaratën e dorëheqjes, e cila u depozitua edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ky institucion do të mblidhet paraditen e sotme për të zhvilluar procedurat ligjore të miratimit të lënies së mandateve të shtatë deputetëve, ku më pas do të bëhet edhe zëvendësimi i tyre me emrat që vijnë më poshtë në listën përkatëse. Sipas Kodit Zgjedhor, përparësi në procedurën e zëvendësimit kanë kandidatet femra. Ndërkohë, ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, deklaroi dje se dorëheqja nga mandati i deputetit vjen në funksion të përmbushjes së zotimit të mazhorancës për të shmangur funksionet e dyfishta. “Sot së bashku me kolegët ministra Eglantina Gjermeni, Milena Harito, Klajda Gjosha, Erion Veliaj, Edmond Haxhinasto dhe Nasip Naço dorëzojmë mandatin e deputetit. Përmbushim një zotim politik për shmangien e funksioneve të dyfishta dhe përqendrohemi në rolet tona ekzekutive”, – shkruante Celibashi në rrjetin social “Facebook”.

 

Procedura

Pas kërkesës zyrtare të shtatë ministrave të kabinetit qeveritar drejtuar Parlamentit për të hequr dorë nga mandatit i deputetit, institucioni më i lartë legjislativ bën njoftimin e KQZ-së për boshllëkun e krijuar. Problematika që lind në këtë rast është mungesa e shumicës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku pritet të ndiqet e njëjta procedurë si me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit, pra që mazhoranca t’i drejtohet Kolegjit Zgjedhor për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare procesit. Ndërkohë, nga dorëzimi i mandateve të 7 ministrave të qeverisë, në Kuvend do të përfshihen shtatë emra të rinj, të cilët ishin vendosur më poshtë në listën zgjedhore përkatëse. Kështu, mandatin e deputetit të Celibashit do ta marrë Anduel Xhindi, i cili ka qenë më parë deputet i PS-së për thuajse dy vjet, pasi zëvendësoi ish-deputeten Ermelinda Meksi, që la mandatin pasi Partia Socialiste e zgjodhi atë kandidaturë për në këshillin mbikëqyrës te Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë, mandatin e deputetit të ministrit Erion Veliaj do ta marrë Vladimir Kosta e ndërsa Milena Harito do të zëvendësohet nga ish-deputetja e PS-së, e cila rikthehet në Kuvend, Enkelejda Shkreli Shamku. Nga ana tjetër, ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni do të zëvendësohet nga Adelina Rista, ministri Edmond Haxhinasto nga Miranda Rira, Klajda Gjosha nga 20-vjeçarja Kejdi Mehmetaj dhe Nasip Naço nga Selfo Kapllani.

 

 

Emrat që zëvendësojnë ministrat në Kuvend

 

Ilirjan Celibashi – zëvendësohet nga Anduel Xhindi

Eglantina Gjermeni – zëvendësohet nga Adelina Rista

Erion Veliaj – zëvendësohet nga Vladimir Kosta,

Edmond Haxhinasto – zëvendësohet nga Miranda Rira

Milena Harito – zëvendësohet nga Enkeleda Shkreli

Klajda Gjosha – zëvendësohet nga Kejdi Mehmetaj

Nasip Naço – zëvendësohet nga Selfo Kapllani

 

 

 

 Firmoset marrëveshja e TAP-it, Rama: U hapet rruga projekteve të reja në rajon

 “Shqipëria duhet të bëhet një nxitës i gazifikimit për shumë vende të rajonit”

Firmoset marrëveshja përfundimtare për kalimin e gazit në Evropë nga gazsjellësi Trans-Adriatik Pipeline, TAP. Në Baku të Azerbajxhanit, Presidenti Ilham Alijev së bashku me delegacionet përkatëse të qeverive të përfshira në këtë projekt firmosën dje marrëveshjen e përbashkët, duke nënvizuar se TAP do të ndryshojë hartën e energjisë. Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ishin të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së këtij projekti, që do të kalojë nga Shqipëria për në Bashkimin Evropian. Pas ceremonisë, kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar se TAP është një projekt i madh që do t’u hapë rrugën projekteve të reja. “Implementimi i projektit Trans-Adriatik të gazsjellësit TAP do të hapë rrugën për projekte të reja të tilla si IAP. TAP është një projekt i madh, por do të jetë akoma më i madh pasi do t’u hapë rrugën projekteve të reja inovative të përbashkëta mes Shqipërisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi, në një përpjekje të përbashkët për të promovuar IAP, i cili do shpërndajë gazin në tregjet e reja nga Korridori Jugor i gazit deri në rrjedhën e pasme të tij”, – tha Rama.

 

Projekti

 

Për Kryeministrin e vendit, TAP do të jetë një burim i zhvillimit jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kroacinë, Maqedoninë, Malin e Zi, dhe të gjitha vendet e tjera të Evropës Juglindore. Sipas Ramës, projekti nuk është vetëm një mundësi për zhvillimin e tregut kombëtar të Shqipërisë që kërkon mbështetje dhe kontribut të veçantë të Azerbajxhanit. “Shqipëria duhet të bëhet një “nxitës” i gazifikimit për shumë vende të rajonit të cilat ende nuk kanë tregje të tilla dhe infrastrukturën e nevojshme. Për Shqipërinë, TAP është jo vetëm një grup mundësish, por edhe një sërë detyrimesh. Qeveria jonë do të paraqesë burimet e nevojshme njerëzore, material dhe kuadrin institucional për garantimin e punës të projektit TAP”, – deklaroi kreu i qeverisë. TAP-i u zgjodh në qershor nga konsorciumi i Deniz Shah si projekti më i preferuar për të transportuar gazin nga fushat e Shah Deniz me fazën II, në Evropë. TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha Shah Deniz II në Azerbajxhan, drejt Evropës, në 870 km tubacione të gazit, që do të lidhet në Anatoli me Gazsjellësin TANAP, pranë kufirit turko-grek në Kipoi, do të kalojnë në Greqi, Shqipëri dhe në detin Adriatik për të mbërritur në bregdetin në jug të Italisë. TAP pritet të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë etj. Me shitjet e para të gazit për Gjeorgjinë dhe Turqinë, që parashikohet të realizohen në fund të vitit 2018, pritet që në Evropë ato të nisin përafërsisht një vit më pas, pra në vitin 2019. Ndërkohë, sipas projektit është parashikuar që rreth vitit 2019 Shah Deniz të furnizojë me 16 miliardë metra kub gaz në vit Evropën.

 

 

 

Kryeministri grek nuk merr pjesë në ceremoni, defekt në avionin qeveritar

Kryeministri i Greqisë, Antonis Samaras, nuk ka marrë pjesë dje në ceremoninë e firmosjes së marrëveshjes për projektin TAP. Shkak për këtë mungesë është bërë një defekt në avionin qeveritar, gjë që ka bërë të pamundur udhëtimin e kreut të qeverisë greke drejt Bakut të Azerbajxhanit.

 

 

Rama takim me Presidentin Alijev

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, u prit dje nga Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Alijev, ku u vu në dukje rëndësinë e projektit në drejtim të zhvillimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit, midis Azerbajxhanit dhe shteteve të Ballkanit. Rama po ashtu ka përshëndetur organizimin e shkëlqyer të ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit për gazsjellësin TAP. Gjatë takimit, Kryeministri Rama dhe Presidenti Alijev kanë diskutuar për të zgjeruar lidhjet e ndërsjella midis dy vendeve në drejtime të ndryshme, marrjen e sa më shumë investimeve dhe energjisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency