Aksidenti Zhdukja e portofolit të Olldashit, Prokuroria nis hetimet

0
168

Anxhela Tato

 

Kallëzimi nga SHKB-ja, pas denoncimit të familjarëve, dyshimet tek banorët e zonës

 Depozitohen procesverbalet e shërbimeve të punonjësve të policisë, që ishin të pranishëm natën e ngjarjes

  

makina-e-olldashitProkuroria e Tiranës nis hetimet për zhdukjen e portofolit të ish-deputetit Olldashi natën e aksidentit tragjik. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se tashmë ka nisur verifikimi i të gjitha provave që do të çojnë në zbulimin e personit që grabiti portofolin e të ndjerit. Kallëzimi penal është bërë në organin e akuzës nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, pas ankesës së familjarëve të të ndjerit Olldashi për mosmarrjen në dorëzim të portofolit. Bëhet me dije se në Prokurori janë depozituar edhe proces-shërbimet e të gjithë punonjësve të policisë, që natën e ngjarjes kanë qenë të pranishëm. Burime bëjnë me dije se gjithë pesha e dyshimeve bie mbi banorët e zonës, të cilët kanë shkuar të parët tek makina e përmbysur, ndërsa nga dëshmitë e efektivëve të policisë, nuk ka figuruar asnjëri të ketë gisht në këtë episod të turpshëm. “Portofoli nuk u gjet mes provave të fiksuara në vendngjarjen, e aksidentit fatal ku humbi jetën deputeti, dhe ky ishte i vetmi send që nuk është marrë në dorëzim nga të afërmit e tij. Ky i fundit nuk është fiksuar në procesverbalet e prokurorisë dhe policisë së Tiranës, pasi sipas burimeve nuk është gjetur në vendngjarje, por as brenda ambienteve të makinës “Mercedes-Benz” me targë AA 003 HN. Dyshimet flasin se portofoli mund të jetë vjedhur nga persona që kanë qenë të pranishëm në vendngjarje, duke përfshirë këtu dhe banorë të zonës. Ndërkohë, në makinën e Olldashit u gjet telefoni, ora, dy libra të grupit “Bitëlls”, një libër ekonomik, 20 pako duhan të bluar, qindra filtra cigaresh si dhe dy laptopë”, – thotë një burim nga organi i akuzës.

 

Kallëzimi

 

Pas aksidentit, pasi i janë dorëzuar familjes sendet personale të deputetit Sokol Olldashi, ka pasur një paqartësi nisur me provat e gjetura në vendin e ngjarjes. Këtu ka nisur një kërkesë llogarie ndaj ekspertëve, oficerëve, mjekëve e të gjithë personave që kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes, për shkak se familja pretendon se nuk u është kthyer portofoli i të ndjerit. Burime nga grupi hetimor thanë se në vendin e ngjarjes, brenda, por edhe jashtë makinës nuk është gjetur asnjë portofol. Ndërsa u verifikuan me imtësi edhe rrobat që kishte veshur Olldashi në momentin e aksidentit, një pulovër me ngjyrë jeshile dhe një palë pantallona kadife, në xhepat e të cilave nuk është gjetur portofol. Një përfaqësues i familjes Olldashi është paraqitur fillimisht në polici dhe prokurori, duke kërkuar portofolin personal të të ndjerit Olldashi, por që në fakt pas verifikimeve të kryera është konstatuar se ky send nuk është shkruar në listën e provave të gjetura në vendin e aksidentit. Pavarësisht kësaj, nga ana e Prokurorisë së Tiranës iu është dhënë garanci përfaqësuesit të familjes Olldashi që do të bënin një rikontroll tjetër të provave, me shpresën e gjetjes së portofolit, në të cilin ish-deputeti i PD-së Sokol Olldashi, kishte një sasi lekësh dhe disa karta elektronike bankomati, por edhe pas verifikimeve nuk pati asnjë zhurmë nga portofoli, i cili u zhduk në mënyrë të mistershme.

 

 

Adriatik Llalla: Thellim i hetimit për burimin e pastrimit të parave

 “Hetimet kundër korrupsionit, informalitetit në fushën e ndërtimeve dhe krimit të organizuar kanë orientuar prokurorinë shqiptare drejt investigimit të thelluar lidhur me pastrimin e parave që gjenerojnë nga këto aktivitete të paligjshme”. Kështu deklaroi prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, gjatë një bisede me ambasadoren e Republikës së Francës në Shqipëri dhe drejtorit të TRACFIN (agjencia kundër pastrimit të parave, Francë), Jean-Baptiste Carpentier. Zyra e shtypit e Prokurorisë së Përgjithshme bën të ditur se gjatë këtij takimi, kryeprokurori Llalla theksoi se falë nismës gjithëpërfshirëse të organit të prokurorisë në luftën kundër ndërtimeve të paligjshme, hetime po thellohen mbi burimin e krijimit të tyre. “Pikërisht, ky është objektivi ynë kryesor, i cili natyrisht ecën krahas hetimeve për abuzimin me detyrën nga ana e funksionarëve lokalë për dhënien e lejeve të ndërtimit”. Sipas kryeprokurorit, në të njëjtën linjë po veprohet edhe me hetimet lidhur me trafikun e lëndëve narkotike në sasi të mëdha, për të provuar qarkullimin e parave të rrjedhura nga ky aktivitet i paligjshëm në sipërmarrje të ndryshme private. Gjithashtu, edhe të ardhurat e krijuara nga korrupsioni janë një tjetër objekt, i cili po hetohet lidhur me pastrimin e parave”. Mësohet se zyrtarët francezë diskutuan me kryeprokurorin Llalla mbi mundësitë e forcimit të bashkëpunimit të mëtejshëm, pak momente para takimit të zgjeruar, në të cilin u prezantua një përmbledhje e aktivitetit dyvjeçar të TRACFIN në mbështetje të autoriteteve shqiptare lidhur me luftën kundër pastrimit të parave. Diskutimet u përqendruan edhe në vullnetin e përbashkët të dy palëve për të vijuar më tej me bashkëpunimin dhe programin e asistencës për agjencitë shqiptare nga ana e autoriteteve franceze.

 

 

 

 

 

Pretenca

Plagosi kryekomunarin, 20 vjet burg për Altin Shabanin

 Plagosi kryekomunarin pasi e largoi nga puna, kërkohet dënimi me 20 vjet heqje lirie. Prokuroria ka kërkuar shpalljen fajtor të të pandehurit Altin Shabani për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese mbetur në tentativë dhe dënimin në total me 20 vjet burg. Pretenca është lexuar seancën e djeshme gjyqësore, ndërsa nga ana e avokatit mbrojtës është kërkuar kohë në dispozicion për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare. Sipas dosjes hetimore, i pandehuri dhe i plagosuri kanë pasur njohje me njëri-tjetrin. Elmi Allmuça është me detyrë kryetar i Komunës Baldushk, ndërsa i pandehuri Altin Shabani ka ushtruar funksionin e policit bashkiak, por me shkresën e datës 1 mars të vitit 2011 i pandehuri Shabani është shkarkuar nga detyra me motivacionin e përfundimit të kontratës së punës. “Në datën 3 qershor të 2012 rreth orës 20:30, Elmi Allmuça po kthehej nga fshati Mustafakoç, për në drejtim të shtëpisë të tij. Elmi Allmuça ishte duke udhëtuar me automjetin e tij të markës “Mercedes-Benz” dhe rrugës që kalon nëpër fshatin Mustafakoç i ka dalë përpara një tjetër automjet që i ka bllokuar kalimin e rrugës. Nga ky automjet ka zbritur Altin Shabani, i cili është afruar pranë Elmi Allmuçës dhe i është drejtuar me fjalët: “A e di ti që unë e kam familjen pa bukë?” I dëmtuari, Elmi Allmuça, i ka thënë Altin Shabanit se këto probleme nuk mund të zgjidheshin në atë vend dhe në atë moment, por në zyrë. Më pas, duke shfrytëzuar një hapësirë të lirë që ndodhej ndërmjet automjetit të tij dhe automjetit të Altin Shabanit, është larguar nga ai vend. Sapo ka filluar të largohet, nëpërmjet xhamit të derës së pasme të pasagjerit dhe pasqyrës së krahut të drejtuesit të automjetit, Elmi Allmuça ka konstatuar se Altin Shabani ka nxjerrë nga brezi një pistoletë dhe me të ka qëlluar në drejtim të automjetit që ai drejtonte. Si pasojë e kësaj të shtëne ka mbetur i plagosur rëndë Elmi Allmuça, i cili ka mundur të largohet disa metra më tutje nga vendi i ngjarjes, kurse Altin Shabani është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me armën e krimit”.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency