Prishja e ndërtimeve Rama: Operacioni nuk ndalet, aksioni do të shtrihet nga Vlora deri në Butrint

0
110

Gëzim Saliu

Programi i investimeve në bregdet, Kryeministri: Buxheti më i lartë për bashkitë dhe komunat

“Nuk do të vazhdojmë më traditën e financimeve që e bëjnë copë buxhetin modest të shtetit”

 

Rama ne SarandeKryeministri Edi Rama deklaron se qeveria do të vijojë aksionin e nisur në Vlorë për prishjen e ndërtimeve ne vijën bregdetare. I pranishëm në konferencën e organizuar në Sarandë për programin e investimeve në bregdetin e Jugut, ku merrnin pjesë deputetë të qarkut të Vlorës, ministra dhe drejtues vendorë, kreu i qeverisë theksoi se operacioni do të shtrihet deri në Butrint. “Ne kemi ndërmarrë një aksion që nuk do të ndalet. Pastrimi i bregdetit të Vlorës dhe krijimi i kushteve për zhvilluar një projekt të standardeve më të mira të Mesdheut dhe për ta kthyer Vlorën qytet në një portë dinjitoze të Mesdheut për Shqipërinë dhe gjithë rajonin është vetëm një pjesë. Ndërkohë që aksioni do të zbresë deri në Butrint. E kush ka marrë përsipër të ndërtojë duke marrë peng të ardhmen e fëmijëve të këtij vendi, jo të kësaj zone, por të gjithë këtij vendi, sepse kjo zonë, e përsëris, është një nga arsyet e mëdha për të besuar se Shqipëria mund të zhvillohet shumë nga pikëpamja ekonomike dhe turistike, duhet të paguajë dhe do paguajë. Ne nuk do lemë okupatorë të detit që të bëjnë biznes mbi det”, – deklaroi Rama.

 

Programi

Në diskutimin e tij, kreu i qeverisë theksoi se programi i investimeve kapitale për bregdetin e Jugut u kthehet gjërave të lëna në harresë dhe ka kërkuar që ky program të kthehet në instrument financimi. “Është e rëndësishme që ta shtrijmë këtë projekt, këtë program në të gjithë Jonin, të mos mbetemi vetëm nën Llogora dhe këtej, por të përfshijmë të gjithë parkun e Llogorasë, të përfshijmë dhe Orikumin”, – tha Rama. Në këtë kontekst, Kryeministri nënvizoi se qeveria e tij nuk do të vazhdojë më traditën e financimeve që rëndojnë sipas tij buxhetin e shtetit. “Qeveria jonë nuk do të vazhdojë në traditën e financimeve që e bëjnë copë dhe thërrime buxhetin modest të shtetit shqiptar dhe në fund, në vend që të prodhojnë zhvillim të qëndrueshëm, krijojnë plagë përmes infeksionesh të ndryshme që lindin, natyrshëm, në copëza që nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën”. Ndërkohë, Rama bëri të ditur se pavarësisht nga shtrëngesat e domosdoshme në buxhetin e shtetit, ky i fundit do të jetë më i lartë për bashkitë dhe komunat se sa ai i vitit të kaluar. “Çdo bashki do të ketë më shumë grant të pakushtëzuar, transfertë të pakushtëzuar sesa ç’kishte në vitin 2013, edhe në bashkitë demokrate, edhe në bashkitë socialiste. Çdo komunë do të ketë më shumë sesa kishte në vitin 2013. E di që nuk janë shumë, por ama do të jetë më shumë se ç’ishte në vitin 2013, vitin elektoral, me vetëdijen se në të gjitha rastet, ne duhet të mbajmë gjallë ritmin e një pune të përditshme që bëjmë në bashki e komuna”, – pohoi kreu i mazhorancës qeverisëse.

 

 

 

Shkrimi analitik

Financial Times: Si do të bëhet Shqipëria pjesë e Evropës. Rama: Vendi, i përgatitur të ndryshojë

Prestigjiozja britanike “Financial Times” i ka kushtuar dje një shkrim analitik Shqipërisë, ku përshkruhet rruga që ka përshkruar vendi drejt Bashkimit Evropian dhe se cilat janë reformat që do të ndërmarrë vendi për t’u anëtarësuar në strukturat e Brukselit. “Në tetor, Komisioni Evropian i hapi dritën e gjelbër Tiranës për të filluar bisedimet e anëtarësimit, tre vjet pas refuzimit të aplikimit të parë të saj. Një arritje e vendit u pa në qershor, kur zgjedhjet parlamentare u përcaktuan si të lira dhe të ndershme nga vëzhguesit ndërkombëtarë, që u pasuan nga një kalim i butë i pushtetit. Ndërkohë më tej FT citon edhe një zyrtar evropian në Tiranë, i cili ka pohuar: “Ka mundësi që bisedimet të zgjasin, pasi asnjë vend kandidat i Ballkanit Perëndimor, që përfshin Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë nuk pret që t’i bashkohet unionit deri pas 2020-ës”. Ndërkohë, Kryeministri Rama pohoi për prestigjiozen britanike se Shqipëria është e përgatitur të ndryshojë. “Ne kemi nevojë të korrigjojmë një traditë të paparashikueshmërisë fiskale dhe të fokusohemi te korrupsioni, veçanërisht në dogana dhe administrimin e taksave. Ne duhet t’u bëjmë të qartë investitorëve se këtu nuk ka më shumë rrezik sesa në vendet e tjera”, – tha ai. Ndërkohë, shkrimi pohoi se Rama i ka kërkuar ndihmë FMN-së për konsolidim fiskal dhe reformë strukturore si edhe Bankës Botërore një program fleksibël për rritjen ekonomike që mund të krijojë bazat për një zhvillim të qenësishëm. “Ne kemi nevojë të hapim një kapitull të ri të bashkëpunimit ekonomik rajonal që përfshin sigurimin e energjisë, përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e tregtisë, pa harruar çështjet që lidhen me arsimin dhe mjedisin”, – deklaroi Rama. Nga ana tjetër, shkrimi analizon edhe burimet e pasura minerare të vendit, duke theksuar se Shqipëria është shndërruar në një vend të prodhimit me kosto të ulët të tekstileve, të veshjeve dhe këpucëve për tregun italian, ndërkohë që ka investime edhe nga kompani greke dhe turke. “Shqipëria u rendit e 90-ta, nga 189 vende, në raportin e fundit të Bankës Botërore për lehtësinë e krijuar ndaj bizneseve, por u rendit e fundit në çështjen e marrjes së lejeve të ndërtimit dhe e 158-ta për garantimin e sigurimit të energjisë elektrike. Prodhimi i Përgjithshëm Bruto për frymë ishte 4,149 dollarë vitin 2012, një nga më të ulëtit në Evropë”. Po ashtu FT bën të ditur: “Një autostradë me vlerë 600 milionë euro, me reliev malor dhe 170 kilometra e gjatë, nga Tirana deri në kufirin me Kosovën, është projekti më i madh infrastrukturor i Shqipërisë deri tani dhe ka shkurtuar kohën e udhëtimit nga Tirana në Prishtinë deri në tri orë. Artikulli përmend edhe projektin TAP, ku nënvizohet se nënkontraktorët lokalë pritet të përfitojnë nga ndërtimi i këtij gazsjellësi duke krijuar rreth 5 000 vende pune. “Ne presim të marrim një miliard metra kub gaz në vit për konsumin vendas. Së bashku me burimet hidrike… ky projekt do të largojë paqartësitë për furnizimin me energji, kështu që do të ndihmojë të tërheqë më shumë investitorë”, – tha ministri Gjiknuri.

 

Kërkesa

Shoqëria civile, qeverisë: Të miratohet karta. Arvizu: Qeveria të bëjë më shumë

Përfaqësues të shoqërisë civile i kërkuan dje qeverisë që brenda 6-mujorit të parë të 2014-ës të paraqesë në Kuvend për miratim kartën për shoqërinë civile, si dhe të mbështesë ngritjen e Këshillit Kombëtar të Bashkëpunimit mes qeverisë dhe shoqërisë civile. Çështjet e përfshira në një deklaratë të vetme drejtuar edhe Kryeministrit Rama u diskutuan dje në konferencën “Partnerët shqiptarë, koha për veprim”. Bashkë me përfaqësues të shumë prej OJQ-ve që operojnë në vend, në aktivitet merrnin pjesë zv.kryeministri Niko Peleshi, si dhe ambasadorët Arvizu dhe Sequi. Në fjalën e tij, numri 2 i ekzekutivit shprehu angazhimin e qeverisë për finalizimin e shpejtë të dokumentit kornizë të bashkëpunimit me shoqërinë civile që do t’i dërgohet shumë shpejt edhe Parlamentit për miratim. Ambasadori Alexander Arvizu nga ana e tij vlerësoi rolin që duhet të luajë në një shtet demokratik shoqëria civile, duke theksuar: “Shqiptarët presin shumë më tepër nga qeveria e re”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency