O jetë minjsh bredharakë…

0
166

A. S. Pushkin

 

Siç ka vënë në dukje Bjelinski, Pushkini shkundte pesimizmin si luani pluhurin nga krifa e tij. Në vitin 1827 shkroi poezinë e njohur “Në Siberi”, ku bënte thirrje për qëndresë krenare dhe shpresë. Pak kohë para se të vdiste, shkroi poezinë “Monument”, ku në mënyrë gjeniale parashikoi pavdekësi për veten, pasi me lirikën e tij ai kishte prekur miliona zemra. Popullaritetin e poetit anticarist të gjithë sundimtarët e kishin halë në sy. Intrigat dhe shpifjet arritën kulmin, kur poeti s’i kishte mbushur akoma të 38-at. Kështu, një nga poetët më të mëdhenj të Rusisë u vra në duel për çështje nderi në janar 1837.

 

*  *  *

gustav-klimt-Tek frymoj miturisht faraëmblën shpresë,

Se shpirti, herëdokur – sikur të zija besë –

Prore bart mendimet, kalbjes kur i shket

Me shpresën, dashninë, honesh ku ka tret’ –

Betohem! Botën do ta braktisja, përpos

Dhe jetën do ta zhbija, idhullin monstruoz,

Flatruar do kisha n’vendin e lirisë

Ku s’ka paragjykim, as vdekje n’atë vis.

Ku fill pluskon mendimi qiejsh të kulluar…

Ah, më kot i jepem trillit të mashtruar;

Mendimi ngul këmbë, e përbuzka shpresën…

Asgjëja më pret, matanë varrit i vetëm…

Asgjëja! As mendimi, as dashni’ e parë!

Tmerrohem! Rishmi e shoh jetën zemërvrarë,

Rish dua t’rroj gjatë, që rish imazh’ i dashur

Tinëz të ma djegë shpirtin tim të plasur.

 

Karroca e jetës

 

Sado cit me barrë nginjur,

Karroca leht’ rend papushim;

Frerët i nget Koha e thinjur,

Pa zbritur nga kupeja, prin.

 

I hypim karrocës me mëngjes;

Me gaz e rrokanisim mendjen,

Tek truajmë dhele dhe përtesë

Vikasim: jepi ç’i qi t’ëmën!

 

Por çartja na lë nga mesdita;

Të frikësuar, bërë përshesh

Nëpër zgafella dhe rrëpira,

Vikasim: më avash, sylesh!

 

Nget si më parë karroca tinës:

Me të në muzg jemi pajtuar,

Dhe tek dremisim drejt bujtinës –

Nget kuajt koha kalëruar.

 

 

Vargje të krijuara gjatë një nate të pagjumë

 

Nuk më flihet, dritë s’ka:

Gjithkund terr dhe gjum’ i dystë,

Ora krejt monotonisht

Përbri meje rreh pa prâ.

Pëshpërimë parkash idhnake,

Drithërimë e pagjumë nate,

O jetë minjsh bredharakë…

Përse ankth më kall në gjak?

Ç’kuptim ke pësh-pësh i shpifur?

Dro qortim, a qarje t’hidhur

Për ditët që i treta varg?

Çfarë prej meje rreh të dish?

Më qet fall apo më grish?

Mendjen vras të të kuptoj,

Kuptimin në ty kërkoj…

 

 

Exegi monumentum

 

Një monument i gdhenda vedit, pa vënë dorë,

Udhëza drejt tij s’ka me u veshë prej barit;

Më i lartë do të jetë ai – më madhështor

se shtylla e Aleksandrit.

 

Jo, s’do shuhem krejt – në shpirt me t’lashtën lirë

Hiri im do të mbetet dhe kalbja nuk e tret;

I lavdishëm do jem, gjer kësaj bote të nxirë

t’i mbet qoftë dhe një poet!

 

Në gjithë Rusinë e madhe zëri do më gjegjet,

Sikush ka një gjuhë, do më thërrasë me emër,

Krenari nip sllavjan, fini, tunguzi që endet,

mik’ i stepave, kallmik’ i egër.

 

I shtrenjtë për popullin do të mbetem gjatë,

Që ndjenjat fisnike ia zgjova me lirë,

Që lirinë naltova në shekullin tim t’acartë

dhe lypa për të dobtin mëshirë.

 

Veç vullnetit hyjnor, ti bindju, o muzë,

Mos lyp kurorë, le t’marrin sharjet dhenë;

Lavd e shpifje ti duhet me i përbuzë

dhe mos u merr me derdimenë!

 

 

*  *  *

(në variantin gegë)

 

Un ju kam dashtë: dashnia ka gjasë

Në shpirtin tem jo ende nuk asht shqimë:

Por mâ ajo le t’mos iu gërgasë;

Me iu ngrysë nuk due asnji grimë;

Un ju kam dashtë, pa bzâ, pa uzdajë,

Herë djegagur e herë me drojë:

Un ju kam dashtë çiltas, i pafaj,

Sa bane Zot, nji tjetër kaq t’ju dojë.

 

*  *  *

(në variantin letrar)

Unë ju kam dashur: ndoshta dashuri

Në shpirtin tim krejt ende nuk u fik;

Por le të mos ju brejë juve mërzia;

T’ju trishtoj nuk dua asnjë çikë.

Unë ju kam dashur heshtur, shpresëhumbur,

Herë me ndrojtje, herë me xhelozi;

Unë ju kam dashur aq çiltër, aq bukur

Sa, kaq o zot, t’ju dojë tjetër njeri.

1829

Përktheu nga rusishtja: Agron TUFA

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency