Debate për paketën fiskale të qeverisë dhe buxhetin e vitit 2014 në Kuvend Berisha: Buxhet klandestin, të konsultohet me qytetarët. Ruçi: Keni 13 ditë kohë

0
93

Florenc Drizari

“Ministra të këtij kabineti janë shndërruar në megafona mashtrimesh të paimagjinueshme”

 

berisha-qeveri-300x212Paketa e re fiskale e qeverisë dhe “Projektbuxheti i shtetit për vitin 2014” u diskutuan dje në Kuvendin e Shqipërisë. Edhe pse paketa ekonomike e mazhorancës iu nënshtrua vetëm miratimit të kalendarit të punimeve në seancë plenare, deputetët e opozitës debatuan ashpër me homologët e tyre të majtë, lidhur me afatet kohore të shqyrtimit të projekteve. Nga njëra anë, opozita propozoi 5 amendamente për të dyja projektet e qeverisë, të thelb të të cilave parashikohej shtyrja e votimit në tërësi për javën e dytë të janarit, në mënyrë që grupet e interesit të shprehnin mendimet e tyre në komisione, ndërkohë që përfaqësues të mazhorancës u treguan të prerë për sa u përket afateve, duke thënë se më datën 28 dhjetor paketa financiare do t’i nënshtrohet votimit.

SALI BERISHA

Ish-kryeministri Berisha e quajti një buxhet klandestin projektin financiar të qeverisë, për faktin se kjo paketë, sipas tij, po kalon me procedura të përshpejtuara pa marrë konsultimin e nevojshëm me grupet e interesit. Berisha kërkoi që t’i jepet edhe dy ditë kohë, me qëllim që buxheti të konsultohet me qytetarët, ndërsa e cilësoi si të pandodhur më parë miratimin e këtij projekti financiar në një kohë të shkurtër.

“Ky është një buxhet klandestin. I hartuar dhe i formuluar pa asnjë konsultë me qytetarët. U përdor si argument se u vonua nga negociatat me FMN-së. A mund të bëj një pyetje: Si ka mundësi që me FMN të merrni dy muaj dhe me qytetarët e këtij vendi as dy ditë? Kjo që ndodh të kujton ligjet me procedurë të shpejtë. Ky është buxhet, janë të gjithë të ardhurat dhe shpenzime të një viti. Është buxheti i dytë i çdo qytetari shqiptar. Nuk mund të trajtohet në një mënyrë të tillë, nuk ka ndodhur kurrë kështu. Mundësisht të japim kohën për konsultën me qytetarët. Ministra të këtij kabineti janë shndërruar në megafona mashtrimesh të paimagjinueshme”, – tha Berisha.

GRAMOZ RUÇI

Në replikë me ish-kryeministrin Berisha si dhe me përfaqësues të tjerë të Partisë Demokratike që morën fjalën në seancën e djeshme plenare, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, tha se opozita nuk duhet të bëjë sikur nuk ka ndodhur asgjë me financat e këtij vendi. Sipas tij, qeveria e kaluar e la mazhorancën e re në borxhe të mëdha me biznesin, teksa tha se koha e përcaktuar për shqyrtimin e buxhetit të vitit 2014 dhe të paketës fiskale është e mjaftueshme për të kaluar në sitën e Parlamentit.

“Situatën ekonomike e gjetëm midis jush, edhe krizën, edhe situatën ekonomike, edhe borxhin, edhe investimet e papërfunduara, edhe rrogat e padhëna të paraplegjikëve, e kështu me radhë mund të vazhdoja. Ka qenë kjo situatë nga njëra ana dhe nga ana tjetër përgjegjësia shumë e lartë politike e qeverisë së re, që pavarësisht se si e gjeti, ka detyrimin që të gjejë rrugën e zgjidhjes. Më e rëndësishme është kjo sesa disa data. Së dyti, ju e dini, e përzutë FMN-në në ‘96 dhe dihet ça ndodhi. E përzutë edhe në 2007, dhe ja fundi. E pra ne thirrëm FMN-në që këto që po themi nuk janë tonat, nuk i themi ne, por një organizëm që operon në shumë vende”, – tha Ruçi. “Kufiri maksimal, – tha Ruçi, – për miratimin në tërësi të buxhetit është fundi i këtij muaji”. Në tërësi kreu i grupit parlamentar socialist u shpreh i hapur për të dëgjuar opozitën në pretendimet dhe kundërshtimet e saj për projektin financiar të qeverisë.

 

Ish-kryeministri Berisha: Ja pse votova kundër

Gjatë hedhjes në votë të pesë amendamenteve të opozitës për projektbuxhetin e shtetit për vitin 2014 dhe të ligjeve që e shoqërojnë atë, ish-kryeministri Berisha votoi kundër propozimit të fundit të opozitës. Pasi mori fjalën për të shpjeguar votën e tij kundër, z. Berisha tha se qëndrimi i tij kishte të bënte me projektbuxhetin e sjellë nga mazhoranca si një pamundësi për të zgjidhur premtimet elektorale të Edi Ramës të bërë gjatë fushatës së fundit.

“Votova kundër, sepse konstatoj se ky është buxheti i frikës së kësaj qeverie. Konstatoj se në panik të madh, në padije të plotë, në frikë të paimagjinueshme, qeveria “Rama-Meta” përpiqet vetëtimthi ta fshehë dhe të bëjë gjithçka me shpenzimet vjetore të qytetarëve shqiptarë në interesa të tyre. Votova kundër, sepse ky buxhet është i vdekur pa lindur fare; sepse ky buxhet do të jetë buxheti i rrokullisjes së madhe të ekonomisë ndaj të gjithë këta janë të trembur, të frikur, të strukur dhe si dalin për zot asnjë fjale, ndaj kanë përjashtuar edhe komisionet, grupet e interesit, qytetarët dhe vijnë këtu me kodin e heshtjes, buxhetin e katastrofës, buxhetin e dështimit të plotë. Buxhet që nuk shpreh asnjë për qind të premtimeve antiglobaliste të tipit Papandreu të bërë nga Edvin Rama”, – tha Berisha. Në replikë me të, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, deklaroi: “Votuat kundër amendamentit të fundit, i cili, në fakt, kërkonte t’i jepte më shumë kohë diskutimit të projektbuxhetit”.

 

 

Më 28 dhjetor votohet në Kuvend buxheti i 2014-ës, opozita kundër: Të votohet më 13 janar

Jozefina Topalli: Projektbuxheti mbërrin me vonesë në Kuvend dhe është hartuar në mungesë të plotë transparente

 

Projektbuxheti i shtetit për vitin 2014 si dhe paketa e re fiskale pritet të votohen më 28 dhjetor në Kuvendin e Shqipërisë. Debatet e nxehta mes pozitës dhe opozitës lidhur me paketën financiare të qeverisë pritet të shoqërojnë ditët e fundit të dhjetorit. Diskutime janë parashikuar edhe në ditët e pushimit në fundjave, ndërkohë që mbledhjet e komisioneve parlamentare do të vazhdojnë edhe pasditeve.

Me 74 vota pro nga radhët e mazhorancës dhe 48 kundër nga opozita, Kuvendi i Shqipërisë miratoi kalendarin e shqyrtimit të projektbuxhetit. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, hodhi në votim propozimin e kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe, i cili parashikonte shtyrjen e votimit të buxhetit në datën 28 dhjetor. Përpos këtij propozimi ishin dorëzuar në Kuvend edhe 5 amendamente të përfaqësuesve të opozitës, por pas hedhjen për votim nga kreu i Kuvendit, Meta, draftet u rrëzuan me forcën e kartonit. Opozita kërkoi që buxheti të votohet më 13 janar 2014.

Pesë amendamentet e opozitës kërkonin që projektbuxheti dhe paketa fiskale për vitin 2014 të shqyrtohen nga të gjitha komisionet parlamentare, në përputhje me traditën e shqyrtimit të këtij projektligji të rëndësishëm në Kuvend, por edhe për t’i dhënë hapësirë një diskutimi më të gjerë me të gjithë grupet e interesit sipas fushave përkatëse.

Më herët Meta bëri të ditur se ky projekt-kalendar nuk u miratua me konsensus nga mbledhja e Konferencës së Kryetarëve dhe për këtë fakt i takonte seancës plenare që ta miratonte atë.

“Kemi një propozim të fundit nga kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, z. Erion Braçe, sipas të cilit, shqyrtimi i projektbuxhetit dhe i projektligjeve financiare që kanë lidhje të shtyhet me një ditë, pra në datë 28 dhjetor 2013”, – tha Kryetari i Kuvendit.

Meta njoftoi se përfaqësues të opozitës kanë paraqitur pesë amendamente për kalendarin. “Pasi të shprehemi në tërësi për projekt-kalendarin, mendoj që çdo deputet të ketë mundësinë të paraqesë argumentet përkatës për secilin amendament”, – tha Kryetari i Kuvendit.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, tha se krahas faktit që projektbuxheti mbërrin me vonesë në Kuvend dhe është hartuar në mungesë të plotë transparente, procedurat e hartimit të projekt-kalendarit për shqyrtimin e projektbuxhetit kanë qenë në shkelje të rregullores së Kuvendit.

Në përgjigje të këtyre deklaratave, Kryetari i Kuvendit theksoi se në bazë të rregullores së Kuvendit është njoftuar menjëherë mbërritja në Kuvend e projektbuxhetit dhe projektligjeve financiare të lidhura me të. “Kryetari i Kuvendit thërret brenda dy ditëve Konferencën e Kryetarëve dhe vendoset për kalendarin e punimeve në komisionet e përhershme dhe në seancë plenare. Të gjitha këto janë kryer, me përjashtim të Konferencës së Kryetarëve, e cila është shtyrë. Pas komunikimit me z. Paloka e shtymë për ditën e hënë paradite. Këto rregullohen në mënyrë të posaçme nga Rregullorja e Kuvendit. Kam respekt për Rregulloren që e kemi miratuar të gjithë bashkë”, – tha, ndër të tjera, z. Meta.

Seanca vijoi punimet me diskutimin nga përfaqësues të grupeve parlamentare lidhur me projekt-kalendarin e paraqitur për shqyrtimin në komisionet e përhershme dhe në seancë plenare të projektbuxhetit për vitin 2014 dhe të projektligjeve që lidhen me të.

Gjithashtu, Kuvendi i Shqipërisë gjatë seancës së djeshme plenare, miratoi me 87 vota edhe projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar”, i mbartur nga seanca e kaluar. Data e hyrjes në fuqi të këtij projektligji do të jetë 30 qershori i vitit 2016.

 

 

Buxheti më 28 dhjetor? Tahiri kundër Braçes

Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë në ditët e fundit të muajit dhjetor projektbuxhetin e vitit 2014 si dhe paketën e re fiskale. Pas dorëzimit në Kuvend të propozimit të deputetit Erion Braçe të amendamentit për votimit e paketës financiare të qeverisë më datën 28 dhjetor, kryetari i Kuvendit Ilir Meta hodhi për votim. Propozimi i z. Braçe gjeti mbështetjen e socialistëve, por jo të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Kuvendi votoi me shumicë të thjeshtë votash amendamentin 74 pro nga socialistët dhe 48 kundër nga demokratët, ndërkohë që gjatë votimit deputeti Saimir Tahiri, njëkohësisht edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë, votoi kundër. Pas interesimit të z. Braçe se përse vota i tij ishte kundër, edhe pse jashtë mikrofonit, ministri Tahiri la të kuptohej se ishte një ngatërresë në momentin e votimit.

 

 

 

 

 

 

5 AMENDAMENTET E OPOZITËS

1 – Amendament i paraqitur nga Edi Paloka

Kërkon shqyrtimin në parim të projektbuxhetit të vitit 2014 në datë 30.12.2013 ora 10:00 dhe shqyrtimi në seancë plenare nen për nen dhe në tërësi i projektligjit të projektbuxhetit të vitit 2014 si dhe të projektligjeve financiare që kanë lidhje me të më datë 13 janar, ora 10:00. (Rrëzohet me 75 vota kundër).

2 – Amendament i paraqitur nga deputetët Imami, Bumçi, Mima, Papa, Bushati, Ademi dhe Topalli

1. Shqyrtimi i projektbuxhetit nga komisionet parlamentare sipas fushave që mbulon secili prej tyre. 2. Zhvillimi i seancave dëgjimore me grupet e interesit në komisionet parlamentare sipas fushave që mbulon secili prej tyre – data 20.12.2013. (Rrëzohet me 74 vota)

3-Amendament nga deputetët Islami, Ristani, Fufi, Elmazi, Selami dhe Vokshi

“Pyetje me ministrin e Financave për projektbuxhetin dhe projektligjeve që e shoqërojnë atë 18.12.2013, ora 11:00”. (Rrëzohet me 74 vota)

4-Amendament i paraqitur nga Dashi, Cara, Bylykbashi, Bregu, Shehu dhe Keta

Synon që diskutimi në parim i projektbuxhetit të vitit 2014 dhe vazhdimi i diskutimit për të ardhurat të jetë më datë 26.122013. Diskutimi në parim për shpenzimet të jetë në 27 dhjetor ora 10:00. (Rrëzohet me 74 vota)

5-Amendament i propozuar nga Tafaj, Shehu, Vokshi, Doda, Bode dhe Deda

Synon seancë dëgjimore me grupet e interesit. Seancë dëgjimore me grupet e interesit për projektligjet financiare më datën 3.1.2014, ora 16:00. Shqyrtimi nen për nen i projektligjit për buxhetin e vitit 2014 më datën 10 janar, ora 16:00. (Rrëzohet 75 vota)

 

 

 

 

 

 

 

Konferenca e Kryetarëve

Paloka: U shkelën afatet. Meta: Qeveria ishte në negociata me FMN-në

Konferenca e Kryetarëve nuk gjen konsensus për miratimin e kalendarit të punimeve për diskutimet e projektbuxhetit të shtetit për vitin 2014 si dhe të ligjeve financiare që e shoqërojnë atë. Gjatë mbledhjes së djeshme të krerëve të grupeve parlamentare, opozita kundërshtoi hartimin e buxhetit me argumentet se plani i qeverisë vjen në shkelje të rregullores së Kuvendit dhe të ligjit për buxhetin.

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve nisi dje në orën 10:00, ndërsa dy projektligjet u paraqitën nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka ngriti shqetësimin e opozitës për shkeljen e afateve të paraqitjes së projektbuxhetit në Parlament, i cili duhet të ishte gati më 12 nëntor.

“Kërkoj zbatimin e procedurave. Po u mbahet e fshehtë shqiptarëve se çdo ndodhë me atë buxhet që kanë sjellë në Kuvend”, – u shpreh Paloka.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta theksoi se mazhoranca është e ndërgjegjshme për afatet e parashikuara, por vonesa ka ardhur për shkak të negociatave që qeveria po zhvillonte me FMN dhe institucione të tjera ndërkombëtare.

“Është e vërtetë që nuk jemi në afatet e përcaktuara, por qeveria ka qenë në negociata me FMN dhe institucione të tjera ndërkombëtare, pasi ka qenë e domosdoshme që të binim dakord për disa politika fiskale. Kjo ka qenë arsyeja, që sipas mendimit tim ka qenë objektive”, – u shpreh Meta.

Kreu i Kuvendit u shpreh se “pretendimet e opozitës për vonesën e sjelljes së projektbuxhetit në Parlament janë pretekste dhe se ajo nuk do të bashkëpunojë me mazhorancën”.

Gjatë kësaj mbledhjeje u vendos që kalendari i shqyrtimit të projektbuxhetit dhe projektligjet financiare në Komisionet Parlamentare dhe në seancë plenare, të votohej në sallën e Parlamentit. Pas diskutimeve të djeshme, mazhoranca miratoi e vetme me 74 vota planin kalendarin e punimeve në Kuvendin e Shqipërisë.

 

 

 

 

 

 

“Ku po shkon ekonomia shqiptare?”

PD nis organizimin e tryezave dëgjimore me biznesin

“Ndikimi i paketës fiskale dhe projekt buxhetit 2014 në ekonominë e vendit dhe jetën e shqiptarëve”, është iniciativa më e re e Partisë Demokratike e cila pritet të mbajë për katër ditët e ardhshme tryeza të rrumbullakta me biznesin. Me anë të një deklarate për median, Partia Demokratike duket e shqetësuar për impaktin që do të sjellë në ekonominë e vendit paketa e re fiskale dhe buxheti i vitit 2014.

“Duke e konsideruar biznesin si gjeneratorin e zhvillimit ekonomik, punësimit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve, Partia Demokratike është e gatshme të jete zëri i biznesit në Parlament dhe komisionet parlamentare.

Ne dëshirojmë të diskutojmë me bizneset të gjitha mendimet, sugjerimet e tyre në tryezën e rrumbullakët dëgjimore-konsultative, që do të organizohet ditën e martë dt. 17 Dhjetor 2013, ora 12:00 në Tirana International Hotel. Takimet do te mbahen per 4 dite me rradhe, ne sallen Blue Room.  Çdo dite ne oren 12.00, ndersa te enjten ne 11.30”, – thuhet në deklaratën për shtyp të PD-së. Ndërkaq, gjatë diskutimeve të djeshme në Kuvendin e Shqipërisë mes deputetëve të opozitës dhe atyre të pozitës, fokusi kryesor i debateve ishte zhvillimi seancave dëgjimore me biznesin dhe grupet e interesit në Shqipëri, lidhur me vendimin e qeverisë për të votuar projektbuxhetin e vitit 2014, brenda këtij viti.

 

 

 

 

 

 

 

PROJEKTKALENDARI PËR SHQYRTIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR BUXHETIN E VITIT 2014” DHE E PROJEKTLIGJEVE FINANCIARE QË KANË LIDHJE ME TË

 

[Nr.

CESHTJET NE SHQYRTIM

AIATI

1

Prezantimi ne Konferencen e Kryetareve nga ministri i Financave i projektligjit “Per buxhetin e vitit 2014” dhe i projektligjeve financiare qe kane lidhje me te. Miratimi i kalendarit te vecante te Kuvendit per shqyrtimin e tyre. E hene 16 dhjetor

2013 Ora 10:00

2

Shqyrtimi ne parim i i projektligjeve financiare ne komisionet parlamentare dhe dorezimi i raporteve ne Komisionin per Ekonomine’ dhe Financat. 16-18 dhjetor 2013

3

Shqyrtimi ne parim i projektligjit “Per buxhetin e vitit 2014” ne komisionet parlamentare dhe dorezimi i raporteve ne Komisionin per Ekonomine dhe Financat. 19-21 dhjetor 2013

4

Shqyrtimi ne parim, ne seance plenare, i projektligjeve financiare dhe i projektligjit “Per buxhetin e vitit 2014”. E hene 23 dhjetor

2013 Ora 10:00

5

Shqyrtimi nen per nen i i projektligjeve financiare ne komisionet parlamentare dhe dorezimi i raporteve ne Komisionin per Ekonomine dhe Financat. 24-26 dhjetor 2013

6

Shqyrtimi nen per nen i projektligjit “Per buxhetin e vitit 2014” dhe dorezimi i raporteve ne Komisionin per Ekonomine dhe Financat. 27 dhjetor 2013

7

Shqyrtimi nen per nen dhe ne teresi, ne seance plenare, i projektligjit “Per buxhetin e vitit 2014” dhe i projektligjeve financiare qe kane lidhje me te. E shtune 28 dhjetor

2013 Ora 10:00

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency