Eksplozivi të Kryeministria Hetimi i atentatit të dështuar, shoqërohen 10 persona për t’u marrë në pyetje

0

Merret dëshmia e shoferit të prefektit, dëshmohen lëvizjet e fundit të Dervishit me makinën ku u gjet lënda shpërthyese

Garda e Republikës urdhëron rritjen e masave të sigurisë për makinat e ministrave

 

makina-kryeministria1Prokuroria e Krimeve të Rënda vijon hetimet intensive lidhur me zbardhjen e ngjarjes së rëndë, vendosjes së eksplozivit në makinën e prefektit të Vlorës. Për këtë qëllim, pas marrjes së dëhsmisë për disa orë të prefektit Besnik Dervishi, radhën e kanë pasur personat me të cilët ka pasur kontakte vetë ai dhe ku ka parkuar makinën para se të konstatohej lënda shpërthyese. Nga hetuesit janë shoqëruar 10 persona të cilët kanë dhënë detaje në interes të ehtimit lidhur me automjetin e prefektit. Mes të shoqëruarve, janë pronari dhe punonjësit e një parkingu privat në Tiranë dhe Vlorë, rojet e një pallati në qytetin bregdetar të Vlorës si dhe shoferi i prefektit Dervishi. Ky i fundit, ka treguar të gjitha lëvizjet që ai dhe shefi i tij, kanë bërë, ditët e fundit me makinën me targa TR 5066 N, ku edhe u gjet sasia prej 200 gramësh, C4 të lidhur me një celular dhe dy detonatorë. Gjithashtu, prokurorët, po verifikojnë edhe dëshminë e prefektit, për të gjitha lëvizjet që ai ka bërë, pa praninë e shoferit në Vlorë dhe Tiranë, deri në momentin e zbulimit të pakos me lëndë eksplozivi. Kjo pako, sipas hetuesve, është dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore ku është kërkuar nga ekspertët të përcaktojnë mekanizmin dhe mënyrën e ndërtimit të sasisë së lëndës plasëse me C4 te lidhur me aparatin celular. Përgjigjja e ekspertëve do të ndihmoje hetuesit për krijimin e një skeme krahasuese me rastet e tjera, të shpërthimeve të makinave me eksploziv, të ndodhura kohët e fundit në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë. Zbardhja dhe përcaktimi i këtij mekanizmi, është vlerësuar nga prokurorët, si një provë e rëndësishme, që mund të çojë në gjurmët e autorëve të këtij atentati të mbetur në tentativë. Ndërkohë, grupi hetimor ende nuk ka marrë të gjitha përgjigjet e nevojshme nga kompanitë e telefonisë lëvizëse, për pronësinë e numrit AMC apo edhe për emrat e mundshëm të përdoruesve të celularit të llojit “Samsung”, që u gjet i lidhur me eksplozivin C4 poshtë makinës së prefektit në hyrje të kryeministrisë, mëngjesin e së premtes.

Urdhëri

Prokuroria e Krimeve të Rënda vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, atentatit të dështuar ndaj prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, ndërsa Garda e Republikës ka marrë masat e saj për të evituar ngjarje të ngjashme. Vetëm pak ditë pas zbulimit të rastësishëm të lëndëve plasëse të montuar poshtë makinës së prefektit të Vlorës Besnik Dervishi, Garda e Republikës urdhëron rritjen e masave të sigurisë ndaj anëtarëve të kabinetit qeveritar. Sipas këtij urdhërit të rifreskuar nga drejtuesi i Gardës Gramoz Sako, çdo ministër duhet të parkoj automjetin e tij zyrtar në përfundim të ditës pranë institucionit që ai drejton, në mënyrë që mjeti të jetë i kontrolluar dhe i sigurt. Përveç kësaj, drejtuesi i Gardës ka urdhëruar që çdo mëngjes makinat e anëtarëve të kabinetit qeveritar t’i nënshtrohen kontrollit fizik dhe auto-teknik. Sipas urdhërdhënësit, në rastet e mos zbatimit të kësaj rregullore të re, do të merren masa ndaj drejtuesve të grupeve të sigurisë së personaliteteve të larta dhe efektivëve konkretë.

Ngjarja

Sipas burimeve zyrtare të policisë së kryeqytetit, më datë 13.12.2013, rreth orës 09:30, automjeti tip “Peugeot”, me targa TR 5066 N, në pronësi të shtetasit Besnik Dervishi, me detyrë prefekt i Vlorës, është drejtuar për të hyrë në mjediset e selisë së Kryeministrisë. Nga kontrolli i specializuar i ushtruar nga efektivët e Gardës në hyrje të zonës së brendshme të Kryeministrisë, është konstatuar se në pjesën e poshtme të automjetit ishte vendosur një objekt i dyshuar si sasi eksplozivi. Oficerët e Gardës së Republikës i kërkuan drejtuesit dhe pasagjerit të automjetit, të largoheshin nga mjeti si dhe bënë bllokimin e lëvizjes së mjeteve në hyrje të Kryeministrisë. Menjëherë janë njoftuar shërbimet e specializuara të Policisë së Shtetit dhe njësia Antieksploziv e repartit RENEA si dhe Prokuroria për Krimet e Rënda. Policia ka urdhëruar dhe ka marrë masa të menjëhershme për evakuimin e të gjithë personave rreth vendit të ngjarjes, duke siguruar edhe perimetrin e nevojshëm për kryerjen e veprimeve nga ana e ekspertëve antieksploziv. “Nga veprimet e kryera nga njësia antieksploziv dhe nga këqyrja e detajuar e automjetit është vërtetuar se në mjet ishte vendosur një sasi prej më shumë se 200 gramë eksploziv C4, me të cilën ishin lidhur dy kapsolla detonatorë dhe një celular. Njësia Antieksploziv në Policinë e Shtetit ka marrë të gjitha masat, duke bërë neutralizimin e sasisë së eksplozivit. Grupit hetimor po vazhdon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarjeje” njoftoi policia.

Dëshmia e prefektit te Krimet e Rënda

“Mbrëmjen e datës 12 dhjetor isha në zyrë duke punuar, kur më telefonojnë dhe më kërkojnë të paraqitesha në Tiranë për një punë. Ishte ora 20:00 e darkës dhe unë njoftova familjen që nuk do kthehesha në shtëpi atë natë, pasi më kishin thirrur në Tiranë. Zbres nga zyra dhe marrë makinën e parkuar poshtë punës dhe nisem për në Tiranë. Gjatë rrugës çdo gjë ka qenë e qetë dhe nuk kishte zhurma të çuditshme. Kam qenë i qetë dhe kur zbrita poshtë për të marrë makinën nuk kishte lëvizje të çuditshme dhe as pikasa gjë, nuk konstatova gjë poshtë makinës, pasi nuk kishte gjë. Nuk pashë asgjë poshtë punës kur morra makinën dhe nuk kishte lëvizje të dyshimta dhe as në makinë nuk ndjeva gjë zhurma që të dyshoja, pasi çdo gjë ishte në rregull. Të nesërmen në mëngjes telefonoj Ergys Hoxhën, shefin e Antikorrupsionit për t’u takuar dhe nisem drejt Kryeministrisë. Nuk po gjeja vend parkimi dhe futem në oborr të godinës, aty më del gardisti dhe unë i tregoj identitetin tim. Njoftoj Ergysin që kisha mbërritur, gardisti më kërkoi të zbrisja nga automjeti që të bënte procedurën e kontrollit. Pashë që ai morri pasqyrën dh po kontrollonte automjetin nga poshtë, kur pashë që ai u përkul dhe u zverdh pak në fytyrë. Më tha që kishte një lëndë ngjyrë kafe dhe njoftoi policinë. Unë u tremba dhe po rrija me Ergysin. U alarmuam dhe më shkonin shumë mendime në kokë. Më s’postuan dhe pashë momentin që bënë shpërthimin. Erdhën policë, drejtues të lartë policie, prokurorë dhe isha pak i hutuar dhe nuk mbaj mend çdo veprim. Më pas më shoqëruan këtu. Unë nuk kam as konflikte dhe as kërcënime. Nuk kam pasur probleme dhe nuk e di motivin, por dyshoj që kjo ngjarje mund të jetë e lidhur me detyrën time. Makina është personale imja” ka përfunduar dëshminë para hetuesve të Krimet e Rënda prefekti Dervishi.

 

 

Itali

Shkon për të vjedhur, vritet nga pronari i banesës 26-vjeçari shqiptar

Një 26-vjeçar shqiptar është vrarë me armë zjarri dy netë më parë në Serle të provincës së Brescias, në Itali. Mediat e shtetit fqinj bëjnë të ditur se 29-vjeçari Mirko Franzoni e ka qëlluar me pushkë të riun shqiptar, pasi e ka gjetur duke vjedhur në vilën e tij. Mësohet se Franzoni, i lajmëruar ndoshta nga fqinjët për lëvizje të dyshimta në shtëpinë e tij, është kthyer nga gjuetia dhe ka gjetur brenda vilës 26-vjeçarin shqiptar. Ky i fundit, sapo ka kuptuar që i zoti i shtëpisë ishte kthyer, është përpjekur t’ia mbathë. Por, sipas mediave lokale, pronari i shtëpisë e ka ndjekur në rrugë për disa metra, dhe ka shtënë me një plumb në drejtim të tij, duke e plagosur rëndë. Në vendngjarje kanë mbërritur një ambulancë dhe karabinierët, të cilët janë përpjekur të mbajnë në jetë 26-vjeçarin, por me të mbërritur në spital ai ka ndërruar jetë. Policia, që po rindërton dinamikën e ngjarjes, ka marrë menjëherë në pyetje pronarin e shtëpisë, e cili ka deklaruar se ka shtënë pa dashje në drejtim të shqiptarit dhe se nuk kishte qëllim ta vriste atë. Momentalisht identiteti i viktimës nuk bëhet i ditur.