Standard.al

Detajet e Projekt Buxhetit Deputetët njoftohen me e-mail. PD: Mungesë transparence dhe konsultimi

Gëzim Saliu

Reagojnë deputetët demokratë Bregu, Tabaku, Islami dhe Halimi: Pse qeveria “fsheh” buxhetin

Sot diskutohet në Kuvend paketa fiskale dhe projekt buxheti i qeverisë për vitin 2014

 

senacePas miratimit dy ditë më parë të projekt Buxhetit dhe paketës fiskale në Këshillin e Ministrave, sot dy ndër ligjet më të rëndësishme për vendin do të diskutohen në Kuvend. Konferenca e Kryetarëve, e cila ishte programuar të zhvillohej ditën e djeshme, do të vendosë sot për kalendarin e shqyrtimit të projekt buxhetit dhe  paketës fiskale në Komisionet Parlamentare dhe në seancë plenare, ku më parë dy draftet do  të prezantohen nga Ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Po ashtu pasditen e sotme në orën 16: 00 është programuar të zhvillohet edhe seanca parlamentare, e cila do të ketë në qendër të punimeve të saj dy projektligjet e qeverisë, të cilat pritet të sjellin debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës. Ndërkohë edhe dje qeveria nuk e publikoi në faqen zyrtare vendimin për miratimin e buxhetit dhe paketës fiskale, ku nga burime pranë saj mësohet se totali i shpenzimeve buxhetore pritet të jetë në vlerën 459.5 miliardë lekë, nga të cilat 280 milionë euro do përdoren për faturat e prapambetura ndaj biznesit. I vetmi reragim dje ka qenë ai i kryeministrit Rama i cili duke marrë për bazë edhe konferencën e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili bëri publike pjesë të buxhetit për dikasterin që drejton, tha se qeveia mbajti premtimin për rritjen e rrogave për policët.  “Një nga përgjigjet e forta të buxhetit tonë të parë kundër krizës së shumanshme që trashëgojmë është rritja e lartë e rrogës së policit të terrenit. Rritja e lartë e rrogës për policët një nga hapat e qenësishëm drejt Rilindjes që garanton buxheti 2014! 60% e zotimit qysh vitin e parë”, shkruante Rama.

Reagimi

Deputetët e Partisë Demokratike reaguan dje lidhur me mënyrën se si qeveria miratoi projektbuxhetin dhe paketën fiskale, duke e cilësuar këtë të fundit si një draft që rrit taksat e qytetarëve. Deputetët demorkate Majdlinda Bregu, Eduart Halimi , Jorida Tabaku dhe Kastriot Islami, bën të ditur dje në rrjetin social “facebook” kundërshtitë e tyre për mënyrën se si qeveria po i paraqet këto dy projekt ligje të rëndësishme, duke vënë theksin tek mungesa e transparencës.  “Sapo mora një email ku njoftohem se qeveria ka miratuar Paketën Fiskale dhe Projekt Buxhetin 2014, të cilat qenkan dërguar në kutitë postare të deputetëve. Kishte që në kohën e Qeverisë Nano që ligji më i rëndësishëm vjetor nuk trajtohej në këtë mënyrë. Mungesë totale transparence dhe konsultimi me grupet e interesit, njësoj si marreveshja e armëve kimike, mungesë koherence. Dhurata e vetme: rritje taksash për mbi 96 perqind të Shqiptarëve”, u shpreh deputetja Tabaku. Në të njejtën linjë ligjvënësi demorkat Islami theksoi se,: “Me email sapo mora njoftim për Paketën fiskale dhe Projekt Buxhetin e vitit 2014. Sot(dje) në datën 15 dhjetor 2013, e dielë, vonë pas dite… Nuk kanë ardhur asnjëherë kaq vonë këto dy dokumenta të rëndësishëm . Nuk kanë ardhur asnjëherë këto dy dokumenta pa konsultim me biznesin dhe aktorët e tjerë të interesit e shoqërinë civile. Nuk ka ndodhur asnjëherë kjo mungesë transparence për dy cështje që prekin interesat e qytetarëve e të biznesit”. Ndërkohë deputetja demokrate Majlinda Bregu vuri në dukje mungesën e transparencës në miratimin e projekt Buxhetit për vitin 2014.  “Asnjë qytetar shqiptar të cilëve iu premtua, heqje e taksës , mosndryshim i taksës për biznesin gjatë 2014 pa konsultime, 300 mijë vende pune, shëndetësi falas, legalizim falas, ulje të borxhit, shkurt “rilindje nga rrënimi” , nuk di sot asgjë. Vetëm një gjë është e sigurtë: cdo cmim nga janari i vitit të ri, do të jetë më i lartë. S’ka si të jetë ndryshe me këtë qeveri.  Mashtrimi ka gjithmone cmim të lartë!”. Ndërsa deputeti Halimi bëri të ditur në komentin e tij kundërshtinë e shfaqur për paketën fiskale. “Ashtu si për paketën ligjore të qeverisë,ku të gjithë ishin kundër sepse u hartua pa asnjë konsultim edhe për paketën fiskale sërish të gjithë kundër qeverisë: ekspertët amerikanë, ekspertët europianë, ekspertët shqiptarë, gjithë biznesi, gjithë qytetarët”.

 

Detajet e projekt Buxhetit dhe Paketës Fiskale

Buxheti

459.5 miliardë lekë- do të jetë totali i shpenzimeve buxhetore

280 milionë euro- do përdoren për të paguar faturat e prapambetura ndaj biznesit

 

Tatimi mbi pagat

30 mijë lekë rrogë mujore- nuk do kenë tatim

30-130 mijë lekë- do kenë 13% tatim

Mbi 130 mije leke – do kenë 23% tatim

 

Tatimi mbi fitimin

Biznesi i vogël me xhiro vjetore 2 deri në 8 milionë- do të paguajë 7.5% tatimfitim

Biznesi i madh me xhiro vjetore mbi 8 milionë lekë- do të paguajë 15% tatimfitim

 

Taksa e qarkullimit- rritet nga 7 lekë për litër në 17 lekë/litër për karburantet

 

 

 

Niveli i akcizave

Cigaret rritet nga 70 në 90 lekë/paketa

Duhani i dredhur rritet nga 1500 në 3000 lekë/kg

Pijet alkoolike rriten me 30%

Kafja e pjekur rritet nga 60 në 120 lekë/kg

 

Kërkon konsultim

Konfindustria: Qëndrueshmëri financiare nuk arrihet me masa shtrënguese të taksave të larta

Konfindustria i kërkon qeverisë shqiptare, që të bëjë të njohur sa me shpejt për publikun në përgjithësi dhe biznesin në veçanti të kërkesave, kushteve dhe ofertën e FMN/Fondit Monetar Ndërkombëtar në negociatat për përgatitjen e buxhetit të vitit financiar 2014. “Është e domosdoshme, që të arsyetohet nga ekzekutivi për biznesin dhe qytetarët, se cilat do të jenë përfitimet e ekonomisë shqiptare nga pranimi i kushteve të FMN në buxhetin e vitit të ri financiar”,  deklaroi dje Sekretari i Përgjithshëm i konfindustria-s Gjergj Buxhuku . Më tej, Konfindustria theksoi se qeveria duhet të përqendrohet kryesisht në politika të mirëfillta ekonomike si p.sh lufta kundër evazionit te siguruara nga përmirësimi i administrimit të sistemit fiskal të sotëm mbështetur në taksa të ulta. “Në kryerjen e reformave strukturore të natyrës së pastër ekonomike me qëllim rritjen e kontrollit dhe luftës kundër monopoleve dhe oligopoleve private në tregjeve strategjike si edhe masave më të ashpra të mundshme për të ndalur daljen e paligjshme të parave të shqiptarëve jashtë vendit”.  Në fund të deklaratës, Konfindustria vlerëson, se do të ishte me pasoja të renda në afatgjatë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe mirëqënien e qytetareve shqiptarë, nëse paketa fiskale shoqëruese e buxhetit 2014 do të prekte thelbin e politikave të taksave të ulta. “Rritja e taksave dhe tatimeve për qytetarët dhe kategoritë e biznesit, që punojnë në kushtet e konkurencës së lirë, tregjeve të hapura dhe të paprivelegjuara dhe shmangies tepër të lartë fiskale të sotëm do të ishte me pasoja të renda për zhvillimin në afatgjatë të ekonomisë kombetare”.

Comments are closed.