Sistemi i ri Taksat, çfarë do të ndodhë me biznesin e vogël dhe të mesëm

0
328

 Ervin Kaduku

Sistemi i ri i taksimit, ja ndryshimet për biznesin e vogël e të mesëm dhe të taksës për të gjitha kategoritë e pagave

 

– Buxhet “bombastik” për vitin 2014, por sistemi i taksimit hedh pikëpyetje për realizimin

 

tatimetShumë të ngatërruar dhe shumë të paqartë e kanë konsideruar deri tani të gjithë ekspertët e financave publike sistemin, që po përpiqet të zbatojë qeveria e majtë në Shqipëri. Sado që të përpiqesh ta shpjegosh, gjithnjë mbetet një sistem shumë i pakapshëm për shumicën e shqiptarëve, jo vetëm për ata me arsim bazik ekonomik, por madje edhe për akademikët!

Në këtë kuadër, janë bërë të ditura edhe disa hollësi lidhur me taksimin për biznesin e vogël. Ministria e Financave, në relacionin e saj për taksat vendore ka shpjeguar se si do të funksionojë konkretisht taksimi për biznesin e vogël (heqja e taksës fikse dhe ulja e tatimfitimit në 7.5%).

 

Si do të ndryshojë tatimi mbi biznesin e vogël

Sot një biznes i vogël paguan:

 

1. Taksa mbi biznesin e vogël që varion sipas xhiros vjetore dhe llojit të qarkullimit

2. Taksa mbi të ardhurat personale 10%

 

Shembull: Farmacia

 

Sot, një farmaci me xhiro vjetore 7.2 milionë lekë paguan 162 mijë lekë taksa vjetore të biznesit të vogël tek bashkia apo komuna, në katër këste tremujore. Në fund të vitit, farmacia dorëzon tek Tatimet qendrore pasqyrën me të ardhura dhe shpenzime, diferenca i tatohet me 10% dhe Tatimi mbi të ardhurën personale për ta paguar e ka 73 mijë lekë. Tatimit prej 73 mijë lekësh i zbritet taksa që ka paguar tek bashkia prej 162 mijë lekë dhe farmacia merr rimbursim 89 mijë lekë.

 

Çfarë do të ndodhë me sistemin që propozohet, me heqjen e taksës së biznesit të vogël. Marrim përsëri shembullin e farmacisë.

Farmacia me xhiro vjetore 7.2 milionë lekë, nuk do të paguajë 162 mijë lekë taksë vjetore të biznesit të vogël tek bashkia apo komuna. Në bazë të pasqyrës së tij të të ardhurave dhe shpenzimeve, diferenca do t’i tatohet me vetëm 7.5%, pra 54 mijë lekë, të cilat do t’i paguajë me 4 këste gjatë vitit.

Kështu, biznesi i vogël nuk ka më dy administrata tatimore, për të cilat paguan për të njëjtin aktivitet, por do të paguajë vetëm tek administrata tatimore qendrore. Përveç taksës më të ulët, më pak kohë fizike dhe kosto monetare duhet të harxhojë kjo kategori biznesi për pagim taksash.

Efekti negativ në të ardhurat e qeverisjes vendore vlerësohet të jetë rreth 2 miliardë lekë, efekt i cili do t’i kompensohet me tatimin mbi të ardhurat personale të biznesit të vogël, në masën 1.2 miliardë lekë, të cilin do ta mbledhë administrata tatimore qendrore për llogari të pushtetit vendor dhe 700 milionë lekë nga rritja e transfertës së pakushtëzuar.

Megjithatë, po aq sa edhe ndryshimet që po mendohet të bëhen në sistemin e taksimit të pagave të punonjësve, edhe ky sistem duke tepër i errët dhe i vështirë për t’u kuptuar nga tatimorët në radhë të parë, e aq më keq nga bizneset.

 

Tatimi mbi të ardhurat personale

Kanë ndryshuar sërish, nga drafti fillestar, shifrat e taksës progresive për pagat e punonjësve. Sa më poshtë, vijon tabela me nivelet e taksimit, që kalojnë në 13 dhe 23 për qind dhe numrin e personave që preken nga secila kategori.

(Burimi: Ministria e Financave)

 

 

Buxheti

Të ardhurat në buxhetin për vitin 2014 parashikohen në nivelin 370 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet janë 460 miliard lekë. Sipas burimeve nga Ministria e Financave, drafti i buxhetit të vitit 2014 ka mbërritur për miratim në Këshillin e Ministrave. Drafti u konsultua për rreth 10 ditë edhe me ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar që ndodhen në Tiranë. Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave, do të jetë Kryeministri, thanë burimet, që do të bëjë prezantimin e buxhetit dhe paketës fiskale.
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, pritet të prezantojë draftin në Byronë Parlamentare, ndërsa diskutimi në komisionet parlamentare do të nisë të hënën.

Situata e financave publike, auditimi i borxheve që qeveria i ka biznesit për punë publike të kryera si dhe ekipi i FMN-së që ndodhet në Tiranë që nga data 3 dhjetor, bëri që qeveria të vonojë miratimin e Buxhetit dhe Paketës Fiskale, pasi sipas ligjit organik të buxhetit të shtetit drafti duhet të paraqitej në Parlament që në fillim të muajit nëntor.

Sipas njoftimeve të para, buxheti është larg të qenit konservator; parashikohet rritje e lartë e të ardhurave, por dhe me më shumë shpenzime korente, ndërkohë që investimet kapitale janë në rënie. Ministria e Financave ka hartuar projektbuxhetin 2014, që pritet të kalojë në qeveri. Sipas tabelave të projektbuxhetit, totali i të ardhurave parashikohet të jetë me një rritje prej 13%, në raport me buxhetin e rishikuar 2013.

Të ardhurat nga TVSH pritet të rritet në vlerë absolute me 11%, ato nga tatim fitimi me 50% dhe nga akciza me 36.5%, në raport me buxhetin e rishikuar 2013. Kjo është një tendencë krejt e ndryshme nga 2013-a, kur këta zëra kryesorë në buxhet shënuan një performancë negative. Parashikimi në shtimin e të ardhurave nga tatim fitimi e akciza ndihmohet dhe nga rritja përkatëse e taksave, ku tatim fitimi për bizneset e mëdha pritet të bëhet 15% nga 10 aktualisht dhe akcizat për një sërë produktesh do të rriten.

Tatimi mbi të ardhurat personale pritet të shënojë rënie me rreth 6%.

Totali i shpenzimeve buxhetore pritet të jetë 459.5 miliardë lekë, me një rritje prej 54 miliardë lekë apo 13%.

Ndikimin kryesor në rritjen e shpenzimeve e ka parashikimi i një zëri të ri, ai i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura me një vlerë prej 39 miliardë lekësh, nga i cili 12 miliardë lekë do të jenë detyrime të infrastrukturës dhe 22.8 miliardë lekë detyrime të tjera.

Por në rritje parashikohen dhe shpenzimet korente me 17 miliardë lekë, apo 5%, si dhe shpenzimet për sigurime shoqërore e shëndetësore me një zgjerim prej 8.1 miliardë lekë apo 6.4%.

Një zë i rëndësishëm për nxitjen e ekonomisë, ai i shpenzimeve kapitale pritet të jetë 70 miliardë lekë, më i ulëti i viteve të fundit dhe me një tkurrje prej rreth 4 miliardë lekësh në raport me buxhetin e rishikuar 2013.

Në kushtet kur shpenzimet pritet të rriten më shumë se të ardhurat, edhe deficiti buxhetor parashikohet të jetë 12 miliardë lekë, apo 14% më i lartë se ai i një viti më parë, duke arritur në 6.9% të prodhimit të brendshëm bruto. Nga kjo 2.8% e PBB-së e përbën zëri për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, duke bërë që deficiti, përjashtuar detyrimet ndaj biznesit të jetë 4.1% e PBB-së.

Por, të gjitha këto janë dëshira të qeverisë. Të shohim se sa do të ndikojë sistemi i ri fiskal, i bazuar mbi tatimin progresiv, në realizimin e tij.

 

 

 

Dhoma Amerikane, qeverisë: Mos aplikoni paketën nga 1 janari!

Dhoma Amerikane ndihet mjaft e zhgënjyer nga lajmi se një Paketë Fiskale është duke u publikuar, ndërkohë që ka pak informacion zyrtar nga qeveria, duke mos lejuar Dhomën Amerikane dhe partnerët e tjerë të sektorit privat që të japin një opinion zyrtar për paketën e re fiskale. Ndihet një shqetësim në rritje nga anëtarët e Dhomës prej mungesës së informacionit ose ekzistencës së informacionit konfliktual dhe impaktin që kjo paketë fiskale mund të ketë për bizneset shqiptare dhe vendimet e tyre të ardhshme për investim. Ky shqetësim përforcohet me afrimin e fundit të vitit dhe mbylljen e vitit fiskal. E gjithë kjo shprehet në një letër të hapur, dërguar nga bizneset e përfshira në këtë grupim, ditën e djeshme.

Dhoma Amerikane e Tregtisë vlerëson shprehjen e angazhimit të qeverisë për të përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri. Dhoma Amerikane ka vlerësuar mbi gjithçka gatishmërinë e qeverisë për të konsultuar me komunitetin e biznesit çdo vendim që ndikon në ambjentin e të bërit biznes në Shqipëri, e shprehur kjo në të gjitha takimet që Dhoma Amerikane ka bërë me Kryeministrin dhe përfaqësues të qeverisë që prej muajit korrik të këtij viti. Por, bazuar në dialogun që kemi patur deri më sot dhe premtimet për konsultim, Dhoma Amerikane mendon se është e nevojshme një transparencë më e madhe në diskutimet mbi paketën fiskale, për të sqaruar dhe për të siguruar komunitetin e biznesit dhe investitorët e huaj, thuhet në këtë letër.

Dhoma Amerikane e Tregtisë mendon se politika e re fiskale duhet të nxisë investimet e huaja direkte dhe investimet lokale. Ndryshimi i menjëhershëm i sistemit fiskal,  në mungesë të një debati publik efikas, mund të çojë në rritjen e evazionit fiskal. Dhoma Amerikane e Tregtisë mendon se ajo që pritet është marrja e masave konkrete, që do të ndikojnë në një ulje të ndjeshme të nivelit të evazionit fiskal dhe për të treguar qartë se Shqipëria është një vend ku të gjithë paguajnë taksa sipas ligjeve në fuqi.

Për këtë arsye, qeveria shqiptare nuk duhet të aplikojë paketën fiskale në datë 1 janar 2014, por duhet të lejojë më shumë kohë për konsultim dhe zbatimin e saj. Për shkak të mungesës së zbatimit të ligjeve tatimore, do të duhet më shumë kohë për të diskutuar dhe zbatuar siç duhet çdo legjislacion të ri tatimor.

 

 

Bashkia e Tiranës shpërndan mbi 500 pako ndihma tek familjet e përmbytura dy muaj më parë

500 pako me ndihma u janë shpërndarë dje banorëve të zonave të përmbytura rreth 2 muaj më parë, në njësinë bashkiake numër 11. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eno Bozdo, i shoqëruar nga kryetari i minibashkisë nr. 11, Haki Mustafa, kanë qenë pranë banorëve të kësaj zone, e cila në një fatkeqësi të madhe natyrore, u braktis nga qeveria dhe institucionet përgjegjëse. “Jemi këtu, për të shpërndarë pako me ndihma për familjet, për 500 të tilla, të prekura nga përmbytjet e dy muajve më parë, në shenjë solidariteti njerëzor, solidaritet njerëzor për ato familje të cilat praktikisht ngelën pothuajse pa asgjë, nga përmbytjet e shkaktuara. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës do të vazhdojë me angazhimin e saj për këtë minibashki, për të përmirësuar jetën e banorëve të saj, duke i ofruar të gjithë logjistikën që ka Bashkia e Tiranës. Po dje, kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, ka marrë pjesë në gjimnastikë aerobike, ku garohet për kupën “Rinia”. Në fjalën e përshëndetjes, Basha ka garantuar të rinjtë e kryeqytetit se Bashkia e Tiranës do ta mbështesë gjimnastradën, që të organizohet në mënyrë të përvitshme në kryeqytet. “Unë ju jap fjalën që Bashkia juaj do të mundësojë që gjimnastrada të kthehet në mënyrë të përvitshme, sepse është mirë për ju, për fizikun tuaj, për kënaqësinë që u falni prindërve tuaj. Bashkia e Tiranës ka organizuar dansin sportiv, më datë 22 kemi organizuar aktivitetin “Jeto me sportin”, do të rifillojmë kampionatet dhe për çdo fitues, Bashkia do të ketë shpërblime, çmime të veçanta, do të ketë udhëtime. Ne jemi krenarë me ju, bravo ju qoftë! Faleminderit dhe gëzuar festat!”, – deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency