Drejtësia përtej ekranit. A ka vend për reformë?

0
138

Artan Fuga

 

Fuga_-_Photo1Para disa ditësh në ekranin e televizionit u panë pamje të filmimeve ku përgojoheshin gjyqtarë e njerëz të drejtësisë nga njerëz që jepnin lekë e bënin deklarata për korrupsion në sistemin e gjyqësorit.

Ndonjë sekretar a gjyqtar a prokuror u pushua dhe më pas u ndalua, Këshilli I Lartë I drejtësisë bëri një deklaratë ku riafirmonte se mbështeste spastrimin e sistemit nga rastet e korrupsionit, analistë dhe politikanë të ndryshëm sipas midesë të gjithkujt dhanë opinionet e tyre, deputetët u bënë thikë e brisk me llafe në foltoren para nesh, anonimë dhe me emër, individë që ja kanë kohën debatuan dhe shfrynë në rrjetet sociale dhe blogjet e gazetave, opinionistë mbushën orët televizive të pasdarkës me përmbajtje pa shumë shpenzime financiare dhe… kaq.

 

+++

 

Unë nuk jam nga ata që u besoj ose nuk u besoj me të thëna fushatave që kolektivisht ngrihet në mbrojtje ose kundër diçkaje. Gazetarët që kanë investiguar kanë të drejtë të thonë se pamjet janë reale, të vërteta dhe autentike. Dhe i besoj, sa kohë që nuk kam arsye të mos i besoj. Ata kanë të drejtë të thonë se kanë filmuar në kushte të vështira në një terren ku heshtja, sekreti, rrjetet e influencës janë shumë të fuqishëm. Gazetari nuk mund të zgjidhë çështjen, ai hap problemin dhe pastaj janë institucionet që vërtetojnë ose hedhin poshtë nëse rasti është i izoluar apo i gjeneralizuar, ka vija të prapme dhe tregon një ajsberg, apo nuk ka lidhje me frymën e përgjithshme të sistemit të drejtësisë.

Ndërkaq, përfaqësues të gjyqësorit edhe ata janë në të drejtë të kur thonë se personat e filmuar mundet që kanë qarkulluar opinione keqdashëse ose stereotipa pakënaqësish që sot i gjen kudo që thuhen pa shumë rezerva.

Po atëherë cila është ideja ime që dua të mbroj në këtë shkrim?

Sipas meje ne nuk kemi gjetur ende një model të duhur të sistemit të drejtësisë në të gjitha hallkat dhe kanalet ku drejtësia duhet të qarkullojë.

Doni një fakt që është i mjaftueshëm në mbrojtje të kësaj ideje?

Le të krahasojnë sistemin tonë të drejtësisë me atë, jo amerikan, se jemi me vite dritë larg, por me shtëpitë e drejtësisë në vendet e tjera evropiane, mos shkoni më larg, krahasojeni me Kosovën, dhe do të zini sytë me duar e rënë me pëllëmbë ballit, për ndryshimet e hatashme mes modelit tonë dhe modeleve të tjera. Dhe pyetja ime dramatike në ndërgjegjen time është se përse Shqipërisë i vihen lloj-lloj kushtesh për të meta të bëna e të paqena lidhur me procesin e integrimit evropian dhe nuk i vendosin kërkesat e vetme, shpëtimtare, thelbësore, pra ato që kanë të bëjnë me krijimin e modeleve të duhura kushtetuese, juridike, politike?

Përse pra i kërkojnë ato që janë krejt anësore dhe nuk i kërkojnë të bëjë atë që duhet?

Por, le ta le këtë pyetje të flejë pak në ndërgjegjen time derisa të vijë koha për përgjigje dhe të kalojë në një çështje tjetër lidhur me temën e titullit.

Dikush thotë: Pse pak reforma janë bërë në sistemin e drejtësisë? Nuk mohoj as pohoj dot në mënyrë profesionale sepse më duhet kohë për t’i matur rezultatet që kanë dhënë këto reforma dhe për të thënë se janë bërë ose nuk janë bërë mirë. Por, unë kam qenë dhe vazhdoj të mbetem skeptik. Kjo sepse modeli i përgjithshëm i drejtësisë shqiptare mbetet po ai që është vendosur që nga vitit 1991 me ndonjë ndryshim të pjesshëm që nuk e ka ndryshuar thelbin e sistemit. Ajo që e them me provë është se shpesh herën na janë shitur për reforma në drejtësi ndryshime, qoftë edhe pozitive, por që nuk kanë pasur të bënin me dhënien e drejtësisë, por me ndryshime në administratën e institucioneve të drejtësisë. Jo kancelari, jo përmbaruesi, jo afatet etj., anë shumë të rëndësishme, por përsëri tepër anësore kur flitet për një sistem drejtësie.

Unë ende nuk di se cilin model jemi duke kopjuar, cilën shkollë mendimi ndjek në filozofinë e ligjit dhe të së drejtës drejtësia shqiptare dhe cilat janë debatet publike mes juristëve në planin dogmatik për ta ndriçuar shoqërinë dhe politikën për reformat e drejtësisë dhe jo reformat e administratës së institucioneve të drejtësisë.

Supozojmë se sistemi i drejtësisë funksionon në rregull. Mirëpo vetë fakti që shprehin disa deputetë se ligjet janë të mira, por nuk zbatohen, më duket absurd. Ligji i mirë është ai që brenda artikulimit të vet formal, gjuhësor, përmban edhe farën dhe mekanizmin e zbatueshmërisë së tij. Kjo është diçka më se e ditur nga mendimi i sotëm dhe ai klasik juridik. Se ligji funksionon në një strukturë ligjore koherente përndryshe nuk mund të jetë i mirë, se ai duhet të shoqërohet me procedura të duhura se pastaj nuk është i mirë, se ai duhet të ketë një ligj të mirë funksionimi të trupave të gjyqtarëve, prokurorëve, etj., përndryshe nuk është i mirë. Në të kundërt do t’i ngjanim atij mjekut që do të thoshte se pacienti ndërroi jetë jo se operacionin s’e bëra mirë, shumë mirë e bëra, por puna ishte se u bllokua oksigjeni dhe pacienti u mbyt.

Puna është se publiku ka besueshmëri shumë të pakët te drejtësia. Puna është politikanët në funksion të faktit nëse kanë apo jo në opozitë me gjyqësorin, të të të gjithë krahëve, çfarë nuk kanë lënë pa thëne kundër tij. Puna është se disa çështje juridike madhore për ngjarje që kanë ndodhur në sytë e publikut janë zvarritur, kanë mbetur të pazbardhura ose kanë marrë gjykime që publiku ka mbetur i paqartë dhe gojë hapur.

Ndaj sot një pyetje artikulohet: A mund të jetë drejtësia e padrejtë?

Mjafton këto simptoma për të thënë që duhet menduar një reformë e mundshme në drejtësi dhe jo të themi se kushtetuta është e shkëlqyer me ndonjë modifikim të vogël që i duhet bërë.

+++

Aristoteli e ka vërtetuar prej më se 2500 vjetësh se rreziku i demokracisë është që të rrëshqasë në kaos dhe nga kaosi del përsëri tirania. E sipas tij, turp pastë nëse na çon në rrugë të gabuar, një nga rreziqet që demokracia të rrëshqasë drejt anarkisë është kur magjistrati (gjyqtari, nëpunësi) nuk zgjidhet edhe në bazë të disa kritereve të meritës, por ndodhet tërësisht në influencën e presionit e masave, të militantëve si edhe të grupeve që përfaqësojnë vullnete elektorale, pra sikurse do t’i quanim sot partitë politike.

Sipas meje ne kemi të gjitha rrisqet që ta rrëshqasim demokracinë në anarki dhe prej këtij mund të lindin prirje tiranike.

Lexoj në rrjete sociale edhe ide që gjithë punonjësit publikë të sistemit të drejtësisë duhen spastruar për ta filluar nga zeroja e moralit absolut. Ide e bukur, por e rrezikshme. Mbi të gjitha sepse kjo kërkon të kemi një sistem tjetër të drejte që të japi drejtësi për sistemin tonë aktual të së drejtës, përndryshe reforma në drejtësi rrezikon të shndërrohet në një lëvizje revolucionare e cila nuk garanton për respektim të drejtësisë. Duke thënë këtë, si çdo qytetar mendoj se ai gjyqtar, apo prokuror, që ka rënë në batakun e korrupsionit, apo avokat, meriton të bjerë nën peshën e sistemit të drejtësisë dhe të marrë atë që meriton sipas ligjit, me prova, pa supozime ideologjike që lexova të artikuluara edhe nga një avokat i mediatizuar dhe i përzier edhe në politikë, e kështu me radhë.

+++

 

Sipas mendimit tim duhen vendosur në qendër të vëmendjes disa pika që janë vertet problem.

Thuhet edhe nga këshilla që vijnë prej Brukselit se gjyqtarët dhe i gjithë sistemi i drejtësisë duhet të pohojnë pavarësinë nga politika. Nuk ka vend të zgjatemi sesa mirë do të ishte. Edhe bufi e di. Përndryshe politikanët bëhen të pandëshkueshëm, e kanë prokurorin dhe gjykatësit në xhep e pastaj, edhe lind aleanca mes gjyqtarëve, prokurorëve dhe politikanëve që kanë vese korrupsioni, (në parim flas) e ja ku sistemi demokratik rrëshqet drejt një plutokracie të pasur, të korruptuar dhe që sundon me metoda demokratike të një anarkie me bazë manipulimin mediatik të demosit.

Kjo është teoria dymijë e kusur vjeçare e Aristotelit. Nuk duket shumë e vjetër.

Mirë bëhet që kërkohet që gjyqtarët dhe prokurorët të bëhen të pavarur nga politika, por si mund të realizohet kjo kur pushteti gjyqësor te ne del drejtpërdrejt nga Kuvendi, i cili nga ana e tij kontrollohet nga grupe deputetësh, të cilët nga ana e tyre kontrollohen nga lidershipi i ngushtë i partive kryesore, gjithë-gjithë jo më shumë se tre a katër a pesë vetë?

Edhe sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur nga politika, edhe drejtuesit e sistemit të drejtësisë emërohen nga të deleguarit e partive politike në Kuvend!!!

Ne, edhe nëse plutokracinë nuk e kemi të pranishme në realitet, kjo mbetet një temë tjetër debati, e kemi të sigurt në letrën, në shkronjën, në frymën e sistemit tonë juridiko-politik. Pa dyshim që sistemi juridik kontrollohet rëndësishëm nga sistemi politik. Nuk ka si të jetë ndryshe në kushtet kushtetuese që jemi.

Po si të bëhet? Kjo pyetje shpesh naive, shpesh e drejtë, debatohet fort kudo në botë. Frika është se mos biem nga shiu në breshër. Pra nga një sistem drejtësie, i cili është krejtësisht i varur politikisht nga pikëpamja institucionale dhe kushtetuese në një, sikurse thuhet, “republikë gjyqtarësh”, pra atje ku gjithçka kryhet, vendoset nga influenca e ushtruesve të drejtësisë që nuk përfaqësojnë vullnetin politik të popullit.

Këtu rrugët e zgjedhura sipas përvoja të ndryshme janë aq të ndryshme, por diçka dihet me siguri, në asnjë rast nuk kanë mbetur te modeli ynë. Po përse të mos mendohet që krerët e gjykatave të ndryshme të votohen nga populli ose edhe krerët e gjykatave të rretheve. Ajo do t’i bënte të kujdeseshin për reputacionin e tyre dhe të ishin të drejtë. Nëse edhe kjo nuk është rruga më e mirë, përse të mos votoheshin në mënyrë të fshehtë nga një asamble që të përfshinte veç deputetëve edhe të zgjedhurit lokalë, pra nga një lloj strukture e ngjashme me zgjedhësit e nivelit të dytë apo edhe si një lloj senati i zgjeruar? Sigurisht që kjo do të bënte që lidhja mes politikës me drejtësinë në formën e kontrollit të së parës ndaj së dytës do të përfundonte.

Por, pyetja që lind është se kush do t’i kontrollonte dhe ndëshkonte gjyqtarët apo prokurorët e pandërgjegjshëm? Puna është se ata që janë të tillë nuk kanë pasur druajtje nga ligji sepse i ka mbrojtur politika. Kurse kur helmeta politike bie, prokuroria, kontrolli i brendshëm i gjykatave, nivelet e gjykatave apo edhe policia do të kenë duar e lira për të gjurmuar korrupsionin që nuk mungon të shfaqet.

Çfarë nuk i thonë kundër mundësisë se një juri popullore në gjyq sidomos për disa krime. Jo qytetarët nuk janë të ndërgjegjshëm, e ku e di unë se çfarë tjetër. Por, me se e kanë provuar xhanëm? Sigurisht qytetari që përzgjidhet dhe betohet se do të marrë pjesë në një juri duhet të plotësojë disa kushte, hajde le të pranojmë se duhet të ketë edhe arsim juridik. Por, të tillë qytetarë gjenden.

Si mundet që Presidenti i Republikës të jetë edhe ekzekutiv, edhe me pushtete në aprovimin e ligjeve, edhe në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por kur në fakt atje ka vetëm një votë dhe gjithkush mund ta kundërshtojë. Ai ka vetëm një mundësi, për të bërë kompromis me anëtarët e tjerë të Këshillit, nëse nuk dëshiron që situata të mos i ikë nga dora. Pra gjyqtarët kontrollojnë veten e tyre në një sistem paralel me shkallët e gjykatave pra gjithçka ka rrezik për të krijuar kaos.

Gjykatësi duhet të ketë të drejtë të investigojë vetë në mbledhjen dhe verifikimin e provave përndryshe ai mbetet të jetë thjesht arbitri në provat që i serviren nga policia dhe prokuroria. Ndërkohë që prokuroria përse duhet të funksionojë në mënyrë të centralizuar ku prokurori është thjesht një i deleguar i prokurorit të Përgjithshëm i cili për dy dekada rresht ka mbajtur mbi supe gjithë presionin e politikës, ose duke u dorëzuar te ajo, ose duke u flakur tej jashtë prej saj? Decentralizimi i prokurorisë dhe atashimi i prokurorit te trupa gjykuese e rrethit a qarkut si quhet sigurisht që do ta ulte ndikimin e keq vertikal të mundshëm dhe do të shtonte për mirë kontrollin vertikal nga lart poshtë brenda sistemit të prokurorisë.

Na mungon gjykata e tregtisë, na mungon gjykata e marrëdhënieve të punës etj. Kudo ata janë të specializuara, të decentralizuara, në kontrollin e ligjit dhe të institucioneve që garantojnë ushtrimin e drejtë të ligjit.

+++

Por se çfarë kam një druajtje. Druaj se politika nuk do ta kishte dëshiruar këtë reformë të vërtetë, bile edhe të tjerët, veç qytetarit. Përndryshe një politikan a pushtetar i korruptuar do të kishte prokurorin dhe gjykatësin mbi shpinë, prokurori do të kishte eprorët e tij mbi shpinë, gjyqtari, avokati dhe prokurori, të palidhur te e njëjta fije do të kishin njeri tjetrin në shpinë, e në sytë e jurisë popullore, e punonjësi i korruptuar i drejtësisë do të kishte policinë mbi shpinë. Të gjithë do të ruheshin prej të gjithëve për t’i shërbyer vetëm normës sepse dalja nga norma do t’i hidhte në kafazin e “tigrit”.

Përndryshe reforma do të ishte kryer tash njëzet vite.

E në mos e bëfshin, mos thonë se e kemi bërë ose do ta bëjmë, duke ngatërruar administratën e drejtësisë me sistemin e drejtësisë. E në mos e bëfshin, të mos na thonë më se ligjet janë të mira, por ka njerëz të korruptuar. E në mos e bëfshin, të mos na thonë se ndryshimi i cave me ca të tjerë do të sjellë ndryshimin e duhur.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency