Detajet e 23-vjetorit Mijëra demokratë në Pallatin e Koncerteve, prapaskenat e festimeve, të ftuarit dhe “mungesat e mëdha”

0
127

Gëzim Saliu

Të majtët në festimet e demokratëve, Meta dhe Dule marrin pjesë në 23-vjetorin e PD-së

 

Meta, islami, TopalliPartia Demokratike feston 23-vjetorin e themelimit të saj. Demokratë nga i gjithë vendi u mblodhën dje në Pallatin e Koncerteve në një ceremoni festive, ku morën pjesë edhe personalitete të ndryshme të jetës politike si edhe ambasadorë të akredituar në vend. Festimet nisën me shfaqjen e një dokumentari mbi rrugëtimin e PD-së në 23 vite dhe më pas kryetari Lulzim Basha përshëndeti të gjithë të ftuarit me një fjalim, i cili në thelb, krahas mirënjohjes për themeluesit dhe kontribuuesit e kësaj force politike, kishte vizionin dhe propozimin e ri për ringritjen dhe rikthimin e demokratëve në pushtet.

Ceremonia

Të shumtë ishin demokratët që nga të gjitha qytetet e Shqipërisë ishin mbledhur dje për të kremtuar 23-vjetorin e themelimit të partisë së parë opozitare në vend. Partia Demokratike kishte nisur pak ditë më parë më shumë se 4 mijë ftesë për anëtarët, kontribuuesit si edhe për personalitete të ndryshme të jetës politike e shoqërore në vend. Pasi salla ishte e tejmbushur, në orën 18:10 minuta mbërrin në Pallatin e Koncerteve, kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili shoqërohej nga bashkëshortja e tij. Basha, i cili mori drejtimin e partisë prej 22 korrikut, pas dorëheqjes së liderit historik të saj Sali Berisha, dukej i emocionuar për atmosferën e krijuar në sallë si edhe, ashtu siç pohoi gjatë fjalimit, për përgjegjësinë e madhe të drejtimit të forcës politike, e cila shënoi fillimin e pluralizmit politik në Shqipëri. Vetëm pak minuta më pas, në ceremoni mbërriti edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ndryshe nga 22 vitet e kaluara, këtë herë ai nuk vinte në këtë festë si kryetar i PD-së, por si lider historik i kësaj force politike. Të shumta ishin duartrokitjet dhe brohoritjet në hollin e jashtëm të Pallatit të Koncerteve për të, ku u zhvillua edhe ceremonia festive. Pas mbërritjes së të gjithë të ftuarve, në sallë nisi shfaqja e një dokumentari, i cili përmblodhi shkurtazi historinë 23-vjeçare të PD-së, nga momenti i krijimit të saj deri tek zgjedhja e kreut të ri të kësaj force. Bashkë me demokratët në këtë përvjetor morën pjesë gjithashtu edhe krerët e partive aleate si edhe ambasadorët e akredituar në vend, ku dallohej ai i SHBA-së Alexander Arvizu, si edhe kryediplomati i BE-së Ettore Sequi. Por jo pak “surprizuese” ishte prania dje e Kryetarit të Kuvendit, njëherësh kreu i LSI-së, Ilir Meta, në ceremoni si edhe e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule. Meta i shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, është parë dje në shoqërinë e ambasadorit amerikan, atij të BE-së, ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli, me të cilën kishte debatuar pak orë më parë në Kuvend lidhur me shkarkime në administratën e institucionit më të lartë legjislativ si edhe të deputetit të PD-së, Kastriot Islami. Ndërkohë, Kryeministri Rama, pavarësisht se kishte marrë ftesë nga demokratët, nuk mori pjesë dje në ceremoni, kjo si pasojë edhe e vizitës së tij në Itali. Por në këtë festë nuk ngurruan të kujtoheshin edhe “mungesat” e mëdha, ku si në dokumentarin e paraqitur ashtu edhe në fjalën e kreut të PD-së, u vlerësuan lart dhe u shprehën nderimet më të mëdha për prijësin e lëvizjes studentore Azem Hajdari, bashkëthemeluesin e PD-së Gramoz Pashko, “Mandelën e Shqipërisë” siç e quajti Basha, Pjetër Arbnorin, si edhe për ish-deputetin e PD-së, Sokol Olldashi, i cili humbi jetën pak kohë më parë në një aksident tragjik në rrugën Tiranë – Elbasan. Më 8 dhjetor të vitit 1990, një grup studentësh e pedagogësh të universiteteve të Tiranës, banorë të Qytetit Studenti, të cilëve më pas iu bashkuan edhe akademikë, intelektualë, qytetarë të kryeqytetit dhe të qyteteve të tjera kryesore, dolën në protesta paqësore që sollën rënien e regjimit komunist. Ndërsa në mesnatën e datës 11 dhjetor, duke u gdhirë 12 dhjetori, u themelua Partia Demokratike, ngjarje e cila shënoi edhe nisjen e pluralizmit politik në vend si edhe hapjen e plotë të Shqipërisë ndaj Perëndimit.

 

Uron anëtarët

Berisha: Në 23 vite kemi shkëlqyer, lideri i ri i PD-së do të na çojë drejt fitores

Lideri historik i Partisë Demokratike, ish-kryetar i saj për më shumë se 20 vite, Sali Berisha, ka uruar dje të gjithë anëtarët e kësaj force politike për ditëlindjen e saj të 23-të. Duke folur jashtë sallës së Parlamentit, Berisha tha se PD ka lindur në opozitë dhe kjo është merita më e madhe e saj. “E themeluar në ato vite sot është në opozitë. Të mos harrojmë që ajo lindi si opozitë dhe një nga meritat kryesore është se ajo u themelua si forcë opozitare në një prej vendeve më të mbyllura dhe që kishte zhdukur gjithçka”, – deklaroi Berisha. Sipas ish-kryeministrit të vendit, kjo parti në 23 vite ka një bilanc të shkëlqyer. “Ka bilancin e sukseseve dhe të mossukseseve të saj. Demokratët sot duhet të ndihen krenarë për forcën e tyre politike”. Nga ana tjetër, Berisha pohoi se PD-ja sot ka një lidership të ri që do të përcaktojë rrugën e fitores dhe ardhjes në pushtet. “Një lider i ri, i cili do të përcaktojë të gjithë vizionin e fitores së afërt të kësaj partie. Jam gjithmonë i atij koncepti që opozita është pushteti moral i kombit. Në sfidat më të para, kjo opozitë, pasi të zgjidhet problemi i votës, PD shkon drejt fitores”, – u shpreh ai. Ndërkohë, pyetjes nëse është PD një parti e lirë, Berisha iu përgjigj duke pohuar: “PD është një parti demokratike, me një spektër lirie e mendimi të pamohueshëm, por unë besoj se është plotësisht e unifikuar dhe e aftë të përballet me këtë qeveri që po përdor antishtetin për të shkatërruar shtetin, antiligjin dhe po zëvendëson shtetin ligjor me atë të policor”. Po ashtu ish-kryeministri mohoi edhe supozimet e hedhura në shtyp, sipas së cilave, ai do të rikthehej në krye të PD-së si një president nderi. “PD ka kryetarin e saj, të zgjedhur nga 80 për qind e anëtarësisë”, – përfundoi deklaratën e tij lidhur me festën e 23-vjetorit të PD-së, ish-kreu i kësaj force dhe ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha.

 

Deputeti i PS

Majko: Për Dhjetorin e vitit ‘90 Berisha i ka të gjithë meritat, idiotësi të mendohet se u përdor nga Alia

Ish-kryeminisrtri i vendit, deputeti i PS-së Pandeli Majko deklaroi dje se konteributi i Sali berishës në lëvizjen studentore dhe në krijimin e PD-së ka qenë kryesor. I ftuar në emisionin “Top Story” në “TCH” ne një panel me Shpëtim Nazarkon, Mero Bazen dhe Gjergji Bojaxhi, ku temë e diskutimit ishte “dhjetori i 1990”, Majko theksoi se nuk duhen mohuar meritat e ish-kryeministrit të vendit, pavarësisht faktit se ai është kundërshtari i tij politik. “Sali Berishën e kam kundërshtar dhe rezervat e mia, ndaj tij i kam thënë të gjithë këto 20 vjet politikë e për sa kohë ai do qëndrojë në politikë do i themi edhe të tjera. Të rrimë shtrembër e të flasim drejt. Për Dhjetorin e vitit 1990 Berisha i ka të gjithë meritat, sepse ishte nga të vetmit intelektualë të vendit që iu bashkëngjit studentëve dhe ardhja e tij në lëvizjen studentore,  i dha më shumë forcë e energji lëvizjes, që solli edhe rezultatet e dëshiruara të asaj lëvizje. Është idiotësi të mendohet se Sali Berisha u përdor nga Ramiz Alia”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency