Paketa antikorrupsion Tërhiqet qeveria: Do të marrim parasysh kërkesat e partnerëve

0
145

Gëzim Saliu

 

Ndarja ministër-deputet në sesionin e ardhshëm parlamentar, Celibashi: Nëse dorëhiqen një nga një, duhen katër vjet, jemi në varësi të axhendës së Parlamentit

 

mbledhje qeverieQeveria hedh një hap prapa për ndryshimet e propozuara në ligjin “Antimafia” dhe Kodin e Procedurës Penale. Pas kundërshtive të shfaqura nga SHBA-ja, OSBE-ja si edhe ato nga Prokuroria dhe KLD-ja, pritet që ekzekutivi dhe përkatësisht Ministria e Drejtësisë të rishikojë draftin e saj, duke marrë për bazë edhe sugjerimet e bëra publike tashmë. Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, bëri të ditur dje se projektligji do të marrë vëmendjen e duhur nga qeveria, duke u bazuar edhe në konsultimet me partnerët ndërkombëtarë. “Ky është një proces që është duke u shqyrtuar tashmë në Kuvendin e Shqipërisë. Është si të thuash tagri i Kuvendit për të mbajtur një qëndrim lidhur me këtë propozim të qeverisë. Por gjithsesi, çfarë është diskutuar në Kuvend dhe mund të them se Komisioni i Ligjeve është duke bërë një punë shumë të mirë në lidhje me konsultimin e këtij projekt-akti, siguroj që nuk do kalojë pa vëmendjen e qeverisë. Nëse ka gjëra që duhet të reflektojmë, ne do t’i reflektojmë. Nuk do ta injorojmë nëse ka diçka që duhet të konsiderohet për ta përmirësuar këtë proçes”, – tha Celibashi. Dy ditë më parë, institucionet e zbatimit të ligjit në vend, Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Konferenca e Gjyqtarëve, ngritën shqetësimet e tyre mbi paketën ligjore antikorrupsion të qeverisë. Këto institucione kundërshtuan përfshirjen e të gjitha çështjeve për korrupsion në Gjykatën e Krimeve të Rënda, pasi, sipas tyre, nëse projektligji miratohet siç është propozuar, do të ketë zvarritje të shqyrtimit të çështjeve. Ndërkohë, më parë edhe SHBA, edhe OSBE kanë shprehur kundërshti për paketën e qeverisë, duke theksuar se ku OPDAT ka kritikuar mungesën e konsulencës e ndërsa ambasadori Rauning përmes një letre drejtuar Komisionit të Ligjeve ka nënvizuar se transferimi i kompetencave për të hetuar e gjykuar korrupsionin tek Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda, është një hap mbrapa në luftën kundër këtij fenomeni. Ndër kritikët e paketës antikorrupsion të qeverisë është edhe deputeti i PS-së, Ben Blushi, i cili në diskutimin e saj në komisionin parlamentar të Integrimit ka kërkuar që të merren parasysh vërejtjet e OSBE-së dhe Ambasadës Amerikane në lidhje me dy projektet për luftën kundër korrupsionit.

Mandati i ministrave

Ndërkohë, ministri Celibashi komentoi dje edhe paqartësinë e krijuar lidhur me zbatimin ose jo të marrëveshjes mes PS-së dhe LSI-së që ministrat e kabinetit qeveritar të heqin dorë nga mandati i deputetit. Sipas tij, ky proces është në varësi të axhendës së Parlamentit dhe do të zhvillohet në mënyrë të organizuar. “Është një proces, i cili varet edhe nga axhenda e Kuvendit, varet nga procesi ligjvënës në Kuvend, sepse nuk duam të krijojmë probleme dhe pengesa në këtë proces. Nëse e nisim një nga një ky proces mund të dojë të mbarojë 4 vjet, por çështja që duhet të bëhet në mënyrë të studiuar dhe në mënyrë të organizuar”, – tha ministri për Marrëdhënien me Parlamentin Ilirjan Celibashi. Marrëveshja paraelektorale PS-LSI që u nënshkrua më 22 prill në pikën e pestë të saj bënte të ditur një ndarje të qartë mes mandatit të deputetit dhe atij të ministrit. “Do të organizojmë një ndarje të re të punëve mes legjislativit dhe ekzekutivit, duke i dhënë një vlerë të re mandatit të popullit sovran qoftë në pushtetin legjislativ qoftë në pushtetin ekzekutiv, me qëllim që kontrolli parlamentar të marrë vlerën e munguar në këto dy dekada dhe përgjegjësia qeverisëse të fitojë një cilësi të re”, – thuhej në marrëveshjen të nënshkruar mes dy forcave kryesore të majta.

 

 

Kritikat për paketën e qeverisë

SHBA, OPDAT – “Ky proces vazhdon ende dhe ne shpresojmë se një paketë ndryshimesh gjithëpërfshirëse e të harmonizuara do të propozohet së shpejti. Si një nga agjencitë që i ka dedikuar këtij procesi kohë dhe burime, ne do të kishim preferuar që këto ndryshime të ishin diskutuar në grupin e punës dhe jo në mënyrë të ndarë, por si pjesë e reformës së përgjithshme në KPP. Ne nuk besojmë se ndryshimet pjesë-pjesë të KPP-së ndihmojnë në efektivitetin e sistemit të drejtësisë penale”.

OSBE – Miratimi i pjesës qendrore të ndryshimeve, transferimi i kompetencave Gjykatës së Krimeve të Rënda, do të thoshte, në fakt, një hap mbrapa në luftën kundër korrupsionit. Në këtë pikëpamje, dëshirojmë të theksojmë se situata aktuale në luftën kundër korrupsionit është në thelb jo edhe aq shumë një problem që lidhet me legjislacionin, por me moszbatimin e kuadrit ligjor ekzistues. Prandaj, dëshirojmë të përsërisim se zgjidhja mund të mos konsistojë në një reformë thjesht ligjore.

Prokuroria -“Kalimi i këtyre veprave penale nga Krimet e Rënda është jo vetëm kosto e lartë gjykatësve, por do të rriste zvarritjen e numrit të çështjeve”.

KLD-ja – “Krimet e Rënda me këto drafte rrezikohen të kthehen në gjykata të thjeshta. Korrupsioni, jo trajtim nga Gjykata e Krimeve të Rënda, saktësim të pasurive”.

 

Në Elbasan

Skema e re për ndihmën sociale, Rama: Nuk lë vend për korrupsion

Kreu i qeverisë. Edi Rama. deklaroi dje nga Elbasani se me skemën e re të aplikimit për të përfituar ndihmën sociale nga bashkitë dhe komunat nuk ka vend për korrupsion, ndërsa garantoi personat invalidë, të cilët nuk kanë marrë pagesat prej disa muajsh se do të likuidohen brenda një kohe rekord. “Ne sot nisim një punë nga themelet për të përmbysur sistemin që bëri për vite me radhë t’u hahet haku atyre që u takon realisht pagë si invalidë apo ndihmë ekonomike dhe të marrë atë që i takon pa u zvarritur më në rrugët e korrupsionit, qoftë një invalid, qoftë një familje me ndihmë ekonomike”, – tha Rama pas prezantimit të projektit pilot për modernizimin e sistemit të asistencës sociale, financuar nga BB. Nga ana tjetër, kryeministri fajësoi qeverinë e shkuar se ka trashëguar një sistem të korruptuar, i cili sipas tij ka ndikuar negativisht edhe tek pagesa e personave invalidë. “Nëse sot njerëzit më në nevojë dhe në radhë të parë invalidët, janë në kushte dramatike pas disa muajsh pa pagese, kjo vjen pikërisht sepse sistemi ishte i ndërtuar në një mënyrë të atillë që të luante çdo ditë me fatin e tyre për t’ju marrë votën, apo për t’ju ngrënë hakun, duke futur në skemë njerëzit të cilët nuk ishin as invalidë as në nevojë për ndihmë ekonomike. Përmes këtij kantieri duke filluar nga Elbasani, Tirana dhe Durrësi, ne do të bëjmë të mundur që fati dhe vendimmarrja për çdonjërin nga njerëzit në nevojë të mos jetë më në dorën e një administratori, burokrati apo qoftë edhe e një kryetari komune, që merr prej hunde një komunitet të tërë, duke vendosur kë të dojë në këtë skemë”, – pohoi Rama, duke shtuar se kjo skemë do të jetë transparente, objektive dhe do të shmangë korrupsionin dhe të gjitha pasojat e prodhuara me korrupsion.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency