Diplomacia Arta Dade: Reduktimi i ambasadave të bëhet me konsensus

0
127

Sot PE voton rezolutën, deputetja e PS-së: Shqipëria këtë herë do ta marrë statusin, kemi bashkëpunim mazhorancë-opozitë

dadeKryetarja e Komisionit të Jashtëm Parlamentar, njëkohësisht deputetja e PS-së, Arta Dade, tha se reduktimi i ambasadave të Shqipërisë në botë është i domosdoshëm, por, sipas saj, është e rëndësishme që për këtë proces të ketë konsensus. Duke bërë të ditur se nevojitet një studim tërësor dhe projekt i përfunduar lidhur me emërimet e ambasadorëve që vijnë jashtë shërbimit diplomatik dhe atyre brenda shërbimit diplomatik, Dade theksoi se kjo praktikë do konsolidonte shërbimin diplomatik me diplomatë të karrierës. “Duke ndjekur çdo stad të karrierës diplomatike do i shërbente vendin duke pasur një sistem diplomatik të konsoliduar. Ligji e ka parashikuar që çdo mazhorancë të ketë një 20% të ambasadorëve. Jemi në rregull me raporte që parasheh ligji. Do mbështesja studimin e paraqitur nga Ministria e Jashtme për reduktimin e ambasadave. Jemi në kohën e avancimit të teknologjisë. Mund të jetë ambasadori dhe një laptop dhe të na drejtojë nga zyra e Ministrisë së Jashtme. Nuk kam dëshirë që buxheti të tkurret. Fondet nga shkurtimet mund të shkojnë për ti mundësuar ambasadorëve dhe personelit diplomatik një jetesë më të mirë. Diplomacia ka probleme serioze dhe do të dëshiroja që të zgjidheshin në një kohë sa më të shkurtër”, – u shpreh Dade në një intervistë për “News 24”. Në këtë kontekst, ligjvënësja socialiste theksoi se është kushtuar vëmendje ambasadorëve të karrierës. “Kemi pasur kundërshti, sistemi pothuajse është bërë. Ka pasur vendim i cili i lejonte ministrit të rekrutonte diplomatë. Do e kthejmë diplomacinë në parametrat e duhur. Janë hapur ambasada të pa studiuara mirë. Duhet të bëjmë studim për përparësitë që ka ministria e jashtme”.

Statusi

Për deputeten e PS-së, Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian këtë vit. Duke marrë parasysh se sot Parlamenti Evropian voton rezolutën për Shqipërinë e ndërkohë vendimi i vendeve anëtare merret pas pak ditësh, kryetarja e Komisionit të Jashtëm theksoi se Shqipëria ka shënuar progres në disa reforma si edhe ka vlerësuar bashkëpunimin mazhorancë-opozitë. “Shqipëria këtë herë do të marrë statusin. Nëse ndjekim me vëmendje zhvillimet në Bruksel ka një vëmendje të shtuar ndaj kësaj çështje. Vlerësoj një sërë gjërash pozitive, siç është pranimi i zgjedhjeve nga ana e opozitës, ka një kalim paqësore të pushtetit. Ka një frymë bashkëpunimi mazhorancë-opozitë. Kujtoj krijimin e aleancës së grave parlamentare e cila u vlerësua edhe nga BE”, – pohoi Dade, duke vlerësuar bashkëpunimin që ka pasur me kolegen e PD-së Majlinda Bregu për përgatitjen e rezolutës e cila u miratua me konsensus në parlament. “Përgatitëm një rezolutë së bashku. Rezoluta u kalua me konsensus në Parlament. Brukseli e ka vënë re këtë”. Nga ana tjetër, deputetja e PD-së vlerësoi edhe rolin e raportuesit për Shqipërinë, duke theksuar se në vendimin për Shqipërinë nuk do të ketë të papritura. “SHBA e mbështet angazhimin e Shqipërisë. Ka një klimë krejt tjetër. Lobimi i ministrave ka qenë i fortë. Nuk besoj që do të kemi të papritura lidhur me thënien po të shteteve për statusin kandidat”.

 

Fton investitorët

Rama, vizitë zyrtare në Itali, takim me Kryeministrin Letta

Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë ditën e sotme drejt Italisë për një vizitë zyrtare, ku do të pritet nga homologu i tij Enrico Letta. Kreu i qeverisë e zhvillon këtë vizitë edhe në kuadër të nismës së shpallur më parë për të prezantuar tek investitorët italianë mundësitë që ofron Shqipëria për sipërmarrjen. “Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i shoqëruar nga një delegacion i gjerë qeveritar, do të jetë nesër (sot) në Itali. Në orën 9:00 në Bari, kryeministri shqiptar do të ketë një takim me guvernatorin e Puljas, Nichi Vendola. Më pas, së bashku do të marrin pjesë në konferencën mbi Alterenergy, “projekt i rëndësishëm për kooperimin mes Shqipërisë dhe Puljas”. Është një takim i një rëndësie strategjike dhe hedh bazat për bashkëpunim të gjerë mes dy brigjeve të Adriatikut mbi temat e energjisë nga burime të ripërtërishme, të domosdoshme për zhvillimin e qëndrueshëm të territoreve tona”bënë të ditur dje mediet italiane, të cilat cituan drejtoren e Zyrës për Mesdheun dhe Veprimtarit Kulturore të Krahinës Silvia Godellin. Ndërkohë pasditen e sotme Rama do të jetë në Romë, ku në orën 14:30 do të ketë takime në Confindustria, ndërsa në orën 18:00 do të takojë Kryeministrin italian Enrico Letta. Pas takimit dy kryeministrat do të mbajnë një konferencë për shtyp. Vizita e sotme e Kryeministrit Rama vjen pas takimit që ai zhvilloi pak ditë më parë me sipërmarrësit italianë, ku pasi prezantoi programin e qeverisë, bëri të ditur krijimin e,: “një grupi deputetësh, të cilët kanë detyrimin, përgjegjësinë dhe dëshirën të marrin pjesë personalisht në këtë nismë, duke prezantuar në Itali, Shqipërinë dhe mundësitë që ofron për investim”.

 

Kompania që udhëhoqi fushatën e PD-së, Podesta emërohet pranë Presidentit Obama

Kompania e madhe amerikane e lobimit, që asistoi fushatën e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit, “Podesta Group”, është emëruar pranë Presidentit të SHBA-së, Barack Obama. “Ish-shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë John Podesta është gati për t’u bashkuar me ekipin e Presidentit Barack Obama si një këshilltar. Podesta, i cili ka mbajtur postin e shefit të stafit për ish-presidentin Bill Clinton do të marrë një post me administratën Obama për një vit, ndoshta duke filluar në janar, thanë nga Shtëpia e Bardhë. Podesta do të punojë në çështjet e energjisë dhe ndryshimeve klimatike”, – shkruante dje “Huffington post”. Kompania “Podetsa Grop” asistuan pak muaj më parë fushatën e Partisë Demokratike, duke i dhënë asaj ngjyra nga fushata e Barack Obamës. Organizimi i shtabeve elektorale, paraqitja në debate publike, organizimi i town halle-ve të ish-kryeministrit Berisha si edhe përdorimi i rrjetit social “Facebook” ishin pjesë e strategjisë elektorale të ndërtuar nga kompania “Podesta Group”.

 

Censusi i OMONIA-s

Bollano: Në Shqipëri ka mbi 286 mijë banorë grekë

OMONIA publikoi dje të dhënat e regjistrimit të anëtarëve të minoritetit grek në vend, si reagim ndaj mospërfshirjes së tyre në Censusin e muajit tetor 2011. Vasil Bollano ka bërë me dije dje se sipas të dhënave të këtij regjistrimi janë plotësuar 286.852 pyetësorë individualë prej të cilave 30% ose 86.000 në mënyre elektronike. Sipas këtij regjistrimi del se, “50% e pjesëtarëve të komunitetit etnik grek ka po thuajse qëndrim të përhershëm në Greqi, por ndërkaq mbajnë kontakte shumë të mira me vendlindjen sepse mbi 70% e tyre vizitojnë më shumë se sa tri herë në vit vendet e origjinës”. Sa i takon qyteteve me më shumë minoritarë grekë, në krye qëndron Vlora me 85 841, më pas vjen Gjirokastra me 51 067 dhe Korça me 33 561. Ndërsa në Tiranë, sipas Censusit të OMONIA-s ka 32 298 minoritarë grekë. Për sa i përket besimit fetar, nga ky regjistrim rezulton se 90 për qind i përkasin besimit të krishterë ortodoks. “Sa i përket një elementi tjetër themelor në identifikimin e minoritetit etnik grek atë të besimit fetar, del se janë përgjigjur mbi 90 për qind, ose 259 mijë persona se janë të besimit të krishterë, ortodoks. Në procesin për deklarimin e gjuhës amtare, 65 për qind, ose 146 454 persona deklaruan si gjuhë amtare, greqishten”, – tha Bollano. Sa i përket gjuhës amtare, nga Censusi rezultoi se 65% ose 186.454 deklaruan si gjuhë amtare greqishten, në pjesën tjetër mbizotëroi vllahishtja me njohuri paralele të greqishtes dhe shqipes. “Njëkohësisht procesi solli në dritë gjithashtu një të dhënë demografike që lidhet me vendbanimin e popullsive helen, 60% banojnë në fshatra dhe 40% në qytete të ndryshme”, – theksoi Bollano.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency