Vrasja në Follorinë Ekspertizë e dytë mjekoligjore për vëllezërit Melsi e Klevis Çollaku

0
111

Sonja Caka

Dyshime për torturim dhe vrasje pas shpine të djemve nga Shueci i Devollit. Familjarët refuzuan varrosjen e tyre pa u bërë më parë një tjetër ekspertizë nga pala shqiptare

 

vellezerit e vrareDy vëllezërve të vrarë në një kasolle në tokën greke, vetëm 2 kilometra larg kufirit greko-shqiptar, do t’u bëhet edhe një ekspertizë e dytë mjekoligjore. Kjo është kërkuar nga familjarët e të vrarëve, Melsi e Klevis Çollaku, të ekzekutuar nga policia greke, pas një shkëmbimi zjarri që patën mes tyre disa ditë më parë. Nga të afërmit dyshohet se dy viktimat janë torturuar më parë dhe më pas janë vrarë. Familjarët refuzuan të varrosnin dy të afërmit e tyre dhe kërkuan me këmbëngulje bërjen e ekspertizës mjekoligjore nga specialistët shqiptarë. Ata hedhin dyshime mbi versionin grek se dy vëllezërit mbetën të vrarë pas një shkëmbimi zjarri. “Kërkojmë urgjent të kryhen hetime. Dy djemtë nuk ishin trafikantë. Melsi ishte me duar të thyera, ndërsa Klevisi me dëmtime në kokë dhe fytyrë. Dy vëllezërit fillimisht janë torturuar, ndërsa më pas janë vrarë nga policia greke. Nuk është gjetur armë në kasolle dhe polici grek është vrarë nga kolegët e tij”, – thonë familjarët e dy viktimave. Sipas tyre, dy vëllezërit janë vrarë në tokën shqiptare dhe jo në tokën greke, siç pretendon policia e vendit fqinj në versionin e saj. “Ata nuk ishin trafikantë, por peshkatarë”, – thonë të afërmit e dy viktimave. Dy vëllezërit u vranë të shtunën nga policia greke në afërsi të liqenit të Prespës. Sipas autoriteteve greke, bashkë me dy shqiptarët, u vra edhe një polic. Por, disa media në Athinë hodhën dyshime mbi ngjarjen, duke vënë në pikëpyetje versionin e policisë. Ajo që përforcon më shumë dyshimet e medieve dhe të familjarëve të dy viktimave, është edhe ekspertiza e parë mjekoligjore, sipas së cilës dy vëllezërit janë goditur nga pas shpine me armë, njëri me 5 dhe tjetri me 2 plumba.

Ekspertiza

Me kërkesë të familjarëve të dy viktimave Melsi dhe Klevis Çollaku, pas edhe refuzimit për të kryer ceremoninë mortore për t’iu ribërë atyre një tjetër ekspertizë nga pala shqiptare, policia e Korçës ka dërguar dje një grup ekspertësh, mes të cilëve një polic gjyqësor, një tjetër ekspert dhe një ekspert mjekoligjor për të ribërë ekspertizën mjekoligjore. Familjarët kanë kërkuar bërjen e ekspertizës, pasi ata thonë se janë të paqartë se si janë vrarë nga policia greke mesnatën e datës 8 dhjetor. Rreth orës 11:00, grupi i ekspertëve ka mbërritur në banesën e vëllezërve Çollaku. Po dje ka përfunduar ekspertiza mjekoligjore dhe pritet nëse përputhet me ekspertizën e mjekëve grekë. Ekspertiza ka zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta. Familjarët thonë se trupat ishin dhunuar fizikisht dhe polici grek është vrarë nga shokët e tij. “Kërkojmë urgjent të zbardhet e vërteta. Shteti të mos heshtë. Djemtë nuk ishin trafikantë, u vranë pabesisht nga policia greke. Njëri ka 5 plumba, tjetri ka 3 dhe trupat ishin të goditur, të masakruar. I sollën lakuriq, me gjak e plagë të hapura. Trupat ishin dhunuar, Melsi ishte me duar të thyera, Elvisi me dëmtime në kokë dhe në fytyrë. Nuk është gjetur armë në kasolle. Polici grek është vrarë nga mbrapa nga policët grekë. Po fshihet e vërteta. Duam riekspertim, sepse ekspertët shqiptarë nuk shkuan në Greqi”, – bëjnë me dije ata. Ndërkaq, nëna e dy vëllezërve Çollaku ka deklaruar për mediet se djemtë e saj nuk kanë pasur armë me vete. Sipas saj, në trupin e djemve janë bërë tortura çnjerëzore. “Nuk kanë pasur automatikë me vete, dy djemtë peshkonin nga varfëria. Jemi të varfër dhe jo trafikantë. Me trupin e tyre janë kryer tortura çnjerëzore”, – ka thënë nëna e dy viktimave. Ajo ka kërkuar falje për vdekjen e policit grek, por, sipas saj, ai është vrarë nga kolegët e vet, dhe jo nga djemtë e saj. “I kërkoj falje familjes së policit, por atë nuk e kanë vrarë djemtë e mi, por kolegët e tij”, – ka thënë nëna e dy vëllezërve të vrarë. “Djemtë shkuan për të gjuajtur peshk, për të nxjerrë bukën e gojës dhe për të mbajtur frymën gjallë, se jemi 8 veta në një dhomë. Jam infermiere dhe kam punuar tërë jetën me ndershmëri dhe kur erdhën ata, më kontrolluan shtëpinë. Ata më kontrolluan shtëpinë dhe unë nuk e dija që ata kishin vdekur. “Ku i ke djemtë”, më thanë dhe kontrollonin shtëpinë (për policinë). Po çfarë trafikantë moj (dhe vë kujën), djemtë e mi peshk gjuanin dhe nëse ata kryenin gjueti të paligjshme, të futeshin në burg, por jo të m’i sillnin të vrarë. Të paktën do të dilnin gjallë prej andej”, – u shpreh mes kujës nëna e dy vëllezërve të vrarë, Çollaku. Pas ribërjes së ekspertizës, trupat e pajetë të dy të rinjve, prindër të katër fëmijëve, janë përcjellë për në banesën e fundit.

Ngjarja

Ngjarja ndodhi në orën 00:45, duke u gdhirë e diel, në piramidën 1920, pranë liqenit të Prespës, kur patrulla e policisë që merrej me kontrollin e peshkimit të paligjshëm, ushtroi një patrullim, pasi kishte informacion se ishin vjedhur rrjetat e peshkatarëve në liqen. Patrulla e la automjetin në rrugë dhe përshkoi në këmbë për rreth 30 minuta, derisa vuri re një kasolle rreth 2 km larg liqenit të Prespës, kasolle që shpesh, sipas policisë, përdoret nga trafikantët e emigrantëve të paligjshëm apo trafikantët e drogës. Dy nga policët shkuan për të kontrolluar kasollen, ndërsa i treti qëndroi më pas, për t’u mbuluar atyre krahët. Kur u afruan, policët kanë bërtitur në gjuhën shqipe “Policia, policia!”, ndërsa një nga shqiptarët ka hapur zjarr me kallashnikov. Plumbat kanë plagosur policin 43-vjeçar Elias Kostenis dhe pas kësaj polici i tretë që ndodhej jashtë kasolles, hapi zjarr mbi njërin nga shqiptarët, duke e plagosur për vdekje. Tjetri mori armën e të vëllait dhe vijoi të qëllonte mbi policinë, por nga shkëmbimi i zjarrit edhe ai mbeti i vdekur. Gjithçka ndodhi në rreth 2 minuta, ndërkohë që temperatura në zonë ishte -15 gradë celsius. Polici i plagosur nuk u mbijetoi dot plagëve dhe vdiq rrugës për tek makina e patrullës së policisë, e cila ishte larg zonës ku ndodhi ngjarja. Policia e Shtetit shqiptar mbështet versionin e homologëve grekë, duke deklaruar se ka pasur shkëmbim zjarri mes patrullës greke dhe dy vëllezërve Melsi dhe Klevis Çollaku.

 

Tiranë

Gjykata rikonfirmon masat, lë në burg gjashtë të arrestuarit e skandalit në Gjykatën e Pukës

Gjykata e Tiranës ka rikonfirmuar dje masat e arrestit për gjashtë të arrestuarit për skandalin e korrupsionit në Gjykatën e Pukës, duke lënë në burg 6 të akuzuarit. Në seancën e djeshme, Gjykata ka dhënë masën “Arrest me burg” për ish-prokurorin Pëllumb Prençi, ish-kancelaren e Gjykatës së Pukës Meliha Kukaj; ish-sekretaren gjyqësore Liljana Shkjau, sekserin Dëfrim Prençi, si dhe avokatët e palëve Fariz Xhurxhi dhe Fran Dashi. Edhe gjatë seancës, gjashtë të arrestuarit kanë mohuar përfshirjen e tyre dhe janë përpjekur të shfajësohen para togave të zeza, ndërkohë që mësohet se njësia task-forcë, përmes Prokurorisë së Përgjithshme, i është drejtuar KLD-së për t’i hapur rrugë hetimit të gjyqtarit Shtjefën Lleshi. Po mbrëmë, në një mbledhje urgjente, KLD vendosi të japë autorizimin për caktimin e masës së sigurisë ndaj gjyqtarit Lleshi. Tri ditë më parë, Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar në Policisë e Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, arrestoi 6 personat e mësipërm të akuzuar për korrupsion në një çështje gjyqësore në Gjykatën e Pukës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency