Pas padisë ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Reagon opozita: Sulmi ndaj Imamit është hakmarrje politike

0
153

Florenc Drizari

Paloka: Brenda koalicionit është diskutuar jo një herë, por disa herë se cilin nga ish- pushtetarët do të denoncojnë pa u hyrë fakteve

Strazimiri: Kryeministri ndëshkon, i jep urdhër prokurorisë, gjykatave, çka nuk ka asgjë të përbashkët me funksionimin e sistemit demokratik

 

palokaDeputetë të Partisë Demokratike e kanë quajtur hakmarrje politike të Kryeministrit Rama dorëzimin e kallëzimit penal në Prokurorinë e Përgjithshme. Kreu i grupit parlamentare të PD-së, Edi Paloka, si dhe sekretari i grupit, Gent Strazimiri, edhe pse janë shprehur të hapur para drejtësisë për çdo abuzim që mund të jetë bërë, ata kundërshtuan kallëzimin penal të mazhorancës ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, me argumentet se bëhet për qëllime të pastra politike.

Arben Imami është vënë nën akuzën e korrupsionit për kohën kur drejtoi Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa për PD-në kjo është një hakmarrje personale dhe jo luftë ndaj korrupsionit.

Tri ditë më parë ishte ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila deklaroi dërgimin e dosjes në prokurori për ish-funksionarin e lartë të kësaj Ministrie në kohën e qeverisjes së djathtë. Kodheli ka thënë se në kohën kur Imami drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes, janë evidentuar shkelje në dhënien e reklamave televizive.

Gent Strazimiri

Një ditë më parë sekretarit të grupit parlamentar, Genti Strazimirit, në një prononcim që dha pas mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, tha se mjafton të lexosh Kryeministrin në “Facebook” për t’i dhënë padisë një tjetër emër.

“Nuk është padi nga ana e qeverisë është një urdhër që zoti Rama ka dhënë që të ndëshkohet Arben Imami. Në më pak se 90 ditë qeveria po provokon rregullat, të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Kryeministri ndëshkon, i jep urdhër prokurorisë, gjykatave, çka nuk ka asgjë të përbashkët me funksionimin e sistemit demokratik”, – u shpreh ai për “Abc news”.

 

Edi Paloka

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të PD-së ironizoi lëvizjen e fundit të mazhorancës, duke thënë se është e kotë të përpiqesh të gjesh një lidhje mes Ramës dhe ligjit. Ai tha se ky skenar ishte përgatitur më parë në zyrat e PS-së.

“Brenda koalicionit është diskutuar jo një herë, por disa herë, jo për korrupsionin, por se cilin nga ish-pushtetarët do denoncojnë pa u hyrë fakteve apo problemeve që mund të ketë pasur një apo një tjetër, madje kanë bërë dhe debat se kë do fusin në burg”, – deklaroi Edi Paloka.

Sipas padisë së ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ndaj ish-ministrit, Arben Imami, thuhet se është bërë për një dëm ekonomik 1 milion dollarë të shkaktuar nga prodhimi dhe transmetimi i tri spoteve televizive.

“Ky është rasti i parë kur një ministër i mazhorancës së re depoziton një padi penale për paraardhësin e saj për abuzime me fondet publike”, – shkruan “Panorama”, duke shtuar se në bazë të akuzave, të akuzuarit, nëse gjenden fajtorë ndaj akuzave të ngritura, mund të dënohen nga një gjobë që varion nga 300 mijë deri në 1 milion lekë ose me burgim që varion nga 3 vjet deri në 7 vjet.

Edhe pse jo zyrtar, mësohet se dëmi ekonomik i shkaktuar nga pesë ish-zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes është 99 milionë e 943 mijë e 488 lekë të reja. Në padinë e Ministrisë së Mbrojtjes janë akuzuar edhe pesë zyrtarë të tjerë.

 

 

EDI RAMA

ISH-MINISTRI I MBROJTJES TË NDËSHKOHET PËR KORRUPSION

Deklarata për media e ministres së Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli:

Ministria e Mbrojtjes depoziton në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal në ngarkim të ish Ministrit të Mbrojtjes dhe disa ish punonjësve të kësaj Ministrie, për konsumin e veprës penale “Shpërdorim detyre”, “Shpërdorim i kontributeve të dhëna nga shteti”, si dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankand

 

Tabaku: Imami, provë e gjuetisë së shtrigave që po ndërmerr qeveria, por gjithçka do të rezultojë një farsë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në emër të opozitës deklaroi një ditë më parë se kallëzimi ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, është një provë e gjuetisë së shtrigave, që po ndërmerr qeveria e majtë. Tabaku tha se akuza e montuar, do të rezultojë një farsë, ndërsa përmendi arritjet e Forcave të Armatosura nen drejtimin e Arben Imamit.

“Edi Rama urdhëroi dje që “ish-ministri i Mbrojtjes të ndëshkohet për korrupsion”.

Ky urdhër i Ramës i denjë vetëm për regjimet totalitare bie në ndesh me parimet themelore të demokracisë dhe shtetit ligjor.

Edi Rama duhet ta dijë se Shqipëria funksionon në bazë të ligjeve dhe kushtetutës ku sanksionohet qartë dhe prerë se i vetmi institucion që jep vendime është gjykata.

Askush nuk mund të dale mbi të, qofte dhe Edi Rama.

Deklarata e tij e djeshme fakton qartë se Edi Rama po nis gjuetinë e shtrigave dhe po kërkon të linçojë një kundërshtar politik, duke dhënë ai verdiktin, duke injoruar drejtësinë.

Rama, e ka vënë prej vitesh në qendër të sulmit të tij politik Arben Imamin.

Publikisht Edi Rama u betua se do të hakmerrej ndaj tij, çka dëshmon se e gjitha kjo është vetëm një farsë dhe sulm personal ndaj Arben Imamit.

Z. Imami ka qenë për shumë vite në krye të reformave më të suksesshme që janë kryer në ushtrinë shqiptare dhe pati kontributin e tij në arritjen e kritereve për anëtarësim në NATO dhe së fundmi për integrimin e plotë të forcave ushtarake shqiptare në Organizatën e Atlantikut të Veriut, reforma të njohura dhe të vlerësuara jo vetëm nga partnerët tanë ndërkombëtare, por edhe nga qeveria aktuale”, – deklaroi Tabaku.

 

 

Mimi Kodheli: Korrupsioni në Ministrinë e Mbrojtjes – shqetësim i madh për Shqipërinë

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, gjatë një interviste të dhënë për “DW” tha se padia ndaj Arben Imamit nuk është një hakmarrje politike, por një detyrë që kjo mazhorancë ka marrë për t’u shërbyer qytetarëve dhe për të luftuar korrupsionin.

“Nuk ka pasur asnjë tendencë për të kapur atë që nuk ekzistonte apo për të krijuar një tymnajë në një kohë që auditimi dhe inspektimi kanë bërë vetëm detyrën e tyre. Ju siguroj që ka disa institucione apo agjenci apo ndërmarrje brenda dhe në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat nuk janë audituar prej vitesh, agjenci që nuk janë audituar prej 5 vitesh, kur bazuar në ligjet e shtetit shqiptar, duhet të auditohen çdo vit. Kjo ka shtuar zullumin e keqmenaxhimit të këtyre institucioneve brenda Ministrisë së Mbrojtjes dhe padyshim me abuzimin me parat e taksapaguesve”, – deklaroi Kodheli.

E pyetur në lidhje me reagimet e z. Imami, i cili e quajti një hakmarrje politike padinë e ngritur, Kodheli u shpreh: “Ajo që unë kam thënë dje kam parë që është komentuar në rrjetet publike si një gjest dobësie. Unë e thashë që nuk jam aspak në një pozicion komod që unë të dorëzojë një akuzë, një kallëzim penal për ish ministrin Imami. Unë ju siguroj që votat e qytetarëve shqiptarë, unë dhe kolegët e mi dhe padyshim kryeministri Rama dhe forca politike që unë përfaqësoj i kemi marrë për ta qeverisur dhe për ta çuar përpara këtë vend, por korrupsioni është një gangrenë dhe një sëmundje që ka shtrirë tentakulat, kthetrat në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare dhe duhet të vinte një ditë që këtij korrupsioni t’i thuhej stop. Unë ju siguroj që korrupsioni në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcat e Armatosura kishte mbërritur në nivele kaq shqetësuese sa kjo ishte bërë një shqetësim i madh edhe për Shqipërinë si vend i NATO-s,pra ne disa qarqe ishte diskutuar që qoftë Shqipëria anëtare e NATO-s ka filluar të ketë shumë probleme me këtë institucion dhe kjo është një gjë që duhet parë”.

 

Arben Imami: Të gjitha akuzat janë politike

Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, deklaroi një ditë më parë se prej dy vitesh ka pasur një sulm të vazhdueshëm nga Partia Socialiste lidhur me menaxhimin e kësaj Ministrie dhe akuzat e fundit të ngritura nga ministrja Mimi Kodheli, janë për qëllime politike. Në një intervistë për “DW”, deputeti i opozitës tha: “Natyrisht që këta akuzatorë të djeshëm dhe të sotëm do të duhej që të vërtetonin ato teza themelore lidhur me trafiqe armësh, lidhur me keqpërdorimin e pronave, lidhur me shkarkimet e paligjshme të gjeneralëve deri edhe në përdorimin e karburanteve për fushatën e partisë demokratike, të cilat u provuan që janë krejtësisht, krejtësisht akuza false. Atëherë u ndërtua një akuzë për një prokurim lidhur me ministrinë e mbrojtjes. Nga pikëpamja procedurale nuk pati gjë. Por kjo vijimësi sulmesh, e cila u mbyll me një dështim, më çon tek mendimi që është një hakmarrje politike e lidhur me pozicionet politike të 2011 dhe me sa duket partia socialiste dhe zoti Rama nuk ka pasur rrugë tjetër, por të hartojë qoftë edhe do si do një akuzë ordinere”, – tha Imami.

I pyetur në lidhje me akuzat se a ka shkelje edhe me shpenzimet e bëra në favor të PD, duke shpërdoruar fondet publike për fushatë, ministri Imami deklaroi:Shpenzimet për reklamat nuk janë bërë gjatë kohës së fushatës. Shpenzime janë bërë vetëm për një ushtri të NATO-s, për mobilizimin, për ndihmën që ka dhënë ushtria në emergjenca. Kjo e tëra është e parashikuar në buxhetin e shtetit me ligj dhe sigurisht që është shpërdoruar mbi bazën e ligjit”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency