Reagon kreu i opozitës Premtimet e Ramës për ekonominë, Basha: Mashtrim-zhbërje-përkeqësim, tri fjalët kyçe të 3 muajve të parë

0
127

Florenc Drizari

 

“Në argumentimin e vlerësimit të e saj “S&P” thekson si faktor kryesor të përkeqësimit rritjen e stokut të borxhit në 67 për qind të PBB-së deri në fund të vitit 2013”

 

Basha_ne_mbledhje_grupi_9_dhjetor_2013Ulja e besueshmërisë së ekonomisë shqiptare pas vlerësimit të bërë nga “Standard & Poor’s”, bëri që kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të kritikonte ashpër Kryeministrin Edi Rama për qëndrimet e fundit të mbajtura në publik dhe vendimet në fushën e financave të vendit. Më herët “S&P” uli vlerësimin e saj nga B+ në B për Shqipërinë ose thënë më ndryshme nga kreu i opozitës, “vlerësimi shkon nga “Stabel” që ishte në qeverisjen tonë, në “Negative”. Gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, z. Basha e cilësoi këtë një lajm i keq për çdo shqiptar, për ekonominë, për sipërmarrjen dhe investitorët e huaj që operojnë tashmë në Shqipëri.

Sipas Bashës, për herë të parë pas thuajse një dekade investitorëve të huaj u thuhet nga një agjenci prestigjioze dhe e besueshme se janë të paralajmëruar në sy nëse duan të marrin rreziqe të shtuara për shkak të investimit të tyre në Shqipëri.

“Shqipëria dhe ekonomia e saj, – tha Basha, – prej më shumë se një dekade po humbet vlerësimin e domosdoshëm për t’u konsideruar një destinacion tërheqës e nxitës për investimet e huaja”. Sipas kreut të PD-së, vlerësim nga “S&P” është de fakto një sinjal “SOS” për çdokënd që kërkon dhe planifikon apo kanë nisur tashmë procesin e një investimi në vendin tonë.

Lidhur me këtë vlerësim të ekonomisë shqiptare, kryetari i opozitës theksoi se që nga viti 2007 e në vazhdim, vlerësimi për Shqipërinë ka qenë “Stabel”; edhe në vitet e pikut të krizës botërore, kur vlerësimi u ul për shumë vende të zhvilluara të botës, vlerësimi për Shqipërinë mbeti “Stabel”. Efektet e krizës globale u ndien, u prekën në ritmet e ulëta të rritjes ekonomike, por stabiliteti ekonomik dhe kolonat kryesore të këtij stabiliteti nuk u cenuan. Tani edhe ky vlerësim u përfshi, apo të themi më saktë u ngjit menjëherë në top listën e gjatë të zhbërjeve dhe përkeqësimeve sistematike të qeverisë “Rama”.

Shkaku kryesor i uljes së vlerësimit për Shqipërinë, që përfaqëson padyshim paralajmërimin më serioz për recesionin, pra rënien e parë në negativitet të gjendjes dhe perspektivës së afërt të ekonomisë sonë, shkaku kryesor është padyshim papërgjegjshmëria, arbitrariteti dhe paaftësia që po dëshmon qeveria “Rama” në menaxhimin e financave publike dhe ekonomisë në tërësi”, – deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha gjatë mbledhjes së grupit parlamentare demokrat.

Ky vlerësim negativ për ekonominë shqiptare, sipas kryetarit të PD-së, vjen edhe për shkak të rritjes së borxhit publik në pak muajt e qeverisjes së majtë.

“Në argumentimin e vlerësimit të saj “S&P” thekson si faktor kryesor të përkeqësimit rritjen e stokut të borxhit në 67 për qind të PBB-së deri në fund të vitit 2013 me një paparashikueshmëri afatshkurtër akoma më pesimiste për vitin 2014. Rritja drastike dhe amatoreske e borxhit, në injorim të çdo logjike të shëndoshë ekonomike, do të bëjë që taksat e shqiptarëve, në vend që të përdoren për investime publike të shkojnë për financimin e kostos së rritur të borxhit”, – tha Basha.

Qëndrimet fundit të qeverisë u shpreh kreu i PD-së, dhe vlerësimet e fundit të agjencive me reputacion botërore për ekonominë, tregojnë se për vitin e ardhshëm nuk do të ketë investime publike dhe as rritje rrogash e pensionesh.

 

 

Lulzim Basha për premtimet e Ramës

“Mashtrim-zhbërje-përkeqësim, këto janë tri fjalët kyçe të tre muajve të parë të kësaj qeverisjeje. Rama ka gënjyer e mashtruar shqiptarët me premtimet e tij të bujshme elektorale. Nuk ka e nuk do të ketë ulje të borxhit, nuk ka e nuk do të jetë shërbim shëndetësor falas, nuk ka e nuk do të ketë legalizim falas, ulje të taksave, rritje të asistencës, punësim masiv, rend brenda njëqind ditëve e plot e plot premtime të tjera që frynë tullumbacen e tyre të Rilindjes. Ka vetëm përkeqësim në të gjitha aspektet, vetëm rritje të papunësisë, vetëm rritje të borxhit, vetëm rritje të vrasjeve, aksidenteve, pasigurisë së përgjithshme, vetëm paligjshmëri, arbitraritet, megalomani”, – deklaroi z. Basha. Duke ironizuar lëvizjet e fundit të mazhorancës, kreu i PD-së tha se e vetmja fushë në të cilën qeveria ka shënuar progres janë shfaqjet televizive “demode” të Kryeministrit Edi Rama.

 

 

PD: Nëntori, i mbushur me krime, qeveria krekoset në televizion

Siguria publike në vend, për Partine Demokratike, është në gjendje alarmante. Në një deklaratë për mediat, deputeti Arben Ristani tha se kjo është një shuplakë për shfaqjet televizive të Kryeministrit dhe ministrit të Rendit. Deputeti Ristani tha se dhjetori nisi me një vrasje të tmerrshme në një gjimnaz të Durrësit që tronditi gjithë shoqërinë shqiptare.

“Partia Demokratike dhe opinioni publik ngritën zërin për këtë ngjarje, por sidomos për lehtësinë me të cilën krimi kryen sot aktivitetin e tij dhe pamundësinë që ka policia e shtetit për ta parandaluar. E gjitha për shkak të largimit të profesionistëve nga radhët e Policisë së Shtetit dhe zëvendësimit të tyre me shërbëtorë të Partisë Socialiste. Të dhënat e kriminalitetit për muajin nëntor janë një alarm për shoqërinë, politikën, dhe veçanërisht për qeverinë. Të dhënat e kriminalitetit janë sot një thirrje e fortë për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit që të ngrihen në nivelin e duhur të përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit që kërkon situata e rënduar e krimit dhe e pasigurisë së jetës.

Partia Demokratike është e detyruar, me keqardhje, të informojë edhe një herë shqiptarët se vetëm gjatë muajit nëntor në vendin tonë kanë ndodhur;

700 krime ndaj personit

160 krime të rënda

Si pasojë, 10 të vrarë

Mesatarisht, kanë ndodhur 24 krime të rënda ndaj personit në ditë.

Vetëm në nëntor kemi më shumë se 500 raste vjedhjesh, që do të thotë afërsisht 17 raste të cenimit të pronës së shqiptarëve në ditë. Aksidentet janë shtuar dhe pasiguria është rritur ndjeshëm. Vetëm gjatë muajit nëntor 32 persona kanë humbur jetën në aksidente të rënda. 25 shqiptarë kanë humbur jetën në aksidente rrugore. Mesatarisht, për fat të keq, kemi një person të vdekur çdo ditë nga aksidentet rrugore, dhe akoma më shumë të plagosur e në gjendje të rëndë nëpër spitale.

Të dhënat tregojnë për mesatarisht 6 aksidente në ditë, pra afërsisht 180 në një muaj”, – thuhet në deklaratën e deputetit të PD-së, Arben Ristani.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency