Në Prokurori Kodheli, padi Imamit: Abuzim me paratë publike. Reagimi: Hakmarrje personale e Ramës

0
151

Gëzim Saliu

Rama: Ish-ministri i Mbrojtjes të ndëshkohet për korrupsion. Imami: Nuk ka asnjë abuzim me ligjin dhe paratë

 

Kodheli deklarateMinistrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, padit në Prokurori paraardhësin e saj, Arben Imami, dhe 5 funksionarë për shpërdorim detyre. Duke bërë të ditur se padia vjen pas konkluzionit nga një grup ekspertësh, ministrja pohoi dje në një dalje publike se provat e evidentuara janë të pamohueshme. “Ministria e Mbrojtjes depoziton në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes dhe disa ish-punonjësve të kësaj Ministrie, për konsumin e veprës penale “Shpërdorim detyre”, “Shpërdorim i kontributeve të dhëna nga shteti”, si dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankand publik”, të parashikuara këto në nenet 248, 256 dhe 258 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë. Në fakt, ky nuk është një kallëzim i zakonshëm. Kemi të bëjmë me një padi të mirargumentuar, të përgatitur nga një grup ekspertësh, të cilët kanë shqyrtuar deri në detaje të gjithë këtë aferë korruptive dhe kanë dalë me konkluzionin se kush ka qenë pjesë e kësaj procedure, duhet të përgjigjet përpara drejtësisë”, – tha Kodheli, duke i kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme të veprojë duke investiguar mbi veprimet antiligjore që kanë çuar, sipas saj në shkelje të procedurave dhe në një abuzim të madh me paranë publike. Po ashtu pas deklaratës së ministres ka reaguar edhe kryeministri Rama, i cili duke e postuar atë në rrjetin social “Facebook” ka shkruar: “Ish-ministri i Mbrojtjes të ndëshkohet për korrupsion”.

Reagimi

Pas deklaratës së ministres së Mbrojtjes, ka reaguar deputeti demokrat Arben Imami, i cili e cilësoi padinë një akt primitiv dhe hakmarrës nga ana e Kryeministrit të vendit Edi Rama. Sipas tij, padia ishte një kusht i vendosur nga kreu i qeverisë ndaj Kodhelit për të marrtë detyrën e ministres. “Akti i sotëm i Mimi Kodhelit nga zyra e Kryeministrit dhe për llogarinë e tij, përfaqëson një akt primitiv hakmarrës personal, siç e kam thënë prej 2 vitesh. Sigurisht ky është edhe plotësimi i kushtit për marrjen e detyrës së Ministres së Mbrojtjes, nga zonja në fjalë, e cila nuk ka asnjë bilanc. Zoti Rama dështoi në të gjitha akuzat e ngritura në 2 vite, për përgjime, armë të dërguara Gedafit, pronat e ushtrisë, emërime të paligjshme e të tjera si këto. Të gjitha akuzat ranë, e vetmja gjë që nuk ra dhe nuk mund të bjerë është vendimi i një njeriu të çmendur, për t’i shkuar deri në fund hakmarrjes personale, për deklaratat e mia publike për 21 Janarin. Të dy këta persona, ish drejtues të institucionit më të korruptuar të shtetit shqiptar në këto 23 vite, pra Bashkisë së Tiranës kur e drejtonin atë, kanë qenë të detyruar të pranojnë se reformat në ushtri kanë qenë të suksesshme”, – tha Imami. Duke nënvizuar në fjalën e tij se në ministrinë që ai drejtoi nuk ka asnjë shkelje me paratë e qytetarëve, deputeti i PD-së iu drejtua kreut të qeverisë me një mesazh. “Qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se në Ministrinë e Mbrojtjes nuk ka asnjë abuzim me ligjin dhe paratë e tyre. Por ishte përcaktuar prej dy vitesh “armiku” i kryetarit të Partisë Socialiste, e pas kësaj u bënë përpjekje për të montuar një akuzë false, duke akuzuar një institucion model për abuzim me tendera, prej të cilave jam i sigurt se nuk do të dalë absolutisht asgjë. I drejtohem zotit Rama; Po kapërcen vijën e kuqe ligjore, etike dhe politike. Kërcënimet e tua nuk trembin askënd, aq më pak mua”, – tha ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami.

 

Zhvlerësimi i “Standard & Poor’s”

Ministri Ahmetaj: Përgjegjësi e qeverisë së kaluar

Ulja e vlerësimit të borxhit për Shqipërinë nga B+ në B nga “Standard and Poor’s” është përgjegjësi e qeverisë së mëparshme. Kështu bëri të ditur dje Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, e cila theksoi se qeveria shqiptare është e ndërgjegjshme që situata tejet e rëndë financiare dhe ekonomike që ka trashëguar, është faktori kryesor i uljes së vlerësimit të borxhit nga B+ në B. Sipas saj, ky vlerësim reflekton situatën ekonomike të nëntë muajve të parë të vitit 2013, për të cilat ka të dhëna zyrtarisht të konfirmuara. “Trashëgimia e papërgjegjshme e një borxhi tepër të lartë e të rrezikshëm, të dokumentuar apo të fshehur, por tashmë të verifikuar e bërë transparent nga Qeveria aktuale, FMN e institucione të tjera financiare ndërkombëtare, e bëjnë Qeverinë e mëparshme përgjegjëse të drejtpërdrejtë, jo vetëm për këtë zhvlerësim, por edhe për gjendjen e rënduar të buxhetit të shtetit, për gjendjen e vështirë ekonomike dhe financiare të vendit dhe të qytetarëve shqiptarë”, – thuhej në deklaratën e MZHETS-së. Duke bërë një pasqyrim të gjendjes ekonomike të cilën trashëgoi qeveria e re, MZHETS-ja bëri të ditur se po hartohet bashkë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore e Komisionin Evropian një përgjigje e matur dhe e mirëmenduar ndaj krizës së trashëguar, e cila jo vetëm që do të ristabilizojë ekonominë, por do të krijojë të gjitha kushtet për një rritje të qëndrueshme e cilësore të ekonomisë shqiptare në vijim. “Programi i qeverisë është përgjegjshmëri e plotë ndaj premtimeve që ne kemi bërë për rritje të punësimit, ulje taksash për 95% të shqiptarëve, luftë ndaj krimit dhe korrupsionit, monopoleve dhe transparencë të plotë ndaj qytetarëve shqiptarë”. Pak ditë më parë, në raportin e saj, “Standard and Poor’s” uli vlerësimin për borxhin e Shqipërisë nga B+ në B.

 

Statusi

Belgjika mbështet Shqipërinë: Shpresojmë, së shpejti të jeni anëtar

Belgjika mbështet Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit evropian. Zv.kryeministrja Laurette Onkelinx pohoi dje se Belgjika mbështet qartësisht marrjen e statusit kandidat nga Shqipëria dhe shpreson që ky vend të bëhet së shpejti anëtar i BE-së.”Qeveria belge përmes Kryeministrit të saj Elio Di Rupo mbështet plotësisht statusin e kandidatit për Shqipërinë. Ne shpresojmë që do jetë një portë hyrjeje për të gjithë shqiptarët dhe shqiptarët lidhur me aspiratat dhe shpresat e tyre për të ardhmen, por është gjithashtu një pasuri për Evropën. Është një kontratë të bëhesh anëtare e Bashkimit Evropian me të gjitha të drejtat. Është një shkëmbim dhe një mbështetje e ndërsjellë dhe shpresoj që Shqipëria do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian së shpejti”, – tha zv.kryeministrja e Belgjikës. Vendimi i ministrave të jashtëm për statusin për Shqipërinë pritet te jepet në 17 dhjetor dhe nëse do të jetë pozitiv, ai do të zyrtarizohet nga liderët evropianë në 19 dhe 20 dhjetor.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency