Këshilla një gazetari

0
165

Faik Konica

faik_konica01Sa lehtë përdorë njeriu fjalë të mëdha për të mëshehur nën ‘to intriga e për të shfrytzuar zëmrime të veçanta.

(Albania, nr.1, 1897)

 

Për të gjykuar mirë një njeri që ka pjesë në histori, duhet t’a gjykojmë jo mbas mendimeve të kohës së sotme, po mbas kohës ku ay vetë u rrit, u suall e roiti.

(Albania, nr.2, 1902)

 

Nuk thom se jeni shqiptar të liq, po pse doni të gjykoni punëra që s’i dini.

(Albania, nr.2, 1902)

 

Le të shkruajnë të gjithë sa të munden, le të dalin mijëra artikuj e qindra libra; e, me kohë, n’ato shkrime do të ndodhen sa që do të kenë një vlerë letrare të vërtetë, që do të mbeten kur të harrohen të tjerat, e që do të jenë shtyllat e para të një letrature kombëtare.

(Albania, nr.4, 1902)

 

Koha kur rojmë është koha e reklamës, dhe nuk duhet të çuditemi kur shohim mediokritetet e vëndit t’onë të hidhen përpara dhe përpara dhe përpara duke mos bërë vënt përveç për shokë në shkallë mëndore të tyre.

(Albania, nr.1, 1909)

 

Njerëzit e paditur, në shumicë, rrojnë më tepër se të diturit, se këtyre u punon nat’ e ditë mëndja e ashtu u prishet më shpejt organizmi.

(Albania, nr.5, 1899)

 

Ka njerëz që shitën nër guverna për të pështyr gënjeshtra. Ka të tjerë që marrin ndihmë nga një guvernë për të thënë të vërteta që ndryshe nuk mund t’i thonë.

(Albania, nr.2, 1899)

 

Kur e nget një njeri s’ke të drejtë t’i thuash pse më nget.

(Albania, nr.2, 1899)

 

Këshilla një gazetari

I dashur mik – në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha; shqiptarët do të thonë që s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s’është gazetë, por libër. Në e shtypsh me letra të holla, do të thonë se s’këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vend. Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegnisht prap ashtu, në shkrofsh në gjuhë të përzier me të dyja, gjysëm gegnisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është “çervish”.Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s’është koha të punojmë për letratyrë, kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë do të thonë se prishë punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Stambollit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të jap Sulltani të holla që t’a pushosh gazetën. Në mos gjefsh të holla që ta mbash gazetën, do të thonë se s’je i zoti, me qenë aq njerëz duan zgjimin e kombit shqiptar; në gjefsh të holla je intrigant a i shitur. Në folsh për plot çlirimin e Shqipërisë, do të thotë je djall e kërkon gjëra që duheshin gatitur në qind vjet më parë; në folç për nevojën të përpiqemi t’a shpëtojmë gjuhën dhe kombësinë, duke vënë vendin nën hijen e një Fuqisë së Madhe, s’qënke shqiptarë i vërtetë.Në folsh mirë për shqiptarët e krishterë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët që janë shqiptarë të mirë, e ligsht për të ligjt, aherë do të hidhërohen të gjithë. Aq për sot, se kam frikë mos të zërë gjumi.

( Faik Konica boton në të përkohshmen “Albania” më 15 shtator 1901, këshillat pasonjëse për një djalë që kish ndërmend të botonte një gazetë shqip në Misir.)

 

 

Penda letrare 2012, emrat fitues

 

Motivimet për veprat fituese të çmimeve letrare “Penda e argjendtë” për vitin 2012 sipas gjinive.

Romani: Romani “Valsi i lumturisë”, i autorit Ylljet Aliçka. “Për ironinë e spikatur dhe përsosjen e saj deri në grotesk dhe imazhet e gjalla në rrëfim të kapërcyellit të kohërave”.

Tregimi: Vëllimi me tregime “Perla”, i autorit Ardian-Christian Kyçyku. “Për kërkimin, guximin dhe përputhjen e kënaqësisë së shkrimit me kënaqësinë e leximit”.

Poezia: Vëllimi poetik “Një ballkanas në Londër”, i autorit Rudolf Marku. “Për imazhet e gjalla dhe të veçanta, për ironinë dhe humanizmin e thellë”.

Autori debutues: Romani “Poetët bëjnë dashurin ndryshe”, i autorit debutues Darien Levani. “Për rrëfimin elegant dhe atmosferën e këndshme të të rrëfyerit”.

Përkthimi: Vëllimi “Delfini” i autorit Robert Lowell, të përkthyer në shqip nga Parid Teferiçi. “Për mjeshtërinë e sjelljes në shqip të poetikës së një prej autorëve më të rëndësishëm amerikanë të shek. XX”.

Kritika: Vepra kritike “Don Kishoti shqiptar”, e autorit Ali Aliu. “Për aventurën e një leximi të ri të letërsisë shqipe”.

Ese: Vepra eseistike “Kristo Kirka”, e autorit Uran Butka. “Për zbulimin dhe portretizimin e një prej figurave më të spikatura të botës shqiptare”.

Letërsi për fëmijë: 12 romanet “Unë jam Kronosi-mbreti i kohës”, të autorit Thanas Jorgji. “Për korpusin prej 12 romanesh ku ngërthehen aventurat, gëzimi dhe mençuria fëminore”.

Çmimi i Gazetarisë “Teodor Keko” 2012: Alma Mile – “Për ndihmesën cilësore në vënien në pah të vlerave dhe risive në raportimin publicistik për vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë”; Aida Tuci – “Për ndihmesën cilësore në vënien në pah të vlerave dhe risive në raportimin publicistik për vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë”

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency