Procedura se si do të bëhet kompensimi i ish-pronarëve

0
137

Në 20 dhjetor rinisin pagesat për ish-pronarët

Masa e kompensimit për 2013-ën

 

Ndertime-informaleMoskthimi i përgjigjeve nga Zyra Vendore e Regjistrimi të Pasurive të Paluajtshme ka detyruar Agjencinë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave të rishqyrtojë edhe një herë kërkesat e ish-pronarëve. Për pronarët, të cilëve u është njohur prona për kompensim, së pari kërkohet që vendimi i njohjes së pronës dhe i të drejtës së saj për kompensim të jetë përfundimtar, pra të mos jetë në proces trajtimi administrativ apo gjyqësor dhe të jetë i ekzekutueshëm. Do të kërkohet që vendimi me të cilin aplikohet të mos jetë trajtuar më parë me kompensim si në të holla, ashtu edhe fizik. Nuk do të përfitojnë kompensim subjektet e shpronësuara, që kanë përfituar më parë kompensim të plotë apo të pjesshëm me vendimin më të cilin aplikojnë. Ky kufizim është i nevojshëm me arsyetimin, që fillimisht duhet të përfitojnë edhe subjektet e shpronësuar apo trashëgimtarët e tyre ligjorë, të cilët nuk kanë përfituar nga kompensimet e mëparshme. Kompensimi i pronës së llojit truall do të kryhet në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet.

Kompensimi

-Për pronat e njohura për kompensim deri në 1500 (një mijë e pesëqind) m², masa e kompensimit është 200 (dyqind) m².

-Për pronat e njohura për kompensim mbi 1500 (njëmijë e pesëqind) m² deri në 3000 (tre mijë) m², masa e kompensimit është 300 (treqind) m².

-Për pronat e njohura për kompensim mbi 3000 (tre mijë) m² deri 5 000 (pesë mijë) m², masa e kompensimit është 400 (katërqind) m².

-Për pronat e njohura për kompensim mbi 5000 (pesë mijë) m² deri në 10 000 (dhjetë mijë) m², masa e kompensimit është 500 (pesëqind) m².

-Për pronat e njohura për kompensim mbi 10.000 (dhjetë mijë) m², masa e kompensimit është 600 (gjashtëqind) m²

Vendimi

Në vendimin nr. 1310 të AKKP-së, i miratuar në datën 20 nëntor, shtyhet me 30 ditë afati për kompensimin e pronarëve, që do të thotë se pagesat nuk do të bëhen para datës 20 dhjetor. “Në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së, duke u nisur nga situata e krijuar si rezultat i mosardhjes së përgjigjeve nga ZVRPP-ja, nga institucionet e treta si dhe nga një sërë vështirësish administrative të krijuara gjatë kësaj periudhe në ZVRPP, duke na krijuar vështirësi për marrjen e një vendimi përfundimtar, me objekt kompensimin në të holla për pronën e njohur me vendim për t’u kompensuar, është e nevojshme marrja e një vendimi të ndërmjetëm për të gjitha dosjet e kompensimit dhe ky vendim ka si objekt “Shtyrje e afatit procedural për kërkesat me objekt kompensimi në të holla, nga fondi në të holla për vitin 2013”, – thuhet në vendimin e ndërmjetëm të miratuar nga Sonila Qato, drejtore e AKKP-së.

 

Përurohet kolektori i ri në njësinë bashkiake nr. 5

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eno Bozdo, ka përuruar dje kolektorin e ri afër kompleksit “Dinamo”, në njësinë bashkiake nr. 5. Ky është një investim tërësisht i Bashkisë së Tiranës, me një vlerë 15.5 milionë lekë (të reja), i cili sjell zgjidhjen e problemit për dy mijë banorët e kësaj zone, për sa i përket shkarkimit të ujërave të bardha dhe ujërave të zeza. Nënkryetari Bozdo ka ndjekur nga afër punën që është bërë në këtë kolektor, duke e vlerësuar si një investim të rëndësishëm për komunitetin e kësaj zone. “Jemi këtu për të inauguruar një tjetër vepër, investim publik të Bashkisë së Tiranës në dobi të qytetarëve. Bëhet fjalë për kolektorin e mbledhjes së ujërave të bardha, të zeza, të shkarkimit të ujërave të liqenit, me gjatësi 105 m linearë, sipërfaqe tërthore 4 m2 dimensione 2 dhe 2, një investim tërësisht i Bashkisë Tiranë me vlerë 15.5 milionë lekë. Ky kolektor është shumë i rëndësishëm sepse zgjidh përfundimisht problemin e shkarkimit të ujërave të Liqenit Artificial të Tiranës, veçanërisht në motin e lagësht. Gjithashtu, zgjidh përfundimisht dhe problemin e shkarkimit të ujërave të bardha, të ujërave të zeza për rreth 2 mijë banorë, qytetarë të kësaj zone. Ne besojmë që me këtë investim i kemi dhënë përgjigje përfundimtare dhe përmbytjeve të herëpashershme të verifikuara në këtë zonë, pikërisht për shkak të akumulimit të ujërave të bardha, ujërave të zeza, gjithashtu edhe shkarkimit të Liqenit Artificial të Tiranës”, – tha Bozdo. Nënkryetari i Bashkisë, z. Eno Bozdo, tha se një tjetër nismë e ndërmarrë nga Bashkia Tiranë ka të bëjë edhe me operatorët ekonomikë që kanë veprimtaritë e tyre përgjatë Liqenit Artificial të Tiranës, të cilëve u bëri thirrje që të respektojnë normat mjedisore, si shkarkimin e ujërave të zeza pranë gropave septike, sipas kërkesave të rrepta të Bashkisë së Tiranës. “Ne kemi bërë vazhdimisht verifikime të këtij kushti dhe në çastet kur kemi verifikuar se kjo gjë nuk ndodhë, kemi vendosur penalitete përkatëse. Monitorimi ynë do të jetë edhe më i rreptë, dhe nëse do të verifikohen rastet të mëtejshme të shkeljes së këtij kushti të domosdoshëm, ne do të konsiderojmë edhe heqjen e licencës së veprimtarisë ekonomike për këto subjekte”, – deklaroi Bozdo.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency