Pretenca / Vrasja e fatorinos, Prokuroria kërkon 60 vjet burg për të pandehurit Morina

0
129

Sonja Caka

Akuza: Fatjon Çuni u rrah barbarisht nga të Klodian, Sulejman e Behar Morina dhe më pas u qëllua me thikë në zemër. Kamerat e sigurisë në disa biznese identifikuan autorët

 

life-imprisonmentRrahja barbare dhe vrasja e fatorinos Fatjon Çuni rrezikon t’u kushtojë 60 vjet burg tri të pandehurve Sulejman, Behar e Klodian Morina. Kjo ka qenë kërkesa e paraqitur nga prokurori i çështjes pak ditë më parë në gjykatë, ndërsa lexonte dinamikën e ngjarjes, si kishte filluar konflikti, përplasja dhe dhuna e ushtruar prej familjarëve Morina ndaj fatorinos Çuni dhe deri momentin kur njëri prej tyre, Klodjani ka qëlluar me thikë në zemër të riun, vetëm për 600 lekë. Më tej në fjalën e tij, përfaqësuesi i akuzës tregoi mbi dëshmitë e grumbullura pas ngjarjes, identifikimin e kamerave të sigurisë të bizneseve apo bankave pranë vendit ku ndodhi ngjarja, të cilat çuan edhe në kapjen e tre të pandehurve. Në seancën e parë, përmes avokatëve, të pandehurit kërkuan që ndaj tyre të aplikohet gjykimi i shkurtuar, kërkesë që u pranua nga togat e zeza të kryesura nga gjyqtari Artan Gjermeni.

Akuza

Në fjalën e fundit të akuzës, përgjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, thuhet se ditën e ngjarjes, mes viktimës Julian Çuni, të pandehurve Sulejman Morina, Klodian Morina, Behar Morina dhe shtetasit Hasan Morina, ka lindur një konflikt verbal lidhur me mospagesën e një shume prej 600 lekësh, që të pandehurit dhe shtetasi Hasan detyroheshin për transportin si pasagjerë nga Stacioni i Trenit, deri në vendin ku ata zbritën afër NBG tek rreth-rrotullimi i ‘Zogut të Zi’. Në momentin që tre të pandehurit dhe shtetasi Hasan Morina kanë zbritur nga automjeti tip furgon, viktima ka dalë jashtë automjetit duke u sharë fillimisht me fjalë banale, mandej është konfliktuar fizikisht me ta dhe menjëherë ka hipur në furgon për të shmangur konfliktin e mëtejshëm. Menjëherë sa viktima ka hipur në furgon, pas tij ka shkuar i pandehuri Klodian dhe menjëherë pas tij dy të pandehurit Sulejman e Behar, të cilët në ecje e sipër kanë mundur të futen brenda në furgon. Brenda në furgon në këtë moment kanë qenë shoferi Edmond Tahiri, viktima Julian Çuni, si dhe dy dëshmitaret Drita Elezaj e Dalina Suli. Tre të pandehurit menjëherë sa janë futur brenda furgonit, kanë filluar të godasin viktimën, ku i pandehuri Klodian e ka qëlluar me thikë, kurse dy të pandehurit Sulejman e Behar me grushte. Gjatë këtyre momenteve, dy dëshmitaret Drita Elezaj fillimisht e dëshmitarja Dalina Sula, kanë zbritur nga furgoni në ecje e sipër. Duke e goditur në mënyrë të njëkohshme, të pandehurit kanë mundur ta shtrijnë viktimën në sediljen dyshe të furgonit, prapa shoferit dhe përsëri kanë vazhduar që ta qëllojnë, duke ushtruar dhunë barbare ndaj tij derisa ndodhi momenti fatal, ai I qëllimit me thikë. Shoferi në momentin që ka parë se tre të pandehurit po vazhdonin veprimet e dhunshme ndaj viktimës që ishte i shtrirë në sedilje, ka ndaluar furgonin duke u bërtitur “çfarë bëni, shikoni se e mbytët”. “Në këtë moment tre të pandehurit janë shtangur, e kanë ndërprerë dhunën në mënyrë të njëkohshme dhe që të tre kanë zbritur nga furgoni dhe janë larguar tek trotuari” shpjegoi prokurori duke argumentuar edhe arsyen e kërkesës së tij për dënimin e tyre me nga 20 vjet burg secili.

 

 

Tiranë

Gjobat e papaguara, 996 gjoba u paguan në sportelet e pikave të kalimit kufitar

Gjatë kësaj jave, Policia e Shtetit ka vijuar zbatimin me rigorozitet të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm, lidhur me pagesën e gjobave për të gjitha automjetet që kalojnë kufirin, drejtuesit e të cilave kanë detyrime të pashlyera për shkak të masave administrative të dhëna nga Policia Rrugore. “Që prej datës 30.11.2013, kur ka dalë urdhri e deri më sot në Pikat e Kalimit Kufitar janë paraqitur për dalje 711 mjete, drejtuesit e të cilëve kanë pasur detyrime (gjoba) të papaguara. Ndërkohë që shuma totale e gjobave ka qenë 1091  për shkak se numri i gjobave për disa mjete ka qenë më shumë se një gjobë. Në këto 7 ditë që nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij urdhri, janë paguar pranë sporteleve të bankave në Pikat e Kalimit Kufitar 996 gjoba për 659 mjete” bëjnë me dije burime zyrtare pranë Ministrisë së Brendshme. Në një deklaratë për shtyp, ky institucion dhe Policia e Shtetit kanë falenderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe inkurajojnë të gjithë drejtuesit e automjeteve të bëjnë pagesën e detyrimeve përpara se të paraqiten në Pikat e Kalimit Kufitar. Për çdo informacion mbi detyrimet e automjetit tuaj, vizitoni faqen e internetit të Policisë së Shtetit dhe portalin E-Gjoba.

 

 

 

Masa

Korrupsioni, burg sekserit, lirohet mjeku Broqi

Gjykata e Tiranës lë të lirë mjekun anestezist, Ilir Broqi, duke vendosur ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Në seancën e djeshme të caktimit të masës së sigurisë, Prokuroria kërkoi masën e sigurisë arrest me burg për Broqin, por gjykata e Tiranës e cilësoi si të paligjshëm arrestimin e tij. Sipas gjykatës, policia ka kryer veprime të nxitura dhe për këtë arsye, arrestimin e ka konsideruar si të paligjshëm. Pasi ka dalë nga ambientet e komisariatit të policisë mjeku Ilir Broqi deklaroi se triumfoi drejtësia. “Jam i lumtur që pati drejtësi nga gjykata. Gjykata e vlerësoi arrestimin të paligjshëm. M’u bë një kurth për shkak të detyrës”- u shpreh mjeku. Ndërkohë gjykata ka lënë në burg sekserin Arben Doda, ndaj të cilit rëndon akuza “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Dy ditë më pare, shefi i Kirurgjisë së Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” u vu në pranga nga policia e Tiranës, pasi akuzohet për korrupsion. Mjeku anestezist, Ilir Broqi, dyshohet se u merrte pacientëve nga 15 deri në 17 mijë lekë në mënyrë që ata të kryenin skanerin. Ndërsa personi që luante rolin e sekserit ishte një punonjës i sigurisë së QSUT-të, Arben Doda, i cili u kërkonte shumë e parave qytetarëve që interesoheshin për të kryer skanerin. Paratë ai ua kërkonte në emër të doktorit Ilir Broqi, në mënyrë që të paguanin më pak se çmimi i skanerit dhe në këtë formë nuk do t’u jepnin kupon tatimor. Rasti i dokumentuar nga grupi hetimor, që është denoncuar në Policinë e kryeqytetit nga një pacient me probleme në veshka, ka ndodhur tri ditë më parë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency