Debate për kriminalitetin në Kuvend Berisha: Mazhoranca drejtohet nga bandat e krimit

0
161

Florenc Drizari

“Ju jeni shokët e krimit, shokët e hakmarrjes, shokët e bandës së Durrësit, shokët e bandës së Lushnjës, shokët e Shullazit…”

 

Berisha ne ParlamentDiskutimet e lira dje në Kuvendin e Shqipërisë u shoqëruan me debate dhe akuza mes deputetëve të opozitës dhe përfaqësuesve të mazhorancës. Ish-kryeministri Sali Berisha tha se gjatë muajit nëntor janë 47 të vrarë, gjë që, sipas tij, nuk ka ndodhur më parë në Shqipëri.

Deputeti Berisha akuzoi krerët e mazhorancës për lidhje me bandat kriminale. “Por ku pyet krimi për ju? Ju jeni shokët e krimit, shokët e hakmarrjes, shokët e bandës së Durrësit, shokët e bandës së Lushnjës, shokët e Shullazit… ku pyesin ata për ju, ju drejtojnë nga çdo skaj ku të jenë”, – tha ai. Në debat e sipër për çështjen e vrasjes së adoleshentit në ambientet shkollore në Durrës dy ditë më parë, Berisha akuzoi Kryeministrin Rama: “Nekropolitika është tipar i njerëzve me shpirt të zi dhe natyrisht nuk mund të mos shprehje në ligjëratë kaq të turpshme të akuzoje këtu prindërit e viktimës, në vend që të ngrije këtë parlament në këmbë”.

Pas kësaj deklarate, ish-kryeministri Berisha ftoi Parlamentin të mbante një minutë heshtje për adoleshentin e vrarë në Durrës. Thirrjes së tij iu përgjigjën vetëm deputetët e opozitës të cilët u çuan në këmbë për të mbajtur një minutë heshtje. Pas veprimit të përfaqësuesve të opozitës, kryesuesi i seancës, nënkryetari Vangjel Dule, tha se nuk mund të ushtrohet politikë në ngjarje të tilla tronditëse.

Miratimi i ligjeve

Më herët, Kuvendi votoi në seancë plenare me konsensus projektligjet “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Moldavisë, për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar”, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal, për tatimin mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin”, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së ndihmës për objektiva zhvillimi, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për forcimin e shtetit të së drejtës, qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”.

Deputetët miratuan me 102 vota, projektvendimin për shqyrtimin dhe miratimin me procedurë të përshpejtuar të Projektligjit ” Për një ndryshim në ligjin nr. 9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar.

Më herët, kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, përshëndeti miratimin e rezolutës për integrimin e Shqipërisë nga Komisioni i Jashtëm i PE-së.

“Jemi njoftuar që PE ka miratuar rezolutën për integrimin e Shqipërisë në BE. Ta përshëndesim këtë rezolutë për marrjen e statusit të vendit kandidat”, – tha Bregu. Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 13:10 në një atmosferë të tensionuar. Edhe pse deputetët e Kuvendit të Shqipërisë gjetën konsensusin për projektligjet që ishin në axhendë, ata replikuan ashpër mes tyre për çështjet e kriminalitetit dhe sigurinë në shkolla.

 

 

 

Shkëlzen Berisha: Tahiri, një bandit me imunitet, që sfidon shtetin ligjor

Pas akuzave të ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit në drejtim të djalit të ish-kryeministrit, ka reaguar edhe Shkëlzen Berisha, i cili në një deklaratë të shpërndarë për mediat, tha se ministri është dënuar më parë nga Gjykata për shpifjen që i përsëriti në Parlament.

“Një ditë pas ekzekutimit të një gjimnazisti të ulur në bankën e shkollës dhe 10 ditë pas thyerjes së burgut të sigurisë së lartë në Drenovë, ministri përgjegjës për parandalimin e gjëmave të tilla, në kushtet e impotencës morale për të dhënë dorëheqjen dhe shterpësisë profesionale e politike për të dhënë garanci, që ngjarje të tilla të mos përsëriten më, e pa të udhës që prindërve, të afërmve të të ndjerit dhe mbarë opinionit t’u thotë se fajin për këtë e ka Shkëlzeni. Në kushtet kur zhvillohet ky debat më duket e tepërt të them se ky ministër jo vetëm është i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata për shpifjen që përsëriti sot në Parlament, por si një bandit me imunitet, sfidon çdo ditë shtetin ligjor, duke mos paguar detyrimin që rrjedh nga vendimi i Gjykatës për gënjeshtrën e tij”, – thuhet në deklaratën e Shkëlzen Berishës.

AKUZAT E TAHIRIT

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri akuzoi dje në Kuvend ish-kryeministrin Berisha dhe qeverinë e mëparshme për përhapjen e armëve në vend.

“Çuni i babit bënte biznes me demontim armësh, hidhte në erë një fshat të tërë, shkaktonte viktima dhe nuk pësoi asgjë, madje babi e mbronte mu në mes të Pparlamentit”, – tha Tahiri.

 

 

 

Debatet në Kuvendin e Shqipërisë

Sali Berisha: Ju ngritët flamurin enverian të Enver Hoxhës tek varrezat e të rënëve, por ju shkelmuat mbi shpirtin e qindra e mijërave shqiptarëve që vdiqën urie nga Vermoshi gjer në Frashër të Përmetit, sepse gjatë viteve s’kishin gjë tjetër në tryezën e tyre përveç kiles së bukës, të vajit, të sheqerit.
(bie zilja e mbarimit të kohës)
Sali Berisha: Zilja bie tani për Enver Hoxhën apo për kohën tani se nuk po e marr vesh Vangjel? Se edhe ti Vangjel, je aty mbi karrierën të rrënuar të Jani Janit. Këta të paktën u shpërblyen, por Janin nuk e shpërbleu njëri.
Vangjel Dule: Ju lutem konkludoni se jemi në diskutimet jashtë rendit të ditës dhe janë 5-minutëshe.
Sali Berisha: Kur vjen puna, kjo është ora e qytetarit. Po na impononi…
Vangjel Dule: Hajdeni ta përcaktojmë në rregullore si orën e qytetarit. Në momentet e tanishme nuk ekziston një dispozitë e tillë. Ju lutem!
Kryeministri Edi Rama i bën me shenjë Vangjel Dules që “lëre të flasë”.
Sali Berisha: E kuptoj unë, e kuptoj, por po ju njofton se dje në Kombinatin Mekanik të Poliçanit janë pushuar 60 punëtorë të thjeshtë me motivacionin se janë përkrahës të PD-së. Nuk u japin as motivacionin se për çfarë janë hequr nga puna. Kjo nuk është problemi i këtij zotërisë (Ramës), se ky është botërisht i njohur se përveç trinomit Meta, Braho dhe Ylli, skraparllinjtë e tjerë i quan alienë, por kjo është vepër e Ilir Metës, jo e Edi Ramës.
Spartak Braho: Z. Dule! (kërkon fjalën)
Vangjel Dule: Normalisht nuk parashikohet replika në rregulloren e Kuvendit. Por për faktin se rregullorja nuk u zbatua rigorozisht nga zoti Berisha që kishte 5 minuta për të diskutuar, do t’ia japim fjalën z. Braho.
Spartak Braho: Doktor, ju nuk keni të drejtën morale të zini me gojë as Skraparin e as skraparllinjtë.
Monika Kryemadhi: Bravo!
Spartak Braho: Sepse ti Skraparin doje ta rrethoje me tela, nuk e ke harruar; bile me tela me gjemba. Ti Skraparin e ke lënë pa rrugë. Në Skrapar nuk vete dot. Ata punonjësit e Kombinatit Mekanik kanë 5-6 muaj që s’kanë marrë rrogat kur keni qenë juve Kryeministër. Se kujt i kërkon ti llogari për rrogat e tyre është tjetër punë dhe së fundi, mos e ul veten të dalësh në konferenca shtypi me drejtorin e IT-së së Tatim-Taksave. Ki kujdes!
Sali Berisha kërkon fjalën.
Vangjel Dule: Faleminderit z. Braho. Z. Berisha po hyjmë në një debat i cili nuk përfundon.
Saimir Tahiri: Vendi është i militarizuar nga armët e përhapura gjerësisht. Problem madhor, sepse që nga viti 1997, ky që flet këtu, e la trashëgimi përhapjen masive të armëve luftarake dhe të armëve të zjarrit, në nivel të atillë, sa plumbat dhe armët janë kthyer në alternativën e parë për të zgjidhur qoftë edhe konflikte banale, qoftë edhe për adoleshentët për sherre për “Facebook”. Ndaj, edhe Ministria e Brendshme do të sjellë në qeveri dhe qeveria do të paraqesë urgjentisht në Parlament dy projektligje. Një projektligj për armët dhe një për përdorimin e armëve në mënyrë që t’i japim fund njëherë e mirë kapitullit më të zi të historisë së sigurisë publike në vend, që është përdorimi i armëve.
Ndërhyn Flamur Noka jashtë mikrofonit.
Saimir Tahiri: O Flamur, gjej bisht Flamur. Po na lër rehat të flasim. Ky nuk është momenti as kur dikush të çohet e të akuzojë njëri. Dhe këtë besoj e kuptojnë të gjithë, besoj edhe ndonjë supaxhi që mund t’i shkojë në mend të fusë ndonjë lugë qyl në vaki të të tjerëve siç bëri dje.
Sali Berisha kërkon fjalën.
Vangjel Dule: Mënyra e reagimit nuk është mënyrë mirëkuptimi. Urdhëroni z. Berisha, por vetëm 2 minuta.
Sali Berisha: Jo, 4 minuta, se janë të dy folësit që kanë folur. Dua t’i them z. Braho se për Skraparin qeveria e mazhorancës së kaluar ka bërë më shumë se për çdo rreth tjetër të këtij vendi. Ka bërë TAP-in, i cili shndërron Skraparin në një nga kantieret më të rëndësishme të Evropës. Por ju Skraparin mor zotëri e shihni nga gota e rakisë. Unë e shoh tek njeriu.
Spartak Braho: Mashtrues!
Sali Berisha: Do t’i them kryekreut dy gjëra (Ramës). Nekropolitika është tipar i njerëzve me shpirt të zi dhe natyrisht nuk mund të mos shprehje në ligjëratë kaq të turpshme të akuzoje këtu prindërit e viktimës në vend se të ngrije këtë Parlament në këmbë. Dhe ftoj Parlamentin në një minutë heshtje për viktimën.
Deputetët e opozitës çohen në këmbë për të mbajtur 1 minutë heshtje.
Sali Berisha: I paharruar kujtimi i tij.
Vangjel Dule: Atëherë z. Berisha këtu nuk ka mungesë fryme mirëkuptimi dhe këtë gjë po të jetë e bëjmë të gjithë së bashku në mënyrë të koordinuar.
Sali Berisha: Në vend që të ngrije Parlamentin këtu për të nderuar shpirtin e 15-vjeçarit…
Vangjel Dule: Ju kam ndjekur në vazhdimësi në praninë tuaj parlamentare dhe keni nënvizuar gjithmonë se nekropolitika nuk duhet ushtruar dhe kjo…
Sali Berisha: E di ç’jeni ju apo jo? Ju jeni koka të kapura nga të gjitha klanet e krimit.
Vangjel Dule: Nuk ushtrohet politikë me ngjarje të tilla të rënda dhe tronditëse partiake. Më vjen keq.
Sali Berisha: 47 të vrarë në një muaj. S’ka ndodhur kurrë në Shqipëri përveç muajit që shkoi dhe dilni këtu me këto shifra të turpshme. Por ku pyet krimi për ju? Ju jeni shokët e krimit, shokët e hakmarrjes, shokët e bandës së Durrësit, shokët e bandës së Lushnjës, shokët e Shullazit… ku pyesin ata për ju, ju drejtojnë nga çdo skaj ku të jenë.
Vangjel Dule: Konkludoni.
Sali Berisha: Nxirrini statistikat, në cilin muaj ka pasur 47 të vrarë? Janë shpirtra njerëzit.
Vasi, mos jep shenja aty nga fundi… ty ta bëjnë mirë Vasil. Dhe mos ki merak se një seancë e veçantë do bëhet për ty këtu.
Vangjel Dule: Ngjarja e rëndë dhe tronditëse nuk mund të përdoret për qëllime partiake. Politikë me vdekjen nuk bëhet. Është e tronditur e gjithë shoqëria, i gjithë sistemi arsimor. Ai krim është kultivuar aty për vite të tëra.
Ardian Turku: Z. Vangjel, po shkelni rregulloren shumë rëndë. Jemi në 60-minutëshin. Po shkelni rregulloren dhe ju jeni shkaktari i prishjes këtu. Ministri të shkojë e të merret me krimin, e jo me ne këtu.
Vangjel Dule: Do të ishit shumë më i besueshëm nëse do të ta kishit bërë në shkeljen dhe tolerimin e parë që iu bë z. Berisha.
Edi Rama: Enver Hoxha ka bërë me siguri shumë të këqija, por pa asnjë dyshim njëra ndër të këqijat është që i la peshqesh lëvizjes demokratike një kloun, i cili tani që është edhe në një moshë që ka bërë të vetën, vjen këtu e përdor këtë podium si oturak për të bërë nevojat personale edhe ikën. Ikën nën duartrokitjet tuaja që ngjajnë si duart që mbajnë oturakun, ndërkohë që e vërteta e dhimbshme është që, në fakt, jo vetëm një njeri, por një opozitë e tërë e lindur nga një nevojë historike për t’i dhënë këtij vendi diçka krejt tjetër, sot është kthyer mbrapa më shumë se asnjëherë tjetër.

 

 

Skrapari dhe rakia

Replika Berisha-Braho në Parlament

Skrapari dhe madje dhe rakia e Skraparit janë bërë objekt debati në seancën e djeshme parlamentare.

Deputeti i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e tij të dhënë nga nënkryetari i Parlamentit, Vangjel Dule, theksoi se “në Kombinatin Mekanik të Poliçanit janë pushuar 60 punëtorë të thjeshtë vetëm se janë simpatizantë të PD-së. Kjo është vepër e Ilir Metës”.

Pas fjalës së Berishës, në foltore u ngjit deputeti i LSI-së, Spartak Braho, që deklaroi se i fundit që duhet të zërë me gojë Skraparin, është vetë ish-kryeministri Berisha.

“Mos e ul veten të dalësh në konferenca shtypi me drejtorin e IT-së, siç bëre dje. Ti Skraparin nuk ke si e zë në gojë, se e le pa rrugë, jo më t’i përmendësh emrin sot këtu”.

Por dhe pse Dule nuk pranoi t’i jepte fjalën, Berisha insistoi duke thënë se qeveria e tij nuk e pa kurrë Skraparin nga goja e rakisë siç i ka dalë nami.

“Së pari duhet t’i them zotit Braho se për Skraparin qeveria e mazhorancës së kaluar ka bërë më shumë se për çdo territor tjetër të këtij vendi. Ka bërë TAP-in, që duke filluar nga viti i ardhshëm, e shndërron Skraparin një nga kantieret më të rëndësishme të Evropës. Ju Skraparin e shikoni nga gota e rakisë, unë e shikoj nga njerëzit”.

 

 

Berisha: Rama përdhosi “Facebook”-un

Ish- kryeministri Berisha akuzoi sërish kreun e qeverisë, Edi Rama, për shfaqjen e fotos së Enver Hoxhës në Varrezat e Dëshmorëve në Ditën e Çlirimit. Gjatë debateve të djeshme në Kuvendin e Shqipërisë, Berisha tha se Rama më dëshirën e tij e vendosi këtë foto edhe në

Përdhosi “Facebook”-un, këtë mjet të mrekullueshëm social komunikimi duke shpërndarë në katër anët e botës portretin e Enver Hoxhës (duartrokitje nga deputetët e PD).

Mazhoranca ishte pjesë e protokollit të shtetit.

Berisha – protokollin e shtetit e ka qeveria.

I kërkoj Parlamentit të rishqyrtohet i gjithë legjislacioni për Hitlerin e Evropës së pasluftës (Enver Hoxhës). Këtë cilësim e ka bërë Bashkimi Evropian, 37 kryeministra të Evropës në prill të vitit 1991 dhe këtij qëndrimi në i qëndrojmë plotësisht.

 

 

Dekretet e Nishanit: Leonard Demi, ambasador në NATO, Ilir Gjoni në Zvicër

Presidenti i vendit, Bujar Nishani, ka dekretuar një ditë më parë Leonard Demin ambasador të vendit tonë në NATO dhe Ilir Gjonin ambasador në Zvicër. Dekretet vijnë vetëm pak ditë pas miratimit me unanimitet të dy kandidaturave të prezantuara nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në Komisionin e Jashtëm, propozuar nga Kryeministri.

Dekretet për: Emërimin e zotit Leonard Demi, ambasador i Republikës së Shqipërisë në NATO, rezident. Emërimin e zotit Ilir Gjoni, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Konfederatën e Zvicrës, rezident, dhe Principatën e Lihtenshtejnit, jorezident. Në mandatin e kaluar, Leonard Demi ka qenë deputet i Partisë Demokratike dhe kryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, ndërsa Ilir Gjoni ka qenë deputeti i Partisë Socialiste dhe nënkryetar i Komisionit të Sigurisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency