Vrasja për një varëse floriri, dënohet me “Burgim përjetë” Aldo Hoxha

0
260

Sonja Caka

 

Gjykata: Provohet se i pandehuri është autori i grabitjes me dhunë me pasojë vrasjen e Fatbardha Tafës

Avokati Visha: Do ta apelojmë vendimin, gjykata la në fuqi kërkesën e prokurorit për klientin tim

 

Aldo hoxhaBurgim përjetë. Ky ka qenë verdikti përfundimtar i Gjykatës së Tiranës për Aldo Hoxhën, 20-vjeçarin e akuzuar për vrasjen e Fatbardha Tafës një vit më parë, vrasje e kryer për një varëse floriri. Në vendimin e tyre, togat e zeza deklarojnë se provohet që i pandehuri është autori i grabitjes me dhunë me pasojë vrasjen e Fatbardha Tafës. Më herët, para se trupi gjykues të shpallte vendimin, i pandehuri ka mohuar akuzat, duke kërkuar drejtësi dhe duke deklaruar se nuk ka lidhje me vrasjen për të cilën akuzohet. “Nuk e dini ju se çfarë kam hequr nga policia që të pohoj krimin”, – tha ai në sallën e gjyqit. Ndërkohë që në mbrojtjen e tij, edhe avokati Saimir Visha ka kërkuar pafajësi për klientin e tij, duke akuzuar policinë dhe prokurorinë për manipulim të provave. Trupi gjykues ka deklaruar vetëm dispozitivin e vendimit, pa dhënë arsyetimin e tij, duke deklaruar se në ditët në vijim do të zbardhet vendimi i plotë. Ky vendim nuk është mirëpritur nga familjarët dhe avokati i Aldo Hoxhës, të cilët kanë deklaruar se gjykata la në fuqi kërkesën e prokurorit për dënimin maksimal “Burgim përjetë”.

Akuza

Pas 25 seancash gjyqësore dhe dëgjimit të dëshmitarëve, paraqitjes së provave dhe fakteve të ndryshme nga organi i akuzës së kryeqytetit, disa seanca më parë, Prokuroria ka thënë fjalën e fundit për ngjarjen e rëndë të 7 gushtit të vitit të kaluar, ku mbeti i vdekur për një varëse floriri Fatbardha Tafa. Prokurori Endrit Bimi deklaroi fajtor të pandehurin Aldo Hoxha, i akuzuar për dy vepra penale, përkatësisht “Vjedhje me pasojë vdekjen në bashkëpunim” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”, duke kërkuar dënimin e tij me “Burgim të përjetshëm”. Sipas prokurorisë, ekzistojnë të gjitha provat që 20-vjeçari të shpallet fajtor për vrasje dhe të dënohet me burg përjetë. Prokurori Endrit Bimi, ndërsa paraqiste konkluzionet e tij përfundimtare, deklaroi para togave të zeza se “Aldo Hoxha kishte shenja në trup, pasi fëmijët që shoqëronin viktimën në momentin e ngjarjes, e goditën me patina, në përpjekje për të mbrojtur nënën e tyre”. Sipas prokurorit, ka fakte të pakundërshtueshme që provojnë se i pandehuri është autori i ngjarjes. Sipas prokurorit, në vendngjarje është gjetur kapelja, e cila i përkiste 20 vjeçarit dhe në të janë gjetur fije floku të tij dhe njolla gjaku të viktimës. Më tej në fjalën e saj, Prokuroria nënvizon se Hoxha tentoi t’i fshihej policisë, pasi në momentin e arrestimit ai u gjet poshtë krevatit në shtëpinë e dajës së tij.

Ngjarja

I pandehuri Aldo Hoxha akuzohet se pasditen e 7 gushtit të vitit 2012, vrau Fatbardha Tafën në tentativë për t’i grabitur asaj varësen që mbante në qafë. Viktima ka qenë e shoqëruar me motrën, fëmijët e tyre dhe nipërit. Tafa kishte ardhur për të kaluar pushimet në Shqipëri dhe prej vitesh ishte në emigracion në Itali. Atë pasdite kanë qenë duke shkuar për në lulishten te ish Fusha e Aviacionit kur dy persona me motor u kanë dalë përpara dhe kanë tentuar t’i grabisin varësen e floririt që mbante në qafë. Gruaja ka reaguar dhe së bashku me të edhe motra dhe fëmijët, të cilët janë përleshur me personin e dytë që ndodhej në motor. I gjendur përballë sulmit të familjarëve dhe vetë viktimës, i riu me kapele në kokë ka nxjerrë një thikë dhe ka qëlluar ndaj Fatbardha Tafës dhe të motrës, Lumturi Gjana, duke shkaktuar një të vdekur dhe një të plagosur. Menjëherë u është dhënë ndihma e parë nga banorët e zonës grave të sulmuara, por për Fatbardha Tafën nuk mund të bëhej asgjë pasi humbi jetën në vendngjarje. Kanë qenë kapelja e gjetur në vendngjarje, dëshmitë dhe përshkrimet e dhëna nga motra e plagosur e Tafës dhe fëmijët që u përleshën me autorin, që çuan në zbardhjen dhe ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të ngjarjes Aldo Hoxha.

 

Kërkesa e ministrit Naço

Pezulloi ekstradimin e Paro Laçit, kërkohet shkarkim i gjyqtarit Hoxha

Ndryshimi i masës së arrestimit dhe pezullimi i ekzekutimit të ekstradimit të Paro Laçit rrezikon t’i kushtojë karrierën si gjyqtar Ibrahim Hoxhës, pas kërkesës së ministrit Nasip Naço për procedim disiplinor dhe kërkesës për shkarkim të tij nga detyra. Shkarkimi i gjyqtarit Hoxha do të ndodhë, vetëm nëse kjo kërkesë e ministrit të Drejtësisë do të pranohet nga anëtarët e KLD-së, pasi të shqyrtohen materialet e dërguara nga Inspektorati i këtij institucioni dhe të dëgjohet edhe vetë gjyqtari Ibrahim Hoxha. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Drejtësisë, sipas të cilës, ministri Nasip Naço i ka propozuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë, procedimin disiplinor si dhe marrjen e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra” ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Ibrahim Hoxha. Në përputhje me nenin 31 të ligjit nr. 8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, të ndryshuar, kësaj kërkese i është bashkëngjitur dokumentacioni me të dhënat përkatëse, të cilat provojnë shkeljet e bëra nga gjyqtari. Gjyqtari Ibrahim Hoxha, në mënyrë të përsëritur ka shkelur rregullat procedurale përgjatë gjykimit të çështjes penale shpallur me vendimin nr. 490, datë 8.3.2013, në të cilin ndër të tjera ka vendosur: Pezullimin e ekzekutimit të ekstradimit të të pandehurit, Paro Laçi, nga Shqipëria drejt Italisë, ndërkohë që kjo kompetencë është e drejtë ekskluzive e Ministrit të Drejtësisë, si dhe ka vendosur ndryshimin e masës së sigurimit nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpi” duke urdhëruar lirimin e tij. Po sipas Ministrisë së Drejtësisë, ky vendim është cenuar nga Gjykata e Apelit Tiranë, e cila me Vendimin nr. 186, datë 3.4.2013, ka vendosur: Prishjen e vendimit të mësipërm për pezullimin e ekzekutimit dhe shfuqizimin e vendimit lidhur me caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”. Urdhërimin e paraburgimit të shtetasit Paro Laçi, në zbatim të nenit 498 të Kodit të Procedurës Penale për efekt të ekstradimit. Si rrjedhojë e vendimmarrjes së gabuar të gjyqtarit Ibrahim Hoxha, shtetasi Paro Laçi i është shmangur procedurave të ekstradimit, duke bërë të pamundur ekzekutimin e ekstradimit. Veprimet e kryera nga gjyqtari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Ibrahim Hoxha, janë shkelje shumë të rënda të disiplinës të parashikuara nga neni 32, pika 2, shkronja “c” të ligjit nr. 9877, datë 18.2.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, në të cilin parashikohet: “Janë shkelje shumë të rënda aktet dhe sjelljet që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit si më poshtë: …c) shkelja e pajustifikuar dhe e përsëritur e dispozitave urdhëruese procedurale, kur këto shkelje kanë passjellë ose mund të sillnin pasoja për të drejtat kushtetuese të palëve në gjykim apo për dhënien e drejtësisë”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency