Debate të ashpra tek Ligjet për paketën e antikorrupsionit PD e PS ndahen për paketën “Antikorrupsion” të qeverisë, incidente mes Qefalisë dhe Islamit

0
145

Florenc Drizari

 

Islami: Po bën të fortin? Qefalia: Mbylle tani!

 

qefDeputetët e pozitës dhe të opozitës u përballën dje në debate të ashpra mes tyre për paketën “Antikorrupsion” të qeverisë. Kjo paketë përfshin dy projektligje që kërkojnë ndryshime në Kodin e Procedurës Penale dhe i konsideron çështjet e korrupsionit si krime të rënda. Nëpërmjet këtyre nismave, Ministria e Drejtësisë kërkon që çështjet ndaj korrupsionit të gjykohen në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Por kjo nismë e mazhorancës është kundërshtuar si nga përfaqësuesit e opozitës ashtu edhe nga organizata ndërkombëtare të specializuara në fushën e drejtësisë, si OPDAT dhe OSBE. Në tërësi oponenca ndaj qeverisë bëhet me argumentet se nëse Gjykata e Krimeve të Rënda përfshihet në gjykimin e çështjeve të antikorrupsionit, atëherë ndodh centralizimi i këtij fenomeni vetëm në Tiranë dhe ky kalim shkakton mbingarkesë të kësaj trupe të specializuar gjyqësore edhe me çështje të rëndomta. Opozita i kërkoi qeverisë të tërheqë draftin dhe përfaqësuesit e mazhorancës në Komisionin e Ligjeve këmbëngulën për miratimin e shpejtë të paketës antikorrupsion, pasi e konsiderojnë emergjencë kombëtare

Qefalia – Islami

Deputeti i mazhorancës, Xhemal Qefalia, dhe deputeti i opozitës, Kastriot Islami, u përfshinë dje në replika të nxehta mes tyre, ndërsa nuk munguan edhe incidentet me gjeste. Deputeti Qefalia pas disa debatesh jashtë mikrofonit me deputetin Islami për çështjen e radhës së diskutimeve në Komision, e qëlloi këtë të fundit me stilolaps, por pa e goditur. Pas shkëmbimit të disa replikave në distancë me tyre, mbledhja vijoi normalisht, ndërsa kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj, i tërhoqi vëmendjen duke kërkuar ruajtjen e gjakftohtësisë në diskutime. “Do t’u lutesha kolegëve që të ruajnë qetësinë dhe të jenë të kujdesshëm në këtë debat. Ky është një debat që duhet të na bashkojë dhe jo të na ndajë. Çështja e korrupsionit nuk ka ngjyrë partie dhe qëllimi i këtij debati është si t’i qasemi atij drejtpërdrejt, nuk ka as të majtë e as të djathtë. Të jemi të fokusuar tek ky debat dhe jo tek njëri tjetri”, – tha Xhafaj.

Largimi i opozitës

Gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike, dhe Drejtat e Njeriut, dy projektligjet, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905, datë  21.3.1995, “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, u diskutuan në parim, ndërsa shqyrtimi i tyre u shoqërua me debate dhe akuza mes ligjvënësve të PS-së dhe PD-së. Në kohën kur kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj, po vinte qetësinë pas debateve mes Kastriot Islamit dhe Xhemal Qefalisë, deputeti i Partisë Demokratike Eduard Halimi mban një fjalim të shkurtër duke e quajtur qesharake nismën e qeverisë përpallë faktit që në shkolla mungon siguria dhe vriten fëmijë me armë automatike në klasë.

“Pak minuta më parë në një shkollë, në një gjimnaz të Durrësit, një fëmijë, një djalë, një bir nëne, është vrarë me breshëri automatiku mu në mes të ditës. Policia e Shtetit është kthyer në ineksiztente për të mbrojtur jetën e fëmijëve tanë që nisim për në shkollë. Policia merret me gjithçka, lufton qytetarët për gjithçka, por nuk mbron jetën e qytetarëve dhe të fëmijëve që të gjithë ne e kemi nisur për në shkollë. Sot jeta e fëmijëve është më e pasigurtë se kurrë. Ne diskutojmë sot ligje qesharake që na bëjnë qesharak jo vetëm para qytetarëve shqiptar, por edhe para ndërkombëtarëve, ndërkohë që një djalosh në Durrës është vrarë me kallashnikov në mes të shkollës”, – tha Halimi.

Ndërsa nga ana e tij, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, iu përgjigj duke thënë se bojkoti është zgjidhja e vetme e opozitës. “Bojkoti është bërë natyrë e dytë e juaja. Mendoj se është zgjidhja politike e përshtatshme, nuk mendoj se është zgjidhja morale në raport me qytetarët”, – deklaroi Xhafaj. Mbledhja vijoi edhe pas largimit të opozitës, ndërsa dy projektligjet e paketës “Antikorrupsion” pritet t’u nënshtrohen diskutimeve edhe me grupet e interesit.

 

 

 

Bylykbashi: Qeveria të tërhiqet dhe të merren parasysh vërejtjet e partnerëve

Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi, kërkoi që qeveria të tërhiqet nga nisma e saj me dy projektligjet për të përfshirë luftën ndaj korrupsionit si çështje për t’u gjykuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Deputeti i opozitës theksoi edhe kritikat e shprehura nga OPDAT dhe OSBE për këtë nismë të Ministrisë së Drejtësisë. Bylykbashi theksoi se “qeveria pa asnjë konsultim publik dhe me grupet e interesit i gatuan dispozitat në mungesë transparence të plotë, në mënyrë të pjesshme dhe pa një rishikim të Kodit të Procedurës Penale. Të gjithë jemi dakord që kjo luftë të përshkallëzohet. Ligjet vijnë si demagogji për luftën kundër korrupsionit. Ligjet të tërhiqen dhe të merren në konsideratë vërejtjet e partnerëve. OPDAT dhe OSBE kanë sjellë komentet e tyre të cilat janë të ashpra dhe kritike për atë që propozon qeveria”, – ka thënë ai.

 

 

 

 

BOX

Spartak Braho: Ne jemi në fazën e Italisë së viteve të Tangentopulit

Deputeti i LSI-së, njëherësh anëtar i Komisionit të Ligjeve, Spartak Braho, tha se paketa “Antikorrupsion” e qeverisë vjen në një kohë kur korrupsioni në Shqipëri ka njohur nivele të larta. Ai bëri një krahasim me fazën e kaluar nga Italia në vitet e Tangentopulit dhe situatës në SHBA pas 11 shtatorit të vitit 2001. Megjithëse u shpreh dakord me linjën e qeverisë për dy projektligjet e paraqitura nga Ministria e Drejtësisë, dhe tha se specialistët apo përfaqësuesit e dy organizatave kërkojnë që të përsoset projektligji dhe nuk janë kundër thellimit dhe ashpërsimit të luftës kundër korrupsionit. “Ne jemi në fazën e Italisë së viteve të Tangentopulit. Jemi dhe në atë periudhë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas 11 shtatorit morën masa të ashpra për të luftuar terrorizmin. Kështu pra, na duhet edhe ne të marrim masa të ashpra, të posaçme, të veçanta, sepse nuk ecet më kështu. Është një analogji e pranueshme. Dhe ne ecim pikërisht në këtë logjikë”.

 

 

 

Debate tek Komisioni i Ligjeve, Qefalia godet me stilolaps Kastriot Islamin

Fatmri Xhafaj: Z. Vasili.
Edi Paloka: Këtu do të flasin të gjithë.
Petrit Vasili: S’ka ndonjë shqetësim për këtë punë. Kemi mirëkuptim. Po të duan le të flasin të tërë dhe më pas të flasim ne të tërë. Flet Kaçi për ju të gjithë.
Edi Paloka: Jo, jo, flisni ju për të gjithë…
Petrit Vasili: T’ia japim fjalën Kaçit se e shoh që Kaçi ka shqetësim.
(Ndërhyn Kastriot Islami jashtë mikrofonit)
Fatmir Xhafaj: Z. Islami të lutem!
Petrit Vasili, Kastriot Islamit: Ta flas një fjalë mor burrë.
Kastriot Islami: Po thuaje, por e ka marrë ai Xhemali.
Xhemal Qefalia: Faleminderit shumë ti Kaç që je kaq dashamirës, por flas vetë unë.
Fatmir Xhafaj: Po i bini në qafë.
Kastriot Islami: Kujt?
Fatmir Xhafaj: Z. Qefalia.
Petrit Vasili: Lëre se është me shumë përmbajtje ky debat.
Xhemal Qefalia, Kastriot Islamit: Ki kujdes s’ke pse të marrësh autorësinë për të më dhënë të drejtën e fjalës, je ende këtu e kupton. Kur të dalësh atje, atëherë fol.
Fatmir Xhafaj: Z. Qefalia të lutem!
Kastriot Islami: E ndeze dritën.
Xhemal Qefalia: E ndeza dritën se duhet të kujdesesh ti.
Kastriot Islami: Po sigurisht o vëlla, për rregulloren kujdesem.
Xhemal Qefalia: Kastriot!
Kastriot Islami: Po bëhesh i fortë?
Xhemal Qefalia: Ee
Kastriot Islami: E për ça bën si i fortë?
Xhemal Qefalia: Mbylle tani!
Kastriot Islami: Do debat ti?
Xhemal Qefalia: Ore merr vesh ti kur them mbylle apo jo?
Mbylle ore të thashë (qëllon me stilolaps në drejtim të Kastriot Islamit), mbylle!
Fatmir Xhafaj: Z. Vasili.
Petrit Vasili: Faleminderit. Sot hyjmë si pjesë e debatit për këto projektligje. Sigurisht që ne jemi thirrur këtu të debatojmë me njëri-tjetrin për dhënien e zgjidhjes së një problemi të caktuar, ndërkohë që arsyeja për të mbajtur një qëndrim ekstremal o i qëndrojmë, o i kthejmë pas, besoj se nuk është thelbi i çështjes.
Fatmir Xhafaj: Do t’u lutesha kolegëve që të ruajnë qetësinë dhe të jenë të kujdesshëm në këtë debat. Ky është një debat që duhet të na bashkojë dhe jo të na ndajë. Çështja e korrupsionit nuk ka ngjyrë partie dhe qëllimi i këtij debati është si t’i qasemi atij drejtpërdrejë, nuk ka as të majtë e as të djathtë. Të jemi të fokusuar tek ky debat dhe jo tek njëri-tjetri. Janë të gjithë deputetët që do të flasin, unë do të bëj detyrën dhe do regjistroj emrat e të gjithë deputetëve. Kini durim. Kush nuk dëshiron të dëgjojë le të dalë, por debatin do ta bëjmë deri në fund.

Eduard Halimi: Pak minuta më parë në një shkollë, në një gjimnaz të Durrësit, një fëmijë, një djalë, një bir nëne, është vrarë më breshëri automatiku mu në mes të ditës. Policia e shtetit është kthyer në ineksiztente për të mbrojtur jetën e fëmijëve tanë që nisim për në shkollë. Policia merret me gjithçka, lufton qytetarët për gjithçka, por nuk mbron jetën e qytetarëve dhe të fëmijëve që të gjithë ne e kemi nisur për në shkollë. Sot jeta e fëmijëve është më e pasigurt se kurrë. Ne diskutojmë sot ligje qesharake që na bëjnë qesharak jo vetëm para qytetarëve shqiptar, por edhe para ndërkombëtarëve, ndërkohë që një djalosh në Durrës është vrarë me kallashnikov në mes të shkollës. Siguria publike ka rënë. Ndaj ne nuk mund të rrimë këtu për aq kohë sa policia nuk mbron më jetë e fëmijëve që kemi nisur nëpër shkolla. Ne do të nisemi të gjithë për në Durrës dhe nuk mund të vazhdojmë më të diskutojnë paketa të qesharake.

(deputetët e opozitës çohen dhe dalin nga mbledhja)

Fatmir Xhafaj: Kjo është zgjedhja juaj, bojkoti është bërë natyrë e dytë juaja. Mendoj se është zgjidhja politike e përshtatshme, nuk mendoj se është zgjidhja morale në raport me qytetarët.

(ndërhyrje nga deputetë të opozitës jashtë mikrofonit për vrasjen e adoleshentit në një gjimnaz të Durrësit)

Fatmir Xhafaj: Ju i keni vrarë qytetarët mu në mes të sheshit “Skëndërbej” në mënyrë të dhunshme. Gjithsesi, kjo është një çështje që i përket sjelljes politike të opozitës, ajo që na përket ne është që të zbatojmë ligjin dhe rregulloren e këtij Kuvendi. Kuvendi nuk është policia dhe deputetët nuk janë policë, por kjo është një çështje që i takon të kaluarës dhe nuk do t’i takojë të ardhmes.

Spartak Braho: Shkaku i largimit të deputetëve të opozitës nga kjo seancën e rëndësishme për dy projektligje të ardhura nga qeveria është qesharake. Ne jemi mandatuar nga populli për të shqyrtuar dhe analizuar dhe përgatitur ligje aq të nevojshme dhe jo për të vajtuar nëpër ceremonia mortore. Nuk dimë asnjë arsye si ka ndodhur kjo ngjarje. Natyrisht për të tërë ne që jemi prindër, por edhe për qytetarët e thjeshtë, kjo është një dhimbje, por të lemë organet të bëjnë punën e tyre.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency