Ndryshimet në Kodin Penal Mazhoranca përplaset me OSBE-në dhe SHBA-në për korrupsionin dhe antimafian

0
119

Florenc Drizari

Nasip Naço: Prandaj kjo paketë është e kundërshtueshme, sepse është radikale

 

Nasip NacoMazhoranca vazhdon t’u qëndrojë propozimeve të saj për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale edhe pas letrës së OPDAT-it, pranë Ambasadës Amerikanë në Tiranë, ekspertët e së cilës kritikuan nismën e qeverisë për mungesë të konsultimeve dhe për përmbajtjen e draftit në tërësi. Gjatë seancës së djeshme me ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço, në Komisionin e Ligjeve, u prezantuan propozimet e qeverisë për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale për projektligjet “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.3.1995, “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.

Në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, theksoi se gjykata e Krimeve të Rënda dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda janë strukturat më të specializuara në vendin tonë për të luftuar luftën korrupsionit. Sipas ministrit Naço, trajtimi i këtyre çështjeve në këto struktura do të njësonte praktikat gjyqësore. Për këtë ministri mori disa shembuj krahasues për mënyrën se si disa gjykata të ndryshme të vendit kanë dhënë dënime me masë të ndryshme për çështje të ngjashme, por qëndrimi kreut të Ministrisë së Drejtësisë duket se bie ndesh me ekspertët e OPDAT-it të cilët me anë të një letre drejtuar kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafajt, thekson se shqyrtimi i çështjeve të korrupsionit në Gjykatën e Krimeve të Rënda do të mbingarkonte strukturat me çështje edhe të dorës së dytë. Sipas ekspertëve amerikanë, kjo do të sillte edhe centralizimin e trajtimit të korrupsionit vetëm në Tiranë, duke lënë një boshllëk në qarqet e vendit. Po ashtu edhe Prezenca e OSBE-së në Tiranë i cilëson si jo të gjetura kalimet për gjykim të çështjeve që lidhen ke korrupsionin në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Nga ana e tij, ministri i Drejtësisë nuk i kundërshtoi mendimet e ekspertëve të huaj, madje kërkoi edhe mbështetjen e tyre, por tha se paketa e qeverisë është radikale për vetë faktin e nivelit të lartë të perceptimit të korrupsionit në Shqipëri.

Nasip Naço

“Në luftën ndaj korrupsionit, e para që ka rëndësi është vullneti politik. Nëse nuk kemi një vullnet politik, nuk kemi për ta luftuar asnjëherë korrupsionin dhe kësaj mazhorance nuk i mungon vullneti politik, prandaj e ka nisur dhe prandaj kjo paketë është e kundërshtueshme, sepse është radikale. Është radikale, sepse duam të kapim kohën e humbur, duam të kapim këto 20 vjet të humbura, por sigurisht që qëllimi është pozitiv. Ne duam që të kontribuojmë me të gjithë aktorët përfshi edhe opozitën.

Paketa është radikale, sigurisht që ka nevojë edhe për ndryshime të tjera dhe për t’u përmirësuar, por qëllimi ka qenë pozitiv. Ajo që i ka munguar mazhorancës së djeshme. Faktet tregojnë vetë”, – deklaroi ministri i Drejtësisë.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e opozitës në Komision i drejtuan një sërë pyetjesh ministrit Naço, lidhur me qëndrimet e mbajtura nga OPDAT dhe sa është konsultuar qeveria me ekspertët e huaj. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Oert Bylykbashi, kërkoi që edhe opozita të ishte e përfaqësuar në këtë proces me bashkërelator, por kjo kërkesë u hodh poshtë nga kryetari Fatmir Xhafaj, i cili tha se këtë mundësi opozita e kishte dy ditë më parë, por nuk e shfrytëzoi.

Ndërkaq, sot pritet që projektligjet të diskutohen në parim dhe më pas procesi do të vazhdojë me konsultime më grupet e interesit, si Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Konferenca Gjyqësore; përfaqësues të organizatave të huaja, si: OSBE, OPDAT, BE-EURALIUS etj.

 

Detaj

Dy projektligjet që do të ndryshohen

1. Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.3.1995, “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar

2. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”

 

 

Kompetencat që i shtohen Gjykatës së Krimeve të Rënda

Kërkimi apo dhënia shpërblim në procedurat e birësimit

Korrupsioni aktiv në sektorin privat

Korrupsioni pasi në sektorin privat

Korrupsioni akti i personave që ushtrojnë veprimtari publike

Korrupsioni aktiv i nëpunësve publik

Korrupsioni aktiv i pushtetarëve qendror dhe vendor

Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm

Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera

Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë veprimtari publike

Korrupsioni pasiv i nëpunësve publikë

Korrupsioni pasiv i pushtetarëve qendror dhe vendor

Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, ekspertit ose përkthyesit

Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i personave të tjetër të gjyqësorit

Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve etj.

 

 

Letra e OPDAT për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale

Zgjerimi i kompetencës

Ndryshimet që iu bënë nenit 75/a të KKP-së në maj 2013 përfshinë në kompetencën e gjykatave për krimet e rënda vepra si: vrasja e nëpunësve publikë, vrasja e oficerëve të policisë, vrasja në familje etj., të cilat dalin jashtë qëllimit fillestar të krijimit të këtyre gjykatave. Tani, me ndryshimet që propozohen, kompetenca e tyre shtrihet edhe në fushën krejtësisht të ndryshme të korrupsionit. Megjithëse kemi plotësisht besimin tek aftësitë dhe profesionalizmi i prokurorëve dhe gjyqtarëve të krimeve të rënda, ne besojmë se zgjerimi i detyrave të tyre në fusha kaq të ndryshme dhe pakësimi i vëmendjes ndaj krimit të organizuar nuk do t’i shërbejë suksesit të tyre në të ardhmen.

Rekomandime

Prokurorët dhe gjyqtarët e krimeve të rënda duhet të kenë pavarësinë, mbështetjen dhe logjistikën që nevojitet për të bërë çështje të suksesshme kundër grupeve të krimit të organizuar. Ata do të kenë gjithmonë më pak çështje se prokurorët e tjerë, por rëndësia dhe shtrirja e këtyre çështjeve do ta justifikojnë më së miri ekzistencën e tyre. Në të njëjtën mënyrë, prokurorët NJPH-ve, duhet të kenë pavarësinë, financimin dhe mbështetjen logjistike për të luftuar korrupsionin në të gjithë territorin e vendit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency