Invalidët, Kryeministri: Për këtë vit do merrni të plotë vetëm pagesat për dhjetorin

0
173

Berisha dhe Bode: Rama po lë pa lekë personat me aftësi të kufizuara

 

persona me aftesi te kufizuarDita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara duhet të ishte një ditë reflektimi për më shumë të drejta ndaj kësaj shtrese, por rezultoi një ditë e trishtuar për shkak të mungesës së pagave. Pavarësisht se qeveria ka marrë një borxh prej 400 milionë dollarësh, ende asnjë pjesë e kësaj shume nuk është akorduar për të bërë pagesat e shtresave në nevojë. Kryeministri Edi Rama u ka drejtuar një mesazh personave me aftësi të kufizuara, duke premtuar se do të marrin pagesën e muajit dhjetor dhe pas janarit do të jepen pagesat e vonuara. “S’kemi asnjë lek të mbetur në arkën e këtij viti shkatërrimtar për buxhetin e bërë rrush e kumbulla prej tyre në fushatën elektorale të qershorit. Kjo është e vërteta therëse që ka prodhuar ajo fushatë. Kjo nuk është vetëm llogari e thjeshtë parash që e bëjnë me zhurmë borxhet e krijuara nga të katër anët, përmes kapjes së shtetit për ta vënë të tërin në një grusht njerëzisht për vite me radhë. Mbi 50 milionë dollarë është deficiti në fondin e pagesave për personat me aftësi të kufizuar. Jemi të detyruar të mbajmë peshën e borxhit që s’është jona, por ne jemi qeveria. Deri para Vitit të Ri ju të merrni pjesën e pagesës që i takon këtij muaji dhe menjëherë me buxhetin e ri të merrni ju që atë që se keni marrë dhe më pas muajin tjetër të merrni rregullisht pagesën”, – u shpreh Kryeministri.

Akuza

Më tej Kryeministri dhe ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, kanë akuzuar qeverinë e kaluar për mosdhënien në kohë të pagesave për invalidët si dhe kanë kërkuar pastrimin sa më parë të listave nga personat abuzues. “Jam i revoltuar për mos pagesat tuaja mujore. Ka vite që ju nuk i merrni rregullisht pagesat tuaja, ato minimale. Mos pagesa e rregullt e tyre prej vitesh është shprehja më e ulët e një abuzimi social që ka burim prej vitesh qeverinë e Shqipërisë. Janë pasqyruar korrespondencat e ish ministrave që tregojnë e zeza mbi të bardhë se çfarë shfaqje të zezë ka keqqeverisja. Ai që dje e shpërfillte sot del e kërkon llogari për fondet e shpërdoruara pa as më të voglin dëm të ndërgjegjes. Asnjë ndershmëri. Në vend që të paktën të plotfuqishmit e deri djeshëm të kontribuojnë pikërisht dhe për këto zullume, duan të lajnë të lajnë duart”, – theksoi Rama. “Rritja fiktive duke shkuar në 2 mijë njerëz për çdo milion banor ishte e përmasave monumentale. Në Irak ka vetëm 100 persona për milion që shtohen në listën e personave me aftësi të kufizuar. “Në Elbasan kemi denoncuar penalisht 165 shkelës. Nesër në Fier do të bëjmë një dyzinë kallëzimesh. Javën tjetër në Vlorë. Nuk do të shpëtojë njeri nga kjo fushatë”, – përmendi ministri Veliaj.

Reagimi

Për deputetin e Partisë Demokratike, Ridvan Bode, Kryeministri Edi Rama po lë pa bukën e përditshme personat me aftësi të kufizuara. Sipas ish-ministrit të Financave nën qeverisjen e Partisë Demokratike fatura sociale nga 61.8 miliardë lek/ 618 milionë dollarë, u çua në 141 miliardë lekë/1.4 miliardë dollarë ose u rrit në më shumë se 2.3 herë. “Vetëm për personat me aftësi të kufizuar fondet u rritën nga 10.5 miliardë lekë në 18.1 miliardë lekë, pagesa e kësaj kategorie është konsideruar gjithmonë prioritare dhe asnjëherë nuk është vonuar, apo nuk është futur në radhën e pagesave të thesarit”, -përmendi Bode gjatë një konference për shtyp. “Kryeministri Rama u deklaroi sot rreth 200 mijë familjeve që presin ditën të marrin bukën e përditshme se buxheti nuk ka më para për ta dhe se fajin e ka qeveria e mëparshme që harxhoi paratë e buxhetit për fushatë elektorale”, – theksoi Bode.

 

Studimi, të varfrit dhe romët, shtresat që përjashtohen nga tregu i punës

Të varfrit, individët pa arsim, gratë në nevojë si dhe personat e komunitetit rom e egjiptian janë grupet që përjashtohen më shpesh nga tregu i punës. Një studim i Agjencisë Austriake për Zhvillim në tri rrethe kryesore, si: Elbasani, Lezha e Fieri tregon se pavarësisht se kategoritë e mësipërme janë të pafavorizuara për punësim, edhe pjesëmarrja e tyre në kurset e trajnimit profesional është tepër e ulët. Nga 2008-2011, këto kurse i kanë ndjekur vetëm 5% e romëve dhe 1% e personave me aftësi të kufizuara, ndërkohë që më pas asnjë prej tyre nuk ka vazhduar arsimin e mesëm. Përfaqësuesit e qeverisë përballë këtij realiteti janë shprehur të gatshëm të rishikojnë strategjitë e punësimit për këto kategori dhe arsimin e tyre profesional. “Vetëm 12% e vajzave marrin pjesë në shkollat profesionale, ndërkohë që punëkërkuesit janë gra dhe vajza, domethënë ka një asimetri shumë të theksuar në shërbimet e punësimit dhe të formimit që neve japim. Po të shikojmë kategoritë dhe grandet ekonomik dhe arsimor, kategoritë e punëkërkuesve formimi që ne japim në një nivel më të lartë se ato që kanë nevojë se kategoritë e papunësuara. E kemi shumë të shprehur kategorinë e personave që janë me arsim më pak se pak 8-vjeçar”, – tha Gentjana Sula, zv.ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ndërkaq, rezultatet e studimit për zonat rurale tregojnë se femrat janë më shumë të kufizuara nga ana ekonomike në këto zona, çka sjell nevojën e marrjes së masave emergjente për ti integruar ato në tregun e punës.

 

Box me foto

Ish-kryeministri Berisha: Rama mashtroi të varfrit, në arkën e shtetit ishin 40 milionë dollarë

Ish-kryeministri Sai Berisha, në një postim në “Facebook”, bëri me dije se Kryeministri aktual Edi Rama mashtroi të varfrit, duke u thënë se në arkën e shtetit nuk kishte asnjë qindarkë për ta. “Urimi i Edi Rames per personat me aftesi te kufizuar: “Nuk ka asnje qindarke ne arken e shtetit per ju”. Te dashur miq, sot personat me aftesi te kufizuar shenuan diten boterore te tyre me bllokim disa mujor te pensioneve te tyre nga qeveria Rama – Meta. Ne nje akt cinizmi ekstrem ndaj personave me aftesi te kufizuar, ne vend te parave per kafshaten e gojes qe ju takon, Edi Rama iu deklaroi atyre sot se ne arken e shtetit nuk ka asnje qindarke per ta dhe u shperndau ne vend te parave, flete lavderimi.
Edi Rama me shpirtkazmeri mashtroi sot me te varferit e shqiptareve. Ne shtator, me ardhjen e tij ne pushtet, ne arken e shtetit ishin per invalidet dhe personat me ndihme ekonomike 40 milione dollare. Zoti Rama kur paraqiti ndryshimet ne buxhet rriti borxhin me 400 milione dollare dhe shtoi buxhetin e Kryeministrit per zyra, lukse, vetura etj me 600 milione leke. Ai jo vetem nuk vendosi nje qindarke per ndihmen ekonomike dhe pensionet e invalideve, siç premtoi publikisht me dt 24 Tetor se do vendoste 348 milione leke, por shkurtoi me 20 milione leke fondin e tyre. Ndersa parate e tjera po shperdorohen se bashku me ministrin Velija qe u emerua aty per meriten e vetme se pas ndertimit te dy vilave, nje per vete dhe nje bashkeshorten pa bere asnje dite pune me bordero, vodhi ne zyren e tij kompjuterin e financave te Mjaftit. Keta kleptokrate te kujtojne Tanardièr-in e Hygoit tek “Te Mjeret”, personazh qe vidhte naten te plagosurit ne fushe beteje!!”, – shkruan ish-kryeministri Berisha në “Facebook”.

 

 

Vendimi, ndalohet eksporti i qymyrit të drurit

Ministria e Mjedisit ndalon eksportin e qymyrit të drurit. Vendimi është firmosur nga ministri i Mjedisit, Lefter Koka. Rrudhja e sipërfaqes pyjore në vend nga prerjet e paligjshme ka arritur në përmasa shqetësuese. Pas verifikimeve të kryera në terren, strukturat e mjedisit planifikuan marrjen e masave drastike për të shpëtuar pyjet, ku ndër më të afërtat ishte parashikuar miratimi i projektligjit për ndalimin e eksportit të lëndës drusore të papërpunuar, si dhe qymyrit të drurit. Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ka pohuar edhe më parë se situata mjedisore është një emergjencë kombëtare dhe kërkon ndërhyrje urgjente.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency