Intervista Korrupsioni në drejtësi, kryeprokurori Llalla: Duhet vullnet

0
153

 

adriatik-llallaProkurori i Përgjithshëm jep vlerësime për paketën antikorrupsion të qeverisë, hetimet për ndërtimet pa leje, për privatizimin e Albpetrolit, çështjen “Gërdeci” dhe Lazaratin

Zëri i Amerikës

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla thotë se lufta ndaj korrupsionit në sistemin e drejtësisë është e mundshme, porse kjo kërkon vullnet nga të gjitha institucionet dhe faktorët politikë e socialë. Z. Lalla, një vit pas marrjes së kësaj detyre, ka folur në një intervistë për “Zërin e Amerikës” për paketën antikorrupsion të qeverisë, hetimet për ndërtimet pa leje, për privatizimin e Albpetrolit, çështjen “Gërdeci”, si dhe për fshatin e shumëpërfolur për kultivim të lëndës narkotike, Lazaratin. Prokurori i Përgjithshëm theksoi se lufta ndaj korrupsionit është një nga prioritetet e punës së tij dhe që nga marrja e postit është një nga kriteret bazë për integrimin e Shqipërisë në BE.

Zoti Llalla, faleminderit për këtë intervistë, e cila koincidon dhe me një vit që nga koha kur ju keni marrë detyrën si prokuror i Përgjithshëm! Më lejoni ta nis me një çështje, e cila është e ditës. Sot “Transparency International” prezantoi raportin e ri vjetor për korrupsionin, ku pozicioni i Shqipërisë është përkeqësuar. Sa e ndien vetën përgjegjëse Prokuroria në këtë situatë korrupsioni kaq të përhapur, të paktën siç është perceptimi i publikut?

“Faleminderit për ftesën në emisionin tuaj dhe për urimin me rastin e 1-vjetorit tim në detyrën e prokurorit të Përgjithshëm! Problemi i korrupsionit është një ndër çështjet kyçe për integrimin e Shqipërisë në BE dhe është një ndër kriteret kryesore që partnerët tanë kanë vendosur për integrimin e vendit në këtë strukturë. Lufta ndaj korrupsionit ka qenë një ndër prioritetet e punës sime me marrjen e detyrës së prokurorit të Përgjithshëm, prioritet të cilin jam përpjekur ta realizoj duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat ligjore, duke vënë në punë të gjithë sistemin e prokurorisë për të luftuar këtë gangrenë të shoqërisë shqiptare”.

Zoti Llalla, duke mbetur te korrupsioni. Pak ditë më parë emisioni “Fiks Fare”, pas një hetimi të tij, nxori në pah një zinxhir korrupsioni, pagesash për gjyqtarë, prokurorë e avokatë. Ju reaguat për pjesën që ju takon, lidhur me prokurorët e përfshirë, por kam përshtypjen se nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar. Duket se sistemi i drejtësisë, siç është dhe perceptimi i publikut, ka një korrupsion mjaft të gjerë. Si mund të dilet nga kjo situatë?

“Perceptimi i publikut lidhet me rastet me të cilat qytetarët ndeshen nëpër dyert e sistemit të drejtësisë. Kjo situatë mendoj se është e kapërcyeshme, por duhet një bashkërendim i punës mes të gjitha institucioneve ligjzbatuese në Shqipëri. Tek ne ekzistojnë të gjithë mekanizmat e duhur ligjor që ky fenomen të ndëshkohet, por duhet vullneti i të gjithë faktorëve politikë, socialë, medias dhe qytetarëve, që të vëmë përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë zyrtarët që abuzojnë me funksionet e tyre”.

Ka një nismë të qeverisë, një paketë antikorrupsion, e cila parashikon që korrupsionin ta konsiderojë si krim të rëndë e për pasojë të gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Misioni i ekspertëve amerikanë të OPDAT-it ka pasur vërejtje të shumta për këtë zgjidhje. Ju vetë sa efektive e konsideroni këtë ndërhyrje?

“Lidhur me këtë nismë të qeverisë, ne kemi paraqitur sugjerimet tona, të cilat i kemi vënë në dispozicion si të qeverisë ashtu dhe të Komisionit të Ligjeve, të cilat besoj se do të merren në konsideratë gjatë shqyrtimit në komisionin e ligjeve. Në vlerësimin tim personal, gjykoj se duhet parë kjo paketë, pasi ka nevojë për disa rregullime të nevojshme. Pra jo çdo rast i parashikuar në paketën e qeverisë mund të hetohet dhe gjykohet nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda”.

 Zoti Llalla, që prej 23 qershorit apo, më mirë që prej qershorit, në Shqipëri ka një shumicë të re. Cilat janë marrëdhëniet tuaja me këtë shumicë? Kujtoj se zoti Rama, para se të formohej qeveria, pati një takim me ju dhe e cilësoi Prokurorinë si “dëshmitare anemike në betejën kundër korrupsionit”, deri më atë kohë…

“Duhet të theksoj faktin se Prokuroria është një institucion i pavarur kushtetues. Detyra ime si prokuror i Përgjithshëm ashtu si dhe çdo prokurori është përcaktuar në ligj, ashtu si dhe garancia në detyrë e gjithsecilit prej nesh. Unë kam pasur marrëdhënie korrekte si me mazhorancën e kaluar ashtu dhe me atë aktuale. Dua të theksoj faktin se në detyrën e prokurorit të Përgjithshëm jam zgjedhur me një lloj konsensusi të gjerë politik, detyrë e cila besoj se do të jetë e tillë edhe në të ardhmen”.

Prokuroria e Përgjithshme iu bashkëngjit nismës së qeverisë për goditjen e ndërtimeve pa leje. Madje, në fakt, ju kishit nisur hetime ndaj kryetarit të Bashkisë së Vlorës që në shkurt për ndërtime pa leje në këtë qytet. Megjithatë, ka debate dhe për një tjetër ndërtim në breg të detit dhe ish-drejtuesi i Inspektoratit të Ndërtimit ka deklaruar se për këtë ka pasur një dosje që në 2011-ën në prokurori. Cili ka qenë fati i kësaj dosjeje?

“Lidhur me rastin konkret, çështja është në proces hetimi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ndërsa në rastin e kryetarit të Bashkisë Vlorë, dosja momentalisht është në proces gjykimi në Gjykatën e Lartë për të përcaktuar se cila gjykatë do të shqyrtojë rastin në fjalë”.

Duke mbetur sërish te pallatet. Ka pasur para zgjedhjeve një debat lidhur me një ndërtim të familjarëve të bashkëshortes së zotit Rama. U tha se Prokuroria regjistroi një procedim penal…

“Me aq sa unë mund të kujtoj tani, mendoj se është vendosur mosfillimi i procedimit penal”.

Zoti Llalla, pati një proces të gjatë privatizimi për Albpetrolin, i cili në të vërtetë dështoi dhe shteti sot e kësaj dite nuk ka marrë 85 milion euro, siç përcaktonin rregullat e kontratës. Edhe për këtë rast, me sa di, Prokuroria ka nisur hetimet. A ka ndonjë zhvillim se cilët janë personat përgjegjës për këtë situatë?

“Në mjaft raste i kërkohet organit të Prokurorisë për çdo debat apo problem mes palëve në Shqipëri, por institucioni i Prokurorisë nuk ka në të gjitha rastet ekspertët dhe specialistët e duhur për të hetuar çështje të kësaj natyre. Prokuroria ka nisur hetimet për rastin e Albpetrolit. Janë caktuar ekspertët që po merren me shqyrtimin e dokumentacionit për mënyrën se si është realizuar privatizimi i kësaj pasurie dhe pritet konkluzioni i tyre”.

Zoti Llalla, procesi ndaj shpërthimit në Gërdec është një tjetër rast që u pa si një dështim i drejtësisë. Gjykata e Lartë nuk pranoi as ta trajtonte rekursin e Prokurorisë. Cilat ishin arsyet e këtij vendimi dhe a ka hapësira që kjo çështje të rihapet?

“Ai është një vendim i Gjykatës së Lartë, për të cilin ne nuk mundemi dot të gjykojmë vendimet e kësaj gjykate. Ne kemi në proces shqyrtimi në Prokurorinë e Përgjithshme një ankesë të familjarëve të Gërdecit dhe avokatëve të tyre. Prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, të ngarkuar me shqyrtimin e rastit, janë duke studiuar të gjitha materialet, me synim daljen e një vendimi përfundimtar brenda pak ditëve”.

Zoti Prokuror, kur ju ishit në krye të Inspektoratit të Verifikimit të Pasurive, ankoheshit se Prokuroria nuk merrte parasysh denoncimet tuaja. Çfarë keni bërë tani që ju vetë jeni prokuror i Përgjithshëm?

“Është fakt se gjatë kohës që unë drejtoja Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit dhe të Pasurive, institucioni ynë pati bërë me dhjetëra kallëzime në Prokurori, të cilat patën të njëjtin fat, të pushoheshin apo të mos filloheshin, që në vlerësimin tonë vendimi ishte marrë jo në mënyrë të drejtë e të bazuar ligjërisht. U bë një vit që jam në drejtim të këtij institucioni. Momentalisht nuk kemi asnjë kallëzim dhe për momentin nuk kam ç’të shtoj më tepër”.

Zoti Prokuror, përveç korrupsionit, një tjetër problem që ngrihet për Shqipërinë është krimi i organizuar. Çfarë shtrirjeje ka ai? Sa ka penetruar në ekonomi apo dhe politikë? Si është i strukturuar dhe sa i fuqishëm është ai financiarisht?

“Elementë të krimit të organizuar në Shqipëri ka dyshime të bazuara se ekzistojnë. Unë sapo u ktheva nga një vizitë e suksesshme në disa vende të BE-së, përfshirë edhe Brukselin, ku diskutuam ndër të tjera edhe lidhur me këtë problem. Ne po synojmë që të gjitha rastet e kësaj natyre të hetohen në mënyrë të plotë e të gjithanshme. Normalisht hetimet nuk janë të lehta. Elementë të krimit të organizuar punojnë me mënyra dhe forma që kanë aftësi për të mbuluar aktivitetin e tyre. Megjithatë, ashtu siç ishte dhe vlerësimi i ekspertëve ndërkombëtarë, në Shqipëri nuk ka elementë të mirëfilltë të një krimi vërtet të organizuar, siç ndodh në vendet e tjera. Ka krim që merret me trafikime të ndryshme, por jo struktura vërtet të organizuara kriminale”.

 

Të gjithë e dinim që Lazarati ishte një qendër e prodhimit të hashashit, por rezultatet e vrojtimeve të policisë italiane nxorën në pah diçka të përmasave mjaft të mëdha. A ka hetime të Prokurorisë mbi Lazaratin dhe ata që kanë ngritur dhe kontrollojnë gjithë atë industri disamiliardaeuroshe?

“Normalisht që Prokuroria ka nisur hetimet edhe për rastin në fjalë. Këto hetime vijojnë dhe unë nuk mund të jap detaje të mëtejshme”.

 

 

Korrupsioni

Mblidhet KLD për shkarkimin e gjyqtarit Shtjefën Lleshi

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency