Arrestimi Mallra kontrabandë, pranga kreu të Policisë Kufitare

0
163

Anxhela Tato

Hetimet, Ylber Zyberi lejoi kalimin e mallrave industriale jashtë vijës jeshile

Automjetet me mallra kalonin nën shoqërinë e kreut të policisë, duke shmangur kontrollin

 

 

mallra kontrabandeLejonte kalimin e mallrave kontrabandë jashtë vijës jeshile të doganës, përfundon në prangat e policisë drejtori i Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin në Qarkun e Korçës, ndërsa janë shpallur në kërkim një grup bashkëpunëtorësh të tij, pasi akuzohen për kontrabandë të mallrave industrialë. Në ngarkim të Ylber Zyberit janë ngritur akuzat e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, kontrabandës me mallra të tjera dhe shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim. Të njëjtat burime theksojnë se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, si rrjedhojë e aplikimit të metodave speciale të hetimit, bëri të mundur goditjen e një grupi kriminal që ka ushtruar për disa kohë kontrabandë të mallrave industriale dhe atyre me akcizë, jashtë pikës doganore, në kufirin jeshil, në afërsi të fshatit Zaroshkë. Sipas burimeve të Ministrisë së Brendshme, është bërë e mundur zbulimi i një automjeti me targa bullgare, në brendësi të së cilës u gjetën mallra kontrabandë me vlerë të lartë financiare. Burime pohojnë se janë konstatuar shkelje të detyrës nga ana e drejtorit Ylber Zyberi, i cili ka favorizuar bashkëpunëtorët e tij dhe ka lejuar kalimin e mallrave pa doganë, pa kaluar procesin e kontrollit. Në këtë mënyrë mallrat nuk kalonin kontrollin e Policisë Kufitare, duke u shmangur pagimi i taksës dhe produktet kontrabandë përfundonin në treg. Nga të dhënat e hetimeve rezulton se Zyberi është mbajtur nën vëzhgim nga policia dhe ka rezultuar se në disa raste ai ka qenë personi që shoqëronte automjetet me mallra kontrabandë, duke shkelur ligjin dhe duke lejuar daljen e tyre pa iu nënshtruar kontrollit. Nga ana e organit të akuzës janë duke vijuar hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, zbulimin e personave të përfshirë në këtë kontrabandë si dhe llojet e mallrave dhe produkteve që i kanë kaluar vijës jeshile pa doganë. Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se Zyberi akuzohet për veprat penale të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, kontrabandës me mallra të tjera dhe shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim.

Njoftimi

Në datë 3.12.2013, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Ylber Qemal Zyberi, 41 vjeç, lindur dhe banues në Kukës, me detyrë drejtor i Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin në Qarkun e Korçës, i dyshuar se ka konsumuar veprat penale të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, kontrabandës me mallra të tjera dhe shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 25, 259, 174 dhe 248 të Kodit Penal. Shërbimi i Kontrollit të Brendshme në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, si rrjedhojë e aplikimit të metodave speciale të hetimit, bëri të mundur goditjen e një grupi kriminal që kanë ushtruar për disa kohë kontrabandë të mallrave industriale dhe atyre me akcizë, jashtë pikës doganore, në kufirin jeshil, në afërsi të Fshatit Zaroshkë, Komuna Pustec (Liqenas), Korçë. Në orën 04:20, të ditës së djeshme, në fshatin Zaroshkë, u bë e mundur kapja në flagrancë e mjetit me targa bullgare E 1233 KM, i cili ishte i ngarkuar me mallra industriale, konfeksione, kontrabandë në sasi dhe vlerë të konsiderueshme. Nga hetimet paraprake rezulton se drejtori i Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin në Qarkun e Korçës, Ylber Zyberi ka favorizuar në vazhdimësi kalimin e mallrave kontrabandë jashtë pikës doganore, duke shmangur shërbimet e policisë kufitare në vendkalimet e mjeteve të ngarkuara me mallra kontrabandë. Zyberi dyshohet se shpesh herë ka bërë edhe shoqërimin e mjeteve të ngarkuara me mallra kontrabandë me qëllim mos kapjen e tyre nga strukturat e policisë. SHKB në bashkëpunim me Njësinë Task-Forcë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, të shtrirë në kohë edhe me shumë persona të tjerë të dyshuar, si dhe me implikime te strukturave të policisë kufitare në Qarkun e Korçës.

 

Hetimet

Abuzimi me tenderin e Gjendjes Civile, merret në pyetje Fatmir Konja

Fatmir Konja, ish-zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, është paraqitur ditën e djeshme në polici, ku është marrë në pyetje në lidhje me hetimet për një rast korrupsioni. Fatmir Konja, i cili aktualisht është me detyrë këshilltar i Presidentit Nishani, është pyetur si person që ka dijeni në lidhje me një tender të zhvilluar në Ministrinë e Brendshme. Konja është thirrur një ditë pas Ferdinand Ponit, i cili është pyetur prej orës 16:00 deri në orën 17:00 të ditës së hënë dhe më pas ka dalë nga Drejtoria e Policisë. Burime nga grupi hetimor u treguan të rezervuara për arsyet e marrjes së kësaj deklarate. Megjithatë, policia tha se bëhet fjalë për një hetim që ka nisur për abuzimet e kryera në fondet e disa prej drejtorive që Poni ka pasur në varësi. Më konkretisht, bëhet fjalë për Drejtorinë e Gjendjes Civile, një nga tenderët e së cilës pretendohet se është gjetur me shkelje. Hetimet janë përqendruar kryesisht te fondet për regjistrin e Gjendjes Civile, por pa dhënë detaje të tjera. Burime konfidenciale bëjnë me dije se Poni është pyetur për materiale që janë zhdukur nga ministria, të cilat kanë qenë të regjistruara me procesverbale. Nga ana e tij, vetë ish-zv.ministri Ferdinand Poni u shpreh se është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni dhe nuk është shoqëruar. “Nuk jam shoqëruar. Kam qenë në polici për sqarime, si person që ka dijeni për një çështje administrative”, – u shpreh mbrëmjen e djeshme Poni. Lajmi u konfirmua zyrtarisht edhe nga Ministria e Brendshme, e cila theksoi se Poni është thirrur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për të dhënë sqarime në lidhje me një material të auditit nga zyra përkatëse e ministrit. Burime nga Ministria e Brendshme thanë se Poni është pyetur në lidhje me disa abuzime të konstatuara në drejtim të sektorëve dhe drejtorive që ai ka pasur në varësi si zv.ministër i Brendshëm për Pushtetin Vendor, gjatë periudhës 2005-2013, por nuk saktësuan se cilës periudhë i përkisnin abuzimet e identifikuara, për të cilat Poni është pyetur. Nga policia e Tiranës mësohet se pyetja e ish-ministrit është kryer në kuadër të një procedimi penal të nisur prej pak ditësh, me nismë të Policisë së Shtetit, me akuzat “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion”. Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Tiranës thanë se nuk ishin në dijeni të këtij hetimi.

 

Këlcyrë, gjendet trupi i pajetë i një djali, dyshohet se është mbytur

Gjendet skeleti i një njeriu në anë të lumit Vjosë në Këlcyrë. Skeleti është gjetur në fshatin Toc dhe sipas policisë së qarkut Gjirokastër dyshohet se viktima mund të jetë mbytur në lumë para shumë kohësh. Mësohet se në polici është bërë një denoncim për humbjen e një të riu nga Këlcyra, megjithatë uniformat blu dhe një grup hetimore po punojnë për identifikimin e skeletit të gjetur buzë lumit Vjosë. Trupi është dërguar në morgun e spitalit, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore. Pritet që ekspertiza të ndihmojë blutë për të zbuluar arsyen e vdekjes së të riut, i cili nuk ka pasur shenja dhune në trup. Ndërsa do të thirrën në morg familja që ka paraqitur denoncimin, për të verifikuar nëse i riu i pajetë është personi që ata kanë denoncuar të zhdukur.

 

Sarandë, detergjentë kontrabandë, arrestohet 29-vjeçari

Një 29-vjeçar është arrestuar ditën e djeshme nga Policia e Sarandës, pasi akuzohet për trafik të mallrave kontrabandë. I arrestuari është Adem Seferi banues në lagjen “18 Shtatori“ në Gjirokastër. Sipas policisë gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e 29-vjeçarit me targa AA 449 AE janë gjetur një sasi e konsiderueshme mallrash ushqimorë dhe detergjente kontrabandë, për të cilat ai nuk kishte paguar detyrimet doganore. Mallrat e konstatuara të parregullta janë bllokuar nga policia në cilësinë e provës materiale.

 

Shtyhet gjyqi, dyshohet për kërcënim ndaj prokurorit dhe babait të viktimës

Gjykata e Burrelit ka nisur dhe brenda disa minutave ka shtyrë gjyqin për të pandehurit e akuzuar për vrasjen e të riut Fation Brametaj, krim i ndodhur një vit më parë. Zyrtarisht nuk janë bërë publike shkaqet e shtyrjes por nga burime brenda gjykatës është thënë se shkak janë bërë kërcënimet e familjarëve të pandehurve ndaj prokurorit të çështjes dhe babait të viktimës. Sipas burimeve, dyshohet se pas tensioneve dhe kërcënimeve të shkaktuara, gjykata ka shtyrë gjyqin ndaj Përparim Bojës, Astrit Bojës dhe Fatjon Canit, të cilët akuzohen për vrasjen e 22-vjeçarit, Fatjon Barmetaj, 1 vit më parë. 22-vjeçari, i cili punonte kamerier në lokalin e të pandehurve Boja, u gjet i groposur në afërsi të Urës së Balës në Mat, ndërsa ekspertiza përcaktoi se Brametaj ishte varrosur i gjallë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency