Standard.al

Zgjedhjeve lokale ndryshuan gjeografinë politike në Kosovë

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina do të udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila për herë të parë garoi në zgjedhjet lokale. Dhjetë komuna më shumicë serbe do të udhëhiqen po ashtu nga serbët.

 

2 dhjetor zgjedhjet ne KosoveRezultatet paraprake të publikuara këtë hënë (03.12) në mëngjes nga KQZ-ja, treguan se kryeqytetin do ta udhëheqë Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosja, duke e mundur kështu kandidatin e LDK-së, Isa Mustafa. Mustafa është edhe kryetar i LDK-së, parti kjo e cila që nga viti 2000 udhëheq Prishtinën. Megjithatë LDK i fitoi tri komuna të mëdha, Gjilanin, Ferizajin dhe Pejën. Partia Demokratike e Kosovës arriti ta ruajë fitoren në komunën e Prizrenit, mirëpo humbi komunën e Mitrovicës, e cila do të udhëhiqet nga Agim Bahtiri, nga Aleanca për Kosovën e Re, AKR, partia e afaristit, Behxhet Pacolli. Kjo parti fitoi edhe në qytetin e Gjakovës, duke e mundur Aleancën Për Ardhmërinë e Kosovës AAK, e Ramush Haradinajt.

Nga dhjetë komuna me shumicë serbe, në pjesën më të madhe të tyre ka fituar “Nisma Qytetare Serbe”, e cila vazhdimisht është mbështetur nga qeveria e Beogradit. Komunën e veriut të Mitrovicës tashmë do ta udhëheqë, Kërstimir Pantiq, i cili mundi kandidatin, Oliver Ivanoviq. Pjesëmarrja në votime në 25 komuna, sipas KQZ-ve, ishte 40.02 për qind. Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, vlerësoi se zgjedhjet komunale në raundin e dytë në 25 komuna të Kosovës kanë treguar përkushtimin e qytetarëve të vendit për ndërtimin e një shoqërie demokratike përmes votimit të lirë dhe të ndershëm në gjithë territorin e Kosovës.

Presidentja përgëzoi qytetarët e Kosovës dhe organizatorët e zgjedhjeve për një shembull të organizimit të mirë, duke vlerësuar edhe pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. “Zgjedhjet komunale të organizuara për herë të parë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës kanë dëshmuar një mbarëvajtje të një procesi të organizuar tërësisht nga institucionet e vendit me një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve në të dyja raundet e votimit”, thotë presidentja Jahjaga. Zgjedhjet në veri të Kosovës u lehtësuan nga OSBE-ja. Kjo organizatë e vlerësoi procesin e zgjedhjeve në veri të Kosovës duke thënë se ajo do të vazhdojë të ndihmojë në veri të Kosovës sipas nevojës.

“Pas këtyre zgjedhjeve presim që të punojmë ngushtë me zyrtarët e zgjedhur komunal, bashkëpunëtorët në nivel qendror dhe partnerët ndërkombëtarë në tri fusha programatike të OSBE-së në Kosovë, që përfshijnë të drejtat e njeriut dhe të komuniteteve, demokratizimin dhe sigurinë publike”, tha Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, shef i misionit të OSBE-së në Kosovë. Zgjedhjet lokale në Kosovë u vëzhguan nga mbi 1600 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë. 71 vëzhgues ishin nga Bashkimi Evropian që monitoruan zgjedhjet. Mbi pesë mijë policë ishin të angazhuar për sigurinë dhe sipas, zëdhënësit të policisë, Baki Kelani, në të gjithë territorin e Kosovës nuk është shënuar asnjë incident serioz që do ta dëmtonte procesin e zgjedhjeve.

 

 

 

Mustafa pranon humbjen, uron Ahmetin

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka pranuar humbjen për kryeqytetin dhe i ka uruar fitoren kundërkandidatit të tij, Shpend Ahmeti. Ndërsa ka theksuar do të angazhohet që bartja e pushtetit në Prishtinë të përfundohet në mënyrë të suksesshme. Në një konferencë për media. Mustafa ka thënë se në zgjedhjet për pushtetin lokal, Lidhja Domkarike e Kosovës ka dalë si partia më e votuar. “Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në: Gjilan, Podujevë, Ferizaj, Pejë, Lipjan, Istog, Fushë-Kosovë, Suharekë, Viti dhe, në koalicion me AKR-në, në Mitrovicë. Ne, tani, me vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, jemi kthyer në vendin e parë, aty ku LDK-ja e meriton të jetë. Me gjithë përkrahjen e madhe që kemi marrë nga qytetarët, ne nuk kemi arritur të fitojmë në garën për kryetar të Prishtinës”, citon KTV Mustafën. Ai ka theksuar se pas këtij procesi, LDK-ja do të vijojë punën dhe përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme, për të cilat tha se është i bindur sedo të fitojnë.

 

Shënohet ditëlindja e 69-të e presidentit Ibrahim Rugova

Kryesia e Degës së Tretë të LDK-së “Dega Presidentit Rugova”, me rastin e ditëlindjes së presidentit historik të Kosovës dhe të LDK-së, kanë bërë homazhe tek varri i tij dhe më pas kanë vizituar edhe familjen Rugova. Ata pas homazheve te varri presidentit, janë pritur edhe nga familje Rugova: bashkëshortja Fana, djemtë Mendimi dhe Uka, Vajza Teuta, transmeton RTK.

Fanë Rugova, bashkëshortja e presidentit historik, tregoi se burri i saj gjithë jetën dhe me gjithë forcën e tij ka punuar për të mirën e kombit shqiptarë dhe arritjen e pavarësisë së Kosovës. Kryefamiljarja Rugova, është e kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve lokale ku partia të cilën për disa vjet e udhëhoqi bashkëshorti i saj ka shënuar fitore, por ajo nuk u ndie e kënaqur me humbjen e Prishtinës nga LDK-ja. “E gjithë familja Rugova, jemi krah i fortë i LDK-së dhe do të vazhdojmë të jemi edhe në të ardhmen, sepse ishte partia që për disa vjet e drejtori presidenti Rugova”, tha Fanë Rugova. Ajo falënderoi të pranishmit për vizitën në shënimin e ditëlindjes së familjarit të tyre. Arsim Janova, kryetar i Degës së Tretë e LDK-së, “Dega e Presidentit Rugova”, tha se çdo herë kur presidenti ka ditëlindjen dhe është ndonjë ditë e shënuar për kombin shqiptarë, gjithnjë bëjnë homazhe tek varri I presidentit dhe vizitojnë familjen Rugova. “Ne çdo herë e përkujtojmë veprën e madhe të presidentit Rugova, i cili është edhe arkitekt i pavarësisë së Kosovës dhe do të vazhdojmë edhe më tutje në frymën rugoviane dhe proceset si LDK-ë ti vazhdojnë”, tha Janova. Ai shtoi se presidentin e përkujtojnë me pietetin më të madh, ndihen krenar dhe do të vazhdojnë rrugën e tij.

 

 

 

 

Comments are closed.