Tenori korean merr “Marie Kraja”

0
153

 Në këtë edicion të 13-të të festivalit operistik, medaljoni me portretin e Marie Krajës shkoi në Kore. Jisang Ryu, pas interpretimit të fundit të aries nga opera “Aleko” e Rahmanoinovit, i bindi mjeshtrit e muzikës që ai ishte zëri i këtij viti. Shqipëria, për këtë vit u rendit e treta. Studentja e Akademisë së Arteve, Enkeleida Kamani, prezantoi një interpretim shumë të mirë të Xhulietës nga Opera “Monteg & Kapulet” të Bellinit.

 

 

2 dhjetor koreani i Marie KrajesPërfundoi një natë më parë, festivali ndërkombëtar operistik “Marie Kraja”. Juria e përbërë nga një grup njerëzish mjaft të rëndësishëm të muzikës botërore dhe asaj shqiptare, zgjodhën zërin më të mirë operistik ndër 15 konkurrentë. Në panelin e saj, të ardhur nga jashtë ishte Bryn Diki në cilësinë e kryetarit të jurisë, i ardhur nga një karrierë e rëndësishme si drejtor i përgjithshëm i Bryn Diki dhe si anëtar i jurisë së audicioneve të Operas Metropolitan; Nancy Rhodes, drejtore e Operas së re të Nju Jorkut, Danusa Luknisova dhe italiania e mirënjohur si mikesha e ngushtë e divës Maria Callas, Giovana Lomasi. Pjesën shqiptare të jurisë e përfaqësonte drejtori i sapoemëruar i Teatrit të Operas dhe Baletit, balerini Ilir Kerni, tenori Kastriot Tusha dhe pedagogia e Akademisë së Arteve, Suzana Frashëri. Të shtatë anëtarët, siç u shprehën vetë, nuk e patën të lehtë të zgjidhnin fituesin. Në këtë edicion të 13-të të festivalit operistik, medaljoni me portretin e Marie Krajës shkoi në Kore.

Jisang Ryu, pas interpretimit të fundit të aries nga opera “Aleko” e Rahmanoinovit, i bindi mjeshtrit e muzikës që ai ishte zëri i këtij viti. Shqipëria, për këtë vit u rendit e treta. Studentja e Akademisë së Arteve, Enkeleida Kamani, prezantoi një interpretim shumë të mirë të Xhulietës nga Opera “Monteg & Kapulet” të Bellinit. Çmimi i dytë shkoi për amerikanen Jesica Cambo. Por çmimet nuk përfunduan me kaq, siç producentia dhe ideatorja e këtij festivali, Zana Çela e kishte shprehur edhe më parë se këtë vit do të kishte një çmim të ri që do të jepej në bazë të vlerësimit të interpretimeve të këngëve klasike. Të gjitha këngët klasike interpretuar nga 8 këngëtarët finalistë, u shoqëruan në piano nga Genc Tukiçi. Me “Song Prize” u vlerësua meksikani Rodrigo Trosino pas interpretimit të “Granada”. E ftuar nderi në mbyllje të spektaklit, ajo që i dorëzoi edhe çmimin fituesit e që mbështeti realizimin e këtij festivali, ishte ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Për të përshëndetur publikun në sallë, por edhe teleshikuesit që e ndiqnin këtë festival përmes TVSH-së, të gjithë këngëtarët, ata të natës finale, por edhe të eliminuarit, u rimblodhën të gjithë për të kënduar “Brindisi” nga “Traviata”.

 

 

 

Vaçe Zela nga Zvicra: Jam gjallë!

Dje, është përhapur nëpër mediat online lajmi i rremë se Vaçe Zela nuk jeton. Por nuk kanë kaluar disa orë, që ka ardhur sinjali nga Zvicra, ku këngëtarja legjendë e muzikës shqiptare ka kontaktuar me mediat shqiptare për të thënë: “Jam gjallë” dhe se lajmi i përhapur rrufeshëm u bë dje rreth orës 17:00 nga një televizion shqiptar. Ajo çfarë mësohet për shëndetin e këngëtare është se në tre muajt e fundit ka qenë shtruar në spitalin e Bazelit në Zvicër, ku më pas ka kërkuar ta çojnë në shtëpi. Në këtë kthim është rrëzuar dhe është ridërguar në spital. Kjo është situata që ndoshta ka çuar në nxitimin e dhënies së lajmit nga mediat në Shqipëri.

 

 

Jeton Neziraj me “Shembja e kullës së Ajfelit” në Tiranë

  Mbas premierës në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në 6 dhe 7 dhjetor, vjen në Tiranë shfaqja kontraverse e Qendrës Multimedia nga Prishtina, “Shembja e kullës së Ajfelit” e autorit Jeton Neziraj. Një shfaqje e punuar nga një ekip artistësh nga 8 vende të Evropës. Me regji të Blerta Nezirajt, në shfaqje luajnë aktorët e mirënjohur nga Kosova: Shengyl Ismaili, Adrian Morina, Ernest Malazogu e Armend Ismajli.

Në një tablo bashkëkohore urbane, në shfaqje rrëfehet historia e çuditshme e një evropiani, i cili rrëmbehet nga dy terroristë islamistë për shkakun se ai këmbëngul që t’ua heqë mbulesën nga koka grave myslimane në Paris. Ndërkohë, si në një përrallë nga e kaluara, në një rrëfim paralel, një ushtar otoman merr urdhër nga Sulltani që t’u shpërndajë mbulesa grave ballkanase, të sapokonvertuara në Islam. “Shembja e kullës së Ajfelit” është një alternativë ndaj fiksimit të mediave kryesore për mbulesën; drama hap debatin për çështjen më thelbësore – ta njohësh dhe ta kuptosh dramën e tjetrit.

“Kjo dramë ka një histori të tmerrshme në thelbin e saj dhe përmban aspekte përrallore. Satira politike është paraqitur me motive të ndryshme poetike. Jose është një pasardhës i Orfeut; ai po ashtu e humb gruan duke e shikuar atë. Një trup si fantazmë me emrin “Osmani i Ri” endet nëpër ëndrrat e Ajshes – një nga ushtarët e sulltan Abdyl Hamidit të Dytë të shekullit 19, misioni i të cilit ishte t’i mbulonte me vel femrat e Evropës”, – është shprehur Wolfgang Kralicek, kritik teatri, Vjenë.

“Dy fatet paralele për të cilën temat e dashurisë fizike, lakuriqësia dhe feja myslimane janë të ndërthurura së bashku. Gjithë kësaj i është shtuar edhe një përbërës humoristik: ndërtimi dhe shembja e mëvonshme e kullës së Ajfelit në miniaturë e ngritur nga fije shkrepëse, një paraqitje simbolike e një sulmi të planifikuar terrorist.

Një tekst gazmor ku hasim skena burleske, të tilla si ajo në të cilën të dy terroristët paraqiten si maskarenj të vërtetë xhihadistë ndërpresin një shfaqje teatrore, edhe më rrëqethëse është skena e torturës në Pakistan, pastaj vijojnë monologët e grave për mbajtjen e vellos dhe po ashtu vakia më e njerëzishme e Osmanit kur ai takon Marian dhe zbulon dashurinë”, – është cituar Gilles Boulan, Le Billet des Auteurs de Théâtre.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency