Grekët polakë, refugjatët e harruar

0
139

Sot shumë refugjatë të cilët ikin nga lufta në vendet tyre kërkojnë një strehë në Greqi. Por para 60 vitesh ishin grekët ata që kërkonin një strehë. Disa prej tyre shkuan në Poloni, aty ku jetojnë edhe sot.

 

2 dhjetor greke e polakePranverë 1949. Kur komunistët humbën luftën civile, guerrilasit shkuan në fshatin ku jetonte 9 vjeçarja Ewangelia Chondrajan, së bashku me nënën dhe 5 motrat e vëllezërit e saj në Greqi. Guerrrilasit shkuan për të marrë fëmijët, për t’i çuar më pas jashtë vendit. “Ne duhet të shkonim në Jugosllavi, por përfunduam në Shqipëri. Atje qëndruam për katër muaj në Tiranë”, kujton Ewangelia. Ishte një stacion i përkohshëm, sepse destinacioni përfundimtar ishte Polonia komuniste.

 

Eksod mbi një anije

Udhëtimi nisi nga Shqipëria, kaloi në Ngushticën e Gjibraltarit, Kanalin Anglez dhe më pas përmes Detit Balltik në qytetin e vogël Dziwnów. Ishte një rrugë e gjatë, por më e sigurta. Ata fshiheshin poshtë kuvertës, kur anija kalonte kontrollet e kufirit ose kur afroheshin rojet bregdetare. “Ne kishim bebe me vete. Atyre duhet t’u mbyllej goja me rroba në mënyrë që të mos u dëgjoheshin të qarat”, thotë Ewangelia. Fëmijët transportoheshin së bashku me guerrilasit e plagosur. Ewangelia Chondrajani ishte mes 14,500 refugjatëve të çuar në Poloni. Pjesa më e madhe fëmijë, gra, të moshuar dhe guerrilas të plagosur. Madje për ata u ngrit edhe një spital i përkohshëm në Dziwinów, që u quajt spitali ‘grek’. Guerrilasit pas shërimit duhet të ktheheshin dhe të luftonin në vendin e tyre, por një gjë e tillë nuk ndodhi asnjëherë.

 

Informacione konfidenciale

Emigrimi i grekëve dhe maqedonasve në Poloni në fund të viteve 40′ dhe fillim të viteve 50′ u mbajt sekret. “Në kohën e ashtuquajtur Lufta e Ftohtë, nuk duhej të zbulohej se Polonia ishte duke ndihmuar lëvizjen e ekstremit të djathtë”, shpjegon Mieczysław Wojecki nga Zielona Góra, dokotrant, shkencëtar dhe aktivist i kulturës greke në Poloni, gjithashtu edhe presidenti i parë i Shoqatës së Miqësisë Greko-Polake. Refugjatët cilësoheshin si tradhëtarë nga autoritetet greke dhe u hiqej nënshtetësia.

Autoritetet polake krijuan kushtet e përshtashme për refugjatët nga Greqia. Polonia doli e shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore, por sërish refugjatët grekë sot kujtojnë se atyre nuk u mungoi asgjë. Ata u strehuan, iu dha ushqim, rroba, u krijua mundësi për edukim dhe argëtim.“Mësimi dhe studimi ishin dy nga karakteristikat e refugjatëve grekë në Poloni, çka bëri që brezat e rinj të arrinin të ecnin shumë në jetë. Diçka që ata vetëm mund ta ëndërronin në vendin e tyre”, thotë Wojecki.

Ewangelia Chondrojani si një emigrante e re, ia dedikoi jetën e saj vetëm shkencës. “Unë e dija që nuk kisha ku të mbështetesha përveç vetes. Kur shkova në Krakovë për të studiuar, e privova veten nga argëtimet. Vetëm studioja”, thotë ajo.

Ajo krijoi familjen e saj më pas dhe ndërroi mbiemrin në Łuczko. “Kur shkova të vizitoj fshatin ku jetova për herë të parë, pas 28 vitesh, e vlerësova atë që kishin bërë polakët për ne. Grekët nuk mund të shkruanin dhe lexonin greqisht”, thotë ajo. Refugjatët grekë ishin persona pa nënshtetësi. Statusi i tyre ilegal mund të rregullohej vetëm në bazë të ligjeve ndërkombëtare. Por siguria e jetës së tyre dhe sigurimi i të ardhmes, ishin gjërat më të rëndësishme.

Jetë sekrete

Vendi më i madh i grumbullimit të refugjatëve në Poloni ndodhej në Zgorzelec në Jug-Perëndim të Polonisë, në kufi me Gjermaninë Lindore, ku ishite ngritur edhe një qendër për fëmijët. Kjo qendër më pas u mbyll dhe fëmijët u lëvizën në qytetin e Police afër Szczecin Veri-Perëndim të Polonisë.

Police dukej si zgjidhja e duhur. Mbi të gjitha për të mbajtur gjithëçka kofidencale. Si vende strehimi u përdorën banesat ku kishin qendruar punëtorët gjermane para Luftës së Dytë Botërore. Autoritetet përshtatën 130 ndërtesa për të strehuar 2500 fëmijë grekë dhe maqedonas. Sot, Ewangelia Łuczko e mban mend shumë mirë kohën e kaluar në Police. Pas shumë vitesh ajo tregon vendet që i kanë mbetur në mendie. “Në këtë ndërtesë ishte dhoma e kujdesit shëndetësor. Unë u çova në atë dhomën atje, pasi theva gjurin.” Zonja Łuczko tregon edhe vendin ku ishte sajuar një skenë ku bëheshin aktivitete të ndryshme kulturore.

 

“Dita greke”

Shumë polakë u surprizuan nga prezenca e grekëve dhe maqedonasve në vendin e tyre. Ata qenë skeptikë në fillim, por më pas u bënë të sjellshëm dhe i pranuan. Me kalimin e kohës emigrantët u shkrinë në realitetin polak, pasi shumë prej tyre bënë martesa me polakët. Shumë prej tyre ndihen gjysëm polakë, ndërsa disa të tjerë ruajnë ende traditat e tyre kombëtare. Edhe polakët janë duke ndihmuar për një gjë të tillë. Gjimnazi numër 21 në Szczecin çdo të shtunë organizon orën greke dhe tregon për kulturën greke. Në tetor 2013 shkolla organizoi të parën “Ditë Greke”.

Prej shumë vitesh edhe në Police, në fund të Marsit organizohet Dita Greke. “Komuniteti grek është pjesë e komunitetit tonë në Police. Unë nuk mund ta imagjinoj qytetin pa ata”, thotë kryetari i bashkisë së Police Władysłaë Diakun.

 

 

 

Ndërmjet ëndrrës dhe makthit

 

Që nga i ashtuquajturi Revolucioni i Portokalltë para nëntë vjetësh në Ukrainë nuk ka pasur një valë të tillë të madhe protestash. Në dimrin e vitit 2004 njerëzit demonstruan për demokracinë dhe të ardhmen e vendit të tyre. Tani ata demonstrojnë përsëri. Sërish bëhet fjalë për demokracinë dhe të ardhmen e vendit. Dhe përsëri në qendër është Viktor Janukoviç. Sërish ai e ka në dorë, nëse Ukraina do të mbetet demokratike, apo do të jetë një shtet autoritar.

Atëherë njerëzit protestuan kundër Janukoviçit, sepse ai donte të bëhej president duke fallsifikuar zgjedhjet. Ai është tani president i Ukrainës. Por tani njerëzit demonstrojnë kundër tij, sepse nuk besojnë se ai dëshiron ta çojë vendin në Evropë. Ata demonstrojnë kundër tij, sepse kanë frikë se ai mund t’u heqë atyre jo vetëm perspektivën evropiane, por edhe demokracinë.

 

Protestë masive megjithë dhunën policore

Për këtë arsye më shumë se 100.000 njerëz dolën të dielën (01.12. 2013) në rrugë në kryeqytetin e vendit Kiev për të protestuar kundër qeverisë dhe kundër presidentit. Ata vinin nga të gjitha pjesët e Ukrainës. Studentë, punëtorë, por edhe të moshuar, edhe familje me fëmijë, megjithë shqetësimin se protestat mund të përshkallëzohen. Ata duan të theksojnë se nuk lejojnë, që dikush t’ua ndalojë për të protestuar kundër qeverisë dhe një presidenti, i cili ka ngrirë papritur asociimin e Ukrainës me BE, dhe ka bërë të ditur se do të bashkëpunojë sërish ngushtë me Rusinë. Ka disa ditë që njerëzit demonstrojnë kundër këtij vendimi. Sepse ëndrra evropiane e demokracisë dhe e mirëqënies sipas modelit të vendeve të BE-së është shuar për momentin dhe madje mund të kthehet në makthin e një represioni shtetëror sipas modelit të vendeve autoritare fqinje, Rusisë dhe Bjellorusisë. Këtë e treguan ngjarjet e tmerrshme në Kiev natën duke u gdhirë e shtunë, kur njësitë speciale të ministrisë së Brendshme me brutalitet ekstrem dhe pa paralajmëruar vepruan kundër protestuesve paqësorë pro-evropiane.

 

Kthesë politike në Kiev

Ukrainasit i njohin sulme të tilla të policisë nga informimet e mediave nga Moska dhe Minsku. Por në vendin e tyre nuk ka patur gjëra të tilla që nga koha e Revolucionit të Portokalltë. Në kryeqytetin Kiev nuk ka kaluar thuajse asnjë javë pa ndonjë demonstrate ose miting. Ukrainasit janë mësuar që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike të lirisë së mbledhjes në mënyrë kreative. Por pikërisht tani, kur është fjala për një çështje të rëndësishme për Ukrainën, si asocimi me BE, që i preokupton mjaft njerëzit, policia përdor shkopinjtë e gomës kundër demonstruesve.

Këtu mund të vijë një kthesë politike, të cilën njerëzit nuk duan të pranojnë. Edhe këtë e tregon demonstrata masive në Kiev. Ukrainasit nuk lejojnë t’ua mbyllin gojën. Deri tani protestat në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës drejtoheshin kryesisht kundër vendimit të qeverisë për të shtyrë afrimin me BE. Por pas dhunës kundër demonstruesve paqësorë angazhimi mori një shtysë të re. Protestuesit nuk kërkojnë më vetëm ndryshimin e kursit të politikës së jashtme, ata tani kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe presidentit.

 

Presidenti nën trysni

Opozita, e cila prej vitesh lufton më kot për një politikë tjetër në Kiev, del më e fortë nga këto protesta masive. Protesta të tjera do të pasojnë. Ndërkohë është i paqartë reagimi i udhëheqjës së Ukrainës. Presidenti Janukoviç është nën presion të madh. Sepse edhe në vetë radhët e tij ka protesta të hapura. Disa deputetë janë larguar nga partia e tij. Edhe kreu i administratës së presidentit ka dhënë dorëheqjen.

Në vitin 2004 gjatë Revolucionit të Portokalltë Janukoviç pas një hezitimi të gjatë pranoi protestën e popullit. Tani ai ndodhet përsëri para një vendimi. A e respekton ai ligjin për lirinë e mendimit dhe të grumbullimit? Si do të reagojë ai ndaj kërkesës për dorëheqje? Këtyre pyetjeve duhet t’u përgjigjet ai tani. Dhe duhet të japë përgjigje, edhe nëse në fund do të realizohet ëndrra europiane, apo makthi nga një shtet autoritar, që nuk do të bëjë pjesë kurrë në Europë

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency