Ndryshimet në diplomaci Ambasadorët e rinj në Gjermani, Strasburg dhe Vjenë

0
140

Sot prezantohen propozimet e Gjonit dhe Demit, seancë dëgjimore në Komisionin e jashtëm

Drejtori i marrëdhënieve me Jashtë në PS, Roland Bimo propozohet si ambasador në Vjenë

 

Minis-JashtmePas propozimeve të ish-deputetit socialist Ilir Gjoni dhe ish-kreut të komisionit të sigurimit Leonard Demi, Ministria e Jashtme ka bërë gati emrat që do ti propozohen Presidentit të vendit për një sërë lëvizjesh në shërbimin diplomatik. Kështu propozimet e Ministrisë së Jashtme, që mbajnë datën e 13 nëntorit, janë iniciuar në kuadër të reformës e cila është paralajmëruar nga qeveria për ndryshime në shërbimin diplomatik. Propozimi i parë lidhet me ambasadorin e Shqipërisë në NATO Artur Kuko, i cili do propozohet si ambasador në Gjermani e ndërsa do të largohet nga detyra Valter Ibrahimi. Ndërkohë, sipas “Top Channel”, një tjetër emër është ai i Adriana Hodbarit, e cila është propozuar nga ministria e Jashtme  si përfaqësuesja e Shqipërisë në Strasburg, ku këtë detyrë e mban aktualisht si diplomat i Shqipërisë në Gjenevë, Sejdi Qerimaj. Emri i tretë  i propozuar është ai i Drejtorit të Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Socialiste Roland Bimos  si ambasador në Vjenë. Në këtë detyrë, pasi më parë të marrë dekretin nga kreu i shtetit, Bimo do të zëvendësojë Vili Minarollin.

 

Ambasadorët

Ditën e sotme në orën 11:00 në Komisionin e Jashtëm do të prezantohen dy emrat e propozuar nga qeveria si ambasadorë të Shqipërisë në NATO dhe Zvicër, ish-kreu i Komisionit të Sigurisë Leonard Demi si edhe ish-deputeti i PS-së Ilir Gjoni. Të dy të propozuarit do ti përgjigjen pyetjeve të anëtarëve të komisionit, ku edhe do të paraqesin të gjithë veprimtarinë e tyre të deritanishme. Këto dy propozime, së bashku me ato të datës 13 nëntor janë pjesë e reformës që po ndërmerr qeveria në shërbimin diplomatik. Aktualisht Shqipëria është e përfaqësuar në plot 55 vende të Botës me ambasadorë, nga ku 24 prej tyre u ka përfunduar mandati katërvjeçar, ose pozicioni më i lartë i diplomatit, që është “i ngarkuari me punë”. Lidhur me reformën në diplomaci, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka bërë të ditur më parë se qeveria është në kontakte me shërbimin evropian për marrëdhënie me jashtë si edhe me Baroneshën Ashton. Ai ka bërë të ditur në një intervistë të dhënë më parë për Zërin e Amerikës se pas dhjetorit do të nisë një strukturim i thellë i shërbimit diplomatik. “Vendi është përballë disa sfidave të mëdha. Pas marrjes së statusit kandidat me fillimin e bisedimeve për anëtarësim, i gjithë shërbimi me jashtë duhet të strukturohet në funksion të këtij objektivi kombëtar. Është një proces jashtëzakonisht i ndërlikuar që kërkon një eksternalizëm të suksesshëm por edhe reforma të brendshme, pra janë të dyja dimensionet dhe në këtë kuptim racionalizimi i prezencës tonë në botë, i mënyrës se si do të ushtrojmë diplomaci, i shërbimeve, i teknikave i të gjitha këtyre çështjeve do të duhet që të shikohet me një sy sa më gjakftohtë dhe do të duhet që të mos jetë një produkt shqiptar bio, por të jetë në bashkëveprim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, me shërbimin evropian për marrëdhëniet me jashtë, që ka një ekspertizë në këtë drejtim”.

 

 

Paketa fiskale

Konfindustria, qeverisë: Progresiviteti largon investimet e huaja, ndryshimi i TVSH-së godet prodhimin vendas

“Taksimi progresiv na humb konkurrencën me rajonin që ka taksën e sheshtë”

 

Hartimi përfundimtar i paketës fiskale të vitit 2014 nga ana e qeverisë duhet të marrë parasysh kërkesën e biznesit të madh për të mos ndryshuar nivelin e taksimit. Në një reagim publik, Konfindustria kërkoi dje nga ekzekutivi që të jetë i kujdesshëm për të vazhduar me çdo kusht politikën e taksave të ulëta dhe në mbrojtje të prodhimeve vendore.  “Konfindustria vlerëson, se në kushtet e vazhdimit të tkurrjes së ekonomisë vendore edhe në pjesën e dytë të vitit financiar 2013 si pasojë e goditjeve te krizës globale, është e domosdoshme të nxiten nismat investuese dhe sidomos tërheqja e investitorëve te huaj. Në këtë kuptim çdo ndryshim në rritje e nivelit te taksimit të sotëm prej 10%, duke zbatuar shkallën e progresivitetit pa dallim në të gjithë kategoritë e biznesit, do të prodhonte pasoja të drejtpërdrejta të  padëshirueshme në shtimin e investimeve. Mbi të gjitha progresiviteti i taksimit do të ulte konkurrencën e Shqipërisë ne tërheqjen e investimeve të huaja krahësimisht vendeve te tjera te rajonit si Maqedoni, Serbi, Mal i Zi, Bullgari,etj., qe pa përjashtim zbatojnë sistemin e taksës se sheshte 10% për fitimin dhe te ardhurat”, theksoi Konfindustria.

Kërkesa

Në reagimin e saj lidhur me paketën fiskale, e cila pritet të bëhet publike nga ministria e financave pas konsultimit me FMN-në, Konfindustria i kërkoi dje qeverisë që të jetë e kujdesshme ne përcaktimin e produkteve dhe shërbimeve për te cilat mund te ulet niveli TVSH/tatimi i vlerës së shtuar.“Për te gjitha prodhimet fundore në treg, që prodhohen në vend është e këshillueshme, që niveli i sotëm i TVSH prej 20% të mos preket. Përkrahja e shtresave shoqërore në nevoje të kryhet nëpërmjet parashikimit në buxhetin e shtetit dhe jo politikave fiskale, që do të ishin plotësisht të pafrytshme. Në rast të kundërt do të kishim goditje të konkurrencës se prodhimeve vendore në favor të prodhimeve të ngjashme të huaja me pasoja të padëshirueshme për ekonominë kombëtare” përfundoi reagimin e saj Konfindustria. Ndërkohë dy ditë më parë, Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Qendra Austriake për Ekonomi, kundërshtuan aplikimin e taksës progresive. Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Marc Crawford bëri të ditur mbështetjen për taksën e sheshtë.  “Për mua taksa e sheshtë është e mirë. Pra, unë jam pro taksës zero, të kemi vetëm TVSH. Sistemi taksës është 50 për qind, 80 për qind; këta kuptohet para se të shkojnë të investojnë atje. Porse problemi është pas investimi kryesor jo vetëm për thjeshtim”.  Në të njëjtën linjë, Barbara Kolm e Qendrës Austriake për Ekonomi, theksoi se,: “Nëse kalohet nga taksa e sheshtë tek ajo progresive nuk do të thotë që të ardhurat do të jenë më të larta. Madje një ndryshimi i tillë sjell pasiguri për investitorët. Kështu, ju mund t’i largoni ata nga vendi, pasi do të gjenden përballë rregullave të reja të lojës”.

 

box

Drafti i Paketës Fiskale

Paketa e re fiskale do të sjellë ndryshime të mëdha në sistemin e taksave që paguajnë qytetarët dhe biznesi, ku pritet të preken rreth 15 lloje taksash që përfshinë taksat direket mbi biznesin dhe individin si edhe ato indirekte që taksojnë konsumin. Ndër ndryshimet kryesore që sjell paket fiskale janë ato që lidhen me tatimit mbi të ardhurat personale, ku rikthehet progresiviteti i taksimit mbi pagat por edhe burimet e tjera të të ardhurave të individëve. Ky progresivitet pritet të ketë katër shkallë, ku do të mbahet e pandryshuar fasha e mbrojtur për pagat deri nën 30 mijë lekë dhe më pas do të rritet në mënyrë progresive. Nga ana tjetër, taksa e shkallëzuar nuk do të zbatohet vetëm mbi të ardhurat personale, por edhe mbi fitimin e biznesit, ku për këtë të fundit janë parashikuar dy shkallë. Sipas kësaj përllogaritje, bizneset me xhiro nën 8 milionë lekë në vit do të paguajnë një normën dy herë më të ulët se sa bizneset mbi këtë kufi. Ndërkohë që sa i përket shifrës së saktë se sa do të jetë tatimi mbi fitimin, ende nuk ka të dhëna zyrtare nga Ministria e Financave, por një ndër variantet kryesore është ai që parashikon 7.5 ose 8 % për biznesit me xhiro nën 8 milionë lekë dhe 15 ose 16 për bizneset me xhiro më të lartë se kaq. Drafti i përgatitur nga ministria e Financave i paketës fiskale, para shqyrtimit dhe miratimit do të marrë më parë konsensusin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency