Eurodeputeti i PE-së Kukan: Dialog politik, kyç për “skeptikët” e statusit, Shqipëria do 8 vite për tu anëtarësuar në BE

0
134

Apeli i eurodeputetit të PE-së: Rezultatet në reforma të jenë bindëse dhe të mos krijohet mëdyshje

Kukan intervisteKreu i delegacionit të PE-së për Europën Juglindore Eduard Kukan deklaron se dialogu politik është kriteri kyç që kërkohet nga Brukseli në ditët në vijim për të bërë të mundur marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Në një intervistë për “abcneës”, eurodeputeti pohoi dje se Shqipëria duhet të prezantojë provat konkrete për ndryshimin e klimës politike në vend, ku sipas tij, dialogu politik do të jetë kartëvizita e duhur për vendet anëtare hezituese për të mbështetur statusin e kandidatit në dhjetor. “Ne duam të shohim prova të tjera. Ne jemi të shqetësuar për dialogun politik. Duam vërtetë të besojmë që situata ka ndryshuar në këtë aspekt, por kemi nevojë për prova të mëtejshme. Gjatë takimit ndërparlamentar që u zhvillua në Tiranë, ne vumë re shenja  ndryshimi pozitiv lidhur me dialogun politik, por më duhet të them që për shumë çështje të rëndësishme që u debatuan, ne u përballëm me dy versione krejtësisht të ndryshme, krejtësisht kontradiktore nga partia socialiste dhe partia demokratike. Ne po i japim një shans Shqipërisë. Mendojmë që edhe pse gjërat nuk janë ende siç duhen, vendi duhet të marrë statusin e kandidat, si një nxitje për të ecur përpara. Statusi nuk është hapja e negociatave dhe hapja e negociatave nuk do bëhet në dhjetor. Por statusi i jep mundësinë Shqipërisë që të avancojë më shpejt në procesin e integrimit. Pa dialogun politik do të jetë e vështirë që të provohet që klima politike në Shqipëri ka ndryshuar dhe që Shqipëria po zhvillohet sipas standardeve evropiane”, tha Kukan.

 

Integrimi

Duke bërë të ditur nga njëra anë rëndësinë e vazhdimisës së reformave dhe dialogut politik mes palëve, eurodeputeti Kukan theksoi se  edhe grupimi i djathtë i Parlamentit Europian do të votojë pro rezolutës për statusin e kandidatit për Shqipërinë. “Angazhimi që morëm për të votuar rezolutën në 5 dhjetor është një shenjë shumë e mirë. Fakti që çdo grupim politik pranoi që votimi i rezolutës për Shqipërinë të bëhet para samitit europian, është një mbështetje e fortë për Shqipërinë, kjo pasi rezoluta për Shqipërinë është pozitive dhe zhvillimet e fundit në Shqipëri vlerësohen. Si rrjedhim, përveç rekomandimit pozitiv të Komisionit Europian, Këshillit të ministrave j dërgohet një tjetër mbështetjet për statusin e kandidatit për Shqipërinë nga Parlamenti Europian. Mund t’ju them se kishte qëndrim pothuajse unanim  në komisionin e punëve të jashtme të PE-së për të mirëpritur progresin që ka bërë Shqipëria”, tha ai, duke shtuar se arritjet në Shqipëri duhet të konsolidohen.  Ndërkohë lidhur me shtet skeptike si Holanda për statusin e Shqipërisë, kreu i delegacionit të PE-së për Europën Juglindore theksoi se në raste kur ka mazhorancë në vendim edhe këto vende bashkohen, duke marrë parasysh më parë, theksoi Kukan, ecurinë e reformave dhe dialogun politik. “Ka ca eurodeputetë që thonë, që ne s’mund të mbështesim Shqipërinë apo vende të tjera të rajonit, sepse nuk kanë ende standardet e duhura. Po ne s’po ju pranojmë ju si shtete anëtare. Ne e dimë që duhen edhe 8 apo 10 vjet të tjera. Pra, ne s’mund të themi që situata në Shqipëria duhet të jetë si ajo që kemi ne në shtete anëtare, sepse juve ju duhen edhe 8 vjet të tjera për të arritur aty. Por aktualisht në Europë po rritet shumë populizmi. Dhe fatkeqësisht mendoj, se ata do të jenë të suksesshëm. Në fushata elektorale këto teza mbështeten lehtësisht. Ndaj, rezultatet tuaja duhet të jenë bindëse dhe të mos ngrihet pikëpyetje apo të krijohet mëdyshje. Ka disa shtete si Hollanda apo të tjera që janë gjithnjë skeptike për zgjerimin. Por kur ka një mazhorancë të fortë mbështet, atëherë gjërat mund të ndryshojë. Përveç kësaj, qeveria juaj duhet të angazhohet në një dialog  bilateral intensive me këto vende për t’i bindur ato”, deklaroi kreu i delegacionit të PE-së për Europën Juglindore Eduard Kukan.

 

Në  16 tetor, Komisioni Evropian në progres-raportin e vitit 2013 rekomandoi që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, me konsensusin e vazhdimit të reformave deri në dhjetor, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

19-20 dhjetor merret vendimi përfundimtar për Shqipërinë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare të BE-së

 

 

Pesë prioritetet e Komisionit Europian për Shqipërinë për hapjen e negociatave me BE-në

1-Administratë profesioniste dhe të depolitizuar

2-Forcimi i pavarësisë të institucioneve të drejtësisë

3- Lufta kundër korrupsionit

4-Lufta kundër krimit të organizuar

5-Mbrojtja e të drejtave të njeriut, përfshirë romët

 

 

Rezoluta e PE-së votohet më 5 dhjetor

Edhe të majtët e PE-së mbështesin statusin

Eurodeputeti Libor Roucek deklaroi dy ditë më parë se grupi i socialdemokratëve do të votojë pro statusit të kandidatit për Shqipërinë. Sipas Roucek, argumenti për të bindur shtetet anëtare hezituese është se ato s’do të votojnë në dhjetor për anëtarësimin e Shqipërisë, por për statusin e kandidatit. “Fiksimi i datës 5 është pozitiv. Raporti për Shqipërinë reflekton progresin që është bërë gjatë një viti në Shqipëri. Viti 2013 është një vit i mbarë për vendin. Së pari, u aprovua legjislacioni i nevojshëm për rekomandimet e Komisionit Evropian, zgjedhjet ishin sipas standardeve dhe tranzicioni i pushtetit u bë pa problem. Ne do të votojmë rezolutën për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm në datën 5 dhe javën që vijon në seancë plenare në Strasburg”,deklaroi Roucek, duke shtuar se mesazhi i PE-së ndaj vendeve skeptike do të jetë që statusi i kandidatit duhet të jepet në dhjetor për Shqipërinë. Në të njëjtën linjë, me eurodeputetët ka qenë edhe raportuesi për vendin tonë në PE Nikola Vuljaniç, i cili ka deklarua se ka arsye të forta, për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat, për përmbushjen e rekomandimeve të BE-së dhe për stabilitetin e rajonit. “Parlamenti Europian dhe Bashkimi Evropian në tërësi është i vetëdijshëm për rolin që ka Shqipëria në stabilitetin e rajonit. Kemi parasysh edhe faktin se ka një minoritet të madh shqiptarësh në vendet që rrethojnë Shqipërinë. Bashkimi Evropian ju ka kërkuar që të plotësoni disa angazhime, dhe nëse i keni plotësuar, atëherë është e drejta juaj që të hidhni hapin e radhës për integrimin”, ka theksuar Vuljaniç.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency