Ç’po ndodh me faunën tonë të egër?!

0
162

Dr.ing. Zyhdi Vajushi

Gjuetia kërkon ndryshim koncepti

????Sezoni i gjuetisë 2013-2014 është në prag hapjeje të plotë. Të gjithë gjuetarët e presin, por jo me shumë entuziazëm, siç duhej të ngjiste. Kjo është për gjuetarët e rregulltë sepse të tjerët, pra “trimat” nuk e hapin se nuk kanë çfarë të hapin sepse nuk e kanë  mbyllur ndonjëherë sezonin e  shkeljeve në gjueti. Thamë se gjuetarët e rregulltë nuk provojnë ndonjë gëzim të veçantë për hapjen e sezonit sepse në vitet e fundit dhe në veçanti 2012-‘13 mund të themi pa hezitim, se u  mbyll si më i dobëti dhe më i varfëri, s`paku i këtyre 20 viteve të fundit. Pothuajse të gjithë shpendët shtegtar këtë sezon nuk erdhën!? Një sezon i dështuar!! Secili që e njeh sado pak gjuetinë menjëherë do të shprehet se në situatën aktuale kanë ndikuar faktorët klimaterikë, që për hir të së vërtetës, duhet thënë se ato e kanë favorizuar  mjaft varfërimin e këtij sezoni.

Por kjo zë vend deri diku, por jo në themel të problemit, sepse tani dihet nga të gjithë se nga gjahu vendas nuk ka mbetur thuajse asgjë. Dikur në çdo rrugë rurale edhe pranë qytetit lepujt të ndërpritnin rrugën në dritat e makinave, kurse sot makinat me prozhektor hyjnë deri në kopshtet e fshatarëve për të gjuajtur lepujt. Ato pak thëllënza mali që kanë mbetur, janë strukur lart në male!Pra, pa dyshim jemi në prag asgjesimi të plotë të kësaj pasurie që kërkon vite për t`u ripërtrirë. Kjo është  një tabllo e thjeshtë e gjendjes së faunës së egër në rajonin e Shkodrës, e ngjashme dhe për rajonet e tjera të vendit. Kjo është njera anë e medaljes, kurse në anën tjetër te saj “vigjilon” një ushtri e pajisur më së miri me armë gjahu moderne të sofistikuara, me fishekë  të rëndë dhe super të rëndë, me aparatura imituese të fjalës së fundit etj. Nëse i referohemi të dhënave zyrtare të publikuara para disa kohësh në një gazetë del se në Shoqatën e Gjuetarëve të Shqipërisë aderojnë rreth 17 000 anëtarë, kurse në gjithë vendin tonë mbajnë armë gjahu rreth  150 000 qytetarë. Pra vetëm 11%  e tyre aderojnë në shoqatat e gjuetarëve. Anëtarsimi në shoqatat e gjuetarëve krijon mundësi jo vetëm të njohin Ligjin e rregullat e gjuetisë, por edhe të paguajnë kuotën e antarësisë dhe tarifat e gjuetise ndaj shtetit. Për dijeni, kuota shërben për funksionimin e shoqatës së gjuetarëve, dhe është 1000 lek/vit, kurse ndaj shtetit, që përfaqësohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Pyjeve, paguhet tarifa vjetore nga 2 000 – 10 000 lek/vit, sipas zonave të gjuetisë.Tarifa ndaj shtetit, sipas Ligjit të Gjuetisë,ka si destinacion për t`u investuar në zonat e lira të gjuetisë me qëllim për të zëvendësuar dhe ripërtrirë gjahun e dëmtuar nga sezoni i kaluar i gjuetisë. Nga ana e bilancit ekonomik dallohet menjëherë një deficit rreth 90%  në fondin  për investime në sektorin e gjuetisë, të parashikuar teorikisht. Do të ishim relativisht të kënaqur ne, si antarë të shoqatës së gjuetarëve, sikur edhe kjo tarifë që paguajmë çdo vit, të investohej në këtë sektor. Por, fatkeqësisht asnjëherë nuk është bërë  investim në sektorin e gjuetisë, për  popullimin dhe ripopullimin me gjah të zonave të lira. Në këto rrethana kërkojmë me këmbëngulje që në sektorin e gjuetisë të investohet nga ana e shtetit jo vetëm kontributi i jonë, që paguhet për këtë qëllim, por të parashikohen dhe fonde te vecanta për rimkëmbjen e këtij sektori.

Ky shkrim nuk ka për qëllim vetëm kërkesen ndaj organeve shtetërore për borxhin që i kanë këtij sektori. Jo, këtu duhet të shohim dhe do të shtrojmë edhe çeeshtje që duhet t`i marrin në dorë  vetë gjuetarët me anë të shoqatave të tyre. Duke patur parasysh që një ndër faktorët kryesor të dështimit të gjuetisë, është mungesa gati e plotë e gjahut vendas si thëllënëza malit, lepuri i egër  si dhe zhdukja totale në zonat kodrinore dhe fushore e thëllëzave të fushës, sjellë atë që të gjithë shpresat e gjuetarëve të mbeten tek gjahu shtegtar. Por duhet theksuar se edhe gjahu shtegtar është në pakësim në rang botëror dhe ardhja e tij lidhet dhe me situatat klimaterike. Në këto rrethana, pranimi në pasivitet i kësaj situate si dhe qëndrimi në pritje nën moton: “inshallah po vjen gjë nga qielli” jo vetëm s`ka për të sjellur përmirësim të gjendjes, por do të shkojë keq e më keq, sepse sindromi i “urisë” shfarosë çdo gjë që i del përpara. Prandaj, sa nuk është krejt vonë, duhet të fillojmë urgjent që të gjejmë zgjidhjet e nevojshme. Deficiti rreth 90%  i fondit që duhej të vilej nga ana e shtetit për sektorin e gjuetisë, duhet dhe mund të zbutet sado pak nëse arrijmë të shtojmë anëtarët. Ky duhet të jetë objekti kryesor i punës së organeve shtetërore ligjëzbatuese  për sektorin e gjuetisë dhe i shoqatave të gjuetarëve. Një ndër shkaqet kryesore që favorizon  shumë këte faktor negativ, pra mosafrimin në shoqata, është  fryma e përhapur “pragmatiste”, por jo sportive, nën slloganin “si pagove si nuk pagove gjah nuk ka”!! Në fakt për ato që nuk kanë në mbrendësi shpirtin sportiv, kjo është e vërtetë. Ky tip, kur hedh çiften në krahë, kërkon doemos gjah për të mbushut trastën dhe, për fat të keq, të tillë sot janë rreth 130 000 qytetarë!! Siç shihet  “të këqinjt” janë në maxhorancë të theksuar. Prandaj, faktori pozitiv-shoqatat e gjuetarëve, duhet ta marrin në dorë situatën jo thjeshtë me fjalë, por me veprime dhe nisiativa. Për këte më parë duhet të ndryshonjë koncepti për gjuetinë dhe problemet e saj. Në këto rrethana shoqatat e gjuetarëve, në bashkëpunim me organet kompetente shtetërore, duhet të kembëngulin, secili që merr leje për mbajtje arme gjahu të paguajë detyrimet përkatëse ndaj shtetit dhe shoqatës.

Kjo do të krijojë mundësinë që të investohet sa më shpejt për popullimin dhe ripopullimin e zonave të gjuetisë. Është e qartë se do të investohet në ato specie që janë me cikël të shkurtër ripërtritjeje, të kontrollueshme dhe që mund të sigurohen nga tregu vendas ose i huaj.

Këto kushte i plotësojnë sot për sot dy specie gjahu: fazani dhe thëllënëza e fushës.

Sipas informacioneve nga subjektet që tregtojnë dhe menaxhojnë këto produkte del, se çmimi i tregut është:1/ një fazan kushton rreth 1700 lek kurse 2/ një thëllëzë  fushe kushton rreth 800 lek. Investimi prej fondit të mbledhur nga kuotat në fakt prish balancën e funksionimit të shoqatës, por, në situatën që kalojnë gjuetarët, për shkak të pakësimit në minimum të gjahut, mungesës së investimeve nga shtetit në këtë sektor, mosngritjen e rezervateve të gjuetisë dhe shkeljeve të pafundme, kërkohet një zgjidhje. Prandaj për daljen nga kjo situate, mendojmë se duhet të aplikohet një skemë organizative e re nga shoqatat e gjuetarëve. Kjo skemë qëndron në dy  shtylla:1) çdo vit  90-95% e fondit të mbledhur nga kuotat të investohet për popullimin e  zonave me specie gjahu fazan dhe thëllënzë fushe. 2)Menaxhimi dhe zgjidhja e problemeve tekniko-organizative të çdo shoqate gjuetarësh të mbulohen nga 1-2 anëtarë të këshillit me sistem rotacioni në mënyrë vullnetare. Kjo skemë  mund të zbatohet për një periudhë të caktuar deri në përmirësimin e gjendjes. Para mbylljes së këtij shkrimi e shohim të nevojshme që të modelojmë këto të dhëna: Për një shoqatë që ka 800 antarë  fondi kuotizacioneve që mblidhet është: 800 000 lek/vit. Me 90 %  të kësaj shume mund të blihen çdo vit: 423 krerë fazana ose 900 krerë thëllëza fushe. Jo pa qëllim kemi nënvizuar “investim çdo vit”, se në të kundërtën nuk mund të bëjmë përpara dhe nisiativa do të kundërshtohet me shprehjen “do t`i vrasin dhe nuk tepron asgjë”. Kështu do të ndodhte, nëse investojmë vetëm një herë dhe presim që ato të cilat u hodhën në një vit të ruhen për vite të tëra. Nëse do t`i konsiderojmë këto fazana ose thëllëza fushe si “mall konsumi”, siç blen një gjel deti për vitin e ri, atëherë menjëherë në mendje e ndërgjegje je i qartë dhe i qetë; nëse pagove për të blerë një fazan, do të shkosh njëherë e shumta dy herë për t`a gjetur atë fazanin “tënd”, t`a ushtrosh sportin dhe po pate zotësinë do t`a kesh në dorë. Por mos prit që të mbijetojë patjetër deri vitin tjetër. Vetëm me këte koncept për gjuetinë dhe ushtrimin e saj mund të ndryshojmë situatën dhe vetëm në këte mënyrë do të ofrohen edhe ata që sot nuk anëtarësohen në shoqata. Mendoni të nderuar bashkëgjuetarë sa ëndër e bukur do ishte sikur edhe shteti, nën shembullin e shoqatave,do të bënte detyrën e tij: të investonte për sektorin e gjuetisë!! Me tarifën që gjuetarët i paguajnë çdo vit shtetit p.sh.nga shoqata me 800 anëtarë, mund të bliheshin çdo vit : 941 krerë fazana ose 2000 krerë thëllëza fushe!!?

Dhe nëse, këto fonde do të ishin investuar për çdo vit, s`paku për dhjetë vitet e fundit, do të hidheshin: 9400 krerë fazana ose 20 000 krerë thëllëza fushe!! Nëqoftëse pranojmë  një koeficent mbijetese prej 5% çdo vit nga ky popullim, sot fushat dhe kodrat nuk do të ishin krejt bosh!!

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency