Skandali në drejtësi / Unioni i Gjyqtarëve: Skena e improvizuar nga spekulatorë

0
152

Anxhela Tato

Përfshirja e emrit të Xhezair Zaganjorit, Unioni apel për hetime të menjëhershme

 Reagimi pas video-përgjimeve nga emisioni “Fiks Fare” ; Të mos përgjithësohet integriteti i sistemit të drejtësisë

 

drejtesia1-550x360Skandali i korrupsionit që përfshiu sistemin e drejtësisë sjell reagimin e Unionit të Gjyqtarëve, sipas të cilëve nuk është e drejtë përgjithësimi i situatës nga një rast specifikim. Përmes një deklarate shoqata e gjyqtareve thekson: Ne e vlerësojmë dhe inkurajojmë përpjekjet e gazetarisë investigative për të informuar opinionin publik, sa i takon dyshimeve për korrupsion në sistemin e drejtësisë.  Nga ana tjetër, prirja për ta shndërruar ndonjë rast të caktuar në një qasje përgjithësuese, që i atribuohet sistemit gjyqësor në tërësi dhe çdo gjyqtari në veçanti, e komprometon këtë mision, si dhe mohon punën serioze e profesionale të pjesës më të madhe të gjyqtarëve dhe aspiratën e shoqërisë për ndërtimin e besimit të publikut tek drejtësia. Më tej në deklaratën e Unionit të Gjyqtarëve, theksohet se përfshirja e emrit të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, të nderuarit Xhezair Zaganjori, gjyqtar me integritet të lartë moral e profesional, në një skenë të improvizuar nga disa spekulantë të rëndomtë, përbën apel për një hetim të shpejtë e profesional, për të treguar se këto raste nuk mund të shërbejnë si burim frymëzimi për një fushatë populiste kundër gjyqësorit dhe gjyqtarëve. “Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë gjen rastin që të apelojë edhe njëherë se, më shumë se fjalët e retorika armiqësore ndaj gjyqësorit e gjyqtarëve pa dallim, identifikimi jo përgjithësues i përgjegjësive dhe promovimi i vlerave bazuar në merita përbëjnë rrugën e vetme të besueshme për një gjyqësor të pavarur e përgjegjshëm”, – theksohet ne deklaratën e Unionit të Gjyqtarëve.

Reagimi i Shtjefën Lleshit

Kryetari i Gjykatës së Pukës, Shtjefën Lleshi, reagoi dje me një deklaratë publike pas skandalit në emisionin “Fiks Fare”, ku emri i tij përmendet si personi që ka marrë para kundrejt lirimit të disa të pandehurve. Bazuar te videoja e transmetuar mbrëmjen e së enjtes, një qytetar jep emrin e kryegjyqtarit Lleshi, duke theksuar se ka paguar 300 mijë lekë të rinj për lirimin e familjarit të tij dhe po aq te prokurori. Por, ky fakt është mohuar nga Lleshi, duke u shprehur se është i gatshëm që të dëshmojë për pozicionin e tij në çdo rast që do t’i kërkohet nga organet kompetente. “E ndiej përgjegjësi të thellë morale të jap këtë deklaratë para mediave dhe institucioneve të drejtësisë, duke marrë shkas nga emisioni Fiks Fare”, – e ka nisur deklaratën e tij Lleshi. “Them publikisht dhe shpreh indinjatën e thellë, pasi është përdorur emri i kryetarit të Gjykatës për vendimet e masave të sigurimit të dhëna nga ana ime. Ato janë publike dhe të formës së prerë dhe nuk ka pasur as ndikim, e ankim nga palët për to”, – pohon në deklaratën për mediat kryetari i Gjykatës së Pukës. Ai thotë se gjithçka është sajesë në forma të ndryshme që tashmë janë bërë publike, me interes për të shmangur sadopak vëmendjen nga çështja penale dhe për të përfituar nga kjo situatë rivaliteti mes kolegësh. “Gjykata në asnjë rast nuk mund të japë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar nga Prokuroria, neni 244 /3 Kodi i Procedurës Penale. Në rastin e masave të sigurimit ato janë zëvendësuar me kërkesë të të dyshuarve dhe të organit të prokurorisë”, – u shpreh Lleshi. “Përballë kësaj situate, unë do të jem i gatshëm të shpjegoj e sqaroj para organeve kompetente në çdo kohë dhe çdo dëshmi që do të më kërkohet”, – përfundon deklaratën kreu i Gjykatës së Pukës.

Hetimi

Dy javë më parë, Njësia Task-Force e Prokurorisë së Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me korrupsionin në Gjykatën dhe Prokurorinë e Pukës. Ka qenë denoncimi i bërë nga qytetari, të cilit po i kërkoheshin para ryshfet për lirimin e familjarëve të tij, që ka shërbyer për hapjen e hetimeve nga Prokuroria e kryeqytetit. Ditën e djeshme, prokurori i çështjes, Ndini Tavani, ka urdhëruar grupin e hetimit që të sekuestrojë pranë emisionit “Fiks Fare” materialet filmike që disponon ky televizion. Pak orë pas mesditës mësohet se një hetues i Prokurorisë ka marrë në dorëzim materialet filmike, të cilat do të shqyrtohen nga ana e Prokurorisë gjatë hetimeve në lidhje me këtë rast. Sipas organit të akuzës mësohet se gjatë hetimeve të kryera paralelisht nga emisioni “Fiks Fare” dhe Prokuroria, në Gjykatën e Pukës janë liruar katër persona për të cilët është paguar ryshfet. Rasti i personit të fundit për të cilin pritej lirimi ka qenë ditën e martë. Lirimi i tij nuk ka ndodhur për shkak të shtyrjes së seancës së planifikuar në këtë datë. Prokuroria mësohet se kishte pritur pikërisht përfundimin e kësaj seance për të konkluduar veprimet e saj. Mësohet se nën hetim për këtë çështje janë marrë prokurori dhe gjyqtari i Pukës, avokati i të arrestuarve, sekretarja e Gjykatës dhe kancelarja e Prokurorisë si dhe një oficer i Policisë Gjyqësore. Gjatë hetimeve të Prokurorisë mësohet se janë kryer përgjime me autorizim të gjykatës, të cilat kanë vlerën e provës.

 

Plagos kolegun se i vodhi pasagjerët, pranga autorit

Plagosi kolegun se donte t’i merrte pasagjerët, arrestohet drejtuesi i fugonit. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në rrugën Konferenca e Pezës, ku ndodhen fugonat që udhëtojnë për në jug. Nga të dhënat e policisë mësohet se i plagosuri ka mbetur Xhemil Dervishi, i cili është transportuar me urgjencë për në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa në pranga ka rënë autori Albert Hoxha, i cili e ka goditur disa herë me thikë kolegun. Burime nga policia bëjnë me dije se dy drejtuesit e fugonit kanë nisur të debatojë dhe janë konfrontuar fizikisht. Çdo gjë ka nisur pasi i plagosuri Dervishi ka marrë disa pasagjerë në fugon, të cilët sipas autorit ia ka vjedhur. Kjo e lidhur me faktin që i plagosuri kishte pak kohë që kishte nisur punë në këtë zonë. Autori e ka akuzuar se po i vidhte pasagjerët dhe të dy janë konfliktuar. Debati ka degraduar në dhunë dhe në përdorimin e thikës nga ana e autorit. Kanë qenë kolegë që kanë ndërhyrë dhe kanë njoftuar policinë, e cila ka arrestuar autorin.

 

Operacion antidrogë, sekuestrohen 63.5 kg kanabis

Policia e Fierit sekuestroi mëngjesin e djeshëm 3.5 kilogramë kanabis pas kontrollit të një automjeti tip “Benz”, në Mbrostar. Burime nga policia bëjnë të ditur se lënda narkotike u gjet në brendësi të mjetit, me të cilin udhëtonte shtetasi Mariglen Aliaj, banues në Durrës, i cili u shoqërua në polici. Policia po punon për të zbuluar prejardhjen dhe destinacionin e lëndës narkotike. Ndërkohë një tjetër operacion antidrogë është finalizuar në Grykën e Dajlanit, ku u sekuestruan rreth 60 kilogramë kanabis, në një gomone të braktisur. Mësohet se droga është gjetur mëngjesin e djeshëm, e paketuar dhe e fshehur në gomonen 10 metra të gjatë. Policia po vijon hetimet për të identifikuar personat që e kanë fshehur drogën në mjetin lundrues.

 

Automjeti del nga rruga, plagosen 3 persona

Një automjet ka dalë nga rruga dhe për pasojë janë plagosur tre persona. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Qafë Kashar, ndërsa identiteti i të plagosurve ende nuk dihet. Policia bën me dije se të plagosurit janë transportuar në spital dhe gjendja e tyre paraqitet e rëndë. Shkaqet e aksidentit ende nuk dihen, ndërsa policia e mbërritur në vendngjarje ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

Greqi

Shqiptari Arti Janka: Vrava të dashurën, ishim të lidhur prej 1 viti

Arti Janka pranon autorësinë e krimit të rëndë të ndodhur mëngjesin e së premtes, ku mbeti viktimë 43-vjeçaren greke, Natalia Vutsina, nënë e një fëmije 10 vjeç. Ngjarja ndodhi në mëngjes herët, kur 33-vjeçari shkoi në shtëpinë e 43- vjeçares, në Rio të Patras, dhe pas një grindjeje, e qëlloi me thikë për vdekje. Më pas ai shkoi në polici ku u dorëzua dhe rrëfeu krimin. Janka pohoi se kishte vrarë të dashurën e tij. Viktima Natalia Voutsina, 43-vjeçare, ishte pronare e një bar-kafeje në këtë qytet dhe nënë e një vajze 10-vjeçare. Ajo ishte edhe bashkëshortja e një gazetari të njohur grek në qytetin e Patrës. Burime nga policia greke kanë bërë të ditur se 33-vjeçari shqiptar kishte më shumë se 1 vit e gjysmë që punonte për greken 43-vjeçare, ndërsa kishte krijuar edhe një lidhje intime me të. Krimi ka ndodhur në banesën e grekes, mëngjesin e së premtes, kur shqiptari kishte shkuar për të takuar të dashurën. Mes tyre ka pasur debat dhe përleshje. Viktima ka tentuar të bëjë rezistencë, por ka humbur jetën nga plagët e marra në gjoks dhe në shpinë. Sipas policisë greke, rezulton se 43-vjeçarja është qëlluar disa herë me thikë në shpinë, ndërsa ka marrë plagë edhe në kraharor. Autori i krimit ka shkuar vetë në polici dhe në duar kishte gjak. Menjëherë policia ka rrethuar banesën e krimit, që ndodhej pranë stacionit të vjetër të trenit, dhe ka nisur hetimet. Në skenën e krimit kanë mbërritur krerët më të lartë të policisë së Patrës, bashkë me drejtuesit e lartë të qytetit, ku ka ndodhur edhe krimi i rëndë. Deri më tani mendohet se krimi ka ardhur për shkaqe xhelozie. Sipas rrëfimit të shqiptarit, ai ka pasur një lidhje me 43-vjeçaren vitin e kaluar, ndërkohë që kishte punuar në shtëpinë dhe në restorantin e çiftit. Nga ana tjetër, të afërmit e 43-vjeçares Natalia Vucina mohojnë që viktima dhe autori i krimit ka pasur marrëdhënie. Policia po heton për ngjarjen që ka tronditur komunitetin e Patrës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency