Më 5 dhjetor votohet rezoluta në PE / “Shqipëria duhet të marrë statusin e kandidatit”

0
139

Florenc Drizari

Eurodeputeti Roucek: Zgjedhjet ishin sipas standardeve dhe tranzicioni i pushtetit u bë pa problem

 

Parlamenti-Europian_16Parlamenti Evropian pritet të votojë pas katër ditësh rezolutën për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm. Më pas vendimin për dhënin e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë do ta ketë Këshilli i Ministrave në BE, i përbërë nga 28 vende anëtare. Në Parlamentin Evropian, pritet që edhe të majtët të votojnë pro marrjes së statusit kandidat.

Eurodeputeti Libor Roucek deklaron se grupi i socialdemokratëve do të votojë pro statusit të kandidatit për Shqipërinë. Sipas Roucek, argumenti për të bindur shtetet anëtare hezituese është se ato s’do të votojnë në dhjetor për anëtarësimin e Shqipërisë, por për statusin e kandidatit.

“Fiksimi i datës 5 është pozitiv. Raporti për Shqipërinë reflekton progresin që është bërë gjatë një viti në Shqipëri. Viti 2013 është një vit i mbarë për vendin. Së pari, u aprovua legjislacioni i nevojshëm për rekomandimet e Komisionit Evropian, zgjedhjet ishin sipas standardeve dhe tranzicioni i pushtetit u bë pa problem. Ne do të votojmë rezolutën për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm në datën 5 dhe javën që vijon në seancë plenare në Strasburg”,- deklaroi Roucek, në një intervistë për “ABC News”.

Lidhur me hezitimin e disa vendeve anëtare të unionit për t’i hapur dritën jeshile marrjes së statusit të kandidatit nga Shqipëria, sipas europarlamentarit Roucek, mesazhi i Parlamentit do të jetë që statusi i kandidatit duhet të jepet në dhjetor.

Aktualisht ka shtete anëtare që ende hezitojnë t’i japin po Shqipërisë, ku një ndër to është edhe Holanda. Ndërkaq, mbledhja e Parlamentit Evropian vjen një javë para samitit të 28 vendeve anëtare, ku do të merret edhe vendimi përfundimtar për statusin. Sipas eurodeputetit Roucek, PE është në një proces sqarimi për skeptikët në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit.

“Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm këtë vit dhe kjo duhet të reflektohet në vendimin e Këshillit të ministrave të BE-së. Ka disa shtete anëtare hezituese. Ne po sqarojmë këto shteteve, që ato nuk do të votojnë në dhjetor për anëtarësimin e Shqipërisë, por për statusin e kandidatit. Është statusi i kandidatit që i hap rrugën vendit për të filluar shpejt negociatat e anëtarësimit. Për Rumaninë, Bullgarinë apo dhe Kroacinë, procesi i negociatave ka marrë vite. Sigurisht që Shqipëria ka probleme, por vendi mund ti zgjidhë këto probleme, të përmirësojë standardet dhe të reformojë fushat kyçe gjatë procesit të negociatave”, – ka thënë ai.

Dy ditë më parë komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle, i ka dërguar një letër sqaruese ministrave të unionit, ku u shpjegon atyre hapat përpara që ka bërë Shqipëria në periudhën para dhe pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Ndërkaq, në seancën e fundit plenarë në Kuvendin e Shqipërisë, deputetët votuan me konsensus – 105 vota pro rezolutës së Partisë Demokratike për marrjen e statusit të vendit kandidat.

 

Letra e Fyles për statusin

Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, pak ditë para se Këshilli i Ministrave në Bashkimin Evropian të marrë një vendim për çështjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërisë, i ka dërgua një letër rekomandimi 28 ministrave të Jashtëm të unionit. Në letrën e tij eurokomisioneri Fyle u kërkon atyre të votojnë pro rekomandimit të Komisionit Evropian që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit, dukë vënë theksin tek prioritetet që ka mbushur Shqipëria kërkesat e integrimit.

Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Shqipërinë 2013 përshkruan progresin e arritur nga Shqipëria në përmbushjen e kushteve të specifikuara në 2012 konkluzionet e Këshillit për dhënien e statusit të vendit kandidat – shkruar komisioneri për Zgjerimin. Siç është paraqitur në Raport thotë ai, Shqipëria ka miratuar masa të mbetur kyçe të administratës gjyqësore, publike dhe të reformës parlamentare me konsensus bipartizan .

“Përveç kësaj, Shqipëria organizoi zgjedhje të suksesshme parlamentare në qershor 2013 dhe ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar punën e saj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mbi këtë bazë, Komisioni rekomandoi që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit në kuptimin se vendi vazhdon të ndërmarrë veprime në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, – thuhet në letrën e komisionerit Fyle.

 

Rama: Statusi nuk është gati deri në sekondën e fundit

Në seancën e fundit parlamentare, Kryeministri Edi Rama pohoi se disa vende anëtare të BE-së nuk janë plotësisht të bindura për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat në muajin dhjetor. Kryeministri shprehu angazhimin e qeverisë së tij për të krijuar një platformë dialogu kombëtar për integrimin evropian, ku të jetë e përfshirë opozita dhe shoqëria civile.

“Statusi nuk është gati deri në sekondën e fundit, dhe se sigurisht edhe kjo përpjekje, kjo rezolutë, ky debat dhe votimi në fund, ndihmon për të shkuar deri në çastin e fundit me gjithçka ne kemi në dorë që të ofrojmë si shprehje të një vullneti për të avancuar luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsioni në mënyrë të veçantë, ashtu siç e ka nënvizuar edhe KE. Ende duhet të bindim një numër vendesh anëtare, këtë e dimë ne dhe ju, ketë s’kemi pse ta fshehim me këtë dijeni duhet që të gjithë bashkë që rezultati i dhjetorit të jetë pozitiv, dhe Shqipëria ta marrë statusin e vendit kandidat”, – ka deklaruar Kryeministri Edi Rama në seancën e fundit plenare gjatë votimit të rezolutës së Partisë Demokratike për statusin e kandidatit.

 

 

Statusi, Vuljaniç: Jam i sigurt se skeptikët do të japin miratimin

“Shanset që Shqipëria të marrë statusin kandidat janë të mira”. Kështu deklaruar raportuesi i ri për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Nikola Vuljaniç.

Në lidhje me dyshimet që disa vende për t’i dhënë Shqipërisë statusin e kandidatit, Vuljaniç pohoi se ka shtete skeptike, por u shpreh i sigurt se këto dyshime do të tejkalohen deri në marrjen e vendimit përfundimtar në dhjetor.

Sipas raportuesit kroat Vuljaniç: “Disa gjëra të reja kanë ndodhur kohët e fundit në Shqipëri. Shqipëria dëshmoi pjekuri politike me refuzimin e shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë. Me gjithë insistimin e SHBA-së, qeveria shqiptare dëgjoi popullin. Refuzimi, do të kontribuojë në vendimin pozitiv të KE-së”.

Sipas tij, ka rëndësi që politika të mos përfshihet në sistemin gjyqësor apo atë policor, si e vetmja mënyrë për të luftuar korrupsionin.

“Kjo është çështja më serioze, edhe në rezolutë, por edhe në bisedimet që kemi zhvilluar mbi Shqipërinë në Parlamentin Evropian. Duke qenë se partitë politike kanë ndikim serioz mbi gjyqësorin, sistemin policor etj, gjithmonë do të ketë korrupsion. Politika nuk duhet të përfshihet në këto fusha, dhe kjo është mënyra e vetme për ta luftuar këtë fenomen. Korrupsioni është gjithmonë i lidhur me politikën”- u shpreh Vuljaniç për “News 24”.

I pyetur në lidhje me reagimet e anëtarëve të Komisionit të Jashtëm, pas paraqitjes së rezolutës për Shqipërinë, Vuljaniç tha se në përgjithësi komentet ishin pozitive.

“Të gjithë anëtarët u shprehen se rezoluta ishte pozitive, e balancuar, por u kërkua që të futej edhe një pikë tjetër, ku i kërkohet qeverisë shqiptare të bëjë më shumë për të luftuar gjakmarrjen. Sidoqoftë, pjesa më kryesore, ajo për t’i dhënë statusin vendit kandidat Shqipërisë, do të qëndrojë në rezolutë, askush nuk mund ta prekë atë. Kam folur dy tre herë me komisionerin Fyle edhe ai është plotësisht në mbështetje të statusit të vendit kandidat”, – deklaroi Vuljaniç.

Sipas tij, ka arsye të forta, për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat, për atë që ka bërë Shqipëria gjatë viteve të fundit, për përmbushjen e rekomandimeve të BE-së dhe për stabilitetin e rajonit.

“Parlamenti Europian dhe Bashkimi Evropian në tërësi është i vetëdijshëm për rolin që ka Shqipëria në stabilitetin e rajonit. Kemi parasysh edhe faktin se ka një minoritet të madh shqiptarësh në vendet që rrethojnë Shqipërinë. Bashkimi Evropian ju ka kërkuar që të plotësoni disa angazhime, dhe nëse i keni plotësuar, atëherë është e drejta juaj që të hidhni hapin e radhës për integrimin”, – u shpreh Vuljaniç.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency