Krimi / Vrasja e fatorinos 17 vjeç, familja kërkon drejtësi

0
175

Anxhela Tato

Babai i Julian Çunit: Duam pas hekurave Klodjan Morinën, i cili goditi me thikë djalin

Apeli i prindërve të 17-vjeçarit, drejtësia të arrestojë autorët, ndryshe do të detyrohemi të zgjedhim vetëgjyqësisë

 

JulianCuniËshtë mbushur një vit nga vrasja makabre e Julian Çunit, fatorinos 17-vjeçar që iu morr jeta për vetëm 150 lekë, ndërsa në pranga nuk kanë rënë ende dy bashkëmoshatarët, autorë të krimit. Familja e 17-vjeçarit pranon të hapë dyert dhe të rrëfej me detaje ditën e mallkuar të lajmit të vdekjes. Me zërin që i dridhet dhe e përlotur mamaja e 17-vjeçarit ende nuk mund ta besojë vdekjen e djalit, ndërsa shprehet se herë pas here kujton situata të ndryshme në banesë dhe biseda me Julianin. Me vështrim nga fotoja e djalit, mamaja e Julianit kërkon vetëm drejtësi dhe dënimin e autorëve të krimit të rëndë. Për familjen e Julianit duhet që pas hekurave të qelisë të jenë Klodjani dhe Behari, të cilët sulmuam me thikë fatorinon derisa i morrin jetën. Gjatë bisedës Bilali, babai i 17-vjeçarit, tregon se të afërm të familjes Morina kanë tentuar ta takojnë dhe të bisedojnë, por ai nuk iu ka mundësuar. Bilali shprehet se çdo gjë ia ka lënë në dorë shtetit dhe drejtësisë me besimin se autorët do të dalin para gjykatës dhe do të marrin ndëshkimin maksmal për këtë krim. Ndërsa shton se nëse drejtësia dështon, do të detyrohet të ndërmarrë hapin e vetëgjyqësisë, sado e rëndë mund të duket. Të dy prindërit e fatorinos kërkojnë me çdo kusht që policia të arrestojë djalin, i cili ka goditur disa herë me thika Julianin. Ai është Klodjan Morina, i shpallur në kërkim. Ndërkohë që për ta është shumë e padrejtë dhe e turpshme që i vetmi fajtor të gjykohet Sulejman Morina, ndonëse tentativës së tij për të marrë përsipër përgjegjësinë e krimit. Ekzistojnë pamje filmike që tregojnë se Juliani është goditur nga Klodjani, Behari, Sulejmani dhe Hasani.

Një vit nga lajmi tragjik i vdekjes. Si ndjeheni?

– Po mbushet një vit nga ajo ditë e mallkuar dhe e zezë për familjen tonë, që na morri jetën e djalit tonë 17 vjeç. Juliani ishte një fëmijë i shkëlqyer, i cili ka nisur punë që në moshën 13 vjeç. Çdo ditë që kalon jetoj me skena dhe momente nga e kaluara, kur djalin tim e thërrisja dhe e zgjoja që të shkonte për në punë. Ai nuk jeton më dhe asgjë nuk mund të ma kthej më mbrapsht, por unë kërkoj drejtësi, dua që kriminelët, vrasësit e Julian Çunit të arrestohen dhe të dalin para gjykatës, të marrin dënimin e merituar për atë krim, të marrin dënimin maksimal. Nuk ka qetësi në shpirtin tonë, në familjen tonë, vrasësit janë ende të lirë, ndërsa djali im i mjerë prehet në dhe. Si mundemi ne të rrimë të qetë, kur fëmijës tim iu morr jeta nga disa persona, të cilët bredhin të lirë. Ne jemi në pritje që organet e drejtësisë të veprojnë dhe të marrin masat, të gjejnë, të arrestojnë dh të dënojnë Klodjan Morinën, i cili i dha goditjen e vdekjes djalit tim. Nuk më intereson dhe nuk dua që i vetmi fajtor të mbetet Sulejman Morina, pasi djalin tim e goditën me thikë i pari Klodjani dhe më pas djemtë e tjerë.

Jeni thirrur në polici ose prokurori?

-Që nga dita kur ndodhi krimi askush nga policia ose prokuroria nuk ka ardhur në banesën tonë dhe as na kanë kërkuar që të shkojmë të dëshmojmë, ose të na vënë në dijeni se çka po ndodh. U arrestua Sulejman Morina, i cili do që të marrë përsipër përgjegjësinë e krimit, por drejtësia nuk duhet në asnjë mënyrë ta lejojë, pasi djali im u godit me thikë dhe u vra nga Klodjan Morina. Kemi vajtur tre herë resht në prokurori për t’u lidhur me prokurorin e çështjes, por nuk e kemi gjetur dhe nuk na ka pritur. Madje kemi lënë edhe numrin tonë shënim tek sekretariati poshtë, duke i bërë me dije se jemi prindërit e Julian Çunit, por asnjë përgjigje. Jemi sorollatur dhe askush asnjë fjalë. I vetmi që na ka pritur dhe është sjellë si zotëri me ne është vetë Kryeprokurori Adriatik Llalla. Është treguar shumë i mirësjellshëm dhe na ka pritur në zyrën e tij. Kemi biseduar dhe e kemi vënë në dijeni për një video nga skena e krimit, e cila tregon Klodjanin dhe djemtë e tjerë duke e goditur me thika djalin tonë. Kryeprokurori na tha se e kishte parë videon dhe do bënte maksimumin për këtë çështje duke vënë pas hekurave autorët.

Jeni njoftuar për arrestimin e Sulejman Morinës?

-Jemi vënë në dijeni se është arrestuar Sulejman Morina, babai i djemve. Ai madje ka thënë në polici se e ka vrarë ai djalin tonë, por kjo nuk është e vërtetë. Sulejmani ka qëlluar me thikë pas shpine Julianin se kjo shihet dhe në video. Por ne duam pas hekurave Klodjanin dhe djemtë e tjerë, që i morrin jetën Julianit. I pari që e ka goditur dhe sulmuar është Klodjani. Nuk na intereson Sulejmani para autorit të krimit. Drejtësia duhet të punojë dhe të gjejë autorët, të cilët lëvizin të lirë. Ndërsa djali im tretet në dhe. Ne kemi shumë shpresa tek kjo qeveri se do të vërë drejtësinë në vend. Po i lëmë kohë organeve përkatëse që të bëjnë punën e tyre, por nëse nuk do të ndodhë asgjë, atëherë ne jemi të gatshëm për vetëgjyqësi. Nuk mund të rrimë të qetë dhe të presim në pafundësi. Madje me datë 25 nëntor tek vendi i ngjarjes në orën 14:00 organizuam një përkujtimore për djalin. Duam vetëm drejtësi, kjo është e vetmja gjë qe ne kërkojmë dhe kemi shumë shpresa që policia, prokuroria dhe ky shtetet do i çoj në hekura autorët e krimit.

Nëna e Julian Çunit: Mjeku e la djalin të jepte shpirt, nuk i vajti në ndihmë

Në lidhje me ditën e ngjarjes, më kanë ardhur në shtëpi dy shok të Julianit dhe më tha se ai ishte kishte bërë fjalë me disa persona dhe ndodhej në Spitalin Ushtarak. Në ato momente u tremba dhe nuk doja t’i kuptoja dhe t’i pranoja fjalët e tyre. Nuk doja të besoja këto që po më thoshin. Në këto momente bie telefoni dhe shefi i krimeve njofton burri të vinte në spital se ishte i shtruar Juliani. Kur mbërrijmë në spital nuk po e gjenim dot djalin dhe burrit tim i kanë rënë të fikët, pasi mjeku i tha drejtpërdrejt dhe me qetësinë më të madhe se Juliani kishte vdekur. Mbaj mend që ka qenë një polic, i cili tentoi të na qetësonte dhe morri me vete vetëm burrin. Djalin tim e kanë lënë të vdiste në spital dhe askush nuk ia ka ardhur në ndihmë. Mjeku e ka lënë shtrirë dhe as i ka dhënë asnjë qetësues ose t’i mjekonte plagët, ose të ndërhynte. Nëse do të ndërhyhej, ai mund të ishte ende gjallë. Madje kemi marrë vesh nga një pacient, që ishte ngjitur me Julianin, që mjeku roje nuk e preku me dorë. Ai dëgjonte ofshamat që lëshonte Juliani dhe i kërkonte mjekut që të merreshin me të se po vdiste. Djalin tim ma lanë në mëshirë të fatit, këtu po nuk pate miqësi dhe njohje të lënë të vdesësh. Është e turpshme sesi edhe shoferi i fugonit nuk ndërhyri kur ndodhi ngjarja. Ai thoshte që kishte bërë grushte, por nuk kishte asnjë shenjë. Madje edhe kur erdhi në banesë rrinte me kokën ulur. Në zemrën tonë asnjëherë nuk do të ketë qetësi, por vetëm vaj, pasi një fëmijë i shkëlqyer 17 vjeç u vra. Juliani nuk merrej as me drogë, as vidhte, as luante bixhoz, as kishte bërë krime. Ai u vra për lekët e biletës nga disa kafshë. Ata hipën në fugon dhe kishin ndaluar te Zogu i Zi, pasi nuk donin të paguanin lekë. Djali ia kishte kërkuar dhe ata e kishin ofenduar. Kishin zbritur poshtë fugonit dhe i kishin kërkuar që t’i bashkohej se do i jepnin lekët. Nuk arrij dot ta kuptoj sesi një baba nxit djalin të vrasë, duke e ditur pasojat që vijnë. Çfarë prindi është ai, çfarë njeriu është ai që shndërron fëmijën  në një kriminel. Dhe për çfarë, për 150 lekë. Ata njerëz e vraë Julianin me shumë gjakftohtësi dhe më pas hipën në një fugon tjetër për Durrës dhe paguan lekët.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency