Skandali i drejtësisë Shkarkohet drejtori Juridik i burgut të Lezhës

0
136

Anxhela Tato

 

Vendimi, nga Artur Zoto, pas pamjeve filmike të korrupsionit të transmetuar nga emisioni “Fiks Fare”

Regjistrimet, pagesa e 5 milionë lekëve përfshinte edhe punonjësin e burgut të Lezhës

 

 

ZotoShkarkohet drejtori Juridik i burgut të Lezhës. Vendimi për shkarkimin e Leonard Mardodës është marrë nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto. “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndjekur me shqetësim transmetimin e emisionit investigativ “Fiks Fare” të datës 28 nëntor 2013, ku në një rast flagrant korrupsioni është përfshirë edhe një punonjës i këtij institucioni”, – kanë bërë të ditur burimet zyrtare nga burgjet. Drejtoria e Burgjeve ka bërë të ditur se, duke marrë shkas nga situata, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, mori menjëherë masën administrative: Shkarkim nga detyra të Leonard Mardodës, përgjegjës i sektorit Juridik në IEVP Lezhë. “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mban të njëjtin qëndrim me Ministrinë e Drejtësisë për rastet e korrupsionit. Marrja e masave ndaj këtyre rasteve do të jetë gjithmonë konform ligjit”, – thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Përgjimi

Skandali i korrupsionit nxori në pah emrin e Xhezair Zaganjorit. Në pjesën e tretë të transmetuar nga emisioni investigativ “Fiks Fare” shfaqet biseda e regjistruar e sekserit të kreut të Gjykatës së Lartë, i cili kërkon 2 mijë euro në emrin e tij. Ndërkohë, në Pukë, kreu i Gjykatës dhe prokurori vazhdojnë të marrin 5-milionëshin për ndryshimet e masës së arrestit. Të tjerë viktima qajnë hallin, duke treguar se të njëjtët persona u kanë marrë nga 5-6 milionë lekë për lirimin nga qelia. Ndërkohë që, pas publikimit të pamjeve filmike në emisionin “Fiks Fare” të kancelares dhe sekretares së Gjykatës së Pukës, duke numëruar paratë që dha qytetari në këmbim të lirisë, ka reaguar Ministria e Drejtësisë. Përmes një komunikimi për shtyp njoftohet se ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, ka urdhëruar shkarkimin nga detyra për dy punonjëse të administratës në Gjykatën e Rrethit Pukë. “Vendimi i ministrit të Drejtësisë, z. Naço, vjen pas kryerjes së verifikimeve paraprake, bazuar mbi transmetimin në emisionin investigativ “Fiks Fare” të pamjeve filmike ku trajtohej një rast korruptiv që implikonte edhe punonjëset Meliha Kukaj, me detyrë kancelare e Gjykatës së Rrethit Pukë; si dhe Liljana Shkjaun, me detyrë sekretare gjyqësore e Gjykatës së Rrethit Pukë”, – bën me dije komunikata. Më tej thuhet: “Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, inkurajon hetimin e shpejtë dhe të drejtë të çështjes ndërsa shpreh vendosmërinë e institucionit që ai drejton për të luftuar korrupsionin në çdo nivel, duke e vënë theksin në harmonizimin e veprimeve ndërinstitucionale për arritjen e objektivit final. Z. Naço gjen rastin t’i kujtojë çdo qytetari se është i mirëpritur për të dhënë ndihmën e tij përmes një roli aktiv në denoncimin e korrupsionit, duke u bërë një bashkëpunëtor i afërt i institucioneve të drejtësisë në parandalimin e veprimtarive të mëtejshme kriminale. Partneriteti midis të gjithë aktorëve është çelësi i suksesit të luftës kundër korrupsionit”.

Gjermani, mashtroi me sigurimet, 7 vjet burg për shqiptarin

Një shqiptar 45 vjeçar nga Kosova, me qëndrim në Gjermani, është dënuar me shtatë vjet heqje lirie. Trupi gjykues në Gjykatën e Regensburgut (Gjermani) ka zbuluar se ai, duke u paraqitur si i paralizuar, ka mashtruar tri sigurime të ndryshme shëndetësore duke përvetësuar në këtë mënyrë më shumë se 750 mijë euro. Në të gjitha rastet ai ka mashtruar duke thënë se kishte pësuar aksidente në Kosovë dhe “e dëshmonte” se ishte i paralizuar, duke u mbështetur në vërtetimet e mjekëve dhe spitaleve kosovare. Njëri nga sigurimet i kishte paguar 300 mijë franga, ndërsa dy të tjerë, pasi u kishte lindur dyshimi nuk i kishin paguar asgjë. Procesi gjyqësor në Regensburg kishte filluar në muajin shkurt të këtij viti dhe ka zgjatur nëntë muaj. Është interesante mënyra se si 45-vjeçari i ka mashtruar mjekët specialistë gjermanë. Në një rast, kur ai duhej të paraqitej për ekspertizë te një neurologe gjermane kishte sjellë një person të paralizuar, në karrocë të invalidit, ndërsa vetë ishte ne rolin e shoqëruesit të tij. Gjykata e ka dënuar atë me gjashtë vjet e nëntë muaj burg, ndërsa të birin e tij të adoptuar 25-vjeçar, me dy vjet e gjysmë burg për ndihmën e ofruar në kryerjen e veprës penale të të dënuarit kryesor.

 

Greqi

Krim pasioni, vret të dashurën greke, vetëdorëzohet shqiptari

Masakron të dashurën greke në banesën e saj dhe më pas vetëdorëzohet në polici. Mëngjesin e djeshëm, qyteti i Patrës në Greqi është zgjuar me lajmin makabër të një krimi pasioni, që ka për autor një shtetas shqiptar. Viktima Natalia Voutsina, 43-vjeçare, ishte pronare e një bar-kafeje në këtë qytet dhe nënë e një vajze 10-vjeçare. Ajo ishte edhe bashkëshortja e një gazetari të njohur grek në qytetin e Patrës. Burime nga policia greke kanë bërë të ditur se 33-vjeçari shqiptar kishte më shumë se 1 vit e gjysmë që punonte për greken 43-vjeçare, ndërsa kishte krijuar edhe një lidhje intime me të. Krimi ka ndodhur në banesën e grekes, mëngjesin e djeshëm, kur shqiptari kishte shkuar për të takuar të dashurën. Mes tyre ka pasur debat dhe përleshje. Viktima ka tentuar të bëjë rezistencë, por ka humbur jetën nga plagët e marra në gjoks dhe në shpinë. Sipas policisë greke, rezulton se 43-vjeçarja është qëlluar disa herë me thikë në shpinë, ndërsa ka marrë plagë edhe në kraharor. Autori i krimit ka shkuar vetë në polici dhe në duar kishte gjak. Menjëherë policia ka rrethuar banesën e krimit, që ndodhej pranë stacionit të vjetër të trenit, dhe ka nisur hetimet. Në skenën e krimit kanë mbërritur krerët më të lartë të policisë së Patrës, bashkë me drejtuesit e lartë të qytetit, ku ka ndodhur edhe krimi i rëndë. Deri më tani mendohet se krimi ka ardhur për shkaqe xhelozie. Sipas rrëfimit të shqiptarit, ai ka pasur një lidhje me 43-vjeçaren vitin e kaluar, ndërkohë që kishte punuar në shtëpinë dhe në restorantin e çiftit. Nga ana tjetër, të afërmit e 43-vjeçares Natalia Vucina mohojnë që viktima dhe autori i krimit ka pasur marrëdhënie. Policia po heton për ngjarjen që ka tronditur komunitetin e Patrës.

 

Vdekja e Sokol Olldashit, sekuestro pamjeve filmike të tunelit të Kërrabës

Sekuestrohen kamerat e sigurisë në tunelin e Kërrabës për llogari të hetimit të shkakut të aksidentit të deputetit Sokol Olldashi. Prokuroria e Tiranës, pas administrimit në dosje të akt-ekspertimit auto-teknik, ka administruar edhe pamjet e tunelit, ku makina e deputetit duket që hyn dhe del nga tuneli pak minuta para aksidentit. Sipas hetuesve, pamjet nuk janë shumë të qarta, për shkak të shiut në hyrje të tunelit dhe tymit brenda tij. Për të zbardhur ngjarjen, hetuesit e çështjes kanë marr në pyetje pronarin e lokalit pranë vendit të aksidentit në fshatin Mushqetë të Kërrabës si dhe disa banore të zonës, të cilët në momentin e aksidentit kanë shkuar aty pranë. Gjithashtu, prokurorët kanë kërkuar nga kompanitë telefonike zbardhjen në mënyrë analitike të thirrjeve hyrëse dhe dalëse të shoferit të deputetit, për të provuar pretendimin e tij se ka qenë duke folur në telefon në momentin e aksidentit. Ajo që për hetuesit ka një ngërç ligjor, është moskontrolli i tabulateve të deputetit të ndjerë, për shkak të imunitetit që kishte, pasi me anë të zbardhjes së tyre, prokurorët mendojnë se mund të identifikojnë vendin ku ishte deputeti para aksidentit. Për llogari të këtij hetimi, mësohet se prokurorët pas marrjes së tabulateve telefonike të shoferit, do ta marrin atë në pyetje për të sqaruar ndonjë detaj të mbetur enigmë. Shoferi së bashku me deputetin Igli Cara kanë qenë të parët që kanë mbërritur pranë makinës së deputetit dhe më pas, atyre u janë bashkuar edhe dy punonjësit e patrullës së policisë në tunelin e Kërrabës. Prokurorët sqaruan se nga këqyrja e mjetit janë gjetur telefoni, ora dhe çelësat e makinës që i janë dorëzuar familjes, por mbetet enigmë mungesa dhe mosgjetja e portofolit, të cilën familja po e kërkon. Gjithashtu, mësohet se në makinë janë gjetur disa gjurmë gjaku, që janë dërguar për ekspertim krahasues në laborator, ndërsa raporti i mjekësisë ligjore dhe mjekëve biologë ende nuk ka përfunduar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency