Opinioni si një rrethanë e pamënjanueshme

0
153

 

Shteg kritik për ata që e mjerojnë dhe ia rëndojnë frymëmarrjen fjalës dhe mendimit të lirë

 

 

Ese

Elis Buba

 

Efekti i moralit rezulton padiskutueshmërisht të jetë mbi të gjitha nxjerrja pastër e vetes përpara vetes dhe rendit të vlerave që gëzon vetja. Një mik një ditë prej ditësh më shprehu si me fjalë të detyruara, a thua se do bezdisesha ose tromaksesha nga disonanca e paradoksit të mundshëm të këtyre fjalive. “A nuk e vë re edhe ti se lufta e klasave po e rishquan veten?” heshtje dhe vijon mendimi “Ndoshta lufta e klasave nuk ka reshtur kurrë!”

…Sepse paragjykimet, krekosjet dhe kapardisjet ndoshta nuk do të rreshtin kurrë. Belbëzimi përmblidhet nën gjuhët e hekurta, që dashur e padashur lëshojnë zymtë nga një “E di ti kush jam unë?!” Është e lehtë të mirëkuptohesh me kohën, atë nuk e mban askush, kundrejt saj dorëzohemi, edhe pse nuk e pranojmë, duke pohuar këmbëngultësisht se e kemi bërë tonën. Koha ka flakur dhe flak mbeturina herë pas here. Kryesisht mbeturina të karakterit pa kualitet. Molepsje të unit dhe kaosit përqark imazhit për veten dhe imazhit të të tjerëve për veten. Çështja është se hedhja tutje e këtyre krundeve në mendime e sjellje, nuk është e mjaftueshme, ose ndoshta është vetëm një formë konspirative që proklamon ndryshimin edhe pse ai mbetet ende i padukshëm për një sërë individësh.

Për fat jo të mirë, koha nuk i shpërbën mbetjet. Fizikisht kjo do të qe një shfaqje e zgjidhjes, sidoqoftë e tëra utopike. Zgjidhja e kësaj varieteje ambulante, që po pengon qytetërimin, civilizimin e mirëfilltë, të depërtojë e të bashkekzistojë tok me ne. Sistemi në vendin tonë, përpos defekteve të panumërta, që na shtyjnë herë-herë të rrotullojmë kokën nga perëndimi si destinacion jetese, has në kleçka të mendjes ose mendjeve të cilat duhen ende studiuar. Çudi sa të vegjël na ngjajnë të tjerët porsa ngjisim një ose dy shkallë. Jam më se i sinqertë! Me vendosjen e rrudhave të lakut të një kollare në qafë, ndodh një metamorfozë që e shndërron individin nga njeri, në një njësi të shndërrueshme, shumëngjyrëshe, shumëformëshe. Një kameleon trajtash, në kapërcell mes njërës formë dhe tjetrës. Krejt elastik dhe i dyzuar në mendime. Plot me perpleksitete e pagjumësi. Hallet e vogla u zgjidhën, tani na zënë të mëdhatë. Çudi për nder, sa i vogël na duket ky qytet, kur adhuron hapat e hedhur Evropës mbarë. Gëlltisim nja dy-tri fjalë të mëdha e i ripërtypim si bagëti herë pas here, për t’i bërë përshtypje miletit. Për t’i treguar ç’mall jemi, ku ca më të mençur, ku ca më të fisëm. Sa të rafinuar aq edhe me shije e ndjenja të holla. Shohim gjithnjë e më rrallë prejardhjen, diku i druhemi konservatorizmit. I druhemi gjurmëve që na sollën, rrënjëve tona, bërrylave të lëshuar deri në këtë pikë, brinjëve të atyre që haptas na u lëshuan kundër. Si nuk po e përjetuakemi dot këtë ndjenjë të brendshme të koherencës mes asaj gjëje që është dhe asaj që pretendojmë të jetë. Mes asaj që jemi dhe asaj që iluzionohemi se jemi.

Ju lëpica mahnitës që vetëtinit nga parimet. Ku i fshihni parimet, kur mbërrini aty ku donit të mbërrinit? E përflakni imagjinatën me idiotizëm. Në hierarkinë e ngritur mes mendimit dijes dhe instinktit për të bërë shfaqje me llafe të trasha, nuk ka ndarje të qartë hesapesh. Sot jetojmë në Shqipërinë e intelektualëve, në Shqipërinë e doktoraturave, në Shqipërinë e docentëve, e dordolecëve, e guhakëve, e memecëve dhe të pacipëve. Është fakt, nëse ndjen turp sot, turp të të vijë, për këtë parazit provincial të shpirtit. Eh të mrekullueshmit si Dyma, me dy fjalë t’i zbërthejnë dokrrat e t’i shkundin pleshtat. “Kam parë se si dy metra mëndafsh, e shndërron menjëherë një zagar në aristokrat”. Art me peshë. Fjalë të shtëna ndër faqe që atëherë kur bota nuk kishte arritur ende ta vlerësonte në masën e duhur, parimin e praruar të lirisë së fjalës. Duhet ecur me të drejtë përpjetë zotëri. Aty ku lakmon dijen, lakmoje për vete e jo thjesht si një ornament të dorës së parë, që e shpalos anekënd derisa bëhesh krejt bajat.

Shkurt fjalëve miku im, me ty e për ty po flas. Me ty që zbehesh, thahesh e varesh në fytyrë, kërkon sy përkrahës e ligesh sa herë që dëgjon të tjerët të thonë të vërtetat shqeto e më sojshëm se ti. Bën çudi me emrat e rinj të fjalës e mendimit të lirë. Sokëllin me mendimet e bashkëmoshatarëve që kanë një opinion. Pezmatohesh keq, thjesht dhe vetëm për këtë fakt. Nis e shet pazareve diplomat, meritat, CV-të, si targa të vjetra që ndjellin vetëm vështrime mospërfillëse. Pozon në poltrona ku je i vetëdijshëm se nuk ke vend. Merr përsipër detyra që nuk kanë të bëjnë me personin tënd. Ulesh e ngrihesh me njerëz që nuk njohin asgjë nga ti, duke qenë se nuk dalin do të nga luspat e të qenit persona fasadë krejt si ti. Ndjenjat të zbrazen dhe zëri t’i humbet akordet e fuqishme e kjo i shushat të gjithë ata që të njohin. Impostohesh që automatikisht të shprehesh siç ke lexuar, pa dalë kurrë tek mendimi dhe qëndrimi yt origjinal. Trallis dynjanë auditorëve të shkollave, ku përcjell me nga një diplomë të spërkatur me bojë, jo individë të veçantë, por fotokopje të vetes. Këta, kam përshtypjen, janë edhe tipat që adhuron mes të tjerësh. Ndjek të qeshura djallëzore, tendosesh papritmas, përpëlitesh këmbëngulshëm për vëmendje. Kap ritmet e lehta kërcyese të bisedës, më pas nanurisja, e qeshura e shtirur dhe e mbërthen bisedën i freskët serbes. Nis flet për gazetarinë, psikologjinë, pedagogjinë, publicistikën, letërsinë, politikën. Plandosesh në qendër të një fruti të shijshëm vëmendje dhe azdisesh me fjalë. I kap tërë caqet e dijes me citate nga të tjerët, me ide të huajtura.

Të qenit marionetë e sistemit ose e dikujt brenda sistemit, duhet shpallur e jashtëligjshme. Pikërisht kështu. Të shohim ç’do të bëhet me vetë sistemin pastaj. Aq më tepër vetshpallja marionetë edhe pse ende e askujt, është një fshikëllimë irrituese e dinjitetit si koncept. Për më tepër shfaqje e pakundërshtueshme lajthitjeje e mungese karakteri. Të të mungojë karakteri do të thotë të mos kesh asnjë rol të përcaktuar mirë në shfaqje. Të mos dish të jesh dikush.

Ngulite mirë opinionin tim zotëri. Opinioni im është se me të mirë, mes këtij mileti, je si një i verbër mes grabitqarisë së hajdutëve, një i sinqertë mes mjeshtrave të marshtrimit. Opinioni është i lirë. Është e drejtë dhe detyrë e kujtdo.

E nisur nga një proçkë, nga një tekë verbale, e gjithë kjo mërzi, i gjithë ky nervozizëm, i referohet bijve dhe bijave të atyre që enjten dita-ditës nga nostalgjia e të dikurshmes, kur ishin mirë, ndërkaq që të tjerët ishin keq. Sa për dijeni, slogani neokomunist është “Ishim më mirë, kur ishim keq”. Ky i fundit për merakçitë, që nuk duan të kuptojnë, do të përkthehej ose përshtatej kështu; “Ne ishim më mirë edhe kur gjithë të tjerët ishin keq”. Përqeshje sterile e fatit të viktimave të pesë dekadave e kusur. Nuk e përmbajnë një si përqeshje të urgjentshme edhe ata që ju hidhnin prangat mbi pulset psherëtitës, ata që kurrë nuk u dënuan. Dosiet e të cilëve u harruan edhe pse duhet të hapeshin të parat. Të gjithë u distancuan nga tmerret e mendjes së diktatorit. Por ekspertiza që i bën mendja kujtesës së ndotur, është instiktive. Instinktivisht nisin e projektohen një për një diapozitivat inkriminuese, frika, dhuna, gjaku dhe urina që gjejnë të njëjtën rrugëdalje, skiç. Të gjithë i bënë larg shkrehjeve të pushkëve në mish. Pështirosem edhe pse sot më shkujdesur se më parë, nga pedantizmi në sjelljen obsesive dhe halabake të bijave dhe bijve të kuq. Nga monizmi në dejet e tyre. Dua të mos ketë më nga ata që si nga froni sugjerojnë të tjerët të gjejnë ndonjë punë, e ti lënë mënjanë opinionet gazetareske e televizive. Me shpërfillje si mbrapa qelqit të një ekrani, bëjnë të pamundurën që të plaçkitin me dhunë rrenash aspiratat humane të individit, për të progresuar.

…Faleminderit, por vetes time i referohem si i punësuar, i vetëmjaftueshëm, i vetëveshur e i vetëmbathur. Nuk lyp lëmoshën e askujt mbi dhe’, sepse i them faleminderit krahëve të mija, për ç’do kacidhe që kam në xhep. Përgjithmonë krenar për vullnetin që më ka kushtuar ç’do kacidhe që kam në kokë.

Sa i takon proçkës e tekës suaj verbale, mësoni një herë e mirë. Opinioni është pronë e secilit. Është e drejtë dhe detyrë e civilizimit të mbarë botës të mos shkasë në klishe dhe përralla plot patos patetik, por të mendojë me kokën e tij. Mendimi vërtet është pronë e të privilegjuarve, por në këtë rast privilegji vjen prej të menduarit e jo prej veçorive të tjera sociale. Ndaj askujt nuk i mohohet ky privilegj. Koha e kockave të vjetra me mendime gjysmë të reja, do bëhet shpejt e shkuar. Përndryshe monizmi mendor është hapi tjetër që e pret këtë popull të vuajtur. Kam arsye që e shpreh këtë. Të drejtojmë pak vëmendjen kritike nga mediat. Teatër dhe shembull keqdashje reciproke. Komisaret e shpifjeve, me përjashtime të pakta, shembull përçarjesh, shembull çnjerëzimi. E para në mëngjes dhe e fundit në mbrëmje, përshëndetja e medias mbetet ajo, drejtuar zonjave dhe zotërinjve. Parullat e shkruara po ato. Të shkruara e dizenjuara gjithë art tanimë, nëpër ekrane dhe faqe gri gazetash. Kohëngrënëset më gjaksore të individit të thjeshtë. Duke qenë një popull gjaknxehtë, hiperpraktikë, pa ndjenja të theksuara reflektimi e mendimi, “mendja jonë e përbashkët”, sistemi ynë i të hetuarit, funksionon mjaft thjeshtë. Nëse këta të shquarit, të famshmit, të shkolluarit, japin shembull agresiviteti dhe antiqytetarie në jetën dhe veprën e tyre, atëherë pse ne të tjerët duhet të aktrojmë ndryshe. Edhe ne duhet të kemi të drejtë të natyrshme ose jo, që të shkelim ligj pas ligji, pa e ndjerë fare të rënduar ndërgjegjen. Përderisa nga monitorët e shumtë televizivë na ofrohet ditë pas dite xhungla e spërkatur me kolonjë të zgjedhur burrash bisha, atëherë o burra le të harbojmë si në xhungël.

Personi dhe antipersoni strukturojnë një të tërë në kolaps e sipër. Një mungesë e theksuar edukate, respekti, mikpritje e mikpërcjellje, mungesë fjalori, mungesë nderi e ndjenje të kulluar burrërore, të gjitha bashkë e të tjera, po ndihmojnë në parcelizimin e vendit në zona interesi, në zona influence, në zona rekrutimi e në zona indoktrinimi. Po ndërtojmë një paralelizëm konkret me historinë tonë të shkuar, ende të pa korigjuar seriozisht. Paralelizëm mendor. Duart pa gjurmë, që monopolizuan dhe monopolizojnë gjithçka, epshojnë për tja mbërritur këtij qëllimi jo vetëm me fjalën e lire, por edhe me mendimin e lirë. Me anë të informacionit dhe çorbës përçartëse të demagogjisë në të.

Inkurajoj të gjithë të shfaqen me anë të mendimeve të tyre. Thuhet se është koha të reflektojmë. Pse diçka nga këto reflektime të mos e bëjmë publike?! Siç po bëjnë “tirtetë” e mendimit shqipshkrues. Me vepra letrare të servirura si vepra shkencore. Hollësitë në to ngërçojnë vetëdijen e popullit, por janë mendim i lirë. I proklamuar e stërproklamuar nga ju, “të licencuarit” për të sorollatur fjalë poshtë e përpjetë. Shkenca e vetme sot, është shkenca e mikut. Kush ka për të thënë diçka, le ta thotë, le ta shprehë. T’ia shohim bojën një herë. Të vlerësojmë lëkurën e tij për aq sa vlen.

Pseudoprofesorët, pseudointelektualët, pseudostudiuesit e kushdo tjetër që valëvit fjali të huazuara nga vëllime të para 100 a më shumë vjetëve, duhet të kuptojnë se ka edhe individë që nuk e marrin parasysh luftën injorante të klasave. Nuk u shfaqet si i papritur peizazhi i shkretë i lënë pas saj. Pluralizmi, nëse vërtet e duam, dikton një marrëdhënie ku strukturalisht jepet e merret e jo vetëm merret e merret. Pluralizmi është përjashtues monologësh dhe brohoritës dialogësh. Ndaj fjalët unë do t’i dëgjoj kur të mi thuash, por kij mirësinë e sinqertë që edhe mua të mi dëgjosh fjalët kur të t’i them.

Që sistemi të vihet në zbatim, duhet të konceptohet si i zbatueshëm. Me një mentalitet të viktimizuar, që mban mbi supe tallje serioze si; “Shqipëria s’bëhet kurrë!”, idealet marrin fund. Mbrojnë gjurmët pa mbarim të krimeve e vënë flamuj të zinj mbi kryet tona, ata që nuk duan të mira për ne. Ata që nuk duan të mendojmë, ata që piratojnë idetë tona, ata që riciklojnë nga shkrimet e të tjerëve, për të mbushur fletët e llafosjeve të tyre.

Miq që kërkoni vetëm të vërteta, miq që përcillni me sy këto radhë, kujtoni kush ja dha nga sytë këmbët nga Shqipëria në fillim të viteve ‘90. Kush rikthehet herë pas here si hero i popullit, për të kositur simpatinë, duartrokitjet dhe lëvdatat pasagjere në gojët e një shpure njerëzish të padrejtë, që fërkojnë duart duke thënë ja hodhëm? Ja hodhëm paq, këtij lolo mileti, që harron sa hap e mbyll sytë. Që bie në avazin e përjetshëm. Humbet në hamendje e qorrsokakë historikë, sepse nuk ja kanë treguar kurrë të vërtetën e historisë së tij. E gjitha bëhet për të shtyrë edhe më manipulimin me vetëdijen e tij. Kurrë nuk e kanë aprovuar me plotë gojën të drejtën e mendimit dhe fjalës së tij. Aq më tepër ata që ruajnë njëri-tjetrin në llogoret ovale, aty ku bashkë me qejfet shtrembërohej e shtrembërohet historia, aty ku kalon si përmendore emocionesh ideja e rishpalljes së luftës së klasave.

Mendja jonë, e shqiptarëve, një skarpatë me gjelbërim të ëmbël pranveror. Asgjë e veçantë në të, veç një uni gjigand.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency