Dy shtete, një komb, drejt një tregu të përbashkët

0
177

Ervin Kaduku

 

Numri i bizneseve shqiptare të regjistruara në Kosovë është rritur dukshëm nga viti 2008, kur edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në Shqipëri veprojnë mbi 300 biznese kosovare. Ndërkaq, në Kosovë veprojnë mbi 500 biznese shqiptare

 

treguDitët e festave të kombit nuk mund të harrohet që shqiptarët vijojnë t’i jetojnë jo vetëm në një shtet, por në disa në Gadishullin e Ballkanit. Megjithatë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është rritur jashtë mase bashkëpunimi ekonomik, falë përpjekjeve që bëri menjëherë dhe në vazhdim qeveria e djathtë e Tiranës. Por, a mund të ecet më tej? Kjo është një sfidë që duhet ta përballojë tani qeveria e re dhe ku mund të kontribuojë fuqishëm opozita. Kjo sfidë e ka emrin treg i përbashkët, që do të fshinte pengesat e fundit midis shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi apo Maqedoni.

 

Problemet

Bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është i përqendruar kryesisht në shkëmbimin e mallrave. Vlerësohet se këto dy shtete gjatë shkëmbimeve tregtare, vazhdojnë të hasin në vështirësi dhe konsiderohet se nuk kanë arritur të kenë marrëdhënie tregtare në nivel të kënaqshëm.

Shqipëria dhe Kosova kanë të nënshkruar protokollin e bashkëpunimit ndërqeveritar, i cili ishte vlerësuar si një dokument i rëndësishëm që do të stimulonte bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy shteteve.

Numri i bizneseve shqiptare të regjistruara në Kosovë, është rritur dukshëm nga viti 2008, kur edhe është shpallur pavarësia e Kosovës.

Në Shqipëri rezulton se veprojnë mbi 300 biznese kosovare. Ndërkaq, në Kosovë veprojnë mbi 500 biznese shqiptare.

Udhëheqësja e Divizionit për Marrëveshje Tregtare në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Sytrime Dervisholli, ka deklaruar këto ditë se deri më tani bashkëpunim ndërmjet këtyre dy shteteve nuk ka qenë në nivel të kënaqshëm, por që asnjëherë nuk ka munguar vullneti nga të dyja palët për një bashkëpunim më të theksuar.

“Në shkëmbimet tregtare që i ka Kosova me Shqipërinë nga vitit 2010 deri në vitin 2012, ka një rritje të eksportit dhe importit. Vlen të theksohet se në vitin 2010 eksporti ka qenë 30 milionë euro, ndërsa në vitit 2012 ka qenë 40 milionë euro”, – tregon Dervisholli për Radion Evropa e Lirë.

Në shkëmbimet tregtare të këtyre dy shteteve kryesisht dominojnë metalet. Kosova eksporton hekur mbeturinë (skrap), si edhe një sasi të vogël tubash çeliku, ndërsa importon hekur për ndërtim.

Gjatë vitit të kaluar, Kosova dhe Shqipëria kanë pasur probleme në tentimin e bllokadave për produktet e patates dhe çimentos, ndërsa gjatë këtij viti autoritetet në Prishtinë nuk lejuan hyrjen në territorin kosovar të prodhimeve të qumështit, ndërsa vetëm një ditë më pas, autoritetet shqiptare nuk kishin lejuar hyrjen e miellit kosovar matanë kufirit.

Dervisholli thotë se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë vazhdimisht ka punuar për largimin e barrierave që kanë pasur këto dy shtete.

“Në kuadër të CEFTA-s, është paraparë të shtohet bashkëpunimi me të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë edhe Shqipërinë, sidomos në fushën e mallrave shërbimeve dhe investimeve të huaja”, – shton Dervisholli.

Në anën tjetër, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, këto probleme po rrjedhin nga mospërgatitja e një plani veprimesh që do të tregonte rrugën dhe kohën e realizimit të masave që do të lehtësonin dhe zgjidhnin problemet e një ekonomie të integruar.

 

Një zgjidhje reale

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Musa Limani, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se proceset integruese ekonomike dhe marrëdhëniet tregtare ndërmjet këtyre dy shteteve, duhet të intensifikohen në Union Ekonomik.

“Union Ekonomik do të thotë të formojnë tregun e përbashkët. Unioni ekonomik karakterizohet me këto elemente, do të thotë duhet të jetë qarkullimi i lirë i mallrave, qarkullimi i lirë i kapitalit, fuqisë punëtore, shërbimeve. Nuk duhet të ekzistojnë barriera administrative dhe as të politikës fiskale sa i përket tregtisë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”, – vlerëson Limani.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency