Cili flamur u ngrit në Vlorë?!

0
278

Ilirjan Gjika

 

Vitet e fundit autorë të ndryshëm kanë shkruar rreth historisë së flamurit që u ngrit në Vlorë në mënyrë simbolike nga Ismail Qemali. Me argumente të shumta dhe aludime, të gjithë janë përpjekur që të servirin historinë e vërtetë të këtij objekti, që sot nuk ekziston në ruajtje në ndonjë muze apo arkiv dhe që është bërë tashmë “subjekt” i një debati të gjerë mediatik. Me të drejtë, lexuesit dhe opinioni publik mund të pyesë, se cili ishte flamuri që u ngrit në Vlorë?

 

 

27 nentor imazh flamuriVitet e fundit autorë të ndryshëm kanë shkruar rreth historisë së flamurit që u ngrit në Vlorë në mënyrë simbolike nga Ismail Qemali. Me argumente të shumta dhe aludime, të gjithë janë përpjekur që të servirin historinë e vërtetë të këtij objekti, që sot nuk ekziston në ruajtje në ndonjë muze apo arkiv dhe që është bërë tashmë “subjekt” i një debati të gjerë mediatik.

Me të drejtë, lexuesit dhe opinioni publik mund të pyesë se cili ishte flamuri që u ngrit në Vlorë? Ndërkohë që në “arkivat” e shtypit të shkruar, i cili është marrë gjerësisht me këtë problem, mund të gjejë rreth njëmbëdhjetë variante të ndryshme historish.

Ato i formuloi dhe specifikoi si të tilla, studiuesi Niko Kotherja, në shkrimin e tij me titull: “Cili është flamuri që u ngrit në Vlorë më 28 nëntor 1912”, botuar në “Gazetën shqiptare” të datës 28 nëntor 2010. Midis tyre, autori citon edhe dy variante, të cilat kanë diçka substanciale dhe shumë gjëra të përbashkëta. Ata janë variantet, të cilët Niko Kotherja i specifikon me numrat tre dhe tetë. Duke i lexuar me vëmendje shikon se ata theksojnë të njëjtën fakt, atë që flamuri i ngritur ditën e Pavarësisë në Vlorë është flamuri i don Alandro Kastriotit.

Tek varianti variant i tretë i këtyre tezave, Niko Kotherja, citon shkrimet një tjetër sudjuesi, Zeko Braho. Ky i fundit tek monografia e tij e botuar në vitin 1990, për Marigo Posion, shkruan se: “Bejlerët e Vlorës thoshin se këtë flamur ua kishte falur atyre don Alandro Kastrioti” (Zeko Braho, Marigo Posio, Tiranë, 1990, f. 19). Ndërkohë që tek i njëjti shkrim, në variantin e tetë të historive mbi flamurin e Pavarësisë, Niko Kotherja, citon kujtimet e Eqrem bej Vlorës, njërit prej pinjollëve të familjes Vlora, i cili dëshmon se flamuri që u ngrit atë ditë u mor me urdhër të Ismail Qemalit nga dhoma e tij.

Por ç’thotë në realitet Eqrem bej Vlora për këtë ngjarje. Në kujtimet e tij të botuara në gjermanisht në vitet 1968 dhe 1973 si dhe të botuara shqip në vitin 2003 ai shkruan: “…don Alandro na ftoi për darkë në vilën e madhe si pallat ku na njohu me shoqërinë e lartë të pranishme. Pasi përfundoi darka një shërbëtor solli një kuti kadifeje të kuqe mbi një tabaka argjendi dhe e vendosi para don Alandros. Ai u ngrit dhe mbajti një fjalim të bukur… dhe pastaj hapi kutinë e kadifenjtë dhe nxori prej andej një flamur shqiptar, një shqiponjë e zezë dykrenore në fushë të kuqe dhe ma dha mua…”

Pesë vjet e ruajta këtë flamur në dhomën e gjumit varur me një gozhdë anash krevatit, derisa erdhi vërtet dita që kishte profetizuar don Alandroja. Krejt papritur e krejt rastësisht ky flamur u ngrit vërtet si simbol i Pavarësisë së Shqipërisë (Eqrem bej Vlora, “Kujtime 1885-1925”, Shtëpia e Librit e Komunikimit, Tiranë, 2003, f. 215 ).

Ndërsa pak më poshtë në të njëjtin libër, “Kujtime 1885-1925”, Eqrem bej Vlora, i cili ditën e ngritjes së flamurit ndodhej në Kuç, në jug të Vlorës, për të mbrojtur vendin nga sulmi i ushtrisë greke tregon: “Një javë pas kthimit tim në Vlorë, çova Murat bej Toptanin dhe Hydai efendin tek Ismail Qemali, duke iu lutur të më kthente flamurin që i pata huajtur. Më premtuan të ma kthenin atë menjëherë, sapo zonja Marigo Posjo (një atdhetare e madhe demokrate, por që i pëlqente reklama) ta kishte qepur e qëndisur flamurin e ri. E pra, më 28 nëntor kryeobjekti i ditës, flamuri si simbol i pavarësisë, me atë pakujdesinë tipike shqiptaro-lindore ishte harruar. Për më tepër shumica nuk e dinte sesi ishte ai. Kurrkush më përpara as e kishte parë, as e kishte mbajtur. Askush në Vlorë nuk kishte flamur në shtëpi. Shtetformuesit ranë në hall dhe vështruan njëri-tjetrin të hutuar. Atëherë ngrihet miku im Hydai efendiu dhe thotë se në dhomën e gjumit të Eqrem beut varet në mur një flamur shqiptar, i futur në një kornizë të bukur. Dhe pyeti se a mund të merrej pa qenë aty i zoti? Ismail beu i dha leje dhe kështu flamuri që dikur don Aleandro Kastrioti më kishte dhuruar solemnisht në Paris, shtegtoi në konakun fqinj dhe ra në duart e Ismail beut, i cili ia dorëzoi Murat bej Toptanit, me porosinë ta varte jashtë, ndërkohë që vetë qëndronte në dritare. Mijëra njerëz u mblodhën në sheshin para shtëpisë dhe në kopsht, duke brohoritur “rroftë, rroftë…” ( Eqrem bej Vlora, po aty, f. 313-314 ).

Kështu deri para pak kohësh kjo histori është trajtuar si një nga njëmbëdhjetë variantet që aludohen mbi flamurin e pavarësisë. Por pikërisht këtë vit na vjen një indikacion tjetër në mbështetje të kësaj teze, që i jep asaj përparësinë si historia më e besueshme deri më tani në lidhje me të gjitha historitë që pretendojnë autorë të ndryshëm.

Është pikërisht libri me kujtime i Syrja bej Vlorës i titulluar “Nga Fundi i Sundimit Osman Në Luftën E Vlorës”. I botuar nga Instituti i Historisë i Qendrës së Studimeve Albanologjike, ai na jep dëshmi të tjera rreth historisë së shumëpërfolur të flamurit që u ngrit ditën e pavarësisë kombëtare në Vlorë. Ajo që na intereson ne është pasazhi i shkruar nga Syrja Vlora në faqen 70. Në të thuhet: “…Më 28 nëntor, me dëshirën dhe pëlqimin e të gjithëve, u vendos të ngrihej flamuri i Shqipërisë dhe të shpallet Pavarësia Kombëtare. Pasi atë ditë nuk kishte mundësi të përgatitej flamuri, u mor nga shtëpia jonë një flamur, që djali im Eqremi që nga viti 1908 e ruante me plot nderime. Ai u ngrit në mes të manifestimeve e brohoritjeve gazmore të popullit (Syrja bej Vlora, Kujtime, Iceberg, Tiranë, 2013, F. 70) .

Pra kemi një tjetër burim që na vjen brenda familjes Vlora që na dëshmon për të njëjtin flamur. Ndërkohë që me historitë e flamurit që u ngrit ditën e pavarësisë, janë marrë autorë të ndryshëm, të cilët janë përpjekur që të na sjellin nëpërmjet dëshmive dhe argumenteve të protagonistëve të kohës variantin më afër realitetit. Variant që na dëshmon se cili ishte personi që e solli flamurin që u ngrit nga Ismail Qemali. Në morinë e dëshmive të tyre ka diçka që nuk shkon. Pikërisht këto janë dëshmitë e Spiridon Ilos, Kol Rrodhes, Thoma Ifticës, gazetave “Hylli i Dritës” apo “Kolonja” të cilat njëkohësisht kundërshtojnë dhe mohojnë njëra tjetrën dhe na çojnë përsëri tek pyetja se cili flamur u ngrit në Vlorë.

Ashtu si dhe edhe në shkrime të tjera rreth këtij problemi duhet theksuar se flamuri që u ngrit në Vlorë është flamuri i don Alandro Kastriotit, i cili me urdhër të Ismail Qemalit u mor nga dhoma e Eqrem Vlorës dhe u valëvit nga “arkitekti” i pavarësisë në ballkonin e shtëpisë së Xhemil bej Vlorës. Për këtë veprim kemi jo vetëm dëshminë e mësipërme të Eqrem bej Vlorës, por edhe tre dëshmi të tjera në favor të kësaj teze.

E para është ajo që na e sjell studiuesi Zeko Braho, (Varianti tre sipas Niko Kotheres), i cili tek vepra e tij monografike “Marigo Pozio” na citon një fakt të mbledhur në Vlorë. Midis të tjerave ai shkruan se: “Bejlerët e Vlorës thoshin se këtë flamur ua kishte falur atyre don Alandro Kastrioti”. Megjithëse ky botim u shkrua gjatë viteve të shtetit monist dhe u botua në fund të ekzistencës së tij, në vitin 1990, ai ka diçka intriguese. Dihet anatemimi që u bëri për shumë kohë përfaqësuesve të familjes Vlora komunizmi. Megjithëse u goditën në të gjitha aspektet dhe ju mohuan kontributet, përsëri realiteti nuk mund të mohohej. Edhe në ato kushte pavarësisht se monografia është shkruar me frymën, parimet dhe metodikën e kohës, përsëri nuk mund të mohohej fakti që flamuri kishte dalë nga shtëpia Vlora dhe ishte ai i don Alandros.

Me gjithë censurën e rreptë si autori Zeko Braho, po kështu edhe Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, e theksojnë në mënyrë tangenciale këtë gjë (Bejlerët e Vlorës thoshin se këtë flamur ua kishte falur atyre don Alandro Kastrioti ).

Ndërkohë që dëshmia e dytë është ajo e një tjetri pinjoli të familjes Vlora, Syrja bej Vlorës, babait të Eqrem Vlorës. Ashtu siç e cituam edhe më sipër edhe ai thotë: “Pasi atë ditë nuk kishte mundësi të përgatitej flamuri, u mor nga shtëpia jonë një flamur, që djali im Eqremi që nga viti 1908 e ruante me plot nderime. Ai u ngrit në mes të manifestimeve e brohoritjeve gazmore të popullit” (Syrja bej Vlora, Kujtime, Iceberg, Tiranë, 2013, f. 70 ).

Dëshmia e tretë na vjen nëpërmjet faqeve të librit “Histori e Shqipërisë 1912-2000” e historianes së njohur Valentina Duka. Në librin e saj, i cili për nga funksioni kryesor i përket më shumë mësimdhënies së historisë në universitetet tona, profesorja e historisë na sjell përpara “tryezës së leximit” disa fakte interesante nga Shqipëria e viteve 30’.

Po kështu edhe në një intervistë të dhënë shtypit të shkruar, Valentina Duka, tregon se vetë mbreti Zog kishte urdhëruar që të gjendej flamuri i Pavarësisë, me qëllim që ai të vendosej në muzeun kombëtar që po ndërtohej me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë (28 Nëntori, Flamuri i vërtetë u dogj, Shqiptarja.com, 27 nëntor 2011)

Për këtë qëllim në vitin 1930, ju kërkua zyrtarisht prefektit të Vlorës, që të përpiqej për të gjetur flamurin që u “ngrit” nga Ismail Qemali.

Ky flamur duhej të vendosej tashmë si objekt i kësaj ngjarjeje të shënuar në muze.

Nga ana e tij pasi u interesua, prefekti i Vlorës e njofton qeverinë se flamurin e shpalljes së pavarësisë e posedonte Eqrem bej Vlora. Në këto rrethana, atij ju kërkua zyrtarisht nga ana e ministrit të jashtëm Rauf Fico, që ta dorëzonte këtë simbol të asaj dite të shënuar për të gjithë shqiptarët. Kështu nis një korrespondencë midis institucioneve shqiptare dhe Eqrem bej Vlorës, e cila sot ruhet në arkivin e ministrisë së jashtme, pasi në atë kohë ai shërbente si ministër i qeverisë shqiptare në Athinë.

Në letrat e tij Eqrem bej Vlora, pasi pohon se flamuri i ngritur ditën e shpalljes së pavarësisë është flamuri i don Alandro Kastriotit, pranon se nuk e posedonte më këtë objekt. Midis të tjerave ai shpjegon se flamuri dhe sende të tjera personale të tij, u dogjën gjatë vitit 1914 nga vorioepirotët në qytetin e Delvinës.

Këto sende ishin vendosur për ruajtje në shtëpinë e familjes Delvina, me qëllim që të shpëtonin ato, në Shqipërinë e trazuar atëhere nga luftërat dhe kryengritjet

(Valentina Duka, Historia e Shqipërisë 1912-2000, shtëpia botuese “Kristalina KH”, 2007).

Atëherë lindin disa pyetje. Përse flamuri i pavarësisë i kërkohej nga autoritetet vetëm Eqrem bej Vlorës dhe jo personave të tjerë, të cilët pretenduan më vonë, se e sollën ata flamurin në Vlorë?

Përse nuk u prononcua në këtë rast Marigo Posio, e cila së bashku me shumë dëshmitarë të tjerë të ditës së Pavarësisë ishin të gjallë në këtë kohë. Kujtojmë që Marigo Posio vdiq në vitin 1932, ndërsa Spiridon Ilo, vdiq në Korçë në vitin 1950. Ndërkohë që varianti i treguar prej këtij të fundit, se flamurin që u ngrit në Vlorë e solli ai nga Bukureshti, merret si më i besueshmi nga disa autorë.

Midis të tjerave në intervistën e saj “28 nëntori. Flamuri i vërtetë u dogj”, Valentina Duka thekson midis të tjerave në ligjëratë të drejtë: “Por kërkimet u bënë me urdhër të mbretit. Pra nuk guxonte kush të mashtronte mbretin dhe që as kishte gjasa në ato vite për këtë gjë. Në kohën që bëheshin këto kërkime Marigoja ka qenë vetë gjallë dhe prefekti i Vlorës në një letër që i dërgon administratës së mbretit thotë se nga kërkimet që kemi bërë rreth e qark prefekturës, çështjen e flamurit që valëviti Ismail Qemali në momentin e shpalljes së Pavarësisë të gjithë e lidhin me emrin e Eqrem Bej Vlorës (28 Nëntori, Valentina Duka: Flamuri i vërtetë u dogj, gazeta Shqiptarja.com, 27 nëntor 2011).

Ndërsa autoritetet kujdeseshin për problemin e flamurit, Marigo Posio ashtu edhe Spiridon Ilo heshtën. Përse?! Ndërkohë që ky fakt është i vërtetë le ti shtojmë atij edhe të tjera të dhëna në lidhje me këta persona.

Spiridon Ilo u kthye nga emigracioni në vitin 1926 dhe punoi në administratën e shtetit shqiptar si nëpunës taksash. Në vitin 1930 ai ishte nëpunës i bashkisë së Korçës dhe jetonte në këtë qytet. Gjithsesi në atë kohë ai nuk u shpreh se, flamurin e pavarësisë e solli ai.

Por nuk mund të themi me siguri diçka të tillë për Marigo Posion. Na duhet të theksojmë se me heshtjen e saj ajo ndoshta nuk kishte se ç’ti shtonte më të vërtetës. Nëse Eqrem bej Vlora do të gënjente, atëherë Marigo Posio që njihej për trimërinë dhe guximin e treguar në zhvillimet e Lëvizjes Kombëtare nuk do të nguronte që ti kundërvihej atij. Aq më tepër që ajo njihej edhe si publiciste e zonja, e cila kishte shkruar në shtypin e Rilindjes qysh në vitet 1909-1910, kohë e reaksionit të ashpër xhonturk.

Gjithashtu vitin 1921, Marigo Posio, do të punonte si drejtore e gazetës “Shpresa kombëtare”. Kjo gazetë u botua në Vlorë dhe nxori për botim gjashtë numra gjithsej (Zeko Braho, “Marigo Posio, shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë, 1990, f. 53-54 ).

Gjithsesi Marigo Posio në morinë e gamës së problemeve dhe të shkrimeve të saj publicistike, nuk shkruan asnjë rresht për historinë e flamurit të Pavarësisë, të cilën më shumë se kushdo ajo e njihte më mirë.

Por cili ishte roli i Marigosë në këtë histori? Dihet dhe është e provuar tashmë se Marigoja e riprodhoj flamurin në disa kopje, të cilat u përdorën nga qeveria e Ismail Qemalit. Kjo pranohet nga të gjithë studiuesit e historisë së flamurit por edhe nga dëshmitarët e kohës.

Në artikullin e tij të vitit 1938 “Zonja Marigo dhe Flamuri Kombëtar”, botuar tek revista Përpjekja Shqiptare, autori Jakov Milaj, na sjell kujtimet e Thina Ferrës, një gruaje vlonjate dhe bashkëpunëtore e Marigo Posios, e cila pohonte: “Po atë ditë pikturuam edhe shumë flamuj të tjerë për tia ndarë popullit” (Përpjekja Shqiptare, Tiranë, janar 1938, nr. 13, f. 6-12).

Po tek e njëjta gazetë gjejmë edhe kujtimet e Thanas Floqit, një ndër firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë, i cili tregon: “…Gjatë atyre ditëve historike bashkë me kunatën e vëllait tim, Marigo Posion, si dhe Petro Fotografin kemi gdhendur në dru bocën e flamurit që u përdor mandej për riprodhimin e qindra dhe mijëra flamurëve të tjerë, që u valëvitën gjatë festës në qytetin historik të Vlorës

(Përpjekja Shqiptare, nr 13, f. 21).

Kështu pas këtyre dëshmive mund të themi siç e kemi pohuar edhe në shkrime të tjera se nuk ka asnjë dyshim që Marigo Posio, pregatiti flamujt e tjerë që i nevojiteshin qeverisë së Ismail Qemalit. Dhe si model për të nxjerrë bocën që u stampuan këta flamuj ndihmuan edhe Petro Fotografi dhe Dom Mark Vasa.

Duhet thënë se Marigoja, Dom Mark Vasa dhe Thanas Floqi kishin dijeni për flamurin e don Alandro Kastriotit dhe njihnin përmbajtjen e tij. Të tre ata kishin marrë pjesë në shfaqjen e dramës “Vdekja e Piros”, të Mihal Gramenos në 14 shkurt 1909, kur në prani të autoriteteve turke, konsujve të huaj dhe elitës së qytetit të Vlorës, u shpalos flamuri shqiptar, pikërisht ai i sipërpërmenduri (Eqrem bej Vlora, Kujtime, f. 313).

Për më tepër duhet thënë se Thanas Floqi ishte regjizori i kësaj shfaqeje, ndërsa Marigoja ishte pjesëmarrëse, pasi i biri, Vaso Posio, luante në të rolin e Aleksandrit (Zeko Braho, Marigo Posio, f. 26).

Prandaj mund të pohojmë se të tre këta persona e njihnin mirë imazhin dhe versionin e flamurit kombëtar dhe nuk e patën vështirë që ta riprodhonin atë. Këtë gjë ata e realizuan pas momentit të shpalljes së Pavarësisë, kur Ismail Qemali u dha flamurin e don Alandros për ta riprodhuar, përpara se t’ia dorëzonin Eqrem vej Vlorës, zotëruesit të vërtetë të tij.

Në mënyrë hipotetike mendoj se kjo është historia e vërtetë e flamurit që u valëvit në Vlorë ditën e shpalljes së Pavarësisë. Të tjerat janë “lëndë” për të shkruar libra dhe artikuj të tjerë, të cilët për më tepër nuk i vlejnë historisë së Shqipërisë por “afirmimit” të disave si lëvrues të historisë apo publicistikës historike. Një gjë është e vërtetë se atë ditë në Vlorë mund të ketë pasur edhe flamuj të tjerë, të cilët përveçse patriotëve të ardhur nga diaspora, i sollën edhe delegatët e qyteteve të tjera që e shpallën Pavarësinë përpara datës 28 nëntor. Por, flamuri i don Alandros ishte ai që u “valëvit nga arkitekti I Pavarësisë Kombëtare në ballkonin e shtëpisë së Vlorajve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency