Biznesi shqiptaro-amerikan “kryqëzon” Spiropalin

0

Ervin Kaduku

Loading...

 

doganat-shqiperi-280x300 –   Vërehet mungesë komunikimi dhe koordinimi midis organeve tatimore dhe atyre doganore

–   Inspektorët e zyrave rajonale doganore reflektojnë gjatë kontrolleve doganore mungesë të njohurive rreth legjislacionit

–   Gjatë krijimit të praktikave doganore, vërehet moszbatimi i dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative dhe i ligjeve të tjera përkatëse, përfshirë edhe i marrëveshjeve ndërkombëtare përkatëse

–   Në listën e çmimeve të referencës vihet re që për produkte me karakteristika të njëjta, por me marka tregtare të ndryshme, ka çmime reference të ndryshme

 

 

 

Pas Tatimeve, edhe administrata doganore është përballur dje me një lumë kritikash nga ana e Dhomës Amerikano-Shqiptare së Tregtisë. Në një takim me drejtoren e kësaj administrate, Elisa Spiropali, përfaqësuesit e biznesit të grupuar në këtë Dhomë kanë paraqitur një sërë propozimesh për të ndryshuar legjislacionin, por sidomos mënyrën e punës së punonjësve doganorë.

Materialet janë përgatitur nga Komiteti i Taksave dhe Ligjeve pranë kësaj Dhomë.

Sa më poshtë, vijojnë vërejtjet dhe kërkesat e këtyre bizneseve.

 

Zbatimi i çmimeve të referencës për importet doganore bëhet në masë dhe pa u mbështetur në nenin 34 dhe në vazhdim të Kodit Doganor dhe dispozitat përkatëse të VKM nr. 205, datë 13.4.1999 “Për dispozitat zbatuese të Kodit Doganor”, i ndryshuar, dhe marrëveshjeve përkatëse ndërkombëtare. Kjo është evidentuar në mënyrë të përsëritur në Raportet e Progresit të Komisionit të BE-së për Shqipërinë.

 

Në listën e çmimeve të referencës vihet re që për produkte me karakteristika të njëjta por me marka tregtare të ndryshme ka çmime reference të ndryshme. Lista e të dhënave të disponueshme përditësohet shumë rrallë. Kjo listë duhet të përmirësohet në mënyrë që të mos mundësojë zbatim të pabarabartë të ligjit, dhe duhet përditësuar në intervale të shkurtra kohe. Duhet të realizohet publikimi i të dhënave të disponueshme për vlerën doganore në një buletin të veçantë sipas parashikimit përkatës të VKM nr. 205.

 

Gjatë krijimit të praktikave doganore, vërehet moszbatimi i dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative dhe i ligjeve të tjera përkatëse, përfshirë edhe i marrëveshjeve ndërkombëtare përkatëse. Si rrjedhojë, kërkohet zbatimi korrekt i marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara dhe ratifikuara nga Shqipëria që kanë lidhje me fushën e doganave, ndërkohë që kërkohet edhe ndërgjegjësim i administratës doganore për detyrimin për konsiderimin e këtyre marrëveshjeve si pjesë e legjislacionit shqiptar.

 

Probleme të zbatimit të legjislacionit në mënyrë korrekte dhe të barabartë për subjekte të njëjta: subjekte me licencë të njëjtë nuk u nënshtrohen të njëjtave procedura të kontrollit dhe zhdoganimit, mënjanimi i këtyre procedurave etj., bëhet mbi baza diskriminuese.

 

Pas vendosjes së sistemit elektronik të deklarimit doganor, ende, vazhdohet me kërkesa për të dorëzuar dokumentacionin edhe në letër, me arsyetimin se ende rregullat e organeve doganore parashikojnë detyrimin për dorëzim të dokumentacionit në letër (p.sh.: mbajtja manuale e regjistrit të magazinës doganore).

 

Probleme të zbatimit të ligjit

 

Mosmarrja parasysh nga organet doganore të zbritjeve/skontove të pasqyruara në faturat e furnizuesve të huaj në rastin e importimit të mallrave dhe, si rrjedhim, zbatimi i detyrimeve të TVSH-së në import dhe detyrimeve doganore për një vlerë më të madhe sesa vlera e paguar.

 

Mosnjohja e Certifikatave të Origjinës të lëshuara nga organe të tjera (në përputhje të plotë me legjislacionin përkatës) të ndryshme nga organet doganore të shteteve përkatëse, si dhe mosnjohja e Certifikatave të Cilësisë elektronike të lëshuara në përputhje me legjislacionin e vendit lëshues të Certifikatës.

 

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nuk shprehet për kërkesat specifike me shkrim që paraqesin subjektet dhe në përgjigjet e këtij institucioni jepen zgjidhje mbi themelin e kërkesave përkatëse, por kryesisht referohen vetëm dispozita ligjore duke e lënë çështjen të pazgjidhur.

 

Çështje të tranzitimit me tokë në Shqipëri: Sipas praktikave të tanishme, tranzitimi bëhet vetëm me dërgesa të plota (Full Truck Load) dhe kjo nënkupton kalimin drejpërdrejt nga një pikë doganore kufitare në një pikë tjetër doganore kufitare. Tashmë, nuk mund të transportohen dërgesa të pjesshme (Less than Truck Load) pasi që të kryhet ky lloj tranzitimi duhet që të kalohet në një magazinë doganore ku mallrat të grupohen sipas shteteve të destinacionit dhe për qëllime të kësaj procedure organet doganore kërkojnë që për çdo dërgesë të pjesshme që kalon nëpërmjet magazinës doganore, subjekti që kryen transportin të bëjë deklaratën e transitit nga dogana kufitare hyrëse në magazinën doganore, terminalin e operimit në Shqipëri, subjekti të vendosë NIPT-in e tij në deklaratë. Si rrjedhojë, organet doganore dhe tatimore i konsiderojnë mallrat përkatëse në përkatësi të shoqërisë së transportit për qëllime të detyrimeve tatimore.

 

Është raportuar mungesë e procedurave të thjeshtëzuara për zhdoganimet e dërgesave ekspres.

 

Kërkohet zgjidhja e problemeve të zhdoganimeve të dërgesave private. Është raportuar se procesi i zhdoganimit akoma nuk është i thjeshtë dhe krijon vonesa si për shtetasit shqiptar edhe ata të huaj.

 

Komunikimi ndërinstitucional

 

Vërehet mungesë komunikimi dhe koordinimi midis organeve tatimore dhe atyre doganore për qëllime të përputhjes së të dhënave nga të dy sistemet doganore dhe tatimore për qëllime të detyrimeve tatimore etj.

 

Duhet të përmirësohet komunikimi i administratës doganore shqiptare me administratat doganore të vendeve të tjera për qëllime të deklarimeve, korrigjimeve të deklaratave doganore etj.

 

Të rritet niveli i bashkëpunimit midis DPD dhe Avokatit të Popullit për qëllime të mbrojtjes së të drejtave të subjekteve doganore në të gjitha nivelet e administratës publike përkatëse.

Të rritet niveli i bashkëpunimit midis DPD dhe Inspektoratit Qendror edhe për qëllime të mbrojtjes së pronësisë industriale.

 

Formimi profesional dhe etika

 

Inspektorët e Zyrave Rajonale Doganore reflektojnë gjatë kontrolleve doganore mungesë të njohurive rreth legjislacionit përkatës të zbatueshëm dhe procedurave të rregullta ligjore. Vërehet një abuzim me kompetencat dhe tendencë për të penalizuar subjektet doganore pavarësisht përfundimeve reale konkrete të kontrolleve përkatëse.

 

Vërehen edhe probleme në lidhje me etikën personale të inspektorëve doganore dhe të punonjësve të strukturave doganore etj.

 

Propozime për ndryshime legjislacioni

 

Mungesa e interpretimeve të unifikuara dhe i publikimit të tyre nga DPD ndikon në cenimin e sigurisë juridike.

 

Sugjerohet që ndryshimi i neneve që kanë të bëjnë me ankimin administrativ të Kodit Doganor i cili parashikon si kusht për shqyrtimin e ankimit administrativ doganor, pagesën paraprake të detyrimit doganor, është thelbësor për shmangien e abuzivizmit në penalizimin e subjekteve doganore. Propozojmë që pagesa e detyrimit doganor për qëllime të ankimit administrativ dhe gjyqësor përkatës të jetë e detyrueshme për tu paguar vetëm pasi vendimi i gjykatës të ketë marrë formë të prerë.

 

Legjislacioni doganor duhet ndryshuar në mënyrë që të përfshijë dispozita më të hollësishme në lidhje me procedurat e konfiskimit të mallrave në doganë, ato të peshimit dhe ri-peshimit të mallrave.

 

Hartimi i dispozitave ligjore dhe/ose nënligjore te shprehura në lidhje me procedurat e eksportit për riparim. Më saktësisht, në rastet kur produkti i eksportuar nuk mund të riparohet dhe zëvendësohet me një produkt të ri me numër serial tjetër, tani ky zëvendësim krijon probleme me mbylljen e regjimit doganor përkatës.

 

 

Gati heqja e licencave minerare për 670 subjekte, nuk paguan 1.5 milionë euro detyrime

 

Afro 670 subjekte që punojnë në sektorin minerar, pra që shfrytëzojnë pasuritë nëntokësore të vendit, që janë pronë publike, kanë krijuar një mal detyrimesh të papaguara ndaj shtetit në masën 1.5 milionë euro.

Dje u njoftua se, me urdhër të ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka verifikuar gjendjen e pagesave të garancive të rehabilitimit nga ana e subjekteve që kanë licenca minerare. Pas këtij procesi verifikimi, sipas derdhjeve në Thesarin e Shtetit, është konstatuar se, për vitin 2011, janë 393 subjekte, që nuk kanë likuiduar në shtet garancinë e rehabilitimit, një dëm në buxhet i llogaritur në shumën 122.817.925 lekë.

Për vitin 2012 rezultojnë gjithashtu 276 subjekte që i janë shmangur detyrimit ligjor për të depozituar garancinë e rehabilitimit, duke shkaktuar një tjetër dëm në buxhet në shumën 82.897.106 lekë.

Në total janë 669 subjekte që, me mospërmbushjen e këtij detyrimi ligjor, i kanë shkaktuar humbje shtetit në shumën 205.715.031 lekë.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë ka urdhëruar njoftimin e këtyre subjekteve për të kryer këto pagesa brenda një afati 10-ditor. Në rast të kundërt, në zbatim të ligjit “Për sektorin minerar në Republikës e Shqipërisë”, vendimi për miratimin e lejes minerare për këto subjekte vlerësohet automatikisht i revokuar nga institucioni i QKL-së.

Sipas përcaktimeve ligjore, “Garanci financiare për rehabilitimin e mjedisit” është vlera monetare që depozitohet çdo vit nga subjekti i licencuar, në formën e një garancie bankare në favor të shtetit, që përdoret për realizimin e planit të rehabilitimit përfundimtar të mjedisit, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

 

 

Loading...