Vizita në Vjenë Rama takon Presidentin Fischer: Austria mbështet integrimin e Shqipërisë

0

Gëzim Saliu

Presidenti i Austrisë viziton Tiranën vitin tjetër. Rama: Mik besnik i shqiptarëve

Kryeministri, fjalim në Forumin Ekonomik të Vjenës: Zhvillimi ekonomik, sfidë e rajonit

 

rama dhe fisherKryeministri Edi Rama merr mbështetjen e Austrisë në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Në kuadër të vizitës në Vjenë, kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi dje një takim me Presidentin e Austrisë, Heinz Fischer, ku ky i fundit bëri të ditur se vendi që ai drejton, do të ofrojë mbështetje të vazhdueshme për integrimin e Shqipërisë në BE. Në këtë takim, Kryeministri Rama e njohu Presidentin austriak me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërkohë, duke folur për situatën në rajon, kreu i mazhorancës theksoi se viti 2014 do të jetë i pari vit me një paqe të plotë në Ballkan. Në këtë kontekst, Rama nënvizoi se ky moment i ri për rajonin duhet shfrytëzuar për të forcuar bashkëpunimin ekonomik mes vendeve, si edhe për të përshpejtuar proceset integruese në BE. Nga ana e tij, Presidenti Fischer përgëzoi Kryeministrin për punën e deritanishme të qeverisë dhe njoftoi vizitën e tij në Tiranë brenda vitit 2014. Takimin me Presidentin austriak kreu i qeverisë e komentoi në rrjetin social “Facebook”, ku theksoi: “Me Presidentin Fischer për herë të dytë në zyrën e tij brenda këtij viti dhe me po të njëjtën kënaqësi të madhe të mikpritjes së këtij miku besnik të shqiptarëve. Presidenti Fischer ndjek me detaje zhvillimet në vendin tonë dhe na mbështet fort në rrugën e integrimit evropian. Ai do vijë në Shqipëri vitin e ardhshëm”.

Vizita

Në vizitën e tij të dytë në Austri brenda këtij viti, pas asaj të zhvilluar në fund të muajit prill para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, Kryeministri Rama krahas takimit me Presidentin e Austrisë mori pjesë edhe në Forumin Ekonomik të Vjenës. Në këtë forum, kreu i qeverisë mbajti edhe një fjalim, ku theksoi se zhvillimi ekonomik do të jetë një sfidë e rajonit, i cili tanimë sipas Ramës është një situatë paqeje të plotë. Më parë, në prill të këtij viti, kreu i qeverisë vizitoi Vjenën ku zhvilloi takime me Presidentin e Republikës së Austrisë, Heinz Fischer, me ministrin austriak të Punës, Çështjeve Sociale dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Rudolf Hundsdorfe, dhe me sekretarin e Shtetit në Ministrinë Federale të Financave, Andreas Schieder. Në këto takime në qendër të diskutimeve mes palëve ishte programi i PS-së, ku u shpreh vullneti i Austrisë për të ndihmuar në realizimin e këtij projekti. Pjesë e vizitës së parë të Ramës në Vjenë ishte edhe një bashkëbisedim i hapur në Akademinë Diplomatike në Vjenë, ku ishin të ftuar diplomatë, zyrtarë, sipërmarrës, por edhe qytetarë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Austri. Ky takim u kthye në temë kryesore të debatit mes palëve në atë kohë, për shkak të incidentit të pretenduar nga ana e diplomatit Egin Ceka me kryesocialistin Rama. Mazhoranca e djathtë akuzoi kreun e PS-së për dhunë ndaj diplomatit shqiptar dhe ngriti gjithashtu një komision hetimor, i cili nuk arriti në një përfundim edhe për shkak të zhvillimit të zgjedhjeve të 23 qershorit. Nga ana e tij Rama hodhi poshtë të gjitha akuzat, madje duke ironizuar shpesh “incidentin e veshit” si në takimet elektorale ashtu edhe në daljet publike.

 

Suedi

Gjosha, takim me sekretarin e Shtetit dhe ministren e Çështjeve Evropiane: Ballkani të ecë drejt BE-së

Në vijim të turit me përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, zhvilloi dje një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të shtetit suedez. Fillimisht, ministrja u prit nga sekretari i Shtetit, Frank Belfrage, i cili i shprehu ministres shqiptare vlerësime për rolin stabilizues të Shqipërisë në Ballkan. Nga ana e saj, Gjosha theksoi ne fjalën e saj se shqiptarët janë një popull që e do Bashkimin Evropian dhe se marrja e statusit të vendit kandidat do të ishte vetëm një hap i rëndësishëm përpara në procesin e integrimit të vendit. “Bashkimi Evropian është një perspektivë e qartë e Shqipërisë dhe një mekanizëm i cili na ndihmon të përmbushim reformat e rëndësishme për transformimin e shoqërisë dhe forcimin e shtetit ligjor”, – tha ministrja. Një tjetër takim u zhvillua me ministren e Çështjeve Evropiane të Suedisë, Eva Birgitta Ohlsson, ku kjo i fundit u njoh me disa nga masat konkrete qe po ndërmerr qeveria shqiptare në përmbushjen e prioriteteve të lëna nga Komisioni Evropian. “Ne vlerësojmë përpjekjet e Shqipërisë dhe gjithashtu duhet të theksoj se vendet e Ballkanit duhet të ecin Bashkë drejt Bashkimit Evropian”, – tha ministrja e Çështjeve Evropiane të Suedisë. Në këtë kontekst, ministrja e Integrimit Evropian shprehu vendosmërinë e qeverisë për të çuar përpara reformat në vend dhe procesin e integrimit në tërësi. “Ne jemi të vendosur për të vazhduar me përmbushjen e prioriteteve, kyçe të cilat do ta drejtojnë Shqipërinë drejt Evropës”, – tha ministrja Gjosha.

 

Projektet pilot

Italia, bashkëpunim me qeverinë për zhvillimin vendor

Menaxhimi i integruar i mbetjeve, plani i integruar i mikpritjes, hartimi i planit urbanistik dhe territorit e plani për integrimin e ndërmarrjeve janë katër projektet pilot të zbatuara nga ambasada italiane në lokalitete të ndryshme në vend. Ambasadori italian Massimo Gaiani shprehu dje gatishmërinë e ambasadës për të vijuar bashkëpunimin me qeverinë shqiptare në këtë drejtim. “Ne besuam se këto modele mund ti përshtateshin më mirë territorit shqiptar, duke pasur parasysh edhe disa të përbashkëta me Italinë. Ne u munduam që këto projekte të vogla të na ndihmojnë që të hedhin edhe hipotezat e ardhshme për zhvillimin e territorit”, – tha Gaiani. Ndërsa për ministren e zhvillimit urban dhe turizmit Eglantina Gjermeni këto projekte shkojnë paralel edhe me disa nga objektivat e ministrisë për administrimin e territorit. “Programi ka pasur si objektiv kryesor favorizimin e bashkëpunimit nëpërmjet territorit, përmes identifikimit të modeleve operative konkrete dhe për zbatimin pilot të katër projekteve për zhvillimin lokal”, – tha Gjermeni. Ndërkohë përfaqësuesi i ministrisë së zhvillimit ekonomik italian Vicenzo Donato tha se rajone të caktuara në Shqipëri të japin mundësi për të zbatuar projekte të tilla. “Padyshim që fondet që do të donim të përdornim janë të vogla, shumë herë më të vogla se çdo të ishin nëse Shqipëria do të ishte pjesë e BE-së. Kjo është arsyeja kryesore se përse ne u përpoqëm që të përqendroheshim në këto projekte të vogla dhe të implementuara në një territor të kufizuar”, – tha Donato.

 

Grupi i PS-së

Ruçi drejton mbledhjen, diskutohet axhenda e seancës parlamentare

Mbledhja e djeshme e grupit parlamentar socialist u zhvillua pa praninë e Kryeministrit dhe kreut të PS-së, Edi Rama, i cili ishte në një vizitë zyrtare në Vjenë. Nën drejtimin e kreut të grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, në mbledhje me deputetët socialistë u diskutua lidhur me axhendën e seancës së sotme parlamentare. “Buxheti faktik i shtetit për vitin 2012”, si dhe miratimi e dy projektvendimeve “Për fillimin e procedurave parlamentare për kontrollin e veprimtarisë ekonomike të KLSH” dhe “Për mënyrën e trajtimit të deputetëve” janë në rend të ditës së sotme në Parlament, ku para nisjes së seancës do të zhvillohet edhe mbledhja e Konferencës së Kryetarëve. Lidhur me buxhetin faktik ka pasur debate të mëdha mes palëve, ku ministri Cani ka theksuar se qeveria aktuale është detyruar të rrisë tavanin e borxhit publik, për shkak të gropave të mëdha financiare që ka hapur ekzekutivi i mëparshëm, që, sipas tij, manipuloi shifrat e buxhetit 2012. Ndërkohë, opozita ka hedhur poshtë këto deklarata, duke theksuar se ndonëse viti 2012 ka qenë më i vështiri, për shkak të goditjes së krizës globale, sërish qeveria “Berisha” arriti të ruante në ekuilibër parametrat financiarë.