Kapet korrierja e drogës në Kakavijë, i gjendet gjysëm kg heroinë

0
121

Sonja Caka

Destinacioni i lëndës narkotike Athina, zbulimi gjatë një kontrolli rutinë

Policia: Gjatë kontrollit në autobus, gruaja u gjet e ulur në sedilje dhe tensionuar

 

droga-kakavije-Trafikantët e lëndëve narkotike kanë filluar tashmë të shfrytëzojnë gjithë mënyrat e mundshme për të kaluar drogën drejt vendeve fqinje. Një prej mënyrave ka qenë edhe përfshirja e fermave si korrierë, të cilat shpesh janë nënat, motrat apo gratë e personave që synojnë trafikun e drogës. Një gruaje iu gjet në çantën e dorës një sasi prej gjysëm kg heroinë, e cila ishte e ndarë në dy pjesë dhe ishte e fshehur në një pjesë të mbyllur me zinxhir të çantës. Gruaja u zbulua fjatë një kontrolli rutinë, ndërsa rrinte e ulur brenda autobusit kur po bëhet kontrolli i çantave nga oficerët e policisë kufitare. Tensioni i gruas ka shtuar dyshimet e policisë duke i marrë çantën dhe ushtruar kontroll brenda saj ku gjeti gjysëm kg drogë e llojir heroinë. Policia bëri ndalimin e gruas, Mimoza Sota nga Fieri ndërsa po heton mbi personin që priste lëndën narkotike.

Arrestimi

Policia e Gjirokastrës bën me dije se dy njetë më parë, rreth orës 23.30, efektivat e policisë Kufitare të Kakavijës, gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë  të bagazheve dhe çantave të dorës të pasagjerëve që udhëtojnë me autobusët e linjave Shqipëri – Greqi, kanë konstatuar se në një autobus të linjës Tiranë – Athinë, një shtetase që ishte ulur në sediljen e mesit të autobuzit mbante një çantë dore. Gjatë kontrollit të saj rezultoi se në brendësi të xhepit të çantës së dorës të shtetases Mimoza Sota, kishte një pako të madhe të mbështjellë me letër natriban, si dhe një pako të vogël po të mbështjellë me letër natriban ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si Heroinë. Sipas policisë, pesha e përgjithshme e të dyja pakove ishte 0.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar Heroinë. Menjëherë efektivat e Policisë Kufitare të Kakavijës kanë bërë bllokimin e shtetases Sota dhe kanë njoftuar grupin hetimor, si dhe shoqërimin e saj në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës. Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga ana e policisë, është bërë arrestimi në flagrancë e shtetases Mimoza Sota, si dhe sekuestrimi i lëndës narkotike në cilësinë e provës materiale. Lënda narkotike kishte si destinacion Athinën. Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve po punojnë për zbardhjen e plotë të këtij trafiku, duke bashkëpunuar edhe me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier. Materialet në ngarkim të shtetases Mimoza Sota i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprën penale “Trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike”.

 

Tiranë

Sekuestrohen 32 kg kanabis, arrestohen 2 persona

Dy persona janë vënë në pranga nga policia e kryeqytetit pasi u është gjetur në posedim 32 kg kanabis. Sasia e drogës u gjet e fshehur në një stan në fshatin ura, në komunën Shëngjergj të Tiranës. Personat e  arrestuar janë Enver dhe Luan Maxhaku, 67 dhe 25 vjeç, të cilët dyshohet se janë poseduesit e kësaj sasie droge. Dyshohet se lënda narkotike ishte për shitje të brendshme dhe jo për trafik.

 

Gjirokastër

Operacioni, kapen 35 klandestinë të huaj në fshatin Glinë

Policia e Gjirokastrës bën me dije se efektivat e policisë kufitare të Kakavijës  gjatë një operacioni të zhvilluar në fushën e Fshatit Glinë kanë bërë të mundur bllokimin e 35 klandestinëve të cilët kishin hyrë ilegalisht nëpërmjet kufirit me shtetin grek. Klandestinët ishin nga Eritrea, Siria dhe Somali dhe në përfundim të veprimeve të intervistimit, klandestinët i janë dorëzuar palës greke. Ndërmjet klandestineve kishte edhe tre gra. Operacionet për bllokimin e klandestinëve do vijojnë.

 

Moti i keq

Reshje të shumta shiu, bllokohet portet, dallgët 7 metra në det të hapur

Përkeqësohet moti në vend. Reshjet e shumta të shiut kanë qenë mbizotëruese në pjesën më të madhe të ditës dje, ndërsa erërat e forta kanë shoqëruar përkeqësimin e motit. Kështu, për shkak të shirave dhe erërave të forta, portet kryesore në vend kanë bllokuar daljen e peshkarexhave në det, ndërsa mësohet se në det të hapur lartësia e dallgëve ka shkuar deri në 7 metra. Ndërkohë që brenda qyteteve, rrugët janë bllokuar në ujërat, duke sjellë vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e kalimtarëve. Ndërkohë që, moti i keq me erëra të forta deri ne 60 kilometra në orë solli ndërprerje të energjisë dhe bllokim të trafikut detar. Trageti i linjës mbërriti në portin e Vlorës me disa orë vonesë dhe pasi zbarkoi pasagjerët, doli në radë pasi moti i keq nuk e lejonte të udhëtonte sërish. Sipas kapitenerisë, moti i keq do të vijojë në jug të vendit edhe për 48 orët në vazhdim, ndërkohë që policia e qarkullimit rrugor rekomandon për të gjithë shoferët që të bëjnë kujdes gjatë udhëtimit në rrugët nacionale të bregut, pasi ka erë të fortë, shira të dendur, lagështirë në rrugë dhe mjegull në Llogara dhe në pika të ndryshme.

 

Tepelenë

Konflikti për pronësinë, parandalohet krimi, arrestohet Sinanaj

Një person është vënë në pranga nga policia e Tepelenës pasi qëlloi me armë zjarri një 18-vjeçar, i cili fatmirësisht i ka shpëtuar plumbit. Gjithçka ndodhi pas një konflikti pronësie mes dy familjeve. Sipas burimeve zyrtare policore, mesditën e të premtes në sallën operative kishte mbërritur një telefonatë se në kodrat e fshatit Izvor të rrethit Tepelenë ka një konflikt me armë zjarri. Menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur forcat e policisë të Komisariatit të Policisë Tepelenë të drejtuara nga Shefi i Komisariatit Gazmend Shehu. Pas mbërritjes në vendngjarje ka rezultuar se në vendin e quajtur Kodra e Mihasit, mbi fshatin Izovor shtetasi Musa Sinanaj, pas një konflikti për motive pronësie me shtetasin P.O, ka marrë armën e zjarrit Kallashnikov që e mbante pa leje në stan dhe ka hapur zjarr në drejtim të djalit  16 vjeçar XH.O , djali i shtetasit me inicalet P.O. Nga të shtënat nuk ka pasur të lënduar. Pasi ka gjuajtur në drejtim të djalit XH.O, më pas ka marrë armën e zjarrit dhe është larguar në drejtim të stanit të tij, duke fshehur armën e zjarrit kur ka parë forcat e policisë që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes në kohë rekord. Efektivat e policisë kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Musa Sinanaj, 61 vjeç, lindur dhe banues në Izvor të rrethit Tepelenë. Gjithashtu, efektivat e policisë kanë bërë të mundur që pas një kontrolli të imtësishëm të zonës përreth ku ndodhi ngjarja, të gjejnë dhe të sekuestrojnë në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit tip Kallashnikov, dy fishekë, si dhe në vendngjarje kanë gjetur edhe gëzhoja nga të shtënat. Arrestimi i tij u bë për veprën penale të “Kanosjes me armë zjarri” si dhe  “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, vepra këto të parashikuara nga nenet  84 e 278/2/3 të Kodit Penal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency