Në nderim të deputetit të PD-së Qeveria e shpall ditë zie kombëtare 21 nëntorin

0

Gëzim Saliu

Loading...

Rama: Keqardhje therëse për ikjen tragjike nga jeta, i çmoja hazërxhevapin prej mistreci brilant

 

rama ke libir i shenimeve per OlldashinNëpërmjet një vendimi të posaçëm, qeveria shqiptare shpalli dje ditë zie kombëtare datën 21.11.2013 në nderim të të ndjerit Sokol Olldashi, deputet dhe politikan i shquar. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar qëndronte dje në gjysmë shtizë. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr. 8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe të pikës 8 të kreut VII të ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr. 229, datë 23.4.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Shpalljen ditë zie kombëtare ditën e enjte, datë 21.11.2013, në nderim të të ndjerit Sokol Olldashi, deputet dhe politikan i shquar”, – thuhej në vendimin e Këshillit të Ministrave. Më tej në këtë vendim, kërkohej që në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulej flamuri kombëtar në gjysmë shtizë në formë nderimi për ish-ministrin e Transporteve, i cili humbi jetën në një aksident tragjik në segmentin rrugor Tiranë – Elbasan.

Kryeministri Rama

Kreu i qeverisë, Edi Rama, u kthye ditën e djeshme nga vizita e tij në Londër për të marrë pjesë në homazhet për ndarjen nga jeta të deputetit të Partisë Demokratike Sokol Olldashi. Pasi zhvilloi homazhet, ku edhe la shënimin e tij në librin që ishte vendosur si kujtim në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, kreu i qeverisë dha mesazhin e tij të ngushëllimit në rrjetin social “Facebook”. Duke bërë të ditur se nuk i ishte dhënë asnjëherë rasti të takohej me deputetin Olldashi, Rama theksoi se ndiente një keqardhje të thellë për ndarjen e tij nga jeta në mënyrë tragjike. Sipas Kryeministrit, pavarësisht nga kundërshtitë mes tyre, Olldashi do të vlerësohet gjithmonë prej tij për aftësitë në debatin politik. “U prehtë në paqe! S’kam pasur rastin ta takoj asnjëherë, edhe pse dy herë e kam pasur përballë, drejtpërdrejt si kundërshtar. Një herë si hetues parlamentar dhe një herë si kandidat për Tiranën. Në distancë i çmoja shumë qysh në krye të herës hazërxhevapin prej mistreci brilant. Akull dhe shpuzë. Ndër të paktat debate televizive që ndiqja me dëshirë qenë ato kur në anën tjetër përballë të mive, ishte Sokol Olldashi. Në një ditë si kjo është zakon të thuhen me tepri fjalë të mira, por unë kam veç këto pak fjalë të ndjera në respekt të kujtimit të tij siç e kam. Ashtu siç kam brenda meje qysh mbrëmë, një keqardhje therëse për ikjen e tij kaq tragjikisht nga jeta dhe nga skena e luftës politike – ku, me sa duket, la një boshllëk të rëndësishëm për aq shumë njerëz sa u vunë sot në radhë, pa dallim, për t’i thënë me dhimbje sinqerisht lamtumirë”, – shkruante Kryeministri i vendit, Edi Rama, në mesazhin e tij të ngushëllimit për ndarjen nga jeta të deputetit të PD-së, Sokol Olldashi. Krahas Kryeministrit Rama, edhe i gjithë grupi parlamentar socialist, me në krye Gramoz Ruçin, zhvilluan dje homazhe në Kuvendin e Shqipërisë për ndarjen nga jeta të deputetit të PD-së, Sokol Olldashi.

 

Ndarja nga jeta e deputetit Olldashi

Kosova i bashkohet zisë së Shqipërisë, krerët e shtetit, mesazhe ngushëllimi: Humbje e madhe

Jahjaga, Thaçi, Pacolli, Mustafa, Krasniqi, Haradinaj dhe Ali Ahmeti i BDI-së ngushëllojnë familjen dhe politikën shqiptare

Mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, kanë qenë të shumta edhe nga klasa politike në Kosovë. Krerët më të lartë të shtetit kanë shprehur hidhërimin e tyre për këtë ngjarje, duke vlerësuar njëkohësisht kontributin e Olldashit në jetën politike në vend. Presidentja Atifete Jahjaga në mesazhin e saj të ngushëllimit theksoi se ndarja nga jeta e Olldashit është një humbje e madhe për Shqipërinë. “Është kjo një humbje e madhe për të gjithë ne, pasi mbetëm pa njeriun e përkushtuar për përparimin e Shqipërisë, njeriun e angazhuar në të gjitha proceset demokratike, në zhvillimin e kulturës së parlamentarizmit, në ndërtimin dhe në zhvillimin e vendit. Pranoni ngushëllimet tona të sinqerta në emrin tim dhe në emër të popullit të Kosovës, duke mbetur në kujtimin më fisnik, për veprën, angazhimin dhe përkushtimin e zotëri Sokol Olldashit që Shqipëria të jetë një vend evropian i përparuar dhe demokratik”, – u shpreh Jahjaga. Ndërkohë, Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi në mesazhin e tij se deputeti i PD-së do të mbahet mend si një njeri dhe politikan që kontribuoi në thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë. “Vdekja e deputetit Olldashi është humbje jo vetëm për familjen, por edhe për institucionet e Shqipërisë, ku ai si deputet dhe si ministër dha kontribut në të gjitha proceset demokratike në Shqipëri. Olldashi do të mbetet përherë në kujtesën e qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, si njeri dhe politikan i çmuar, që kontribuoi në thellimin e bashkëpunimit institucional mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim ju lutem pranoni ngushëllimet e thella”, – tha Thaçi. Po ashtu, edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, shprehu hidhërimin e tij, ku theksoi se vdekja tragjike e Sokol Olldashit është një humbje e cila kapërcen kufijtë e shtetit shqiptar. “Ishte njeri me dije dhe kulturë evropiane, njeri që komunikonte me gjuhën dhe logjikën evropiane, prandaj të gjithë ne do ta ndiejmë mungesën e njeriut tonë”, – shprehet Isa Mustafa ne mesazhin e tij ngushëllues. Në të njëjtën linjë, kreu i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, deklaroi se vdekja e Sokol Olldashit është humbje e madhe për familjen dhe për Kuvendin. Nga ana tjetër, në këtë ditë nuk ka munguar mesazhi i ngushëllimit nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili në mesazhin e tij theksoi: Duke bashkëndier me të gjithë ju për humbjen e madhe, më lejoni t’jua përcjell respektin e thellë për figurën dhe personalitetin e z. Olldashi, për kontributin e tij të shquar në ngritjen dhe zhvillimin e Shqipërisë, të demokracisë dhe të shtetit shqiptar në kohën e tranzicionit e veçanërisht në dekadën e fundit, ku z. Olldashi la gjurmë dhe u shqua në të gjitha përgjegjësitë, qoftë si ministër, qoftë si deputet i Kuvendit të Shqipërisë”. Po ashtu edhe zv.kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, i shprehu dje ngushëllime të sinqerta familjes Olldashi, ku vlerësoi lart kontributin e deputetit të PD-së. Ngushëllimeve të ditës së djeshme iu bashkua edhe kreu i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti, i cili pohoi: “Lajmin e kobshëm për humbjen e parakohshme të mikut tim dhe deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Sokol Olldashi e pranova me hidhërim të thellë, andaj në emër të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë humbje të madhe për të gjithë ne”.

 

Nisma në rrjetin social

Rruga Tiranë – Elbasan të marrë emrin “Sokol Olldashi”

“1 milion shqiptarë për emrin e rrugës Tiranë – Elbasan “Sokol Olldashi”. Kjo është nisma e ndërmarrë dje në rrjetin social “Facebook” nga qindra-mijëra qytetarë, të njohur ose jo të deputetit të ndjerë demokrat, të cilët kërkojnë që rruga e cila ka në një pjesë të madhe të ndërtimit të saj, kontributin e ish-ministrit të Transporteve, të marrë emrin e tij. Faqja sapo është hapur, ka marrë menjëherë mbështetje të gjerë, ku me mijëra qytetarë kanë kërkuar nderimin e deputetit të PD-së me anë të kësaj nisme.

 

 

Loading...