Lamtumirë Sokolit!

0

Shqipëria në zi kombëtare

Loading...

Sokol Olldashit i jepet lamtumira e fundit, detaje nga ceremonia pranë Kuvendit të Shqipërisë

Krerët më të lartë të shtetit, familjarë, të afërm e miq, ambasadorë dhe qindra qytetarë kryen homazhet e fundit në kujtim të deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi

Florenc Drizari

 

politika-ziPërcillet për në banesën e fundit deputeti i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi. Në Kuvendin e Shqipërisë, u mbajtën një ditë më parë homazhet zyrtare në nderim të deputetit Olldashi, i cili humbi jetën mbrëmjen e 20 nëntorit në një aksident automobilistik, në segmentin rrugor Elbasan – Tiranë.

Në ceremoninë e organizuar në sallën e seancave plenare morën pjesë familjarë të të ndjerit, si dhe krerët më të lartë të politikës, si: Presidenti i Republikës Bujar Nishani, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, kryetari i PD Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, Aleksandër Meksi, Fatos Nano, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, ambasadorë, zyrtarë e personalitete të ndryshme të vendit, të Kosovës si dhe miq e të afërm të deputetit Olldashi.

Në librin e shënimeve të hapur për ceremoninë mortore, si dhe për mediat që përcollën drejtpërsëdrejti këtë ceremonial, u shprehën mesazhe të shumta nga personalitetet më të larta të vendit. Krerët e shtetit ndër të tjera vlerësuan figurën e deputetit Sokol Olldashi, si një zë aktiv dhe me oratori të spikatur në jetën politike dhe publike të vendit.

CEREMONIA

Rreth orës 12:05 minuta të ditës së djeshme, arkivoli i mbuluar me lule, me trupin e pajetë të deputetit Sokol Olldashi, u përcoll drejt Kuvendit të Shqipërisë, ku u zhvilluan homazhe në nder të figurës së tij. Qindra qytetarë u mblodhën përpara sheshit të Kuvendit të Shqipërisë për t’i dhënë atij lamtumirën e fundit. Pak minuta para mbërritjes së arkivolit, në ambientet e Kuvendit mbërritën edhe familjarët e deputetit të ndjerë Sokol Olldashi. Dy djemtë e tij u shoqëruan nga deputetja Monika Kryemadhi.

Në ceremoninë e organizuar në sallën e Kuvendit, rreth orës 12:08 minuta filluan edhe homazhet. I pari që u përkul përpara trupit të pajetë të deputetit Sokol Olldashi ishte kryetari i PD-së Lulzim Basha, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij. Pasi ngushëlloi familjarët, i përlotur zoti Basha la shënimin e tij në librin e kujtimeve. Pas kreut të PD-së, ish-kryeministri Berisha dhe zonja e tij, Liri Berisha, nderuan deputetin Olldashi. Gjithashtu, edhe z. Berisha la një mesazh në librin e kujtimeve për të ndjerin Olldashi. Berisha bëri edhe një koment të shkurtër për mediat pas homazheve në sallën e Parlamentit ku vlerësoi kontributin e z. Olldashi në politikë dhe në shoqëri, duke përcjellë edhe ngushëllimet për familjarët dhe të afërmit e tij. Më pas homazhet vazhduan nga ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka, dhe me radhë të gjithë deputetët e tjerë të Partisë Demokratike.

Pas homazheve të grupit parlamentar demokrat, radha u erdhi homologëve të tyre socialistë, të cilët kishin mbërritur para ambienteve të Kuvendit rreth orës 12:15 minuta. Pas ceremonialit të zhvilluar pranë trupit të të ndjerit Olldashi, disa deputetë të PS-së u panë të përlotur nga humbja e kolegut të tyre, në momentin kur dolën jashtë ambienteve të Kuvendit. Një ndër ata ishte edhe deputeti Taulant Balla.

Në homazhet e djeshme për deputetin Sokol Olldashi morën pjesë edhe ambasadorë të huaj të akredituar në Tiranë, si ambasadori amerikan Alexander Arvizu, ambasadori i BE-së Ettore Sequi, ai i OSBE-së etj.

Rreth orës 12:32 minuta para Kuvendit të Shqipërisë mbërrin edhe Kryetari Ilir Meta dhe pak minuta më vonë edhe Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda. Si Meta edhe Rama zgjodhën hyrjen kryesore të Kuvendit për të kryer homazhet, duke pritur edhe disa minuta në radhë, për shkak të njerëzve të shumtë që qëndronin para derës. Rreth orës 12:50, minuta kreu homazhe edhe ish-kryeministri socialist Fatos Nano.

Rreth orës 13:45, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, u përkul me nderim përpara trupit të pajetë të deputetit Sokol Olldashi dhe më pas ngushëlloi dhe u dha kurajo familjarëve të tij. Pas kreut të shtetit, homazhe ka kryer edhe ambasadori amerikan në vendin tonë, Alexander Arvizu.

Pas orës 14:15 – Kortezhi me trupin e pajetë të deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, iu drejtua varrezave të Sharrës. Fjala e lamtumirës u mbajt nga kryetari i PD-së Lulzim Basha, i cili tha se Sokoli ishte edhe është një luftëtar që do të jetë impuls dhe forcë për të gjithë. Edhe pse në një mot me shi, qytetarë të shumtë përcollën trupin e pajetë të deputetit Olldashi deri në banesën e fundit.

 

 

Basha, Berisha si dhe deputetë të opozitës përloten para trupit të tij

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha: Lamtumirë i dashur mik dhe vëlla

 

Krerët më të lartë të shtetit shqiptar morën pjesë në ceremoninë e zhvilluar për t’i dhënë lamtumirën e fundit deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, i cili humbi jetën në një aksident rrugor në segmentin rrugor Elbasan – Tiranë. Në fjalën e mbajtur pak minuta para se trupi i të ndjerit Olldashi të nisej nga ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, drejt banesës së fundit në varrezat e Sharrës, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, e quajti humbje tragjike për familjen, opozitën, politikën në tërësi, vdekjen e deputetit demokrat.

“Në këtë humbje kaq të parakohshme, – tha Basha, – të gjesh fjalët e duhura për mikun, për shokun dhe liderin e shumë betejave politike dhe njerëzore, është shumë e vështirë.

Zoti na është dëshmitar që do të donim me gjithë forcën që njeriu ndryn në shpirt, që kjo e sotmja të mos ish një ditë e vërtetë. Do të donim të mblidheshim sot, kaq shumë sa jemi mbledhur, për të festuar datëlindjen e tij apo një gëzim tjetër familjar, gjithçka tjetër, vetëm e vetëm që të mos na nxjerrë goja të themi: Se Sokolin nuk do ta kemi më midis nesh! Sepse Sokoli, ashtu si edhe e ka emrin, ishte dhe është një luftëtar, një Sokol i paepur i shumë betejave, jo vetëm politike, por mbi të gjitha e në radhë të parë i betejave njerëzore. Për një Shqipëri më të mirë dhe për një Shqipëri ndryshe, europianiste, krenare dhe të çliruar nga prapambetja”, – u shpreh Basha.

Gjithashtu, kryetari i Partisë Demokratike bëri një pasqyrë të shkurtër të angazhimit të Sokol Olldashit që në moshën 18-vjeçare me lëvizjen e dhjetorit 1990. “Sokoli nuk u nda kurrë nga ky rrugëtim me Partinë Demokratike, në ditë të këqija e në ditë të vështira. Me profilin, kurajën dhe vizionin e veçantë te liderit, me forcën dhe këmbënguljen e një burri me vullnet të madh, por me buzëqeshje të dëlirë dhe të pastër rinore. Shqiptarët e përqafuan këtë mirësi dhe forcë që buronte nga shpirti i tij, duke e votuar masivisht katër herë rresht për deputet të Kuvendit të Shqipërisë, si djalin dhe misionarin e tyre”, – deklaroi z. Basha pak para se trupi i të ndjerit Olldashi të nisej nga salla e Kuvendit të Shqipërisë drejt banesës së fundit në varrezat e Sharrës.

Ndërkaq, pas homazheve që zhvilloi pranë arkivolit ku prehej trupi deputetit Olldashi, edhe ish-kryeministri Berisha shprehu ngushëllimet për familjen e ti dhe tha se vepra që ai la pas do të mbahet mënd gjatë. “Njëri nga politikanët më të talentuar, njëri nga zërat më të fuqishëm, qeveritarët më eficentë. Është shënuar në memorien e kohës me vepra të pavdekshme. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmve dhe dua të them se Sokol Olldashi jeton dhe do jetojë midis nesh me veprën e tij, trashëgiminë e tij me gjithçka që ai bëri për PD-në, për vendin, për kombin e tij”, – ishte komenti i z. Berisha.

Ndërsa ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi para mediave: “E kam dash shumë Sokolin. Ishte një njeri i rrallë. Një demokrat i jashtëzakonshëm. Ngushëllimet më të sinqerta. Kemi humbur një koleg të jashtëzakonshëm”.

Gjithashtu, komente për figurën e z. Olldashi bënë edhe deputetë të opozitës, të cilët vlerësuan kontributin dhe angazhimin e tij në politikë. Pas ceremonisë së zhvilluar në ambientet e Kuvendit, disa prej tyre u panë të dilnin të përlotur në shenjë dhimbjeje për kolegun e tyre.

 

 

 

Berisha: Humba një mik, bashkëpunëtorin më të guximshëm të jetës sime politike

In Memoriam!

“I dashur Sokol, lajmi i zi per aksidentin tragjik permbyti me dhimbje, pikellim dhe zi te madhe, zemrat, shpirtrat, e bashkeshortes, djemeve, prinderve, miqve, te afermve tuaj por dhe te demokrateve dhe demokratëve dhe mbare shqiptareve. I rritur ne kampet e punes te rregjimit barbar, si enfant prodige i vuajtjes, sakrifices, kurajos dhe qendreses njerezore, Sokol Olldashi me guximin, mençurine, shpirtin e tij te pamposhtur, do te hynte ne levizjen demokratike te viteve 90 dhe do te shkelqente si njeri prej yjeve me te shendriteshme te saj. Bashkeshortja, djemte, prinderit, miqte, te afermit e tu humben mbreme njeriun e tyre me te dashur, Partia Demokratike, demokratet dhe mbare shqiptaret humben njerin prej drejtuesve, personaliteteve me te vendosur dhe me te shquar te ketyre dy dekadave, humben njerin prej politikanëve me te talentuar, qeveritareve tane me te afte. Parlamenti shqiptar humbi oratorin me llogjike te kristalte, ligjberesin e zote, avokatin e zjarrte te qytetareve dhe interesit te tyre. Publicistika, studiot, arenat e debateve nuk do te kene me yllin e tyre te paperseritshem, kurse une nuk do te kem më jo vetem nje mik te çmuar por dhe njerin prej bashkepunetoreve me te afert, me te afte, me te guximshem te jetes sime politike.

I dashur Sokol, sot dhimbja ne zemrat tona eshte me rende se guri, zija me e zeze se nata, me e zeze se ajo kthesa qe te zuri prite dhe ne vitin e dyte te rinise se burrit te çoi tinezisht miku yne i dashur ne banesen e perjetesise. Ora qe une po shkruaj keto pak fjale ka kaluar kater e mengjesit dhe te them te verteten syte ne ndonje çast dhe me njomen dhe lëpehen dhe ne ndonje fjale germat edhe me zbehen, por une te siguroj se keto jane vetem çaste. Ne nuk mund vajtojme dhe kurre nuk do te vajtojme per ty. Ti je dhe do mbetesh perjete i gjalle midis nesh. Ti jeton ne krenarine, ne frymezimin, vizionin, guximin tone. Ti jeton ne zemrat e te rijnjve qe ngrije peshe, ne shkrimet e tua perla te publicistikes sone, ne fjalimet, debatet, batutat e tua te paperseritshme, jeton ne vepra qe kane ndryshuar kete vend pergjithmone.

Miku yne, ne me kitaren tende, tingujt e saj melodioze gjithnje do kendojme dhe festojme se bashku ty, vepren tuaj te pavdekshme, vepren tone. Po Koli, prehu i qete me deshiren e Zotit ne paqen e merituar. Lamtumire mik i dashur, lamtumire Sokol, ti perjet je midis nesh. I lehte qofte mbi ty, dheu i tokes sone!! sb”, – ka shkruar z. Berisha në

 

Deputetët e PS-së përkulen përpara arkivolit të Olldashit, Ruçi: Humbje tragjike

Deputetët e Partisë Socialistë zhvilluan homazhe në grup në nderim të deputetit të ndjerë Sokol Olldashi, i cili u humbi jetën në një aksident rrugor dy ditë më parë. Të kryesuar nga kryetari i grupit parlamentar, ligjvënësit socialistp përcollën dhimbjet për kolegun e tyre duke qenë prezent në ceremoninë e homazheve të zhvilluar në sallën e seancave plenare. Ata ngushëlluan familjarët për humbjen e një prej kolegëve më aktiv në Kuvend, edhe pse në kampin e kundërshtarëve. Kryetari i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, e quajti vdekjen e Olldashit një humbje tragjike edhe për politikanët shqiptarë.

“Është një humbje tragjike për familjen, bashkëshorten fëmijët, për publicistikën shqiptare, për opozitën shqiptare, për politikanët shqiptarë. Pavarësisht se jemi kundërshtarë politikë, ne me dhimbje jemi këtu të gjithë si grup parlament për të nderuar dhe respektuar si njeri, politikan, vëlla e mik, kolegun tonë Sokol Olldashi”, – deklaroi për mediat Gramoz Ruçi pas kryerjes së homazheve pranë trupit të të ndjerit Olldashi.

Në ceremoninë e homazheve që u zhvilluan dje pranë Kuvendit të Shqipërisë, u panë edhe ish-deputetë të Partisë Socialiste, të cilët kanë qenë pjesë e legjislaturës së kaluar.

 

 

 

 

 

Nishani: Gjurma e jetës së Olldashit s’do të shuhet kurrë

Në ceremonialin e zhvilluar pranë Kuvendit të Shqipërisë, mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Me anë të një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, u bëhen ngushëllime familjarëve të deputetit Sokol Olldashi dhe vlerësohet roli i tij në jetën politike e publike të vendit.

“Në këto çaste të rënda, – tha Nishani, – kur përjetojmë me hidhërim të thellë humbjen e papritur të personalitetit të jetës shqiptare, deputetit Sokol Olldashi, shpreh ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta familjes së tij.

Do ta kujtojmë Sokol Olldashin për kontributin e tij të gjithanshëm në jetën politike e publike në vend, për përpjekjen e tij të palodhur për demokracinë.

Do eta sjellim ndërmend Sokol Olldashin si një zë të fortë, këmbëngulës në kryerjen e detyrave që i qenë ngarkuar që në fillimet e karrierës së tij si gazetar dhe më vonë si politikan.

Familja e tij të jetë e sigurt se do ta ndjejë përherë ngrohtësinë jo vetëm të atyre që e kanë njohur nga afër, gjurma e jetës së tij nuk do të shuhet kurrë dhe në këtë bindje le të gjejë forcën për ta përballuar këtë humbje kaq të rëndë. I paharruar qoftë kujtimi i Tij!”, – përfundon mesazhi i kretu të shtetit.

 

 

Fatos Nano: Fatkeqësia është që iku pa radhë

Në ceremoninë e zhvilluar në kujtim të humbjes së deputetit të Partisë Demokratike, mori pjesë edhe ish-kryeministri socialist, Fatos Nano.

Rreth orës 12:50 minuta ish-kreu i PS-së u përkul përpara trupit të pajetë të Sokol Olldashit, duke shprehur ngushëllimet e tij për familjarët dhe miqtë. Në një deklaratë të shkurtër për mediat, zoti Nano tha se Olldashi do t’i mungojë familjes, politikës dhe të ardhmes së vendit.

“Sokol Olldashi ishte një nga ne politikanët e tranzicionit, me sakrificat, kontributet dhe debatet. Fatkeqësia është që iku pa radhë, nuk ishte radha e tij”, – deklaroi Nano.

 

 

 

 

Alexander Arvizu: Kam qenë me fat që e kam njohur Olldashin

“Do ta kujtoj gjithnjë si dikë që e donte shumë Shqipërinë. Kam qenë me fat që pata mundësinë ta njihja gjatë kohës time në Shqipëri dhe do ta kujtoj gjithnjë si dikë që e donte shumë Shqipërinë dhe dëshironte që ta bënte vendin e tij një vend me të mirë për të gjithë. Kur e takova për drekë disa javë më parë, me tregoi sa shumë e shijonte mundësinë për të kaluar më shumë kohë me familjen e tij më tregoi për planet që kishte për të vizituar SHBA-në në pranverë dhe unë i thashë se do ta prisja me kënaqësi takimin me të në anën tjetër të Atlantikut. Mendimet dhe lutjet e mia më të ndjera dhe të kolegeve të mi të Ambasadës Amerikane janë me familjen, miqtë dhe mbështetësit e tij në këtë ditë të vështirë”, – mësohet të ketë thënë ambasadori amerikan, Alexander Arvizu.

 

 

Ilir Meta: Dhembja që na bën bashkë

“Vdekja nuk njeh radhë. Vdekja thonë se zgjedh. Kësaj here zgjodhi Sokol Olldashin, babain e fëmijëve, bashkëshortin e një gruaje dhe birin e një nëne.

Gazetar dhe politikan, mik e kundërshtar, polemist i lindur, Sokol Olldashi hyri tashmë në heshtjen e tij. Për të tani flet dhembja e atyre që e kanë njohur. E atyre që e kanë parë. E atyre që kanë qenë dëshmitarë të jetës së tij të stuhishme në politikë, dëshmitarë të rrugës së jetës së tij që u ndërpre brutalisht në një natë me shi. Krejt papritur! Krejt befasisht! Me vdekjen që e priste në takim në kthesën e fundme të jetës së tij. E priste me ngut. Sepse e priste që copën tjetër të rrugës ta bënin bashkë! Është një humbje e padrejtë. Është një dhembje e pamerituar! Sokoli nxitoi të mos jetë vonë.

Dhe iku, iku shumë shpejt!

Në këtë ditë të zymtë, jam me shpirt e me lutjet e mia dhe të familjes sime pranë familjes së mikut e kolegut tim, pranë dy fëmijëve të tij të mrekullueshëm, Glaukut dhe Kleitit, bashkëshortes së urtë Enkelejda e nënës së shumëvuajtur Kozeta. Jam me të gjithë miqtë e dashamirësit e tij të panumërt që sot Sokoli i bashkoi të gjithë në zinë për të.

Sot, në këtë ditë të trishtë, ka dhembje pa kufi për Sokolin, një dhembje që ka kaluar dhe kufijtë e Shqipërisë e që ka trishtuar edhe në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi e gjetkë, kudo ku jetojnë e punojnë bashkëkombasit tanë.

Bashkoj dhe unë dhembjen me kolegët e tij në Partinë Demokratike dhe gjithë klasën politike, e cila tek Sokoli gjeti përfaqësuesin e një brezi politikëbërës që lindi në dhjetorin e stuhishëm të vitit ‘90. E një brezi plot vrull, me shumë dëshira e shpresa për ndryshim, që duke ndryshuar vendin, ndryshoi dhe vetveten!

Politika ishte pasioni dhe talenti i tij i madh. Politika ishte rruga të cilës ju dha me pasionin që kishte për poezinë. Me pasionin për ta kthyer politikën në mjetin normal që do të sillte ndryshim; për ta bërë edhe vetë Shqipërinë një vend normal.

Student i shkëlqyer, Sokoli hyri në vitet ‘90 me peshën e vuajtjes së persekutimit të egër e të padrejtë.

Opozitar i lindur, u bë pjesë e opozitës së dikurshme atëherë kur ky ishte vendimi më i vështirë për t’u marrë dhe aktor domethënës i qeverisjes së djeshme dhe sërish faktor plot peshë i opozitës së sotme.

Sokol Olldashi nga heshtja e tij na fton të reflektojmë në heshtje. Shqipëria sot, si Ballkani dje, prodhon më shumë ankth, tension dhe nervozizëm sesa mund të konsumojë. Duhet të jetë kështu? Natyrisht që jo! Ky nuk është fatalitet. Nuk është as e shkruar që të jetë kështu. Me ikjen e tij, Sokoli na jep edhe një shans tjetër për të menduar qetësisht mungesën tonë të qetësisë, shqetësimin tonë të vazhdueshëm për të përkohshmen që na bën të harrojmë të pandryshueshmen: jemi qenie njerëzore përpara se të ndahemi për politikë.

Ne shqiptarët, si gjithë ballkanasit, jemi nervozë në dasma dhe jemi seriozë e të menduar në funerale. Sepse dhembja na ndihmon të dëshmojmë pjesën tonë më të mirë. Sokoli iku që ta kujtojmë gjithmonë si një mik të mirë! Iku që të kujtojmë sërish se vetë dhembja na bën të gjithëve më të mirë!”, – ka shkruar Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

 

 

Loading...