Mundësia e fundit për statusin kandidat Një muaj nga përgjigjja, tre ministra të qeverisë, sot në Bruksel, lobim tek “skeptikët”

0
126

Gëzim Saliu

Ministrja e Integrimit Gjosha, ministri i Drejtësisë Naço dhe ai i Brendshëm Tahiri, takime përfaqësues të lartë të KE-së, raportime mbi ecurinë e prioriteteve

 

BeVetëm tri javë para se vendet anëtare të Bashkimit Evropian të marrin vendimin nëse Shqipëria do ta marrë ose jo statusin e kandidatit këtë vit, tre ministra të kabinetit qeveritar vizitojnë sot Brukselin. Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, ministri i Drejtësisë Nasip Naço dhe ai i Brendshëm Saimir Tahiri pritet të raportojnë në takimet me përfaqësuesit e lartë të Komisionit Evropian mbi masat që janë marrë deri tani në plotësimin e kritereve të vendosura si prioritete nga Brukseli. Po ashtu, pjesë e kësaj vizite të tre ministrave të kabinetit “Rama” do të jetë edhe lobimi tek vendet e cilësuara si skeptike deri më tani për t’i hapur dyert e BE-së, Shqipërisë. Vizita e sotme e tre ministrave është vizita e fundit e planifikuar nga pala shqiptare deri në dhjetor, kur do të merret vendimi për statusin. Nisur nga kjo, paraqitja e reformave të ndërmarra dhe angazhimet për ecurinë e mëtejshme do të kenë një rëndësi parësore në kuadër të përmbushjes së objektivit të statusit.

Statusi

Në mesin e muajit tetor, Komisioni Evropian në progres-raportin e vitit 2013 rekomandoi që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, me konsensusin e vazhdimit të reformave deri në dhjetor, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por pavarësisht rekomandimit të KE-së, i cili sigurisht është një hap i rëndësishëm në procesin e integrimit, vendimi përfundimtar për Shqipërinë do të merret në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare të BE-së. Ndër vendet që cilësohen si skeptike për Shqipërinë janë Holanda, Franca dhe Gjermania, të cilat nuk kanë marrë ende një vendim për votën që do të japin në mbledhjen e dhjetorit. Në konferencën kombëtare kundër korrupsionit, ambasadori i Holandës Martin De La Bej deklaroi se vendi i tij ende nuk ka marrë një vendim lidhur me faktin se cila do të jetë vota e Holandës për statusin e Shqipërisë propozuar nga Komisioni Evropian. “Në vendin tim, në Holandë, imazhi i Shqipërisë ka shumë punë për të përmirësuar”, deklaroi ai. Ndërkohë një javë më parë, komisionari për Zgjerimin Stefan Fyle vizitoi vendin, ku edhe zhvilloi takime të lartë me krerët e shtetit. Pas angazhimit konkret të politikës shqiptare për çështjen e integrimit evropian, eurokomisioneri mori pjesë gjithashtu në takimin e parë të Nivelit të Lartë mes qeverisë shqiptare dhe Komisionit Evropian, ku morën pjesë ministrat e kabinetit qeveritar, përfaqësuesja e opozitës Majlinda Bregu dhe krerë të lartë të institucioneve. Pas mbylljes së tryezës, Fyle e cilësoi takimin si të shkëlqyer dhe theksoi se po largohej nga Shqipëria duke marrë me vete informacione të vlefshme të cilat do t’i dërgohen vendeve anëtare të BE-së për punën e deritanishme në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërsa sa i përket mundësisë së hapjes së bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE, Komisioni Evropian në progres-raportin e tij vendosi 5 kushte, të cilat synojnë reformën në administratë, shtetin ligjor dhe të drejtat themelore.

 

 

Pesë prioritetet e Komisionit Evropian për Shqipërinë për hapjen e negociatave me BE-në

1-Administratë profesioniste dhe të depolitizuar

2-Forcimi i pavarësisë të institucioneve të drejtësisë

3- Lufta kundër korrupsionit

4-Lufta kundër krimit të organizuar

5-Mbrojtja e të drejtave të njeriut, përfshirë romët

 

Rekomandimi i KE-së më 16 tetor

Komisioni Evropian rekomandon që “Shqipëria të marrë Statusin e vendit kandidat me mirëkuptimin që ajo të vazhdojë të ndërmarrë aksione në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

 

 

Vendet skeptike dhe kandidatet zyrtare

Holanda, Gjermania dhe Franca janë shtetet skeptike që ende nuk kanë vendosur për votën e tyre n mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së në mesin e dhjetorit për statusin e Shqipërisë propozuar nga Komisioni Evropian

Vendet kandidate zyrtare për tu bashkuar me BE-në janë Turqia, Islanda, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia

 

 

Ambasadori holandez

Martin De La Reij: Refuzimi për armët, s’ka lidhje me statusin. Luftë korrupsionit

Ambasadori i Holandës Martin De La Reij deklaroi dy ditë më parë se refuzimi i Shqipërisë në mos përfshirjen e operacionit të asgjësimit të lëndëve kimike të Sirisë, s’ka lidhje me statusin. Sipas ambasadorit Reij qeveria shqiptare duhet të bëjë përpjekje të bëjë transparencë për qytetarët, mbi të gjitha duhen përpjekje për të luftuar korrupsionin.

 

 

Fyle për vendimin e vendeve kandidate për statusin

“Pas takimit të sotëm (referuar takimit të Nivelit të Lartë KE – Shqipëri) mund të them se jemi akoma edhe më të vendosur për propozimin që kemi bërë. Varet nga shtetet anëtare, duke u bazuar nga ky informacion apo një informacion tjetër që ata mund të kenë, për të marrë një vendim për këtë çështje. Përpara se të merret ai vendim ne do të kemi mundësinë që të ndajmë me shtetet anëtare substancën e gjërave që ne kemi diskutuar edhe sot në këtë takim, por për të marrë këtë vendim kjo është përgjegjësia e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency